Njeriu i Shërbimit

Njeriu i shërbimit duhet të jetë i gatshëm e i vendosur që, për hir të çështjes së zemrës, të kalojë edhe lumenj gjaku dhe, kur t'ia arrijë qëllimit, të jetë aq i pjekur sa t'ia japë çdo gjë të zotit, kurse para Krijuesit të Lartë të jetë i respektueshëm e me edukatë!.. Duke përmendur dhe miratuar çdo zë të kushtuar shërbimit për kauzën, duke e vlerësuar çdo individ të çmuar e të lartë, duhet të jetë i ekuilibruar duke i besuar vullnetit të Zotit për të mos i idhujtarizuar personat që do t'i duartrokasë për sukseset e tyre!.. Duke e caktuar para të tjerëve veten me përgjegjësi dhe detyrë për të marrë përsipër një punë të mbetur përgjysmë, ndaj kujtdo që vrapon në ndihmë për kapjen dhe ngritjen në këmbë të së vërtetës, duhet të tregohet i matur e i respektueshëm!.. Kur institucionet t'i jenë shembur, planet t'i jenë prishur, bashkimi t'i jetë shpërbërë dhe forcat t'i jenë shkatërruar, duhet të jetë jashtëzakonisht besimtar dhe optimist, kurse kur të jetë ngritur përsëri në këmbë dhe të ketë arritur majat, duhet të jetë i thjeshtë e tolerant!.. Duhet të jetë racional dhe parashikues që ta pranojë qysh në fillim se kjo rrugë është me të përpjeta e tatëpjeta; edhe sikur t'ia presin rrugën humnera skëterrore, madje, duhet të ketë bindjen dhe vendosmërinë se ka për t'i kapërcyer!.. Si dashnori i marrë i çështjes për të cilën ka lënë peng kokën, duhet të jetë aq besnik sa ta flijojë jetën për të dhe të jetë burrë dhe bujar sa të mos i përmendë e të mos kërkojë shpërblim për ato që ka bërë!..