Pasioni Pas Rehatisë

Çdo kauzë dhe e vërtetë e lartë fiton vazhdimësi dhe arrin një cilësi gjithëpërfshirëse me anë të vendosmërisë dhe besnikërisë së përfaqësuesve të saj si dhe me anë të zellit dhe përpjekjeve që do të tregojnë për ta mbrojtur atë. Në të kundërt, po qe se një kauzë e tillë, përballë sulmeve dhe goditjeve të shpeshta të armiqve, mbetet pa përkrahës dhe miq që e kuptojnë dhe besnikë, është e dënuar që herët a vonë të shembet e të fshihet nga kujtesa.

***

Ashtu siç ndodh që uji që s'ecën, të qelbet, edhe kalbja dhe humbja e njerëzve që e lëshojnë veten në rehati, është e pashmangshme. Dëshira për rehati te njeriu është shenja dhe alarmi i parë i vdekjes. Por, nëse një individ është paralizuar në ndjenja, as këtë shenjë e dallon, as dhe kambanat e alarmit i dëgjon. Natyrisht, as dhe paralajmërimet e miqve i kupton...

***

Dembelizmi dhe të shtënët pas rehatisë trupore janë shkaqet më kryesore të çdo lloj mungese e varfërie. Nuk ka dyshim se shpirtrat e vdekur që e kanë lëshuar veten në prehrin e rehatisë, do të vijë një ditë që të bien aq poshtë sa të presin nga të tjerët edhe nevojat e përditshme!

***

Kur pasionit për rehati t'i shtohet edhe pasioni ekstrem pas komoditetit shtëpiak, braktisja, më në fund, e luftës dhe vdekja shpirtërore e individit janë të paracaktuar. Por nëse, për më tepër, nuk parashikohet, sado pak, se ç'fshihet pas kësaj dhe gjendja vlerësohet me mendësinë e burrit me xhaketë hedhur supeve, kjo është vetë fatkeqësia!

***

Në saje të dëshirës për të luftuar dhe "pasionit për kufinj" ka lindur, nga një tribu e vogël, një perandori e madhe. Por, kur erdhi dita dhe vendin e kësaj dëshire dhe pasioni e zuri sevdaja për harem, një komb i stërmadh u shtri për tokë...

***

Ata që e kanë braktisur vendrojen për ashkun për harem e komoditet shtëpiak, shpesh herë, në kundërshtim me qëllimin e vet, kanë ngrënë shpulla duke e humbur edhe vatrën familjare. Ç'kuptim të thellë kanë fjalët e thëna nga e ëma një komandanti anadaluzian që s'ka ditur të luftojë si burrë kur është dashur për të luftuar: "S'luftove dot në front si burrë, të paktën ulu e vër kujën si gratë!"

***

Tek njeriu, ndryshimi që çon në kalbje, zhvillohet shkallë-shkallë dhe jashtëzakonisht në heshtje. Për më tepër, disa herë, një mungesë e vogël vëmendjeje, një ndarje e vogël prej karvanit mund të shkaktojë humbjen. Ç'e do se të tillët, për shkak se vazhdojnë ta shohin veten në të njëjtën vijë, shpesh herë as që arrijnë ta dallojnë se kanë rënë nga maja e minares në fund të një grope!..

***

Meqë ata që e braktisin vijën e luftës, me kompleksin e fajit të rrjedhur natyrshëm nga dezertimi, përfshihen nga mendimi kritizer ndaj shokëve që shërbejnë dhe i mbrojnë, duket si e pamundur të shpëtojnë nga një perversitet i tillë e të kthehen në vijën e tyre të parë. Ndërsa profeti Adem (Adam), kur rrëshqiti, e rimori vendin shpejt, me një të hedhur, në saje të pohimit të fajit dhe pendesës, Djalli u ngrit ta mbrojë veten pavarësisht nga faji i madh që kish bërë, pra edhe ra në një disfatë të amshuar!..

***

Disa herë vërehet që personat me vetëdije, vullnet dhe vendosmëri të paralizuar ushtrojnë ndikim të madh asfiksues mbi guximin dhe fuqinë moralo-shpirtërore të njerëzve përreth. Madje është vënë re shpesh se një lëkundje e vogël, një ngurrim i paktë i një njeriu të tillë të pavullnetshëm bëhet shkak për lëkundje dhe pesimizëm sa vdekja e vërtetë e njëqind vetëve. Dhe kjo nuk vlen për tjetër veçse për t'u dhënë zemër e guxim armiqve të kombit dhe atdheut e për t'ua nxitur oreksin që të na hidhen sipër!..

***

Bukuritë tërheqëse të botës, pasuria dhe fëmijët janë nga një provë më vete, nga një intrigë. Nxënësit më të suksesshëm të kësaj prove janë njerëzit fatlumë të vullnetshëm, të qëndrueshëm e të vendosur që mëngjes e mbrëmje i shprehin besnikërinë e tyre të Vërtetës pas të cilës janë lidhur me zemër!..

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.