Qëllimi dhe Mjeti

Në çdo hap dhe në çdo punë në fillim duhet përcaktuar qëllimi dhe synimi në mënyrë që njeriu të mos kapet e pengohet nga pretekstet. Po qe se në shërbimet për kombin nuk i jepet shpirtit orientim e nuk i tregohet synimi, mendimet kthehen në vorbull, kurse ata që shërbejnë, bien viktimë e tyre...

***

Në platformën e mendimit, qëllimi dhe synimi duhet të zenë gjithmonë vendin e parë, vendin e shquar, ndryshe, shkohet në një shumëllojshmëri çështjesh të barazvlerësuara dhe bihet në hutim. Sa e sa iniciativa tërheqëse ka që kanë mbetur shterpë për shkak të konfuzionit të qëllimeve e mjeteve, që jo vetëm nuk kanë arritur asnjë rezultat të dobishëm, por kanë lënë pas urrejtje e neveri...

***

Në perspektivën e çdo njeriu të lëvizjes e aksionit, Krijuesi i Lartë dhe pëlqimi i Tij duhet të zenë vend para çdo gjëje tjetër! Ndryshe, mund të shkohet në hyrjen në mes të idhujve të ndryshëm, në dukjen e gënjeshtrës si e vërtetë, në maskimin e dëshirave e pasioneve si ide dhe në kryerjen e krimeve në emër të fitores...

***

Grimca e punëve të bëra orientuar kah pëlqimi i Zotit ka vlerën e një dielli, pika, vlerën e një deti dhe çasti, vlerën e përjetësisë... Në është kështu, edhe sikur botët, në një rrugë të papëlqyeshme për Të, të kthehen në parajsë, e kanë vlerën zero dhe janë një mundim në kurriz të të zot. Vlera e preteksteve dhe mjeteve është në përpjestim të drejtë me atë se sa afrojnë ato në qëllimin e caktuar dhe me saktësinë dhe mungesën e defekteve në këtë afrim. Prandaj, pretekstet që nuk afrojnë apo çojnë në qëllimin e përcaktuar, për më keq, që bëhen pengesë në këtë rrugë, janë konsideruar të mallkuara, të mangëta në mëshirën hyjnore. Edhe mallkimi i rënë mbi botën për këtë është, sepse bota në vetvete, si pasqyrë e mijra shfaqjeve të Emrave Hyjnorë[1] e si një ekspozitë e shkëlqyer, e vlen edhe të duhet, edhe të duartrokitet!

***

Ekzistojnë lloj-lloj rrugësh dhe pretekstesh e mjetesh për ta kapur e ngritur në këmbë të vërtetën. Këto rrugë janë të vlefshme me aq sa e zhvillojnë më tej idenë e së vërtetës dhe respektin për të. Po qe se një shtëpi siguron harmoninë mes atyre që strehohen në të, po qe se një faltore tharmon te bashkësia që mblidhet nën kubenë e saj, idenë e pafundësisë dhe po qe se një shkollë u jep krahë nxënësve të saj duke u ushqyer besim dhe shpresë, do të thotë se e kryen detyrën e saj si pretekst dhe mjet, për rrjedhojë, është e shenjtë. Në të kundërt, të gjitha këto janë nga një kurth shtrigan më vete që ia kanë prerë rrugën njeriut. Po kështu edhe shoqatat, fondacionet, partitë politike!..

***

Çdo themelues institucioni të vogël a të madh duhet ta kujtojë shpesh qëllimin e themelimit të atij institucioni në mënyrë që puna të mos shmanget nga qëllimi i vet dhe të jetë e frytshme. Në të kundërt, çerdhet, shkollat, konviktet me qëllimin dhe synimin e themelimit të harruar, krejt ashtu si njeriu që ka harruar qëllimin e krijimit të vet, ecin në një vijë me kahje të kundërt me synimin e vet, pra dhe në dëm të vet...

***

Monopolizimi i idesë[2] dhe vështrimi i së vërtetës vetëm në anën e vet, janë shprehje pretekstualiteti dhe mungese synimi. Nëse neveria dhe urrejtja e ndjerë për njerëzit që kanë të njëjtat ide dhe ndjenja, s'janë si pasojë e mungesës së kuptimit mbi synimin dhe qëllimin, ç'janë? Eh, ata që mendojnë ta qeverisin gjithësinë sipas gjeometrisë së tyre të prishur, s'janë veçse krijesa të mjera, skllevër të egos që ai s'pranon t'i çlirojë...


[1] Në origjinal: Esma-i İlâhî.
[2] Në origjinal: inhisar-i fikr (osm.).

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.