Arti

Arti është nga rrugët më të rëndësishme që bën të zhvillohen shpirti dhe ndjenjat e përparimit. Kapacitetet e pafat që e lenë t'u ikë nga dora rasti për ta përdorur këtë rrugë, njëra anë, ashtu si njëra anë e trupit te gjysmëparalitikët, u mbetet e vdekur gjatë gjithë jetës...

***

Arti është si një çelës magjik që i zbulon dhe hap thesaret e fshehta. Pas dyerve të hapura me të, idetë veshin rrobën e trajtës, kurse iluzionet pothuaj trupëzohen...

***

Nëse ka ndonjë pulëbardhë ideje që i shëtit njerëzit në pafundësinë e detrave dhe lartësinë e kaltërsinë e qiejve, ajo është arti. Në saje të artit njeriu hap velat drejt gjerësive të pamata të tokës e qiejve, arrin përceptime dhe parandjenja tej kohës dhe hapësirës...

***

Arti vjen në krye të faktorëve që, me ruajtjen e botës ndiesore të njeriut, duke i treguar për çdo çast asaj bote ndiesore më të lartën e synimeve, i shtyn shpirtrat e ndjeshëm nga thellësia në thellësi. Po të mos ish arti, në botën e ndërhyrjes dhe zbulimit të njeriut nuk do të kishim mundur të shihnim asnjërën prej bukurive që ekzistojnë aktualisht. Dhe ata shpirtrat artistë të zjarrtë do të groposeshin në tokë për të humbur me gjithë projektet, planet dhe përfytyrimet e tyre...

***

Më e para tablo që i përshkruan thellësitë e botës së brendshme të njeriut, është arti. Eshtë në saje të artit që ndjenjat dhe mendimet më të thella, konstatimet më të çuditshme, dëshirat më intime janë regjistruar si të ishin regjistruar në një plan dhe pothuaj janë bërë të pavdekshme!

***

A nuk qe si rrjedhojë e shoqërimit të besimit prej artit që kjo botë madhështore, me faltoret e ngritura kas, me minaret si gishta dëshmie që tregojnë botën përtej, me motivet dhe disenjot e bekuara në ballë të mermerëve që konsiderohen secila si një mesazh më vete, me artin e shumëllojshëm të shkrimit, me ornamentet përshndritëse prej varaku, me punimet e pazbehura dhe qëndismat e bukura sa krahët e fluturave, kjo botë madhështore, pra, qe shndërruar në një galeri bukurish që s'ngopesh së pari?

***

Dituria e vërtetë e tregon veten me artin. Gjithashtu nuk mund të thuhet se dikush që nuk ka mundur të nxjerrë në shesh ndonjë çfarëdo vepër arti, di diçka si shumë...

***

Gjallëria e dhuntive njerëzore ka lidhje shumë me shpirtin e artit. Një njeri pa art, edhe në mos qoftë i vdekur, s'quhet as i gjallë...

***

Të gjitha përpjekjet artistike të pavlefshme sipas shpirtrave artistikë e që nuk gjejnë interesim dhe konsideratë, burojnë prej pamundësisë për ta dalluar nga njëra-tjetra formën me shpirtin.

***

Nuk ka dyshim se interesimi dhe konsiderata për një vepër arti i përkasin, më tepër se vetë veprës, mjeshtërisë dhe artit në shpirtin e saj.

***

Eshtë arti që e bën hekurin më të çmuar se arin, bakrin se bronzin. Sigurisht, në saje të artit, mineralet më të pavlefshme shndërrohen në gjëra më të çmuara se ari, argjendi dhe diamanti...

***

Ashtu siç të gjitha artet e bukura të cilat, në vijën tonë të të menduarit, janë dhurata të pavdekshme të shpirtrave të bekuar artistikë për njerëzimin, edhe të gjitha mjetet që konsiderohen pretekst kënaqësie e mirëqenieje për njerëzimin, nga ora që na tregon kohën te syzet që u japin fuqi syve të dobësuar, nga telefonat dhe radiotelefonat që i afrojnë largësitë, te televizorët që i reflektojnë në dhomat tona fytyrat dhe zërat e kapura nga të katër anët e botës, nga trenat, autobusët dhe avionët që na bartin dhe çojnë nga një vend në tjetrin, te anijet kozmike, të gjitha këto mjete, pra, janë vepra të këtyre shpirtrave të ndjeshëm të hapur ndaj artit.

***

Të gjithë shpirtrat e mbyllur ndaj artit janë si ca turma amorfe me qenien e mosqenien të njëvlershme, të cilat nuk i sjellin ndonjë dobi vetes, familjeve, kombit, madje mund të jenë të dëmshme...

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.