Jeta dhe Shpirti

Jeta është një e fshehtë hyjnore; natyrën e saj e njohin vetëm ata që janë konfidentë të të fshehtave hyjnore...

***

Jeta, në kuptimin e saj absolut, është një gjëllim fizik, trupor. Temperatura dhe gjëllimi në trup janë krejtësisht natyrore dhe prodhohen brenda procesit të shndërrimit të lëndëve ushqimore në gjak dhe energji.

***

Qëllimi i jetës fizike (trupore, fiziologjike) është gjëllimi dhe kryerja e një sërë detyrash fizike (trupore); nisur nga një gjë e tillë, nga një lloj jete e tillë, mes njeriut dhe kafshës nuk ka asnjë ndryshim. Kurse jeta njerëzore është jeta e përbërë prej vetëdijes, njohjes dhe mundësisë për të komunikuar me botët përtej dhe ja, kjo është jeta e vërtetë!

***

Jetë s'do të thotë shpirt. Jeta është një gjëllim trupor, material. Kurse shpirti është një qenie e brishtë, e pazbërthyeshme, e papjestueshme, e ndryshme prej elementeve lëndore si dhe një "ligj i urdhëruar"[1] i vetëdijshëm.

***

Shpirti hyn në raport me trupin së bashku me jetën dhe ndahet prej tij me ndarjen e jetës. Jeta shuhet e shkatërrohet, kurse shpirti jeton, në saje të urdhrit të Allahut, gjer në pafundësi.

***

Jeta është me burim krijimi dhe me dimensione natyrore. Kurse shpirti, një frymë hyjnore, zotëron një cilësi mbikrijimore e mbinatyrore. Jeta është e vdekshme dhe e fundme, kurse shpirti, me pamje përjetshmërie dhe i pavdekshëm.

***

Shpirti është një qenie që, mbi mekanizmën e trurit, njeh, ndien, kërkon dhe dëshiron vetë. Kurse marrëdhënia e tij me trupin është një fqinjësi e përkohshme dhe fat i përbashkët.

***

Shpirti është një qenie e pavdekshme që, ashtu siç e kapërcen lehtësisht gropën e varrit dhe ikën, ashtu dhe, pa u penguar në pritat e jetës së varrit[2] dhe grumbullimit pas ringjalljes,[3] shkon dhe arrin pafundësinë e xhehennemit e të xhennetit!

***

Shpirti reflektohet në pasqyra ose në ëndrra apo iluzione disa herë i shembëllyer si njeri, disa herë në formë avulli të lehtë e, disa herë, në formën e një elementi tjetër dhe, si engjëjt, merret me gjëra të dobishme ose, si djajtë, me gjëra të dëmshme e të këqia.

***

Jeta e vërtetë është ajo në të cilën jeta shpirtërore me jetën trupore shkojnë sup më sup. Një jetë e tillë është, në të njëjtën kohë, këtu një farë nga e cila del dhe çel lule jeta e njeriut të vërtetë, kurse përtej, jeta e të merituarve të xhennetit që do të hedhë shtat e blerojë në të gjitha përmasat e saj.

***

Vetëdija dhe thjeshtësia janë rezultat i jetës ndiesore.

***

Nuk mund të ketë jetë shpirtërore te ata që e jetojnë jetën pa përgjegjësi. Edhe përlotimi i tyre është një gënjeshtër më vete!

***

Qysh nga çasti kur erdhëm në këtë botë, jeta e vërtetë na është dhënë amanet e lidhur ngushtë me jetën shtazore dhe me qëllim për ta zhvilluar atë. Dhe kjo përgjegjësi mbetet mbi ne gjersa të vijë çasti që marrëdhënia shpirt-trup të prishet.

***

Përsa i përket jetës shtazore, njeriu është në koherencë me kafshët, kurse, përsa i përket jetës shpirtërore, në koherencë me engjëjt. Ashtu siç është i paracaktuar engjëllizimi me kohë i atyre që munden t'i vlerësojnë dhe përdorin mundësitë dhe dinamikat në esencën e krijimit të vet, ashtu edhe është e pamënjanueshme rënia herët a vonë nën nivelin e kafshëve, madje e djallëzimit të atyre që i lenë të verbëra mundësitë dhe dinamikat në fjalë, madje, që, duke i shndërruar në elementë destruktivë, i përdorin për të keq ato!


[1] Në origjinal: kanun-u emrî.
[2] Në origjinal: berzah.
[3] Në origjinal: mahşer.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2021 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.