Liria

Liri do të thotë që shpirti të mos pranojë asnjë kusht tjetër çfarëdo veç ndjenjave të larta dhe mendimeve të larta, do të thotë të mos bëhet rob i asnjë parimi tjetër veç virtytit, vlerës dhe dobisë.

***

Sa e sa vetë ka që, megjithëse ndodhen nën pranga e zinxhirë, janë kah fluturojnë pa prá në qiejt e lirë të ndërgjegjeve të veta pa ndjerë qoftë edhe për një çast burgosje e robëri. Dhe sa e sa vetë ka që, pavarësisht nga shkëlqimi dhe pompoziteti marramendës e syturbullues i pallateve ku jetojnë, assesi nuk munden ta ndiejnë e shijojnë lirinë në thellësitë e vetvetes së tyre!

***

Ata që e kuptojnë lirinë si mundësi absolute veprimi, janë kah e ngatërrojnë lirinë njerëzore me lirinë shtazore. Diametralisht e kundërt me lirinë ku mbështeten zemrat e pafré për të realizuar dëshirat e errta të trupit, të të gjithë natyrës lëndore të njeriut, liri e cila është krejtësisht një simptomë shtazore, liria që, duke hequr pengesat para shpirtit, i hap udhë trokut të tij, është krejtësisht një simptomë njerëzore.

***

Lirinë mund ta interpretojmë, gjithashtu, edhe si shkëputje të trurit të njeriut prej litarëve që do ta pengonin nga përparimi materialo-shpirtëror, sigurisht, pa rënë në indiferentizëm dhe moskokëçarje.

***

Liri do të thotë t'i thuash njeriut, "pasi t'i rrish besnik idesë së të drejtës e të mos u sjellësh dëm të tjerëve, mund të bësh ç'të duash!"

***

Liria e pëlqyeshme dhe e pranueshme është liria qytetare. Edhe ajo, e lidhur me zinxhirët prej perlash të fesë dhe moralit, e shtrënguar me rrathët prej floriri të mendimit të shëndoshë.

***

Liria që nuk njeh ndjenjë fetare dhe mendim fetar, që nuk i jep vlerë moralit dhe që s'shërben si fidanishte virtytesh e vlerash, i ngjet zgjebes nga e cila neveriten dhe ikin me vrap të gjithë popujt, ashtu që, popujt që u bie zgjebja, ashtu siç do të ndodhë që herët a vonë ta humbin qetësinë, do të ndodhë, pashmangësisht, t'i humbin edhe të njohurit, shokët e miqtë!..

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.