Mistika

Mistika është metoda e ndjerjes dhe rrokjes së të vërtetës së islamit nga ndërgjegjja. Nisur nga kjo, as ata që nuk janë të vetëdijshëm për jetën që jetojnë, nuk do të mundin ta arrijnë një përjetim të tillë, as ata që kënaqen vetëm duke dëgjuar legjendat për të tjerët, nuk do të mund të kuptojnë gjë nga kjo.

***

Nisur nga përfundimi, mistika është një emërtim tjetër i dukurisë sipas së cilës njeriu, i cili, pasi të ketë kuptuar thellë varfërinë, dobësinë dhe hiçin e vet, shkrihet, përhumbet dhe asgjësohet i tëri përballë rrezatimeve të trupit të Zotit që përbëjnë esencën e ekzistencës së Tij si dhe përballë atributeve të Tij...[1]

***

Mistika është situata cilësore sipas së cilës, shpirti i njeriut, pasi të jetë purifikuar dhe, pastaj, njësuar me origjinën e vet, të arrijë në një dimension të panjohur duke kapërcyer të gjitha kohët dhe hapësirat... Ja, pra, kështu, në saje të këtij përjetimi, njeriu, duke kaluar nëpër portën e hapur nga miraxhi profetik,[2] shkon e arrin tek Zoti i vet, pra, bëhet i merituari i një lloj miraxhi... Natyrisht, i një miraxhi sipas kapaciteteve të veta...

***

Urtësia dhe filozofia ia zgjerojnë njeriut horizontin e mendimit dhe e ndihmojnë t'i njohë materien dhe dukuritë. Kurse mistika mundëson kontaktin e njeriut, në një dimension pamundësisht të njohur dhe të përcaktuar, me Zotin e materies dhe dukurive dhe e bën atë mikun dhe konfidentin e Tij...

***

Mistika, ashtu siç mund të vërehet në personin e figurave përfaqësuese të tarikatit, është identitet i ndriçimit të shpirtit të njeriut duke marrë ushqim, me rrugën e zikrit dhe meditimit, nga Fjala Hyjnore që është e pafundme. Nisma është shtruarja drejt pafundësisë e disa linjave hipotetike duke marrë për etalon un-in njerëzor, kurse fundi, duke hequr dorë prej të fshehtave të un-it, është njohja se çdo gjë është prej Tij...

***

Mistika është rruga e hulumtimit me anë të dorës së zemrës, këmbës së zemrës dhe syrit të zemrës e të vërtetës hyjnore tek e cila dora e filozofisë nuk mundet të arrijë! Në këtë rrugë ku mendja këmbëzbathur e kryezbuluar bie përmbys e dërrmuar, zemra merr krahë si një pëllumb dhe përpiqet ta njohë, me kriteret e veta vlerësuese, atë Qenien e Panjohur.[3]

Dhe pastaj, diturinë shpirtërore të fituar, e shpall duke thënë: "S'të njohëm dot siç duhet...!"[4]

***

Mistika është shpirti i islamit. Islami nuk mund të mendohet pa të! Kurse tarikatet[5] e kanë sistematizuar mistikën.


[1] Lidhur me këtë dukuri ose përvojë mistike, në mistikën islame ka një emërtim të tillë si fena fi'l-lah që do të thotë humbje, shkrirje në Zotin. Për ta shpjeguar pak a shumë këtë, përdoret paralelizmi figurativ i përhumbjes së ujit të lumit në det. Njeriu vrapon me pasion për tek Zoti gjersa të përhumbet në qenien e Tij ashtu siç lumi që vrapon për në det gjersa të hyjë e të përhumbet në të! Krahas kësaj, përdoret edhe termi fena fi'l-ashk, humbja në dashuri. Megjithëse në mistikën islame me këtë bëhet fjalë për dashurinë për Zotin, harrimi, asgjësimi i vetvetes në dashuri (në dashurinë jo vetëm për Zotin) është një koncept i pranuar si nga mistika e përgjithshme, ashtu edhe nga filozofia.

[2] Eshtë fjala për miraxhin e profetit Muhammed. Me këtë rast, duhet sqaruar se fjala arabishte miraxh që do të thotë shkallë, ngjitje, lartësim, nuk ka të bëjë fare me fjalën frengjishte mirage (mirazh, pamje) që përdoret edhe për të emërtuar dukurinë e iluzionit optik në shkretëtirë, për të cilën në terminologjinë orientale përdoret fjala persishte serab. Gjithashtu, le të tërheqim, në parantezë, vëmendjen e lexuesit, mbi paralelizmin mes kuptimeve të fjalës arabishte miraxh (shkallë, ngjitje, lartësim) që emërton ngjitjen e profetit Muhammed te Zoti dhe mënyrës së lëvizjes së fotonit (të dritës) me kërcime sikur të ngjitej në shkallë!

[3] Në origjinal: Mevcûd-u Meçhûl.

[4] Në origjinal: "mâ arafnâke hakka mârifetik" (arab.) Transliterimi i origjinalit.

[5] Fjala tarikat do të thotë rrugë, metodë, alternativë. Në historinë e islamit, veçanërisht në historinë islame të reflektimit, tarikatet, pavarësisht nga kritikat që mund të bëhen për ta, kanë përfaqësuar dhe realizuar pluralizmin e mendimit.