Qytetërimi

Qytetërimi s'është pasuri materiale, dukje, shijim i kënaqësive trupore dhe notim i lëndësores mes dëfrimesh. Qytetërimi është pasuri ndiesore, delikatesë shpirtërore, thellësi pikëpamjeje dhe pranim i të tjerëve duke u njohur edhe atyre të drejtën për të ekzistuar.

***

Qytetërimi i vërtetë është mundur të vërtetohet vetëm në kushtet kur kanë prirë vazhdimisht dituria dhe morali bashkë. Prandaj ka ndodhur që qytetërimi perëndimor që e trajton çdo gjë lidhur me shkencat dhe teknologjinë, ka mbetur vazhdimisht paralitik, kurse qytetërimet lindore që përballë shkencës janë zhveshur e ia kanë këputur gjumit, ndodhen sot në një farë gjysmegërsie. Qytetërimi i së ardhmes do të hedhë shtat e zhvillohet në fidanishten ku kultivohen shkencat dhe teknologjia e Perëndimit si dhe filozofia e besimit dhe moralit të Lindjes.

***

Qytetërimi që nuk mbështetet në virtyt dhe moral, që nuk ushqehet nga hauzet e arsyes dhe ndërgjegjes, është një festë e përkohshme me flamurka e banderola që nuk i shërben lumturisë së njerëzimit, por vetëm ca të pasurve si dhe dëshirave të ca qejflinjve. Mjerë për ata që gënjehen pas parrullave të tij me drita që ndizen e shuhen!

***

S'duhet pandehur se qytetërim do të thotë të kesh përparuar shumë në shkencat e natyrës e teknologji, të zotërosh mundësi moderne si anije, trena e avionë, të jetosh në qytete të mëdha, të ecësh në rrugë e bulevarde të gjera e të banosh në qiellgërvishtësa. Të pranosh se këto gjëra, çdonjëra prej të cilave konsiderohet, në duart besimtare e të orientuara, vetëm një pretekst i qytetërimit, janë vetë qytetërimi, s'është tjetër veçse një vetëmashtrim!

***

Qenia të qytetëruar e individëve duhet kërkuar në përpjekjet e tyre për të fituar një natyrë të dytë duke zhvilluar e zhvilluar embrionet e gjërave të mira që ndodhen në esencën e njeriut. Ata që e quajnë të qenit të qytetëruar si identitet të veshjes dhe flokëve si dhe të përfitimit prej çdo lloji të kënaqësive fizike, janë një sërë të patrush e një duzinë fatkeqësh të vënë poshtë nga jeta e përbërë prej kënaqësish fizike.

***

Nuk ka dyshim se popujt e egër dhe endacakë janë gjakderdhës, mizorë e piratë. Ndërkaq, është një e vërtetë se, meqë kjo gjendje e tyre dihet nga të gjithë, nuk është shumë e rrezikshme për të tjerët. Mirëpo ç'tu bësh endacakëve të qytetëruar të pajisur me armë moderne që ruajnë në çdo kohë rastin e volitshëm për të pirë gjak!

***

Po qe se qytetërimi është tregimi nga një komb i qenies së vet, materiali i kësaj ligjërate të shkëlqyer duhet të jenë veprat shkencore, morale e teknologjike të atij kombi. Sepse edukata shoqërore dhe mjeshtëritë e artet e ndryshme i japin trajtë qytetërimit, kurse morali, si një gjuhë oratorike, e prezanton atë.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.