Urtësia

Eshtë një pishtar hyjnor që, duke ia ndriçuar rrugën mendjes, i hap asaj horizonte të reja dhe, rrugët që kërkojnë vitin për t'u përshkuar, nën ndriçimin e saj mund të përshkohen në një orë: ideja!

***

Puna e idesë është të hulumtojë të drejtën. Në laboratorin e saj që ka për mjete dhuntitë hyjnore, shumë gjëra të drejta, për ta gjetur të drejtën, ndryshohen pa pushim; këtu qëndron edhe fisnikëria e idesë...

***

Ide do të thotë të mendosh. Më tepër se besimi pa i gjykuar i gjërave që vijnë në mendje dhe shkatërrimi i të tjerave duke kërkuar të meta në to e duke i kundërshtuar ato, mendimi është një përpjekje e virtytshme që e merr fuqinë nga logjika, urtësia dhe dhuntia hyjnore e që të çon te e vërteta...

***

Në një kuptim, ideja është eleganca dhe dritësimi i mendjes. Mungesa e idesë nuk do të thotë mungesë e mendjes. Në ndryshim prej mendjes e cila e kap çdo gjë të ndriçuar dhe e vlerëson, idesë i pëlqen më shumë t'i përcaktojë në errësirë gjërat që kërkon t'i përcaktojë. Po, ideja dhe shpirti bëjnë punë më shumë në errësirë...

***

Urtësia ose filozofia islame është zhvilluar dhe ka hedhur shtat në majat e mendimit vetëm në këtë kuptim. Urtësia e shëndoshë është shfaqur kudo e kurdoherë kur ka sunduar mendimi i shëndoshë, kurse në ato periudha e në ato vende ku mendimi i mangët e i çalë është imponuar, ka dalë në shesh një filozofi defektoze e mashtruese...

***

Po qe se filozofinë me të metat dhe plasaritjet e saj do ta quanim urtësi, edhe filozof do të thotë i urtë[1] që e do urtësinë.

***

Njëri prej burimeve më të rëndësishëm të dritës i cili, duke e shpëtuar mendimin njerëzor prej turbullisë dhe zemrën prej egërsisë, pas pastrimit shpirtëror, i ve në dorë ndërgjegjes një pishtar të ndezur për t'i ndriçuar vendet ku ka për të arritur dhe që, nën këtë ndriçim, bën të lexohen shkrimet në fytyrën e ekzistencës, është urtësia apo filozofia islame.

***

Shkencat vërtiten brenda kornizës së mendjes, urtësia bleron e zhvillohet në atmosferën shpirtërore. Tërësia e vlerave moralo-shpirtërore[2] lind dhe rritet në klimën shpirtërore shumë përtej kornizës së mendjes.

***

Synimi i urtësisë është ndriçimi i rrugëve që shkojnë për te Allahu dhe shpirti. Ky proces ndriçimi bëhet herë duke kaluar nga vepra te autori i veprës e herë nga autori te vepra. Që të dyja rrugët mund ta çojnë njeriun te e dobishmja dhe bukuritë absolute në atë masë sa ç'të jenë të shëndosha qëllimi dhe botëkuptimi i atij që mban në dorë pishtarin e urtësisë!

***

Dijetar[3] nuk është ai që di, por ai që e ndien në ndërgjegje atë që di. Ç'të jetë dijetari përballë injorantit, të tillë janë edhe i urti dhe filozofi përballë dijetarit.

***

Dijetari hyn në marrëdhënie me qeniet me aspektin e tyre thjesht material e që i përket botës konkrete, kurse i urti merret vazhdimisht me botën e padukshme e atë përtej...

***

Gjërat e bukura që i sheh e bëhet dëshmitar i tyre, por që nuk i ndjen në ndërgjegje si një kënaqësi sublime, dijetari mund t'i quajë të këqia. Ndërkaq, meqë çdo gjë e trajton nga ana e saj e fshehtë, "pas kuintave", i urti e zhvillon të gjithë veprimtarinë e vet ideore pothuajse në një atmosferë adhurimi...

***

Nuk do të thotë që çdo gjë e padëshirueshme të jetë e shëmtuar dhe e keqe. Fëmijët nuk e kanë qejf të vrasin mendjen e të mësojnë, nuk u pëlqen të pijnë ilaç a të bëjnë gjilpërë, por mpaken për të luajtur me zjarr dhe gjarpërinj... Në të njëjtat përmasa mund të trajtohen edhe dituria, mendja dhe urtësia.

***

Filozofët e rinj tek ne janë ata që kanë lidhje më pak se të tjerët me filozofinë. Ajo çka kanë bërë shumica prej tyre, është ndonjë përkthim gjysmak... Eh, sikur ta kishin bërë saktë qoftë edhe aq gjë!..

***

Urtësia mund të vërtetohet jo me mendjen, por me miratimin dhe dëshminë e shpirtit. Sigurisht, urtësinë, prapë urtësia e kupton; mendja është ose armiku ose miku i pasinqertë i saj...

***

Fakti që mendja shumë herë s'e pëlqen urtësinë, rrjedh prej pamundësisë për ta kuptuar atë. Çështjet e urtësisë janë aq të holla dhe përtej mendjes, saqë mendja që s'ka marrë krahë prej frymëzimit, e ka shumë të vështirë t'i afrohet asaj, madje, të pamundur!

***

Nëse mendja është shtresa e bardhë e syrit, urtësia është shtresa e zezë e tij e cila lind nga errësira që pason dritën e mendjes...

***

Mendja është emërtimi i rrokjes së materies me anë të punës së duarve, kurse urtësia, me anë të syve. Mendja është emërtimi i shikimit të ekzistencës me syze, kurse urtësia, i vëzhgimit të saj me dylbi ose me teleskop...

***

Mendja nuk mund t'i kapërcejë kufijtë e lëndës; tej lëndës mund të shohin e të parandjejnë urtësia dhe filozofia e vërtetë. Por sa e hidhur është që në vend që të dëgjojnë atë zërin gurgullues e që s'të gënjen të urtësisë, njerëzit shkojnë e dëgjojnë daulle e zurna...

***

Janë dy pishtarë që ndriçojnë rrugët e errëta e të ngatërruara të jetës: njëri, mendja e shëndoshë, tjetri, urtësia...

***

Dituritë janë drita e mendjes, kurse urtësia, rrufetë që shkrepëtijnë në qiellin e shpirtit...

***

Ngatërrimi me njëri-tjetrin i filozofisë materialiste me urtësinë është shprehje e mosnjohjes së të dyjave. Por sa çudi që tani nga të gjitha anët vetëm përçartjet e këtyre lloj injorantësh dëgjohen...

***

I urti, brumi i të cilit është zënë me urtësi, i sodit gjithësitë që nga muret e ngushta të qelisë së vet dhe arrin në pika të tilla të paarritshme ashtu që udhëtarët që shëtisin botën, nuk munden të shohin as dhe një të qindtën e atyre gjërave që sheh ai...

***

Filozofit i thonë "njohës i gjithësisë";[4] ai që s'është njohës i të vërtetës dhe "konfident i Zotit",[5] nuk mund të jetë filozof i vërtetë.

***

Çdo fjalë i shpërthen njeriut nga shpirti e del në shesh sipas nivelit kulturor të tij dhe ia kuptojnë vetëm ata me horizontin në atë nivel. Pamundësia për t'i kuptuar fjalët e holla, të vërtetat e imta ose vlerësimi i tyre si të thjeshta apo vulgare rrjedh jo nga mosdija apo trashësia e shpirtit, por nga mungesa e kulturës te ai.

***

Shumë shpesh kombet kanë mbetur e janë shtypur nën paletet e fuqisë së paurtësi. Në fakt, kur fuqia e paurtësi e shtyp urtësinë e pafuqi, është dikush që shtypet me të vërtetë e qan: e vërteta!..

***

Vlerën e margaritarit e njohin sarrafët, shkencëtarin, dijetarët si dhe njeriun, njerëzit e përsosur të ngjitur në nivelet më të larta të vlerave njerëzore. Margaritari duket i çuditshëm në tregun e bakrit, dijetari, mes injorantëve, njeriu, mes shpirtrave shtazorë si dhe i urti, në një botë ku gjykimi dhe ndërgjegjja janë hedhur pas shpine...


[1] Në origjinal: hakîm (osm.)

[2] Në origjinal: mâneviyât (osm.)

[3] Në origjinal: âlim (osm.)

[4] Në origjinal: kâinatşinas (arab., pers.)

[5] Në origjinal është përdorur karakterizimi "ârif-i billah" që, në mënyrë të perifrazuar, do të thotë "prijës shpirtëror (në mistikën islame, "veli"), njeri

që, në saje të intuitës mistike e të përvojës mistike, është ngritur në nivele të tilla shpirtërore që të mund ta ndjejë Zotin, të bëhet konfident i Tij", prandaj edhe e përkthyem këtë karakterizim si

më sipër.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.