Ç'janë esenca dhe cilësitë e Zotit?

Zoti është krejt tjetër nga gjërat që ka krijuar, nga e vërteta dhe relativiteti i tyre. Në këtë botë të kufizuar, njeriu mendon në mënyrë të kufizuar, sheh në mënyrë të kufizuar, dëgjon në mënyrë të kufizuar.

Gjërat që sheh njeriu në këtë botë, janë në raportin pesë për milion. Po kaq edhe gjërat që dëgjon. Për shembull, ai nuk e dëgjon tingullin me frekuencë 40 Herc. Nuk dëgjon as tingujt me frekuencë që e kalon mijëshin. Kjo do të thotë se ai e ka të kufizuar mundësinë e përceptimit të tingujve që është përsëri një numërues tepër i vogël ndaj milionit. Shumë të ngushta janë edhe fushat e tij të mendimit dhe ndijimit. Atëherë, përpjekja e këtij njeriu që sheh, dëgjon, ndien dhe kupton në mënyrë kaq të kufizuar, për të gjykuar mbi Zotin duke e kufizuar Atë, duke i atribuar Atij relativitet sasior dhe cilësor me anë të pyetjeve të trajtës "Si është Zoti", "Pse nuk e shohim Zotin", etj., do të thotë të mos e njohësh veten. E ç'je ti dhe ç'di ti, o njeri, që të dish edhe Zotin! Zoti s'ka të bëjë me kufizime sasiore dhe cilësore si dhe është aq i madh e sublim sa që të mos mund të matet me kriteret e tua të mangëta! Edhe sikur të shkosh ti përtej largësive një trilion vite dritë e t'i shohësh ato universe dhe pastaj t'i vësh njëra mbi tjetrën, ato nuk do të përbënin as diçka mikroskopike, madje, në raport me qenien e Tij! Kur ne nuk e njohim ende kontinentin e Antarktidës, si do të mund të kemi njohuri për madhësinë dhe cilësinë e Zotit që i vërtit në dorë të gjitha universet? Pikërisht pse është Zot, Zoti është i shenjtë e i pakarakterizueshëm në madhësi e cilësi. Ai është përtej e më përtej çdo lloj përfytyrimi tonë!

Teologu thotë: Zoti është i ndryshëm nga çdo gjë që mund të të shkojë ty nëpër mend. Kurse mistiku thotë: Zoti është përtej së përtejmes së përtejmes së asaj që të shkon ty nëpër mend!..

Dekarti thotë: Njeriu është në çdo gjë i kufizuar. Ai që është i kufizuar, nuk mund ta mendojë atë që është i pakufizuar. Ndërsa qenia e Zotit është e pakufizuar, është eternale. Për rrjedhojë, njeriu, i cili mendon në mënyrë të kufizuar, nuk mundet ta rrokë, ta konceptojë Atë!

Shkrimtari gjerman Gëte na flet kështu për Zotin, për këtë qenie të panjohur: Të kujtojnë Ty me një mijë emra, o i Panjohur! Edhe sikur të të kujtoja Ty jo me një mijë, por me mijra emra, prapë nuk do të quhesha se do të të lartësoja, sepse Ti qëndron përtej çfarëdolloj përshkrimi!

Mendimtarët e vlerësojnë Zotin si qenie, por si një qenie që nuk mund të njihet. Zoti nuk është ndër ato gjëra që mund t'i konceptojë e që mund t'i njohë njeriu. Syri nuk mund ta shohë, veshi nuk mund ta dëgjojë. Atëherë, ti, o njeri, duhet ta besosh Atë ashtu siç të kanë mësuar profetët!

E si mund të njihet Zoti kur Ai është burimi i parë, shkaku i parë edhe i trupit tënd, edhe i diturisë tënde! Qenia jonë është hija e dritës së qenies së Tij, dituria jonë - një grimcë e diturisë hyjnore që është mjedisi i Tij! Po, në një nivel të caktuar, ekziston rruga e njohjes së Zotit dhe e zotërimit të diturisë, vetëm se kjo është krejt tjetër nga rruga e njohjes së materies. Ata që nisen ta njohin Atë përmes një rruge të gabuar, janë ca fatkeqë që s'kanë mundur ta thyejnë krenarinë e egos së vet, që s'kanë mundur të ndiejnë e të shijojnë se ç'është vëzhgimi i vërtetë, të cilët, me përçartjen e kërkova Zotin, po s'e gjeta dot, nxjerrin në shesh perversitetin e tyre në emër të shkencave të natyrës e të filozofisë!

Zoti është i tillë që e tregon qenien e Tij shpirtendjenjalartësuese gjatë lartësimit qoftë subjektiv, qoftë edhe objektiv të shpirtit e të ndjenjave, na tregon se qenia e Tij është e domosdoshme dhe e detyrueshme dhe na bën ta ndiejmë Atë në thellësinë e shpirtit tonë. Ja, pra, kjo ndjenjë ndërgjegjësore që është rrënja e të gjitha diturive tona, është më e fuqishme se të gjitha shkencat, vetëdijet, mendjet, dhe idetë e kufizuara! Prandaj edhe shpesh, duke e lënë mënjanë trupin tonë dhe këtë parandjenjë të brendshme, biem në gabime e perversitete!

Gjithësia është mijra gjuhë dhe mijra akorde që na e kujtojnë këtë. Kur'ani, me gjuhën e tij oratorike, është përkujtuesi më i madh, kurse Profeti ynë - kumtuesi më i shkëlqyer i kësaj!

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.