Ç’është dukuria e përshtatjes dhe cilat janë pasojat negative të saj?

Të përshtatesh, do të thotë të mësohesh me një mjedis a me dikë, të krijosh afërsi që mund të çojë gjer në miqësi e dashuri, etj. Por në këtë pyetje është fjala për një kuptim tjetër të kësaj fjale.

Marrëdhëniet e njeriut me sendet dhe ngarjet, kuptimet e prodhuara nga një marrëdhënie e tillë dhe reflektimet që lenë këto kuptime në thellësitë e ndërgjegjes së njeriut e ndryshimet që fillojnë të duken, pas kësaj, në sjelljet e tij, janë një dyzinë evenimentesh, në saje të të cilave shpirti mbetet i ndjeshëm dhe dinamik.

Sigurisht, mahnitja që do të ndjejë njeriu përballë bukurisë dhe tërheqjes së ekzistencës, kërshëria dhe dëshira e hulumtimit e zgjuar në botën e brendshme të tij për rregullin e përgjithshëm që punon si një sahat, dituria e fituar nga zbulimi i çdo gjëje të re dhe dëshira për t'u hyrë gjërave më thellë, arritja, më në fund, për të menduar në mënyrë të plotë pas sistematizimit të copëzave të dijes e shtyjnë njeriun drejt ndjeshmërisë ndaj çdo ngjarjeje, mendimit aktiv, veprimtarisë shoqërore dhe syçelësisë së përhershme.

Në të kundërt, mbyllja e veshëve dhe e syve ndaj valles së një mijë e një bukurive përreth dhe mungesa e ndjeshmërisë dhe interesimit përballë kombinimeve në harmoni me njëri-tjetrin, pamundësia për t'u hyrë shkaqeve dhe urtësive të gjërave të para dhe kalimi indiferent pranë tyre, pamundësia për të arritur, gjithsesi, lartësimin e nivelit njohës të shpirtit, janë shprehje të pandjeshmërisë së njeriut, të zbehtësisë shpirtërore dhe të jetesës me sy mbyllur. Njerëzve të tillë nuk do të mund t'u tregojë gjë as libri enigmatik i gjithësisë, as dhe çelja para syve çdo ditë fletë-fletë e subjektives. "Sa e sa mrekulli ka që u kanë kaluar pranë e që s'u kanë hedhur sytë t'i shikojnë" -thotë Kur'ani. S'kanë mundur të përfitojnë nga ngjarjet, s'kanë mundur të nxjerrin mësime nga ç'kanë lindur e perënduar!..

Mahnitja dhe kërshëria që ndien ndaj ekzistencës një njeri që i përjeton ato çka ndodhin përreth, janë për të sikur të dalë për lundrim në detra pa anë e pa fund. Në çdo etapë të këtij udhëtimi atij i jepen çelsat e artë të sarajeve misterioze. Kur me ndiesitë e kthjellta, me ndjenjat e shpalosura për fluturim, me mendësinë sintetizuese t'u drejtohet frymëzimeve me shpirtin e gatshëm e të ecë para si dhe kur t'ia bëjë të njohur ndërgjegjes gjërat e thithura e të përvetësuara, në botën e tij mendore të kultivuar si kopshtet e varura të Babilonisë, fillojnë të përhapen e të zhvillohen kopshtijet e parajsës.

Kurse ata që nuk kanë mundur të arrijnë këtë nivel botëkuptimi dhe shpirtëror, me që gjithsesi nuk mundin të dalin jashtë cipës së shprehive që ua rrethon mjedisin gjithandej, rrinë e ankohen vazhdimisht për monotoninë e ndodhive e të sendeve. Në sytë e tyre çdo gjë është kaos, errësirë dhe e pakuptimtë. "Edhe të gjitha mrekullitë t'i shikonin, prapë nuk do t'i besonin..." -thotë Kur'ani. Dhe vazhdon: Me zinxhirë në mendjet, me prangat në shpirtrat dhe "me zemrat e vulosura, nuk kuptojnë." Nga njerëz të tillë nuk mundet të pritet asnjë fryt, asnjë dobi; të shpresosh diçka tjetër prej tyre, është gjë e kotë.

Përveç këtyre sa thamë, është edhe një dukuri tjetër, përshtatja me gjërat pas njohjes dhe kuptimit ose pas pandehjes se ashtu duhet të jenë, shikimi i tyre si diçka e zakonshme dhe zhytje në këtë pellg indiferentizmi për gjithçka, gjë që, me sa duket, është edhe ajo çka kërkohet nga pyetja. Me fjalë të tjera, ndodh që pas një njohjeje të pjesshme dhe specializimit në të, të pasojë një atrofizim i interesit dhe ndjeshmërisë së duhur ndaj botëve që ndryshojnë, ndaj bukurive që rinohen, ndaj nevojës për t'u thelluar dhe ridimensionuar, njeriu pushon së marri mësim nga gjërat dhe ndodhitë, gjë që, na ruajttë Zoti, do të thotë për njeriun heshtje dhe vdekje e ndjenjave.

Po qe se një njeri që ka rënë në një gjendje të këtillë, nuk i fshin shpejt e shpejt sklepat që i kanë zënë sytë e s'vrapon si dhe s'nxitet të vrapojë për të kuptuar imtësitë e urtësitë tek materia, po qe se s'hap veshët të dëgjojë e të kuptojë mesazhet hyjnore që vijnë nga bota e lartë, është i paracaktuar të karbonizohet me të tëra, të përmbyset e të shkojë.

Prandaj edhe krijuesi i Lartë i rregullit dhe harmonisë së gjithësisë, duke na dhënë vazhdimisht mësime e duke na bërë paralajmërime me anë të zërave dhe frymërave të ndryshme, me anë të mësuesve gjithnjë të rinj, gjuhëkthjelltë e mrekulliqartë, duke e përsëritur me anë të tyre idenë e së pavdekshmes, u ka dhënë zemrave fllad dhe syve dritë. Prandaj edhe i ka paralajmëruar vazhdimisht ndërgjegjet e njerëzve për gjërat ndaj të cilave ata e kanë humbur ndjeshmërinë dhe interesimin për shkak të përshtatjes dhe të të mësuarit dhe ka kërkuar që tabllotë që na ka dhënë mendja në dorë, të kalohen përsëri e përsëri para syve.

Aq shumë i ka përsëritur, me mënyra të ndryshme shprehjeje, Krijuesi i Lartë në Librin e Tij krijimin e njeriut dhe përhapjen e tij mbi tokë, bashkimin e njeriut me shokun e jetës duke arritur, kështu, kënaqësinë dhe sigurinë, shkëlqimin dhe madhështinë në krijimin e qiejve e të tokës, ndryshimin e gjuhëve e të dialekteve, rrjedhojat e qarkullimit të ditës e të natës, gjërat që vijnë si një mëshirë me anë të rrufeve e të shiut, sa që nuk ka lënë asnjë shteg dhe hapësirë për ambientim për njerëz që mendojnë, dinë, dëgjojnë dhe përdorin mendjen. "Nga faktet e fuqisë së Tij është edhe që Ai ju krijoi prej dheu dhe ju shpërndau në të gjithë faqen e tokës. Dhe nga faktet e madhështisë së Tij është krijimi nga lloji juaj i palës tjetër që të gjeni prehje tek ato dhe krijimi i dashurisë dhe mëshirës mes jush. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë. Nga argumentet e Tij është edhe krijimi i qiejve e i tokës, ndryshimi në gjuhët dhe ngjyrën tuaj. Edhe në këtë ka argumente për njerëzit. Nga argumentet e Tij janë edhe gjumi natën e përpjekja ditën për të fituar nga të mirat e Tij. Në këtë ka argumente për popullin që dëgjon. Nga argumentet e Tij është edhe ajo që jua tregon vetëtimën edhe si frikë, edhe si shpresë dhe nga qielli lëshon shi e me të e ngjall tokën pas vdekjes së saj. Në këtë ka argumente për një popull që di të mendojë." (Kur'ani, Rum: 20-24) Edhe me qindra paralajmërime dhe orientime të tjera, duke na tërhequr vëmendjen për mijra mrekulli që u kalojmë pranë pa i parë, Deklarata Qiellore shpërbën ndjenjën e ambientimit e na zgjon nga gjumi i indiferentizmit. Prapëseprapë, njerëzit janë si bilbili që këndon pa e kuptuar se ç'bëhet rrotull, pa i kuptuar dhe ndjerë ndodhitë. "Ata, peshqit, që rrojnë në det e s'e dinë ç'është deti..."

Përveç këtyre, është edhe reflektimi i të mësuarit, përshtatjes, ambientimit të njeriut nga mendimi dhe koncepsioni i vet te adhurimet e veta, gjë që do të thotë vdekje tek ai e ndjeshmërisë, dashurisë dhe emocionit. Në individin e rënë në këtë gjendje, të gjitha gjërat si dashuria për adhurim, ndjenja e përgjegjësisë, neveria ndaj mediokritetit, ngashërimi prej mëkateve atrofizohen e mbarojnë. Dhe rikthimi i njeriut, pas kësaj, në gjendjen e mëparshme, është një gjë mjaft e vështirë. Duhen frymëmarrje shumë të pastra, përkujtime të kthjellta që njeriu ta rigjejë veten, të shohë ç'ka përreth dhe të bëhet rojtar sypafjetur i gjërave që hyjnë e dalin në zemrën e tij.

Për të zënë farën e një shpirti të ri tek njeriu, duhet që çdo frymë e re t'ia kujtojë atij idenë e nevojës për tu ripërtërirë. Po, njeriu është i përcaktuar të plaket e të kadavrizohet, megjithatë nuk i mungon mundësia për t'u ripërtërirë. Mjafton që të tregojë respekt për dorën që e prek në shpirt. "A nuk erdhi, më në fund, koha që zemrat e atyre që besuan, të zbuten me këshillat e Allahut dhe me atë të vërtetë që zbriti? E të mos bëhen si ata që u qe dhënë libri, por, që, me kalimin e kohës, zemrat iu ngurtësuan e shumë prej tyre janë jashtë rrugës!" (Kur'ani, Hadid: 16)

Në mënyrë të përmbledhur mund të themi se ndjenja e të mësuarit, e përshtatjes, ambientimit, është një fatkeqësi e madhe që i rri njeriut mbi krye. Dhe shumica kanë rënë në këtë fatkeqësi. Njeriu i rënë në këtë gjendje, është indiferent ndaj gjërave që ndodhin përreth, i verbër ndaj bukurive në librin e gjithësisë dhe shurdh ndaj gjuhëve që thonë të vërtetën për ndodhitë. Prandaj edhe besimin e ka të mangët e të pamjaftueshëm, adhurimet pa dëshirë, ndërkaq, tregohet i padrejtë në marrëdhëniet njerëzore. Shpëtimi i tij prej kësaj gjendjeje kërkon zgjatjen e një dore të fuqishme favori dhe riaftësimin e veshit për t'i dëgjuar dhe syrit për t'i parë.

Prandaj edhe atyre që kanë rënë në ambientim, u duhet një të menduar i shëndoshë subjektiv dhe objektiv, u duhet të mendojnë për pamjet e vdekjes e të ringjalljes, të vizitojnë institucionet që shërbejnë në fusha të ndryshme të shërbimit social, të marrin përsipër disa detyra fetare e shoqërore; veçanërisht për të tillët është e nevojshme që të njihen me faqet e arta të së kaluarës, të takohen me njerëz me horizont të ndritshëm mendimi e me ndjenja të zhvilluara për t'u përgatitur, në këtë mënyrë, baza e nevojshme për t'u ripërtërirë.

Përveç këtyre sa thamë, mund të parashtrohen edhe specifika të tjera lidhur me këtë çështje, por ne e quajmë të mjaftueshme duke e menduar se mundëm të jepnim një ide.

Me lutjen që të na shpëtojë nga ambientimi ai që i ka në dorë çelësat e zemrave...

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.