Ç'është dyshimi dhe a është aq i frikshëm sa ç'e bëjnë disa?

Dyshimi është një sëmundje e frikshme që e bren njeriun tinëzisht fshehtas duke e çuar dalëngadalë në vdekje. Sapo që njeriu, me besimin, mendimin dhe përfytyrimin e tij ta lëshojë veten në duart e kësaj sëmundjeje, do të thotë se është paralizuar me të gjitha funksionet jetësore, me të gjitha aftësitë shpirtërore!

Dyshimin dhe skepticizmin si teori të lindur nga dyshimi, mund t'i ndajmë në dy lloje:

1. Skepticizmi i përvetësuar në mënyrë të vullnetshme.

2. Skepticizmi i lindur prej çekuilibrit në njohjen e brendshme dhe në vëzhgimin e jashtëm; prej devijimit në qëllim e në vështrim; prej mungesës së aftësisë sintetizuese.

Lloji i dytë i skepticizmit është një subjekt mbi të cilin kemi qëndruar pothuajse në çdo vend dhe, sipas meje, me mundësi mënjanimi. Kurse skepticizmi i llojit të parë është devijim karakteri, një marrëzi e një maraz. Për këtë lloj dyshuesish e skeptikësh Spinoza thoshte: "Detyra e skeptikut të vërtetë është të rrijë e të heshtë!" Eh, sikur ta kishin pasë dëgjuar këtë këshillë! Të paktën, nuk do t'u bënin dëm të tjerëve; dëmi i tyre do të kufizohej në vetveten e tyre!

Ç'është e vërteta, ka edhe një lloj tjetër dyshimi, i kushtëzuar, ky, me synime shkencore dhe i përkohshëm, për të cilin askush s'ka çfarë të thotë. Kurse dyshimi që ne këtu e quajtëm sëmundje, është, sikurse e ka shprehur edhe Dr. Pol Solie, "dyshimi, gjendja e të cilit duket si e pazgjidhshme dhe e pashpresë". Një dyshim i tillë na e merr dhe na e mban vetëdijën nën ndikimin e vet në mënyrë të vazhdueshme. Pastaj gjithë gjendjen shpirtërore dhe gjithë veprimtarinë mendore na e çon në paralizë. Një shpirt njerëzor i ardhur në këtë gjendje, bëhet fokusi ku mblidhen një mijë e një lëkundje e i përngjet rrugëve të kryqëzuara me njëra-tjetrën e të ngatërruara pa dalje.

Për një njeri që s'ka mundur t'i kapërcejë dyshimet e veta e t'i bëjë të dëgjojnë një fjalë, impotenca trupore, deviacionet dhe turbullitë mendore e moralo-etike janë dukuri të pashmangshme.

Dyshimi prodhon ngurtësi në qëndrimet e njeriut, shqetësim në shpirt dhe mungesë suksesi në punë. Për rrjedhojë, dyshuesit, skeptikët, shfaqin vazhdimisht dëshirë për t'iu shmangur punëve fizike si dhe urrejtje për gjërat që sjellin lodhje. Sado pretenduese të ishin diagnozat që do t'u vinin psikiatrët këtyre tipave të lodhur pa bërë asnjë punë, nuk do të mundeshin të mohonin tek ta një insuficiencë (pamjaftueshmëri) të brendshme.

Sa për ndikimin e dyshimit mbi mendjen, ata që janë pushtuar nga ky maraz, nuk janë në gjendje të tregojnë veprimtari mendore serioze e të vazhdueshme. Një njeri, mendja e të cilit është tronditur për një kohë pak a shumë të gjatë nga dallgët e dyshimit, e ka mjaft të vështirë të mendojë në mënyrë të shëndoshë.

Aspektet më të dukshme të të tillëve janë dobësimi i vëmendjes, humbja e aftësisë vepruese të mendjes dhe atrofizimi i kujtesës. Më në fund, për këta tipa çdo gjë hyn, hap pas hapi, në një trajtë të pamundshme dhe para vetes u ngulen maja të pakapërcyeshme prej "gjërash që s'bëhen". Para tyre mbetet vetëm një portë e hapur dhe vetëm një rrugë ku mund të ecet: kritika për të tjerët. Duke kritikuar të tjerët jetojnë ata dhe me këtë gjë e vazhdojnë ekzistencën e vet.

Përveç këtyre, bëhet fjalë edhe për mbajtjen nën ndikim, nën presion, të moralit dhe etikës nga ana e dyshimit. Dhe, për mua, kjo është më e rrezikshmja. Përfundimet që nxjerrin në shesh në mendjet e njerëzve dyshues tronditjet dhe dallgëzimet e kundërta nën veprimin e të cilave mbeten kërkesat dhe dëshirat, prirjet dhe pasionet, përgjithësisht gjërat që përbëjnë bazën më të fshehtë e më të sinqertë të personalitetit, i nxjerrin në shesh identikisht edhe në fushë të moralit dhe etikës.

Tek njerëzit ku shfaqen mungesa e suksesit në punë, shqetësimi dhe turbullimet vazomotore, nxjerrin krye dukuri të tilla si droja apo frika dhe mizantropia. Edhe në se njerëzve të tillë u ofrohet të marrin pjesë në gëzime e dëfrime, ata dëshirojnë të ikin prej të gjithëve e të jetojnë të vetmuar, si eremitë. Prandaj edhe gjithsesi nuk munden të shpëtojnë prej mërzitjes dhe mjerimit. Këta janë të privuar prej mendimit të lirë dhe mjaft të dobët në qëndresën shpirtërore.

Sidomos te skeptikët e mëdhenj, që kanë shkuar shumë përpara, ashtu siç zotëron, disa herë, një mungesë e plotë ndjeshmërie në trajtën e një ashpërsie, zemërngurtësie dhe pashpirtësie, disa herë të tjera shihet se, për shkak të personalitetit shpirtëror të shembur plotësisht, e kanë humbur tërësisht karakteristikën si qenie shoqërore.

Dyshimi është një sëmundje shumë e rrezikshme edhe për nga pasojat sociale. Një njeri që ka rënë në dyshime për mjedisin e tij dhe për gjërat që ndodhin në të, sajon një mijë e një rreziqe në dritë të ditës si dhe e shqetëson edhe veten, edhe mjedisin. Sidomos rasti i të lëkundurve e i të pushtuarve prej dyshimeve që, të frikësuar prej përgjegjësisë, tërhiqen atje ku duhet vepruar ose ndjenja se e kanë humbur kohën për të vepruar është aq i rrezikshëm, sa që disa herë mund të bëhen shkaktarë për shkatërrimin e plotë të një bashkësie të tërë. Veçanërisht në punët e mëdha e të rëndësishme, në politikë dhe luftë, lëkundjet dhe dyshimet e atyre që u ka zënë koka, mjaftojnë për t'i fundosur popullin dhe ushtrinë dhe teprojnë, madje!

Në të vërtetë, nuk mund të mendohet që ai që dyshon në veten e vet, të bëhet pikëmbështetje për të tjerët. Sepse, masat popullore, të zhgënjyera disa herë për shkak se i kanë shkuar pas, nga që për dyshuesin asnjëherë nuk dihet qartë se si do të veprojë, edhe sjelljet më të pafajshme e të pëlqyeshme do t'i presin vazhdimisht me lëkundje.

Krahas kësaj, në raport me prirjen për të mbetur "ashtu siç janë" të një pjese të madhe të skeptikëve, nuk duhet nënvleftësuar as zelli i një pjese të vogël për të bërë hope e për të shkuar përpara.

Si rezultat, as në mendimet e dyshuesve, skeptikëve, as në punë e në sjelljet e tyre nuk ka maturi dhe ekuilibër. Mes tyre ka aq shumë që i braktisin vendin ku u takon të jenë, profesionin dhe detyrën me frikën e përgjegjësisë, sa që, në një periudhë kritike, mos e dhëntë Zoti, mund ta paralizojnë një komb e një shtet të tërë! Ashtu siç janë një aventurë iniciativat e tyre, ashtu edhe masat paraprake të pafundme s'janë gjë tjetër veçse vendnumëro dhe shuarje. Edhe në se kjo mund të duket prej disave se buron prej një mungese vullneti, në të vërtetë nuk është aspak kështu. Në të vërtetë, kjo gjendje buron prej mosmarrjes së vendimeve të qëlluara e në seri, prej moszgjedhjes së njërës prej rrugëzgjidhjeve të ndryshme që ofrojnë situatat dhe ndodhitë e përgjithshme të jetës.

Dyshuesi, skeptiku i dalluar për lëkundjet dhe moszgjedhjen, është më i dëmshëm e më i rrezikshëm se iniciatori. Edhe në se orientimi dhe kanalizimi i veprimeve të iniciatorit duken si një problem, ai, të paktën, vepron. Sa për dyshuesin, për shkak se lëvizja e tij duket, çuditërisht, si qëndrim dhe qëndrimi si lëvizje, as lëvizjes para të tij nuk mund t'i besohet, as edhe tërheqjes pas.

Sidomos në se ai e quan guxim marrëzinë e tij në iniciativë, kurse dyshimin dhe frikacakërinë, pjekuri dhe masë parapërgatitore, atëherë ai, me këtë gjendje shpirtërore plot maraz, ka një pozicion ekstrem që do t'i shkatërronte edhe atë, edhe ata që ndodhen bashkë me të.

Sa e sa administratorë dhe komandantë ka që e kanë braktisur frontin në çast rreziku duke e bërë kurban të një dyshimi të tillë një popull të tërë. Po qe se në të çarat e hapura do të kishin shkatërruar vetëm veten, do të mjaftohej duke thënë për ta, "Le të bëjnë durim të vdekurit"! Mirëpo sa e hidhur është që ca skeptikë të tillë të hutuar janë bërë shkak për fatkeqësinë e një sërë të mjerësh që i kanë pasur nën urdhër!

Nga skeptikët modernë, ashtu siç gjenden të tillë që, nga pozita përfaqësuese e një kombi të tërë, janë treguar aq trima sa ta shfaqin hapur blasfeminë e tyre, gjenden edhe skeptikë frikacakë që kanë mundur ta fshehin fytyrën e tyre të vërtetë dhe që janë bërë shkak për shumë fatkeqësi:

Unë që për çdo gjë dyshoj,
Kë të pyesësh, thotë se gjë s'kuptoj.
Kush e di, ndoshta gjithçka është sajesë gënjeshtare,
Ndoshta vetëgënjimi është nevojë jetësore.
Dhe ndoshta çdo gjë është e drejtë, kush e di,
N'sa unë për ndjenjën time të metë s'kam njohuri!
Të qenën, të paqenë desha ta dija, të paqenën, të qenë,
Ja, pra, faji im, sa keq, dyshues të jem...
Kush e di, ndoshta dheu është origjina jonë;
Punë e kujt rastësie tinzare është kjo
Dheun ta bëjë një baltë që rënkon?
Këtë faj një Krijues s'e punon;
Kush krijon, asgjëson, nuk shëmton...

I mjeri Fikret! Po të shihte se teprimi në blasfeminë e vet ka mbetur shumë pas sipas skeptikëve të ditëve tona, kush e di se sa do t'i vinte keq e do të nxehej!..

Megjithatë, ai skeptik, me mendimet e tij të errëta e pesimiste, prapëseprapë është rimishëruar e duket sikur është kah jeton mes skeptikëve të ditëve të sotme!..

Me që këtu s'po bëjmë kundërshtimin dhe hedhjen poshtë të llojeve të skepticizmit bashkë me argumentet e tyre, duke e lënë atë kokë më kokë me kritikat përkatëse në librat e filozofisë, mendojmë se është e dobishme të bëjmë të qartë vetëm një specifikë. Dhe kjo është situata kur në krye të çdo iniciative ndihet nevoja e një besimi të pakontestueshëm, të tillë, që e kundërta e tij të jetë krejt e pamundur si dhe e një vullneti dhe vendosmërie të pashuar që burojnë prej atij besimi. Dyshimi dhe lëkundja në njërin prej këtyre elementëve e thyen ndikimin e të tjerëve dhe lë një rrjedhje.

Besimi kategorik e i palëkundur është, në ditën e shpërblimit e të ndëshkimit, edhe për individin, edhe për bashkësinë, kushti i parë dhe elementi më i rëndësishëm në procesin e përparimit e të përsosjes. Sa për çështjen e të jetuarit të rrugës së propozuar me kahje këtë besim, ajo është sjellja më e mençur dhe hopi apo akti më i rëndësishëm. Kurse zikzaket në opinionin, përfytyrimin dhe sjelljet e njeriut janë faktor mossuksesi dhe fatkeqësi.

Krahas kësaj, për dikë që ka rënë në dyshim, është e dobishme të qëndrohet mbi këto specifika:

1. Një njeri i tillë duhet të shkojë ose duhet dërguar pa tjetër te një specialist. Në saje të një ndërhyrjeje të tillë, do të dalë në shesh në se dyshimi i tij është një maraz apo jo, do të kuptohet thellësia e tij dhe mbi ç'gjëra është përqëndruar. Dhe kjo duhet të jetë e rëndësishme për ta lehtësuar mjekimin e për ta eleminuar dyshimin.

2. Në se dyshimi ka lidhje me subjektet e besimit, aty duhet përqëndruar; në se ka lidhje me adhurimin, në atë specifikë; në se ka lidhje me sistemin tonë të të menduarit, në atë drejtim; duhet të sillen argumente duke marrë parasysh shkaqet që e kanë shtytur personin në dyshim dhe duhen eleminuar lëkundjet një e nga një.

3. Veçanërisht, dikush që ka rënë në dyshim, duhet ndihmuar që të takohet shpesh me persona me horizontin e mendimit të ndriçuar dhe që bëjnë jetë shpirtërore, duhet bërë që dyshuesi të përfitojë nga bisedat produktive të tyre.

4. Për njerëz të tillë, disa herë është mjaft e dobishme edhe pamja e përgjithshme e njerëzve të pasur në adhurime e të formuar në mendim. Takimi i këtyre lloj të sëmurëve jashtë e brenda vendit me përfaqësues të vetëdijshëm e të sinqertë të mendimit tonë, mund të jetë shumë herë më me ndikim se sa mijra porosi të thata.

5. Përveç këtyre, skeptiku duhet shëtitur në atlasin e pasur e shumëngjyrësh të së kaluarës; me anë të jehonës së historisë e të jetëve të shquara, fytyra e tij duhet kthyer nga izbat e errta të egoizmit në të kaluarën tonë të shquar. Eshtë ndër ngjarjet e shpeshta që pothuaj çdo njeri që ka ndjerë, kësaj rruge, fytyrën e ndritshme të së kaluarës dhe frymëmarrjet e kthjellta të saj, ka shpëtuar prej mendimeve të turbullta që i kanë mbështjellë shpirtin dhe pak a shumë është drejtuar kah rilindja në zemrën e tij.

6. Në se dyshimi është kthyer në një sëmundje dhe ka aftësinë të përhapet përreth, është e nevojshme që i sëmuri të izolohet nën vëzhgimin e një mjeku dhe nuk i duhet dhënë mundësi përhapjes së përçartjeve mes shoqërisë.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.