• Home
  • Veprat
  • Lëkundjet që solli shekulli
  • Islami
  • Nuk ka dyshim se feja jonë është e dërguar nga ana e Allahut dhe për të mirë të njerëzimit. Megjithë këtë, si ndodh që kjo fe e konsideron si normale skllavërinë?

Nuk ka dyshim se feja jonë është e dërguar nga ana e Allahut dhe për të mirë të njerëzimit. Megjithë këtë, si ndodh që kjo fe e konsideron si normale skllavërinë?

Kjo tematikë ka anët e saj historike, shoqërore dhe psikologjike. Në se e ndjekim me durim, mund të gjejmë edhe përgjigjen e pyetjes sonë, edhe përgjigje për pyetjet që mund të na vijnë ndërmend më pas.

Më së pari, është e dobishme të kujtojmë se neveria dhe tronditja që ndiejmë sa herë që kujtojmë skllavërinë, vijnë për disa shkaqe të vjetra e të reja.

1) Botëkuptimi historiko-shoqëror i materializmit historik, domethënë konsiderata të tilla si punëdhënës-punëtor, i pasur-i varfër, shtypës dhe të shtypur, etj. Më pas, ky botëkuptim, i zgjeruar me konsideratat mbi natyrën dhe krijimin, mbi skllavërinë dhe robërinë në kuadrin e zhvillimit shoqëror si dhe duke marrë përhapje të madhe, më vonë, nëpërmjet shfrytëzimit të koncepteve të tilla sipaga e padrejtë dhe puna e papaguar, bëri që pothuaj çdo njeri t'i duartrokiste këto mendime e konsiderata që përsilleshin kudo, për më tepër t'i duartrokiste pa i dhënë mundësi të kundërtës. Për rrjedhojë, ndërsa duhej menduar me maturi, duke i dhënë mundësi, të paktën, mendimit të kundërt, u mendua në mënyrë të njëanshme dhe u nxorën konkluzione të njëanshme.

2) Trajtimi i egër dhe mizor i skllevërve në periudhat e vjetra të historisë, veçanërisht në Egjipt dhe Romë, na shkaktojnë tronditje dhe neveri. Prandaj ndodh që, edhe sot, pas shumë shekujsh, përfytyrojmë se si skllevërit bartnin gurë për piramidat, se si personaliteti i asgjësuar i tyre bënte që të humbnin si plehra, se si nxireshin nëpër arena për t'u përleshur me luanët me qëllim që të dëfrenin administratorët mizorë, se si bartnin në qafë kularin poshtërues dhe i urrejmë si skllavërinë, ashtu edhe ata që e mbanin në këmbë skllavërinë.

3) E treta dhe e fundit, trajtimi çnjerëzor i robërve në historinë e afërt dhe në ditët tona ka prekur, si çdo njeri me ndërgjegje, edhe brezin tonë, e ka zemëruar dhe e ka ngritur në këmbë atë.

Ja, pra, për këto shkaqe e urrejti brezi ynë skllavërinë dhe iu bë dushman sistemeve që e mbronin atë. Në këtë mendim dhe në kundërveprimin ndaj skllavërisë ai pati të drejtë nga qielli në tokë. Ndërkaq, në kritikën dhe sulmin kundër Islamit, kryente një padrejtësi të madhe, sepse, ashtu siç skllavëria, për nga burimi, nuk mbështetej në Islamin, ashtu edhe ekzistencës së saj nuk i jepej vazhdimësi me Islamin. Si në të kaluarën, edhe sot, skllavëria vazhdimisht është mbështetur dhe e ka çuar më tej ekzistencën e saj në kombe e shtete jomuslimane. Nisur nga kjo konsideratë, edhe ne në fillim duam të përqëndrohemi në faktorët që e kanë nxjerrë në shesh skllavërinë.

Skllavëria është krijuar nëpërmjet luftës dhe, pastaj, ka vazhduar të ekzistojë mes atyre popujve që e kanë dashur një gjë të tillë. Roma që pati vënë si qëllim një jetesë komode e të begatë, sipas dëshmisë së vetë historisë së saj, pati qenë një shtet qejfesh e dëfrimesh. Duke veshur më të bukurat e rrobave, duke i stolisur sofrat me lloj-lloj ushqimesh, pati bërë një jetë kafshërore mes dëshirash më të ulta e turpndjellëse për njeriun. Dhe, që të vazhdohej ai shpërdorim dhe dëfrim, ai luks dhe shkëlqim, nevojiteshin pasuri të pasosura, plaçkitje të vazhdueshme, robër dhe pasuri njerëzore. Prandaj Roma bënte luftëra, themelonte koloni dhe kërkonte, me këtë rrugë, të vazhdonte sundimin mbi botën. Kur muslimanët e patën triumfuar Egjiptin, e patën soditur atje këtë atmosferë në tërë shëmtinë e saj. Tregje robërish si tregje mallrash...meshkuj e femra, të lidhur me zinxhirë, që ekspozoheshin të zhveshur para myshterinjve duke u mohuar çdo lloj dinjiteti njerëzor... Pastaj, në mbrëmje, kthim në shtëpitë e pronarëve dhe fjetje nëpër izba e bodrume të ndyra, kurse, disa herë, mosdhënie edhe e një mundësie të tillë... Dhjetra e qindra vetë të shembur mbi njëri-tjetrin...Të gjitha këto patën qenë gjëra të papara e të padëgjuara për muslimanët. Dhe kjo pati lënë mbresa të thella mbi ta. Dhe, ndërsa muslimanët, kudo që shkonin, përpiqeshin ta mjekonin këtë plagë me anë të parimeve të Islamit, perëndimorët e përvetësonin këtë trashëgim të shëmtuar të Romës e Egjiptit të Lashtë ashtu siç e gjenin, pa i bërë asnjë lloj retushi. Pastaj skllavi do të bëhej ushak i agallarëve, do të rrihej për qejf të tyre, do të vriste e do të vritej vetëm e vetëm për qejf të tyre. Krejt ashtu siç patën bërë gladiatorët për të dëfryer romakët e poshtër e të ndyrë...

Islami, së pari, e pati pranuar skllavërinë si një fakt të kryer. Pastaj u pati kujtuar njerëzve se skllevërit nuk qenë as mall tregtie, as edhe dëfrimi dhe u pati tërhequr vëmendjen se edhe ata qenë njerëz sikurse të tjerët: "Ju jeni nga njëri-tjetri" (Kur'ani, Nisa: 25). Duke shpallur parime hyjnore të tilla si "Kush e vret skllavin e tij, edhe atë e vrasim, kush e burgos skllavin ose ia pret ushqimin, edhe atë e burgosim ose ia presim ushqimin, kush e tredh skllavin, edhe atë e tredhim" (Buhari, Myslim, Tirmidhi), Islami i pati dhënë orientim mendimit dhe i pati dalë para perversitetit."Ju jeni të bijtë e Ademit dhe Ademi është prej dheu" (Myslim). "Dijeni se askush nuk ka epërsi mbi tjetrin: as arabi mbi joarabin, as edhe joarabi mbi arabin; as i bardhi mbi zezakun, as edhe zezaku mbi të bardhin. Epërsia arrihet me adhurim dhe punë të mira." Me fjalë të tjera, e gjithë epërsia dhe merita e individit qëndronin në kuptimin e konsideratës së Krijuesit për njeriun dhe në rregullimin e qëndrimit dhe të sjelljeve të tij sipas konsideratës hyjnore. Sa e sa njerëz ka që, në saje të kësaj atmosfere të butë të Islamit, pas një të kaluare skllavërie e të mjerë, patën parë vazhdimisht respekt e konsideratë të lartë prej udhëheqësve e prijësve të Islamit. Duke e thirrur me apelativin zotëri zezakun Bilal ashtu siç e thërriste edhe Hz. Ebu Bekirin i cili e pati çliruar Bilalin nga skllavëria, Hz.Omeri shprehte respektin e tij për njeriun ashtu siç e kishte mësuar Islami. Islami i shihte ata brenda vëllazërimit universal dhe, para së gjithash, i urdhëronte:"Shërbëtorët dhe skllevërit tuaj janë vëllezërit tuaj. Çdo person që ka nën vete vëllanë, t'i japë për të ngrënë nga ajo që ha vetë, ta veshë me atë që vishet vetë.Të mos e ngarkojë dhe urdhërojë vëllanë për punë që nuk mundet t'i bëjë. Në se i jep punë të vështira, pa tjetër ta ndihmojë atë" (Buhari). "Askush nga ju të mos thotë "ky është skllavi im, kjo është mantenuta ime". Të thotë "vajza apo djali, apo vëllai" (Myslim, Ebu Davud). Nisur nga kjo konsideratë, kalifi Hz.Omer, kur qe nisur nga Medineja për në Jerusalem për të marrë në dorëzim faltoren Mesxhidi Aksa, e pati përdorur me radhë devenë me shërbëtorin që e shoqëronte në atë udhëtim. Kur Hz.Osmani ndodhej në krye të shtetit Islam, për shkak se i kish hequr veshin skllavit, e pati ndëshkuar veten në sy të popullit duke e urdhëruar skllavin që edhe ai t'ia hiqte veshin. Kurse Ebu Dheri e ndante me shërbëtorin veshjen e vet...

Me anë të të gjitha këtyre tregohej se edhe skllavi ishte njeri, madje një njeri krejt si të tjerët, pa asnjë ndryshim dhe, kështu, arrihej e sigurohej etapa e parë e ndryshimeve që duheshin kryer në këtë fakt të kryer para të cilit ishte ndodhur Islami. Në se do të duhej theksuar edhe një herë tjetër, ndryshimet në fjalë ishin një përmbysje e madhe për një shoqëri të virgjër përsa u përket ndiesive, e cila jetonte në qoshen më të mbyllur e të harruar të botës. Sepse, në një periudhë kur kombet dhe shtetet bashkëkohëse as nuk deshën të mendonin se skllavi mund të konsiderohej njeri, në antagonizëm me përleshjet e egra në arenat, me kërbaçët e pamëshirshëm nëpër vendet e punës dhe me përbuzjet e talljet ndaj asaj çka ishte njerëzore tek skllevërit, ndërgjegjes së përgjithshme i propozohej të pranonte qëndrimin dhe sjelljen më të plotë, më të qëndrueshme e më pozitive.

Ky trajtim pozitiv dhe konstruktiv edhe mbi sklllevërit pati pasur ndikimin e vet të veçantë. Megjithëse skllavi rifitonte të drejtën për t'u quajtur njeri në saje të parimit të barazisë dhe zinte vend pranë të zot, madje megjithëse fitonte lirinë dhe lihej i lirë, nuk dëshironte të largohej nga i zoti. Kjo situatë e nisur me Zejd bin Harisenë, skllavin që ia kishte dhuruar Profetit gruaja e tij e parë, Hz.Hatixheja, qe përsëritur edhe në raste të tjerë. Megjithëse Profeti (a.s.) ia pat dhënë lirinë Zejdit dhe e pat lënë të lirë të rikthehej te i ati, ai pati parapëlqyer të vazhdonte të qëndronte pranë Profetit. Pas tij kështu patën vepruar edhe një sërë skllevërish të tjerë. Sepse ata patën përjetuar një trajtim aq të mirë e të ngrohtë, sa që zotërinjtë e tyre i quanin si pjesëtarë të familjeve të veta, pra edhe veten, në familjen e vet. Po ashtu mendonin edhe zotërinjtë dhe përpiqeshin të respektonin me korrektësi të drejtat e tyre. Në fakt, zotërinjtë as që mund të vepronin ndryshe, sepse, edhe në se atë ditë do të tregoheshin si pronarë ndaj skllevërve, nuk dihej se si mund të ndryshonin punët nesër, pasi edhe parimet ishin shumë të ashpra dhe të afta për ta mbajtur në këmbë mendësinë e re: "Kush e vret skllavin e tij, edhe atë e vrasim, kush e burgos skllavin ose ia pret ushqimin, edhe atë e burgosim ose ia presim ushqimin, kush e tredh skllavin, edhe atë e tredhim". Para masave të tilla ndëshkuese, zotëria ishte i matur e i kujdesshëm, kurse skllavi mjaft i sigurtë. Të gjitha këto ishin evenimente të mëdha, të pashembullta në historinë njerëzore të së kaluarës e që, gjithashtu, s'do të kishin shembull as në historinë e së ardhmes e që përbënin, në lidhje me skllavërinë, etapën e parë të atyre që pati sjellë Islami.

Etapa e dytë qe çlirimi i skllevërve. Liria është esenciale te njeriu. Skllavërimi i një njeriu i cili është në origjinë i lirë e që liria përbën esencën e ekzistencës së tij, konsiderohet ndër gjynahet, mëkatet e mëdha, kurse përdorimi i të ardhurave të përftuara me këtë rrugë dhe përfitimi prej tyre janë kategorikisht haram, të ndaluara. Krahas dënimit të çdo sjelljeje apo akti që prek lirinë e njeriut, Islami ka miratuar edhe çdo ndërmarrje në shërbim të lirisë. Çlirimi përgjysmë i një skllavi apo robi është konsideruar për çliruesin si shpëtimi i gjysmës së trupit të vet nga zjarri i amshuar, kurse çlirimi i plotë është konsideruar sigurim për të gjithë trupin. Në Islam, çlirimi i skllevërve është një çështje për hir të së cilës është ngritur një flamur. Islami e quan, në një vend, atë, si një detyrë, në një vend tjetër, si një virtyt; diku e nxit e diku tjetër hap rrugën drejt tij me anë të marrëveshjeve mes zotërisë dhe skllavit.

Edhe zelli më i dukshëm, që bie në sy më shumë, i treguar në këtë specifikë, ashtu si edhe çdo zell tjetër, prapë me Islamin pati nisur dhe me atë pati gjetur vazhdim. Fakti që Profeti ynë (a.s.) dhe Hz. Ebu Bekri (r.a.) patën marrë robër për t'i çliruar, zelli që patën treguar dhe pasuria që patën shpenzuar ata për këtë qëllim, janë gjëra që njihen nga të gjithë.

Kjo veprimtari e zhvilluar në krye të herës me anë të pasurive personale të individëve, më pas qe marrë në dorë nga shteti duke u quajtur si një ndër detyrat e tij. Profeti (a.s.), p.sh., u pati premtuar (në përfundim të luftës së Bedrit - përkth.) robërve intelektualë t'u falte lirinë me kusht që t'u mësonin shkrim e këndim dhjetë fëmijëve dhe e pati bërë këtë gjë në një kohë kur ai vetë me pasuesit e tij rropateshin në kushte mungesash të mëdha ekonomike. Më pas, veçanërisht në periudhën e Omer b. Abdulazizit, kjo ishte gjetur si një nga vendet ku mund të shpenzohej zeqati dhe, duke paguar para nga thesari, qenë çliruar me dhjetra e qindra robër e skllevër që vinin grupe-grupe majtas e djathtas. Përveç kësaj, gabimet në disa detyra fetare, disa shmangie virtyti në sjellje dhe një pjesë aktesh të dënueshme si mëkate, vazhdimisht ngarkoheshin me përgjegjësinë për të çliruar robër e skllevër në dëmshpërblim të atyre gabimeve e mëkateve.

Në shkeljen e betimit, në aktin e dënueshëm të quajtur "zihar"[1] dhe në krimin e vrasjes, gjithmonë këshillohej çlirimi i një robi apo skllavi.

"Kush vret pa dashje një besimtar, ndëshkohet me çlirimin e një skllavi dhe me pagesën e një dëmshpërblimi në të holla njerëzve të të vrarit." (Kur'ani, Nisa:92)

Me që një vrasje përmban edhe aspekte shoqërore, edhe aspekte individuale-familjare, ashtu siç përbën dëmshpërblimi në të holla një satisfaksion për njerëzit e të vrarit, edhe çlirimi i një robi apo skllavi, pra, i një individualiteti njerëzor konsiderohet pagesë e një të drejte për shoqërinë në përmasat e përftimit për të të një individi të lirë. Dhe në këtë koncepsion juridik, çlirimi i një njeriu si kundërvlerë e vrasjes së një tjetri, është parë, pothuajse, si një akt ringjalljeje.

Përveç këtyre, në Islam, skllevërit çlirohen me anë të modaliteteve juridike të quajtura "mukatebe" dhe "tedbir". Modaliteti i parë konsiston në çlirimin e skllavit apo robit me kusht në bazë të një marrëveshjeje të caktuar me shkrim midis pronarit dhe skllavit apo robit. Një kusht mund të jetë pagimi i një shume të caktuar ose i një sasie malli të caktuar. Kështu, personit të robëruar i hapet rruga e çlirimit dhe ai fiton, qysh në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes, statusin e "palës", për rrjedhojë, statusin e një njeriu të lirë. Nga shprehja e hapur e Kur'anit lidhur me këtë tematikë, kuptojmë se, pasi zotëria të pranojë propozimin e skllavit apo robit lidhur me kushtet e çlirimit të tij, pengesë për çlirimin mbetet vetëm sjellja e parave ose mallit të caktuar. Kurse modaliteti i dytë është çlirimi me premtim, i kushtëzuar, p.sh., me vdekjen e pronarit ose me ndonjë ngjarje tjetër. Kështu, në se pronari i premton robit ose skllavit "pas vdekjes sime je i lirë", rruga e lirisë për të është e hapur. Kurse çlirimi me qëllim sevapi, bamirësie, ze një vend të gjerë mbi çdo përshkrim tjetër. Në të kaluarën, ashtu siç ka pasur periudha kur janë çliruar skllevër apo robër në grupe prej qindra vetësh pa asnjë kusht, vetëm duke shpresuar ndihmën dhe favorin e Zotit, është praktikuar edhe dhënia e lirisë me rastin e muajve, ditëve e netëve të bekuara.

Në këtë mes, mund të thuhet kështu: Sado që të shkohet përpara në çlirimin e skllevërve e në trajtimin njerëzor të tyre, edhe sikur të gjithë të çlirohen përnjëheri, prapëseprapë skllavëria mbetet në fuqi, ligjet nxirren sipas kësaj si dhe trajtimi i kësaj çështjeje në librat e drejtësisë bëhet sipas këtij statusi juridik, gjë që s'është tjetër veçse pranimi i skllavërisë. Nuk mund të mendohet e të pranohet se si Islami që hoqi dhe zhduku shumë zakone, vese e shprehi të këqia që patën zënë rrënjë të thella në qenien e njeriut, të mos e heqë skllavërinë. Fakti që Islami nuk e hoqi skllavërinë ndërsa mund të hiqej, a nuk mund të interpretohet si nënvleftësim i saj?

Para së gjithash, duhet të dihet se jo vetëm që s'qe Islami ai që e nxori dhe e zbatoi skllavërinë, por as edhe ai që e mbrojti dhe i dha vazhdimësi asaj. Skllavëria është një institucion i krijuar prej shteteve e kombeve me rastin e luftërave mes tyre. Për sa kohë që do të vazhdojnë luftërat mes shteteve - dhe, po s'e ndërroi njerëzimi natyrën e vet, do të vazhdojnë gjer në kiamet - asnjë kombi nuk do t'i takojë i vetëm t'u presë udhën robërisë e skllavërisë.

Dhe tani le të mendojmë kështu: hymë në luftë me një shtet, ata zunë robër nga tanët, po ashtu edhe ne zumë robër nga të tyrit. Ekzistojnë disa mënyra trajtimi të këtyre robërve:

1. Ekzekutimi i të gjithë robërve, siç ndodh në disa administrata mizore.
2. Mbajtje në kampe robërish duke u bërë një trajtim të caktuar.
3. Ose krijimi i mundësive që të kthehen nëpër vendet e veta.
4. Ose shpërndarja besimtarëve duke i konsideruar si plaçkë lufte.

Tani le të qëndrojmë mbi këto alternativa një e nga një.

1. Së pari, cila ndërgjegje është dakord që t'u kalohet kryet nën tehun e shpatës në mënyrë të pamëshirshme meshkujve e femrave, fëmijëve e të moshuarve? Megjithëse kanë kaluar shekuj nga ajo kohë, në ballin e romakëve, e pasardhësve të tyre, ende e tregon veten si një njollë e turpshme krimi mbi kartagjenasit. Vrasja e rreth shtatëdhjetë mijë hebrenjve dhe shkatërrimi i tempullit të Jerusalemit nga ana e mbretit babilonas Buhtunnasir, dhuna dhe padrejtësitë e faraonëve janë nga tablotë e mbushura me mizori që nuk mund të fshihen. E ç'është nevoja që të shkojmë larg. Ato që ngjanë në Ballkan pas largimit tonë, tridhjetë mijë kurbanë të grirë në Rusi, miliona vetë të vrarë nga nazistët; a mund të tregohet një njeri që do t'i shihte si diçka të mirë të gjitha këto?

2. As neveria e kampeve të robërve nuk qëndron pas. Shekulli i njëzetë është bërë dëshmitari i trajtave më të shëmtuara të kampeve të robërve. Që të gjitha kampet e robërve në Ballkan, veçanërisht kampi i Edirnesë, janë të mbushura me dhunë dhe akte të neveritshme, para të cilave është për t'u lëshuar mëshirë fiseve të egra. Amerikanët ankohen për kampet e japonezëve. Por po qe se do të shihnin se si në kampin e Edirnesë grave u priteshin gjinjtë e prekeshin në nder, se si braktiseshin për vdekje meshkujt duke i detyruar të hanin lëkura drurësh, të shihnin dhunën e ushtruar mbi fatkeqët në Azerbaixhan dhe Rusi, do t'i quanin shumë të lehta ato ç'kishin hequr prej japonezëve dhe ç'u kishin punuar edhe ata vetë atyre. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe Europa, edhe Azia i pa dhe i jetoi kampet e robërve në trajtat e tyre më të dhimbshme. Kjo do të thotë se provimi dhe praktikimi i kësaj rruge në lidhje me trajtimin e robërve s'është gjë tjetër veçse një egërsi dhe vandalizëm që s'është e mundur kurrsesi të ketë të bëjë me maturinë dhe njerëzinë.

3. E presim me miratim një rrugë njerëzore siç është kthimi i robërve nëpër vendet e tyre. Mirëpo, në se armiqtë nuk na i kthejnë robërit e zënë prej tanëve, por na i vrasin, kjo do të ishte pabesi ndaj njerëzve tanë. Sidomos në se mendojmë se robërit e liruar do të kthehen nëpër vendet dhe njësitë e tyre ushtarake me një pjesë informacionesh të marra tek ne, se, ndërsa dushmanit do t'i japim mundësi të njihet me strategjinë tonë, gjë që do të shkaktojë rënie morale në ushtrinë tonë, armiku do të marrë zemër dhe do të kalojë më me guxim në kundërsulm. Një kthim robërish mund të bëhet vetëm me marrëveshje të dyanshme, metodë, kjo, e praktikuar shpesh si në të shkuarën, ashtu edhe sot. Kjo mund të përdoret edhe në të ardhmen duke parandaluar në një masë të caktuar dëmet njerëzore.

4. Pas gjithë këtyre, e fundit mbetet rruga e ndarjes së robërve mes familjeve të atyre që kanë marrë pjesë në luftë. Dhe Islami këtë rrugë ka zgjedhur për trajtimin e robërve të përkohshëm. As vrasje, as asgjësime në masë. As kampe përqëndrimi bashkë me dhunën karakteristike të ushtruar në to, as një rrugë që do t'i jepte guxim armikut. Një rrugë, kjo, krejt e ndryshme nga të gjitha të tjerat dhe, ndoshta, e vetmja që i ka hije njeriut.

Çdo rob, në familjen e muslimanit, do të gjejë mundësinë të shohë me sytë e vet se ç'është e drejta, e bukura, mirësia. Në saje të trajtimit dhe sjelljes njerëzore të treguar ndaj tij, do t'i fitohet zemra. Dhe, me të vërtetë, mijra shembuj janë dëshmitarë se kështu ka ndodhur. Pas një farë kohe, robit i jepet liria dhe të gjitha të drejtat nga të cilat përfitojnë muslimanët. Me këtë rrugë dhe mënyrë trajtimi janë përgatitur me mijra njerëz të mrekullueshëm. Merrni që nga Nafiu, shehu i imami Malikit, e gjer te persona të tillë si Tavus bin Kejsani dhe Mesriku e do të shihni se si është përgatitur nga radhët e atyre robërve të çliruar një shtresë e madhe "mevalinjsh", zotërinjsh e dijetarësh.

Krahas kësaj, ne këtë praktikë e quajtëm të përkohshme, sepse, edhe sikur kjo lloj praktike të përsëritej vazhdimisht në mënyrë qarkulluese, fakti që në Islam liria është principiale, shumëllojshmëria e rrugëve prej të cilave përfitohet për çlirimin nga robëria dhe inkurajimet që bën feja në lidhje me këtë çështje duke këshilluar rrugë të ndryshme, tregojnë se robëria dhe skllavëria janë dukuri jo të pashmangshme, por sekondare, të krijuara dhe artificiale. Por ç'e do se gjer në çastin kur të gjitha shtetet e botës do të arrijnë të bien në një mendje për këtë gjë, skllavëria dhe robëria, si një variant i saj, do të vazhdojnë të prodhohen dhe të zbatohen në ato joislame. Kurse konkluzionet e nxjerra dhe vendimet e marra në këtë fushë nga ana e Islamit i vetëm, do të mbeten të kufizuara vetëm brenda kuadrit të bashkësisë së vet. Islami e ka thënë fjalën e vet dhe i ka parashtruar parimet e veta. Ata që tregojnë zell për të siguruar paqen mbarënjerëzore, janë përgjegjës vetëm për të përgatitur bazën praktike për zbatimin e këtyre parimeve në shkallë botërore. Fundja, kjo është një nga specifikat që ka marrë në dorë Islami për ta reformuar dhe rregulluar, që, gjithashtu, tregon rrugën për të dalë nga një situatë nga më të egrat e çnjerëzoret, në dobi, bekim dhe bukuri. Dhe, njëkohësisht, specifikat të cilat kapërcejnë kufinjtë e tyre, ua ofron administratorëve të ardhshëm të shtetit.

Një specifikë tjetër, brenda kësaj tematike, është fakti që të gjithë individët e bashkësisë sonë nuk janë të formuar plotësisht në kuptimin islam të kësaj fjale. Në fakt, feja jonë nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për ta nxjerrë çdo individ në nivelin e engjëllit. Ashtu siç ka pasur individë që janë lartësuar e bërë engjëj duke u lidhur fort pas parimeve të saj të shenjta, janë gjendur e do të gjenden edhe shpirtra të palatuar që s'kanë mundur ta kapërcejnë vetveten. Dhe tek të tillët do të shihen edhe të meta e mangësi në çështje të veçanta e detajore. Ja, pra, në këtë tip njerëzish do të vihet re dëshira për ta mbajtur gjallë skllavërinë dhe do të mund të shihen ata të qëndrojnë, lidhur me këtë, pranë të tjerëve, jo nga radhët tona, domethënë pranë kombeve që prodhojnë e do të prodhojnë skllavërinë e robërinë.

Tani mbeti vetëm një çështje, ajo që në periudha të caktuara, kur janë njohur dhe kanë ekzistuar rrugët për t'i çliruar robërit e skllevërit, për një kohë të gjatë në duar të muslimanëve janë gjendur robër e skllevër. Dhe kjo duket si kontradiktë mes gjërave të thëna dhe atyre të zbatuara në praktikë.

Po, qysh në shekullin e parë të historisë së Islamit shohim se, në periudha të caktuara, muslimanët e kanë zbatuar institucionin e skllavërisë. Por, në fakt, këtu kanë luajtur rol dy shkaqe dhe faktorë seriozë. Njëri prej këtyre ka lidhje me zotërinjtë, kurse i dyti, me skllevërit. Ashtu siç e preka edhe pak më parë, Islami, në praktikë, sigurimin e njeriut të përsosur e trajton të lidhur me vullnetin dhe lirinë tek njeriu. Për rrjedhojë, individët me mangësi dhe të meta nuk do të mundin t'i kryejnë pa të meta një pjesë punësh ashtu siç i kryejnë njerëzit plotësisht të formuar, të mbështetur, në këtë formim, nga vullneti i tyre i lirë. Ja, pra, gjer në çastin kur njerëz të tillë, të mangët e të metë, të formohen me anë të edukatës muhammediane, do të jetë normale, në një pamje, që çështja në fjalë të mos gjejë zbatimin e saj të plotë. Atëherë mbetet të themi se përpjekja për ta nxirë Islamin duke marrë pretekst ndjenjat dhe jetesën kafshërore të katër-pesë të hutuarve, është padrejtësi dhe mungesë maturie.

I dyti ka lidhje me vetë skllevërit. Edhe në këtë rast, zbatimi praktik që bën Islami, është origjinal dhe brenda kritereve që pranojnë veçantitë e natyrës njerëzore. Muslimanët e parë i kanë trajtuar skllevërit me anë të parimeve edukuese duke vënë si synim që t'i bëjnë ata të besojnë se janë njerëz, që të asgjësojnë tek ata egërsinë ndaj lirisë, që t'u tregojnë atyre rrugën për të ngritur familje e për t'i mësuar me jetën.

Zakonet dhe veset krijojnë tek njeriu një natyrë të dytë. Eliminimi i kësaj natyre të dytë dhe rikthimi në gjendjen e mëparshme është aq i vështirë sa ç'është edhe zbutja e një kafshe të egër. E tillë është edhe skllavëria kur njeriu mësohet me të dhe i bëhet natyrë e dytë. Skllavëria është një shformim i natyrës tek njeriu, është një distorcion natyror. Korrigjimi i tij kërkon kohë të gjatë. Ja, pra, këtë kanë bërë muslimanët ndërsa kanë mbajtur skllevër.

Çdo musliman, duke e marrë nën mbrojtje e duke i thënë "vëlla" skllavit të vet, e ka mësuar atij dhe e ka përgatitur që të punojë i pavarur, që të fitojë i pavarur, që të ngrejë folenë familjare dhe të qeverisë familjen e, pastaj, në se nuk është parë e dëmshme ose në se është shpresuar për të mirë, ia ka dhënë lirinë.

Në se ata njerëz me aftësi dhe mundësi të verbuara do të lëshoheshin të lirë mes shoqërisë pa i përgatitur qysh më parë ashtu siç sapo u përshkrua, do të mbeteshin të shtangur, si peshq akuariumi ose zogj kafazësh, para strukturës së ndërlikuar të shoqërisë dhe do të mbërtheheshin nga ndjenja e rikthimit dhe dëshira për gjendjen e mëparshme, gjë që nuk do të përbënte asnjë lloj dobie në emër të tyre. Me të vërtetë, shumë skllevër injorantë, para ligjeve të jetës, më vonë janë sjellur dhe kanë vepruar ashtu siç është dëshiruar. Heqja e menjëhershme dhe totale e skllavërisë nga ana e Abraham Linkolnit pati përfunduar me rikthimin e skllevërve të çliruar te zotërinjtë e tyre të mëparshëm. Dhe as që mund të mendohet se do të ndodhte ndryshe.

Një njeri që ka jetuar një pjesë ose tërë jetën si rob, është mësuar të marrë vazhdimisht urdhëra. Ndoshta ka ndodhur edhe që të nxjerrë në shesh punë mjaft të mira, vetëm se, me që është drejtuar nga jashtë si një makinë, si një automat, edhe në se ndodhet në të pesëdhjetat, nga ana mendore është në nivelin e një fëmije. Ai ka nevojë të pashmangshme për të qënë pranë dikujt tjetër që e njeh jetën dhe që është i zbuluar ndaj jetës, me qëllim që të mësohet e të edukohet, me qëllim që të mësojë jetën dhe ligjet e saj. Dhe kjo specifikë është efektive jo vetëm për skllevër që kanë humbur lirinë e tyre, por ndihet, ndoshta, edhe në shumë shtete e vende të kthyera në koloni dhe të shfrytëzuara për një kohë të gjatë. Po, me të vërtetë, në se këtyre kombeve nuk u jepet edukatë për një kohë të gjatë dhe t'u ripërftohet personaliteti dhe sedra vetiake, nuk do të mund të shpëtojnë nga vartësia shpirtërore ndaj shteteve e kombeve të huaja e nga duartrokitja e tyre. Madje, mund të them se t'u ripërftosh vetëdijën personale kombeve që e kanë humbur personalitetin, është tepër më e vështirë se sa t'u mësosh skllevërve se janë njerëz...

Ja, pra, Islami e pati nisur punën duke i përftuar skllavit egoizmin, vetëdijën njerëzore, i pati sjellë ekuilibrin shpirtit të çekuilibruar të tij, i pati shtruar në zemër kuptimin dhe ashkun e lirisë, e pati sjellë gjer në atë moment sa t'i thoshte "kërko, të të jap". Dhe, pastaj, e pati lëshuar në jetë. Përgatitja dhe çlirimi i skllavit Zejd bin Harise, martesa e tij, më pas, me një femër të fisme dhe, më tej, emërimi si komandant i një ushtrie islame ku merrnin pjesë persona të shquar të udhëheqjes së Islamit, s'janë gjë tjetër veçse ndjekja hap pas hapi e një qëllimi të planifikuar sipas etapave të caktuara.

Fakti që zezaku etiopian, Hz. Bilali (r.a.) pati zënë vend në radhët e para, që skllavi i Huzejfes, Salimi (r.a.), arriti të kishte, në sy të muslimanëve, një pozitë për t'u lakmuar, që Selman Farisiu qe konsideruar nga radhët e familjes së të Dërguarit të Allahut janë shembuj të gjallë se ç'ndryshim pati pësuar gjendja e skllevërve në Islam dhe në shtëpitë e mjediset muslimane. Këta shembuj mund t'i shumëzojmë me qindra. Mirëpo po e pres shkurt me mendimin se përgjigjet e vëllimshme e sforcojnë subjektin pyetje-përgjigje.

Përmbledhtazi mund të themi se skllavërinë nuk e krijoi Islami; përkundrazi, Islami u vu ta rregullonte dhe tregoi rrugët për ngushtimin dhe eleminimin e saj. Po qe se s'do të ekzistonin robërit si mbeturina të luftërave si dhe nxitja dhe mbarështrimi i kësaj prej një pjesë shpirtrash të mjerë, kurrsesi s'do të mund të bëhej skllavëria - në trajtën e kritikuar të saj - pjesë e trupit të lartë të Islamit. Edhe për skllavërinë që i pati dalë para në mënyrë të pashmangshme, Islami pati nxjerrë rregulla e ligje dhe, duke e shpëtuar atë prej mjerimit materialo-shpirtëror, prej dhunimit dhe fatkeqësisë, qe orientuar kah bukuria absolute, kah dobia dhe bekimi absolut.

Sot, kur skllavëria individuale është eleminuar pas iniciativës së Islamit, po i jap fund fjalës sime me dëshirën dhe urimin që të eleminohet edhe skllavëria e kombeve dhe e shteteve.


[1] Zihar: Përngjasimi që i bën burri gruas së vet me nënën, motrën apo vajzën e vet me të cilat ai s'mund të martohet, p.sh.: "Të kam si nënën time". Islami e ka ndaluar këtë përngjasim, e ka quajtur faj dhe këtë faj e ka dënuar me gjobë.

/i
Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.