A s'mund të jetë Kur'ani shprehje e Profetit? Nëse jo, si provohet?

Rreth kësaj teme, gjer më sot janë thënë e shkruar mjaft gjëra në atë formë që nuk do t'i linin hapësirë asnjë lëkundjeje, asnjë dyshimi. Ne, brenda kritereve të lejueshme të një rubrike pyetje-përgjigje, do të mjaftohemi të përmendim në mënyrë të përmbledhur disa nëntema kryesore.

Pretendimi se Kur'ani i Madhnueshëm është formësuar nga Profeti ynë apo nga ndonjë person tjetër, është një çeshtje e shtruar shpesh nga ana e orientalistëve të ditëve tona – armiq të Kur'anit – me disa njerëz verbërisht injorantë, duke iu përmbajtur synimit për të turbulluar mendjet e të paparëve e të të painformuarve. Sipas opinionit tim, ashtu si femohuesit politeistë të djeshëm, edhe këta të sotmit sillen me maraz dhe po ashtu me maraz e trajtojnë këtë çeshtje. Gjithsesi Kur'ani, nga cilido që mund të merrej nëpër duar, po qe se do të trajtohej me maturi, do të kuptohej se është aq madhështor dhe hyjnor sa të mos mund t'i ngarkohet një njeriu.

E tani, duke ua lënë analizën thelluese të kësaj çeshtjeje serioze veprave gjigande të kolosëve të mendimit, do të kujtojmë vetëm disa nënçeshtje kryesore.

1. Së pari, ndërmjet stilit shprehës gjuhësor-letrar(1) të Kur'anit dhe stilit të haditheve – porosive profetike – ka një ndryshim aq të madh, sa që arabët i gjenin të përshtatshme shpjegimet jashtëkuranore të Profetit ndaj formave të tyre të bisedës dhe dialogut, kurse përballë Kur'anit s'e merrnin dot veten nga habia dhe mahnitja.

2. Duke lexuar porositë profetike, përvijohet pas tyre imazhi i një njeriu që mendon e bisedon i përvuajtur e i përulur me frikën ndaj Allahut. Kurse në zërin e Kur'anit ndihet një guxim i lartë, një vizion tronditës e një tingëllim madhështor. Ndërkaq, është as e mundur dhe as e pranueshme logjikisht që në shprehjen e një njeriu të sendërtohen aty për aty dy stile aq të ndryshëm nga njeri-tjetri.

3. Mbi gjithçka, fakti që një njeri i paarsimuar, pa parë derën e shkollës – shpirtrat iu bëfshin fli atij – të sjellë e të predikojë një sistem individual, familjar, shoqëror, ekonomik dhe juridik të patëmetë, bie në kundërshtim me aparencën mendore e logjike. E sidomos po të jetë ky sistem aq i shkëlqyer sa të zbatohet për shekuj të tërë nga një sërë kombesh miq e armiq midis tyre e të ruajë gjer më sot freskinë e vet!

4. Në Kur'an, ekzistenca dhe jeta si dhe çeshtje të tjera si adhurimi, drejtësia dhe ekonomia, të lidhura me to, janë trajtuar me një drejtpeshim dhe përshtatshmëri të tillë midis tyre, sa që supozimi i tij si një shprehje njerëzore i rrjedhur nga moskonstatimi i këtyre fakteve, nga një pikëpamje do të thotë që njeriu të mos e pranojë mesazhin e Kur'anit. Sepse ashtu siç është vijimisht evidente dhe mbikohore edhe secila nga çeshtjet e mësipërme, ato, në tërësinë e specifikës së tyre janë çështje me peshë të tillë, sa që nuk do të mund t'i përballonte as gjeniu i gjenive. Kështu, t'ia ngarkosh autorësinë e një libri me përmbajtje të pasur prej qindra çështjesh çdonjëra prej të cilave e pamundur të ketë ardhur nga një mbigjeni, një njeri i paarsimuar, është thjesht një pretendim.

5. Edhe përsa u përket njoftimeve të dhëna kushtuar të shkuarës e të së ardhmes, Kur'ani është i shkëlqyer dhe kategorikisht s'mund të jetë shprehje njerëzore. Sot, me anë të zbulimeve të reja, janë nxjerrë sheshit mënyra e jetesës e popujve të kaluar, fundi i tyre i mirë apo i keq ashtu siç i pat njoftuar fjalë për fjalë shekuj më parë Kur'ani i Madhnueshëm. Ja, profetë të tillë si Hz. Saliu, Hz. Luti dhe Hz. Musai, ja popujt e tyre, ja dhe vendbanimet e tyre – secili më vete nga një dëshmi e shpalosur për t'u marrë shembull!

Aq sa janë kategorike dhe të drejta njoftimet e Kur'anit kushtuar së shkuarës, edhe informacioni për të ardhmen është po në atë nivel i rëndësishëm dhe një mrekulli më vete. Për shembull, vite më parë se të ndodhte në fakt , qe lajmëruar në Kur'an triumfi i Mekës dhe hyrja në Qabe në siguri të plotë me ajetin: …me vullnetin e Allahut do të hyni në xhaminë e shenjtë (në Qabe) të siguruar, të rruani flokët e kokave tuaja, t'i shkurtoni e nuk do të keni frikë! (Kur'ani, Fetih:27) Po ashtu qe lajmëruar fitorja e epërsisë së Islamit mbi të gjitha sistemet e prapambetura me anë të ajetit Ai është që e dërgoi të dërguarin e vet me udhëzim të plotë dhe me fenë e vërtetë që të triumfojë mbi çdo fe e mjafton Allahu dëshmitar. (Kur'ani, Fetih:28) Prapë po ashtu, me ajetet Bizantinët (rumët) u mundën në tokën më afër (tokës së arabëve), po pas disfatës së tyre, ata do të ngadhënjejnë brenda pak viteve. Çështja është vendim i Allahut fillim e mbarim (për disfatë e për fitore). E atë ditë (kur do të fitojnë bizantinët), besimtarët do të gëzohen… (Kur'ani, Rum:2-4), ishte dhënë myzhdeja se atë ditë kur të fitonin bizantinët kundër sasanive që dukeshin fitimtarë të luftës, muslimanët do të gëzoheshin me fitoren e Bedrit. Kur të vinte koha e vet, do të ndodhte ashtu siç kishte paralajmëruar Kur'ani. Ashtu si ky paralajmërim, edhe me ajetin O ti i dërguar! Komunikoje atë që t'u zbrit prej Zotit tënd e, në se nuk bën (kumtim në tërësi), atëherë nuk e ke kryer detyrën (revelatën, risalen). Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve (prej armiqve)… (Kur'ani, Maide:67)

Profetit i ishte premtuar se, ndonëse i rrethuar me armiq duke filluar nga i ungji më i afërt gjer të popuj dhe shtete armiq, do ta kalonte jetën nën garanci, gjë që ashtu kishte ndodhur.

Me shprehjen-mrekulli Ne do t'u bëjmë atyre të mundshme që të shohin argumentet tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t'u bëhet e qartë se ai (Kur'ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë? (Kur'ani, Fussilet:53), Kur'ani kishte pohuar se me zbulimin e degëve të reja të shkencave, do të njiheshin horizonti dhe egoja, me fjalë të tjera do të zbuloheshin një nga një cilësitë njerëzore dhe vendet, se eksperimentet dhe zbulimet e reja do ta shtrëngonin njeriun të besonte, ashtu që aktualisht po ecet me shpejtësi drejt asaj pike.

Veçanërisht, Kur'ani njofton se nga dita kur u revelua e gjer më sot, në kushtet kur me shprehjen: Thuaj: Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhindet për të sjellë një Kur'an të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky sado që do ta ndihmonin njëri-tjetrin (Kur'ani, Isra:88), u shkeli në themër armiqve, me përjashtim të nja dy përçatjeve të zakonshme, askush nuk mori iniciativën të bënte diçka të ngjashme me të dhe ta përsëriste atë, se çka njofton ai, është në vërtetim e sipër dhe se ai është një mrekulli.

Në vitet e para të revelacionit të Kur'anit të Madhnueshëm muslimanët ishin të paktë, të dobët, të papushtetshëm dhe s'dinin të mendonin asgjë për të ardhmen. Nuk dinin asgjë në emër të fesë së re si burim force që përfshinte dinamikat e një shteti a të zotërimit të botës ose që do të përmbysnin sistemet botërore. Ndërsa Kur'ani, me ajetin Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, Allahu u premtoi se do t'i bëjë zotërues në tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë e në vend të frikës, Ai do t'u dhurojë siguri… (Kur'ani, Nur:55), u tregonte atyre këto objektiva të larta dhe u jepte myzhden se do të bëheshin sunduesit e njerëzimit.

Ka edhe shumë ajete të tjerë si këta që kanë lidhje me konekstin musliman dhe të ardhmen e muslimanëve, me fitoret dhe humbjet, me progresin dhe regresin e tyre, citimi tërësor i të cilëve këtu është i pamundur.

Një pjesë të madhe të njoftimeve të dhëna nga Kur'ani i Madhnueshëm lidhur me të ardhmen, e përbëjnë ajetet që kanë të bëjnë me kufijtë përfundimtarë ku do të arrijnë degët e shkencave të ndryshme. Në formën e definicioneve të shkurtra përkitas vërtetimeve shkencore, njoftimet e dhëna nga Kur'ani janë aq të shkëlqyera e të pazbehshme, sa që, ashtu siç nuk është e mundur të mos ua vesh veshin parashtrimeve të tij të kësaj tematike, ashtu edhe nuk është e mundur t'i thuash atij shprehje njerëzore.

Nga shumë vepra të shkruara rreth këtyre gjërave të shkëlqyera të pohuara me rrugën e shenjave, argumenteve dhe sqarimeve të qindra ajeteve, duke ua ngarkuar atyre veprave shqyrtimin e imtë të këtyre çeshtjeve, do të shënojmë në kalim ato çeshtje mbi të cilat bëjnë shenjë dhe argumentojnë disa ajete tipike.

1. Krijimi i Gjithësisë

A nuk e dinë ata të cilët nuk besuan, se qiejt e toka ishin të ngjitura e Ne i ndamë ato të dyja dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi; anuk e besojnë? (Kur'ani, Enbija:30)

E vërteta e lartë që parashtron ajeti i mësipërm, i lidhur me krijimin e gjithësisë, edhe në kërkoftë diskutime të ndryshme rreth hollësive të saj, përsa i përket krijimit të parë, mbetet një parim i pandryshueshëm. Përfitimi i një forme të caktuar dhe pastaj ndarja e saj, qoftë ndarja në nebuloza të ngjashëm me sistemin diellor, qoftë copëtimi dhe pjesëtimi i mjegullnajave e tymnajave, dhe zotërimi i formacioneve të tyre të krijuara, pra, i çfarëdo forme qoftë ky proçes ngarjeje e rikrijimi, ajo çka tregohet në ajet, përsa i përket konkluzionit, mbetet e pandryshueshme. Nisur nga elementët e përshkrimit të përdorur dhe stili i zgjedhur, ajeti qe bërë vazhdimisht burim drite për hulumtimet shkencore; përkundër vjetërimit dhe braktisjes së të gjitha hipotezave dhe teorive, ai e ka ruajtur freskinë e vet, ka arritur në ditët e sotme dhe duket kandidat për t'u bërë zotëruesi i së nesërmes.

2. Astronomia

Në Kur'anin e Madhnueshëm ka aq shumë ajete që do të përbënin fundamente për astronominë, sa që marrja një për një, analiza dhe sistemimi i tyre do të kërkonte vëllime. Ne do të mjaftohemi me shënimin e nja dy ajeteve. Allahu është Ai që ngriti qiejt pa ndonjë shtyllë. Ju i shihni ato. Ai mbizotëroi Arshin dhe nënshtroi diellin dhe hënën që çdonjëri udhëton deri në një afat të caktuar…( Kur'ani, R'ad:22). Ajeti pohon lartësimin e qiejve, zgjerimin dhe rritjen e tyre pa ndonjë shtyllë të llojit që njohim ne, gjithashtu rregullsinë harmonike të të gjithë elemeteve. Sigurisht, nuk ekziston ndonjë shtyllë që të mbajë kupën qiellore për të mos u rrëzuar, por, në fakt, krejt pa shtyllë nuk është. Sepse që të mos shpërndahen planetet (ose formacionet e ndryshme) e të mos përplasen me njëri-tjetrin, është e domosdoshme ekzistenca e ndonjë shtylle në kuptimin e parimit, rregullit, ligjit që do të përbënte fundamentin e ligjësisë përkatëse.

Me këtë pohim të tij, Kur'ani, na bën të mendohemi për parimin e përgjithshëm të tërheqjes qëndrore e të shtytjes qëndrore(2), për çka përshtatja apo jo e pohimit në fjalë ndaj tërheqjes universale të Njutonit apo teorisë së vëllimit të Ajnshtanjit, nuk përbën ndonjë gjë me rëndësi.

Sidomos është shumë interesant pohimi për diellin dhe hënën që udhëtojnë gjer në një afat të caktua, Për ç'arsye, të ndalemi mbi të.

Me pohimet: në kaptinën Rahman se Dielli dhe hëna udhëtojnë sipas një përcaktimi të saktë (Kur'ani, Rahaman: 5), në kaptinën Enbija se Ai është që krijoi natën e ditën, diellin dhe hënën dhe secili prej tyre jeton në orbitë(Kur'ani, Enbija:33), në kaptinën Jasin se Edhe dielli noton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar)… si dhe …secili prej këtyre noton në një orbitë(Kur'ani, Jasin:38-40) flitet fare qartë për faktin se Dielli, Hëna dhe planetet e tjerë janë krijuar sipas një rregulli, se përfaqësojnë një harmoni, se ata ekzistojnë si një e vërtetë matematike.

Rrumbullakësia e tokës

Ajeti …natën ia mbështjell(vendit të) ditës dhe ditën ia mbështjell natës…( Kur'ani, Dhjarijat:5) shpjegon zëvendësimin e natës dhe ditës nga njëra-tjetra si dhe, ajo më e rëndësishmja, me formën përkatëse të të shprehurit krijon përfytyrimin e mbështjelljes, së diçkaje rreth një objekti të rrumbullakët ose sferik. Kurse në një ajet tjetër, me pohimin Pastaj faqes së tokës i dha formë ovale (Kur'ani, Naziat:30)(3), u tregon shikuesve pikën më ekstreme të të arriturit në thellësinë profetike.

Në lidhje me zgjerimin e hapësirës

Ne me forcën tonë e ngritëm qiellin dhe Ne e zgjerojmë atë (Kur'ani, Dhjarijat:47). Nuk ka ndonjë ndryshim në se ky zgjerim është ashtu siç e kupton Ajnshtajni apo në formën e largimit të nebulozave nga galaktika ku bën pjesë sistemi ynë diellor –sipas Edëin Hubbles. Rëndësi ka fakti që Kur'ani, duke i mëshuar çeshtjes kryesore, ka kapur majat shumë para shkencave eksperimentale dhe u ka bërë dritë atyre.

3. Meteorologji

Rrymat ajrore, ngjeshja e reve, elektrizimi i ajrit, shpërthimi i rrufeve dhe realizimi i shkarkesave elektrike, të gjitha këto dukuri së bashku, janë njëra nga çeshtjet që përmenden shumë në Kur'anin e Madhnueshëm. Vënde-vënde për të perkujtuar begatitë hyjnore dhe vënde-vënde thjesht për t'i kërcënuar njerëzit. Përshembull, A nuk e ke parë se si Alllahu drejton retë, pastaj i bashkon, i bën grumbull ato dhe atëher e sheh shiun se si rrjedh prej tyre. Ai lëshon prej së larti, nga retë e mëdha si kodra, breshër dhe me të godit kë do e ia largon atij që do… (Kur'ani, Nur:43). Ashtu si edhe në vende të tjera, edhe këtu Kur'ani, duke theksuar momentin përfundimtar të rënies të shiut, tregon se pas shpinës së ngjarjeve tronditëse dhe frikëndjellëse si rrëmuja qiellore me re, shi, rrufe e bubullima, bamirësie e favori, u bën thirrje shpirtrave të tregohen syhapur ndaj saj dhe, në të njëjtën kohë, kushtet e posaçme të shfaqjes së shiut dhe breshërit në vartësi të disiplinave të njohura e pastaj rënien e tyre në tokë e përshkruan në një mënyrë të tillë të çuditshme që çdo njëri, pikërisht nga kjo mënyrë të treguari, i kupton menjëherë kushtet e realizimit të shiut dhe të breshërit- pa rënë në kundërshtim me ato çka dihen sot- dhe mbetet i mahnitur pas shprehjes Kuranore. Kur'ani nuk okupohet me hollësi të tilla si tërheqja midis dy ngarkesave elektrike të kundtërta dhe shtytja midis tyre me shenjë të njëjtë, hyrja në veprim e erës për të bashkuar retë që shtyjnë njëra-tjetrën, lartësimi nga toka drejt qiellit i ngarkesave elektrike pozitive, bashkimi i tyre me ngarkesat statike në qiell si rezultat i të cilit fenomen ndodh shkarkesa elektrike, në ç'pikë (moment) fillon rënia në tokë e avujve në formën e pikave të ujit. Ai përqëndrohet në dukurinë kryesore dhe në çeshtjen themlore, duke ia lënë interpretimit të kohës shpjegimin e çeshtjeve të tjera të hollësishme dhe emërtimin e tyre.

Ajeti Ne i lëshojmë erërat mbarësuese e, nga qielli (retë) lëshojnë shi dhe atë ju japim ta pini e ju nuk mund ta ruani atë (Kur'ani, Hixhr:22), duke i shtuar një dimension të ri kësaj çeshtjeje, ashtu siç tëheq vëmendjen mbi funsionimin e erës në proçesin e pllenimit të bimëve(mbarështimit) të bimëve, kujton edhe detyrën e posaçme të saj për mbarështimin e reve.

Mirëpo kur u revelua Kur'ani, ashtu siç nuk dihej nevoja për mbarështim as e barit, as e pemëve, as e luleve dhe as e reve, ashtu edhe askush nuk kuptonte me të parë këtë detyrë të rëndësishme të erërave zhurmëronjëse…

4. Fizikë

Lënda si elemnti bazë i ekzistencës dhe shfaqja e saj tipike në fomat çift-tek, janë nga çeshtjet që trajtohen Kur'ani.

Për shembull, në ajetin Ne krijuam çdo gjë çift që të mendohemi mirë (Kur'ani, Dharijat:49)(4), kuptohet se çdo gjë është krijuar çift dhe, duke u nisur nga forma e të shprehurit të këtij ajeti, kuptohet që ky është një fundament i rëndësishëm dhe një parim që përfshin gjithësinë. Kurse në ajetin A nuk i hedhin sytë faqes së tokës? Sa çifte kënaqësindjellëse krijuam e rritëm Ne në të! (Kur'ani, Shuara:7) (5), tërhiqet vemendja për faktin se çdo vit para syve tanë krijohen, mblidhen e shpërndahen qindra mijëra çifte si dhe sillen në kujtesë begatitë e Allahut. Kurse ajeti në kaptinën Jasin është më përmbledhës dhe më ineresant: I pastër nga të metat është Ai që krijoi të gjitha llojet (çiftet) nga çka mban toka, nga vetë ata dhe nga çka ata nuk dinë. (Kur'ani, Jasin:36). Këtu theksohet se krahas krijesave çift që njohim sot, ekzistojnë edhe çifte që ende nuk i dimë.

Po, Allahu, duke na kujtuar faktin esencial të formave mashkull-femër te njerëzit dhe çift te bari, pemët, nga dublimi elektorn-bërthamë te atomi, te bashkëshoqërimi antagonist lëndë-antilëndë e gjer te të gjitha format çifte nga pikëpamja cilësore-sasiore, të gjalla, në tokë e në qiej, sado që të jenë duke na përmendur se veç Vetes, të gjitha begatitë e Tij për një, çdo gjë, është çift, na fton të mendojmë.

Përveç ajeteve që cituam më sipër thjesht për të dhënë nga një shmbull, ka edhe shumë shprehje hyjnore të tilla që duke qenë secila prej tyre nga një mrekulli më vete, argumentojnë fare hapur edhe Kur'anin si fjalë të Allahut, edhe Pejgamberin tonë si të dërguarin e Tij.

Sigurisht, Kur'ani, me pohimet nga shfaqja e jetës mbi tokë te pllenimi dhe riprodhimi i bimëve, nga krijimi i popullatave të kafshëve te një pjesë ligjshmërish të fshehta që sigurojnë vazhdimësinë e jetës së tyre, nga botërat enigmatike të bletës e milingonës te tipari fluturues i zogjve, nga rrugët e prodhimit të qumështit të kafshëve te etapat kalimtare të fëmijës në barkun e nënës, pra, me pohimet në shumë sfera sipas mënyrës posaçërisht vetiake të të shprehurit, i ndjek gjërat që trajton me një stil të atillë lakonik, përmbledhës, zotërues, sa, duke i lënë komentet tona mënjanë, sa herë që t'u drejtohemi pohimeve të Kur'anit, do të na duken gjithmonë të freskëta, rinore e të pozicionuara në finalen e tyre që mund të arrijnë diturinë.

Tani, po qe se një libër do të vinte gishtin përtej pikave orientuese ku mund të arrinin mijëra-mijëra vetë në përfundim të përpjekjeve të s'di sa e sa shekujve, po qe se me një stil zotërues në një temë përkatëse do të jepte thelbin e asaj teme, atë libër, jo një njeriu katërmbëdhjetë shekuj më parë, është e pamundur t'ia dedikosh shkencëtarit të ditëve të sotme, gjithashtu as punës së qindra e mijëra gjenive. Sidomos po të ishte ai libër me përmbajtje të pasur, me pohime të goditura, me një stil të lartë e me një aparencë hyjnore si Kur'ani…

E tani t'i kthehemi bashkëbiseduesit tonë e ta pyesim: Ai Individualiteti mrekullisht i paarsimuar e në një mjedis injorant ku s'njihej ç'është libri e shklolla, nga kush e mësoi tipësoren e prodhimit të qumështit te qëniet e gjalla? Si mundi të njohë faktin që retë kanë funsion mbarështues, se ato pllenojnë bimët dhe mbarështojnë retë, momentin e formimit të shiut e breshërit? Kush ia demonsroi atij faktin që globi tokësor ka formën ovale? Në ç'observator dhe me ç'teleskopë gjigandë mësoi për shtresat atmosferike dhe për pakësimin e oksigjenit duke u ngjitur në lartësi? Me ç'aparate rëntgenoskopike ndoqi dhe përcaktoi një për një fazat e zhvillimit të fetusit në barkun e nënës? Dhe pastaj, si kompetent i hollësive të të gjitha këtyre njohurive, me paraqitjen e një shkencëtari specialist, pa u lëkundur, pa u impresionuar, me një sjellje mjaft të sigurtë në vetvete ua tregoi bashkëbiseduesve të vet?!

5. Kur'ani i Madhnueshëm, duke parashtruar detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Pejgamberit tonë, ashtu siç i tregon rrugën atij, vende-vende, në përshtatje me pozitën e tij, edhe e qorton si dhe shkund duke e paralajmëruar. Për shembull, si pasojë e faktit që ai u kishte dhënë leje hipokritëve ne një rast që s'u duhej dhënë, porositet duke iu tërhequr vëmendja në këtë mënyrë: Allahu të faltë, pse u dhe leje gënjeshtarëve para se t'i njohësh, para se të jenë bërë të qartë ata që flasin drejt? (Kur'ani, Tevbe:43) (6). Po ashtu, qe qortuar edhe si më poshtë: Për asnjë pejgamber nuk qe me vend të ketë robër derisa të ketë dërrmuar me luftë (armikun) në tokë. Ju keni qëllim përjetimet e kësaj bote, ndërsa Allahu dëshiron për ju Ahiretin. Allahu mbizotëron çdo gjë, di ç'ka është mirë për robtë. (Kur'ani, Enfal:67) si dhe po të mos kishte dalë një shkrim dhe një vërtetim nga Allahu(lidhur me fjalën tuaj) për shkak të shpërblimit që morët, do t'ju kishte goditur patjetër një ndëshkim i madh (Kur'ani, Enfal:68) (7). Një rradhë, kur ai u shpreh këtë punë do ta bëj nesër pa iu mbështetur dëshirës së Allahut, u paralajmërua dhe u urdhërua kështu: Për asgjë mos thuaj "Këtë do ta bëj nesër". Thuaj: Vetëm në dashtë Allahu! Kur të harrosh të thuash kështu, kujto Zotin tënd dhe thuaj: Zoti im, pres të më japësh njohuri më të drejta se këto! (Kur'ani, Kehf:23-24) (8). Dhe një rradhë tjetër, me shprehjen …dhe u frikësohesh njerëzve, por më e drejtë është që ti frikësohesh Allahut…( Kur'ani, Ahzab:37), duke e qortuar butësisht,i kishte tërhequr vëmendjen se duhej t'i frikësohej Allahut. Kur ai, si kundërvënie ndaj sjelljes së grave të tij lidhur me një çeshtje, ishte betuar të mos pinte më shërbet mjalti, ishte paralajmëruar në këtë mënyrë: O ti Pejgamber (o ti që të është sjellë kumtesa nga qielli), pse ia ndalon vetes atë që Allahut ta lejoi? A kërkon me të pajtimin e grave të tua? Allahu është mëkatfalës, mëshirues! ( Kur'ani, Tahrim:1). Në shumë ajete të tjera si këto, me përcaktimin, nga njëra anë,të kufijve të detyrave, përgjegjësive dhe kopetencave të Profetit, njëkohësiht, nga ana tjetër, kur ai nuk i respektoi ata kufij sadoqoftë pak, kur detyrat dhe kompetencat nuk i zbatoi në lartësinë e duhur, është qortuar, është porositur dhe vende-vende është paralajmëruar ashpër.

Tani, a ta pranon mendja që dikush të shkruajë një libër dhe pastaj, në vënde të ndryshme të atij libri, të vendosë argumente qortuese, paralajmëruese e dënuese kundër vetes së vet? Zoti na faltë! Ai është libri i Allahut, kurse ai Individualiteti është zëdhënësi i Tij i nderuar.

6. Kur'ani i Madhnueshëm është një mrekulli elokuence dhe në këtë fushë është i pashoq. Edhe nga kjo pikëpamje është e pamundur t'ia ngarkosh atë një njeriu. Kur Pejgamberi ynë (s.a.v) u shfaq me misionin e tij profetik, ekzistonin një sërë profetësh, letrarësh dhe oratorësh mjeshtër fjale që tërhiqnin pas vetes shtresat e popullatës. Në përgjiththësi, këta përbënin edhe opozitën e tij. Vende-vende mblidheshn kokë më kokë e vrisnin mëndjen se si e si ta fusnin Kur'anin në një kallëp, t'ia përngjasonin diçkaje dhe, sido që të bëhej, detyrimisht të triumfonin mbi të. Madje, shpesh takoheshin me dijetarët kristianë dhe çifutë dhe u kërkonin mendim atyre. Ishin të vendosur të bënin çdo gjë që do të mund t'u binte ndërmend, sado shtrenjtë që t'u dilte, për të ndaluar dhe shterruar Ujvarën Kuranore. Hz. Mauhamendi (s.a.v) që vazhdonte udhën e tij pa ua varur atyre pengesave e pengimeve, atyre kundërvënieve të pa imagjinueshme, u dilte përpara gjithë mohuesve e ateistëve vetëm e vetëm me Kur'anin dhe e kurorëzonte me fitore luftën e tij, madje, përkundër gjithë atyre armiqëve të shumtë!

Po, atë ditë, në një periudhë kur përfaqësuesit gjigandë të oratorisë, të bashkuar në një front me dijetarët kristianë e çifutë, e shëndrruan në rrëmujë mjedisin publik, Kur'ani, me atë forcë shprehjeje eprore, me atë deklaratë magjepsëse, me atë stil marramendës, me atë karakterin enigmatik dhe sublim që i shtie drithmat zemrës njerëzore, u hyri njerëzve në ndjesi, u bë një zë që do të kumbonte midis qiejve e tokës, një frymëmarrje u bë e u ngjit lartësive…, i ftoi kundërshtarët në duel, i kërcënoi, i thirri në shesh të burrave: E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit tonë, atëher sillnie ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kur'ani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotërat) pos Allahut, në se jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kur'ani nuk është prej Zotit). (Kur'ani, Bakara:23)

Kur me ajetet: Thuaj: Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhindet për të sjellë një Kur'an të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky sado që ta ndihmonin njëri-tjetrin (Kur'ani, Isra:88) si dhe Thuaj: Formuloni, pra, dhjetë kaptina si ai (Kur'ani) ashtu të trilluara (siç thoni ju) dhe thirrni, pos Allahut, po qe se jeni të drejtë (çka thoni), kë të mundeni për ndihmë! (Kur'ani, Hud:13), u ngul këmbë në të njëjtat gjëra, fakti që, përveç nja dy përçatjeve, nuk iu dha përgjigje kësaj ftese në fushë të luftës nga ana e Kur'anit provuan t'i bënin çfarëdolloj të keqeje mesazhit të Profetit, nuk e kaluan, madje, as nëpër mend që të bënin një shëmbëlltyr ë të Kur'anit me një imitim të tij dhe s'do ti futeshin udhës plot rreziqe të luftës.

Po, fakti që ata goxha mjeshtra të fjalës zgjodhën udhën e luftës duke hedhur në rrezik gjërat më të vyera të tyre si vlerën, reputacionin, madje virtytin dhe nderin, argumenton hapur se Kur'ani ishte i pangjashëm, i paimitueshëm. Po të qe e mundur një gjë e tillë, sigurisht që ata do të zgjidhnin udhën e debatit intelektual në vënd të udhës së luftës dhe kategorikisht nuk do ta hidhnin në rrezik të ardhmen e tyre. Për poetët dhe propaganduesit arabë që kishin konkluduar se nuk do të mund të sillnin një imitim të Kur'anit, kërkimi i mbështetjes midis kristianëve dhe çifutëve përbënte për ta një pohim insufiçence dhe mungese rrugëdaljeje. Nga ana tjetër, në se do t'u mjaftonin forcat për të realizuar një libër me një pasuri përmbajtjeje dhe shprehjeje të tillë, e pse do ta përpjestonin me dikë tjetër? Do të thoshin Ne e bëmë! Dhe do të krenoheshim me të…

Mbetet të themi se që dje e gjer më sot, në vend të të pavemendshmëve ose të nja dy orientalistëve e politeistëve, një radhë dijetarësh, hulumtuesish dhe mendimtarësh, përballë pasurisë lëndore dhe forcës shprehëse të Kur'anit, nuk e kanë fshehur mahnitjen e tyre dhe e kanë duartrokitur atë.

Çarls Mills, nisur nga pasuria e stilit të Kur'anit, shpreh se ai zotëron një aparencë të tillë të lartë të papërkthyeshme e të papërsëritshme; Viktor Imberd, se Kur'ani kanjë përmbajtje të pasur që do të mund t'u bëhej burim gjithë bazave juridike; Ernest Renan, se Kur'ani është i përjetshëm sa ç'është përmbysja që sjell feja dhe se ai ka bërë një përmbysje; Gustav Lë Boni, se me Kur'anin iu parashtrua botës koncepti monoteist më origjinal e më i pastër, ai i Islamizmit; Cl. Huart, se Kur'ani si fjalët e Allahut iu komunikua Hz. Muhammedit (s.a.v.) nëpërmjet Revelacionit; H. Holman, se Hz. Muhammedit (s.a.v.) është profeti i fundit i Allahut si dhe Islami është më e fundit e feve të reveluara; Elim Dermenjhem, se Kur'ani është mrekullia e parë e Pejgamberit (a.s.) dhe se, nisur nga bukuria e tij letrare, përbën një enigmë të pashtershme; Artur Belegri, se Kur'ani i Madhnueshëm është mrekullia më e fuqishme e Pejgamberit tonë, dërguar me anë të engjëllit; Rajmond Çarls, se urdhri i Kur'ant vazhdon të veprojë ende dhe se është shprehja më e gjallë ndër ato që Allahu u ka komunikuar besimtarëve me anë të një përfaqësuesi; Dr. Moris, se Kur'ani është një mrekulli për çdo nivel kritike, se është i shkëlqyer, madje, duke shkuar më tej, për ata që merren me letërsi, një burim letrar, për specialistët e gjuhësisë thesar leksiku dhe, për poetët, një burim frymëzimi; Manuel King, se Kur'ani është revistë e urdhrave që mori Pejgamberi ynë nga Allahu gjatë gjithë misionit të tij profetik; Mr. Roduell, se njeriu gjatë leximit të Kur'anit mbetet mes mahnitjesh, të gjithë këta, me këto pohime, e miratojnë Kur'anin me duartrokitje.

Ashtu si këta dijetarë e mendimtarë të zgjedhur nga të cilët morëm e ju përcollëm vetëm nga një fjali të shkurtër, ka edhe qindra mendimtarë e hulumtues që, në raport me vëllimin tërësor të informacionit, u kanë vënë gishtin të njëjtave të vërteta dhe, përballë Kur'anit, janë përkulur mëdysh me miratim.

Pranë shumë veprave serioze të dala nga pena e mijëra specialistëve dhe mjeshtërve, s'na takonte neve të flisnim për Kur'anin, por morëm guxim me dëshirën për të marrë pjesë në shërbimet që kanë sjellë kompetentët e Kur'anit, së pari, pastaj edhe autoritetet e penës, duke menduar se do të na falin për këtë guxim.


1) Këtu është fjala ushub-stil (arabisht) është përkthyer nëmënyrë analitike për të dhënë të plotë kutimin leksikor të kësaj fjale në kontekstin përkatës.
2) Në origjinal përkatësisht: Ile'l merkez, an'il-merkez (arabisht)
3) Interpretim. i vetë autorit.
4) Interpretim. i vetë autorit.
5) Interpretim. i vetë autorit.
6) Interpretim. i vetë autorit.
7) Interpretim. i vetë autorit.
8) Interpretim. i vetë autorit.