Dënohet martesa e profetit tonë me shumë gra. A mund të na ndriçoni rreth kësaj çështjeje?

Le të theksoj menjëherë se ata që flasin poshtë e përpjetë për këtë çeshtje, janë ndër të tillët që s'lexojnë e s'e vrasin mendjen për asgjë. Po qe se do të merrnin pakëz mundimin t'u hidhnin një sy librave megazi dhe sijer(1), nuk do ta ulnin veten e të bënin një pyetje të tillë.

Gjer tani këtë pyetje ma kanë bërë në pesë-gjashtë vende dhe unë jam përpjekur çdo herë të tregoj disa gjëra plotësisht a pjesërisht. Edhe kësaj here do të përsëris ç'më ka mbetur prej tyre në kujtesë.

Në martesat e Mbretit të Profetëve, Individualitetit Autentik të Misionit, ka aspekte të ndryshme: specifikat përkatëse të Individualitetit të Nderuar, përgjithësisht objektivat dhe synimet që mund të jenë mbajtur parasysh në martesat e tij, disa detyrime a domosdoshmmëri dhe, në fund, disa situata të tilla që kanë të bëjnë me plotësimin e kërkesave të veçanta të martesës. Tani le t'i analizojmë këto aspekte një nga një.

Le ta fillojmë shqyrtimin e çeshtjes duke parë nga personaliteti i pastër e i pa mëkat.

Mbi çdo gjë, duhet të dihet se ai Individualiteti i Lartë nuk u martua gjer më njëzet e pesë vjeç. Po të kemi parasysh klimën posaçërisht të nxehtë të atij vendi, një jetesë e virtytshme gjer në këtë moshë tregon se tek ai virtyti ishte një element bazë, se ai kishte një vullnet të jashtëzakonshëm dhe se i zotëronte egon dhë dëshirat trupore – të gjitha këto të pranuara pa kusht dje e sot. Po qe se në këtë moment do të ekzistonte edhe shmangia më e vogël, dushmanët e tij të djeshëm e të sotëm nuk do të ngurronin qoftë edhe për një çast për t'ia njoftuar botës këtë gjë. Mirëpo armiqtë e tij të vjetër e të rinj, ndërsa i kanë ngarkuar gjëra të paqena, këtu nuk kanë patur guxim të thonë diçka.

Pejgamberi ynë (s.a.v.) kishte mbetur sërish krejt i vetmuar. Po, pas kësaj jete të lumtur njëzetetrevjeçare me familje e me gjithçka, sërish kishte jetuar si beqar katër-pesë vjet, ndërsa mosha u ish afruar të pesëdhjetetretave.

Ja, pra, të gjitha martesat lidhur me të cilat poshtërohet, fillojnë pas kësaj moshe, gjë që do të thotë se në një vend të nxehtë, pas moshës pesëdhjetepesëvjeçare, kategorikisht nuk mund të interpretohen njerëzorja apo erotizmi në martesën e bërë, në mënyrë logjike e të pranueshme.

Këtu më vjen ndërmend edhe një çeshtje tjetër, interpretimi i temës së poligamisë në Institucionin e Profetësisë.

1. Pikësapari, duhet të dihet se ata që kapen pas kësaj, janë ose të tillët që nuk pranojnë asnjë fe apo parim, kështu që kurrë dhe kategorikisht s'kanë të drejtë të dënojnë një gjë të tillë, sepse ata dalin kundër të gjitha parimeve, hyjnë në marrëdhënie me shumë femra pa iu nënshtruar asnjë ligji apo rregulli, madje e konsiderojnë të lejueshme kurorën me të afërtit. Ose janë adhuruesit e Librave të Shenjtë, çifutët dhe të krishterët. Edhe sulmi i tyre ka qenë i pangopur, i verbër e plot maraz, madje i tillë që të shkakton keqardhje për vetë namin e tyre. Sa profetë të mëdhenj ka, të cilët i kanë pranuar dhe të cilëve u janë nënshtruar pasuesit e Ungjillit, të cilët i kanë njohur si profetë të tyre dhe u kanë shkuar pas pasuesit e Teuratit; edhe këta kanë lidhur kurorë me shumë gra. Sikur të kujtohen vetëm profetët Sulejman dhe Daud(2), del sheshit se në ç'pozicion padrejtësie dhe sulmi ndodhen të dy bashkësitë në fjalë. Për rrjedhojë, duhet thënë se, ashtu siç martesën me shumë gra nuk e ka filluar Pejgamberi ynë (s.a.v.), edhe martesa e shumtë nuk është në antagonizëm me shpirtin profetik. Pas kësaj, mbetet të themi se, ashtu siç do të vërehet në specifikat që do të përpiqem të shpjegoj më poshtë, poligamia(3) e profetëve, nga pikpamja teorike, përmban dobi të nivelit konceptual..

Po, martesa me shumë gra, në një pamje, është e detyrueshme posaçërisht për profetin që vjen me një sistem ligjshmërie, pasi ekzistojnë disa aspekte të fesë që përshkohen nëpër intimitetin e martesës, aspekte për të cilat mund të ketë njohuri vetëm një i martuar. Për rrjedhojë, për të shpjeguar këto aspekte të fesë pa iu drejtuar ndonjë çfarëdo aluzioni apo ngjashmërie që shpesh herë e turbullojnë këtë mënyrë të treguari, ekziston nevoja e të përkushtuarve që do ta tregonin çdo gjë përmes qartësisë e thjeshtësisë me të gjitha mundësitë e tyre.

Ja, pra, këto bashkëshorte të pastra, të sinqerta e të vërteta të mjedisit profetik, duke u nisur mbi gjithçka nga përgjegjësia si dhe nga roli trasmetues i tyre në detyrën e shpalljës e të prijësisë profetike, para botës femërore bëhen të domosdoshme si për profetin, si për profecinë, si për botën femërore, madje të paevitueshme.

2. Një çeshtje tjetër ka të bëjë, në përgjithësi me bashkshortet e Profetit tonë.

a. Duke u nisur nga fakti se midis bashkëshorteve kishte të moshuara, me moshë mesatare dhe të reja, tek të gjitha zbatohedhin rregulla të ndryshme përkatësisht asaj epoke dhe atyre periudhave. Vetë Pejgamberi (s.a.v.), në sajë të këtyre bashkshorteve të pastra që ndodheshin në mjedisin e tij, gjente mundësira zbatimi praktik.

b. Secila nga bashkshortet, me që vinte nga tribu të ndryshme, i hapte udhë një lidhjeje dashurie me rrënjë së pari midis tribuve, pastaj midis gjithë kuvendeve(4) në të cilat kishte mundësuar sendërtimin e një farefisnie me anë të personalitetit të vet të vyer. Çdo tribu dhe fis e njihte Atë si të vetin, pranë ndjenjës fetare, me një lidhje të vetëlindur e të natyrshme, ndiente një interesim të thellë për Të.

c. Gratë e marra prej fiseve të ndryshme mundën të bëheshin shkak për shumë shërbime fetare serioze mes bashkësisë së vet sa qe gjallë Ai, si dhe pasi ndërroi jetë; ato u bënë interprete të Personalitetit të Fshehtë e Prezent tek farefisi i tyre i afërt apo i largët. Edhe fisi i Tij, me burra e gra, në saje të këtij shërbimi mësonin Kur'an, tefsir-koment dhe hadith-porosi si dhe përvetësonin shpirtin e fesë.

ç. Më i përsosuri i Profetëve, ashtu siç kishte krijuar afërsi pothuaj me të gjithë Gadishullin Arabik, me anë të këtyre bashkëshorteve ishte bërë edhe mysafiri i padrojë i çdo banese. Me anë të kësaj afërsie çdokush mundej t'i afrohej atij Personalitetit Monumental dhe të gjnte rastin për të mësuar urdhrat e fesë. Në të njëjtën kohë, secili nga këto fise e quante veten njëlloj të afërt ndaj Tij dhe krenohej me këtë. Të bijtë Mahzum me anë të Umni Habibes (r.a.), Hashimitë me anë të Zejneb bint-i Xhahshes, duke pohuar afërsinë me Të, ndiheshin fatbardhë...

3. Evenimentet e përmendura gjer këtu, në kuptim të përgjithshëm si dhe në disa aspekte të caktuara, do të ishin karakteristike për të gjithë profetët. Tani ta trajtojmë çeshtjen në kuptim të ngushtë, konkret dhe në përvojën e secilës bashkshorte, një nga një.

Po, edhe këtu do të shohim se logjika, përballë atij Individualitetit të Jetës së Lartë të mbështetur nga Revelacioni, mbetet e ulët sa dheu; me një shprehje tjetër, mendimi njerëzor, para zgjuarsisë profetike(5), logjikës së logjikave, e rënë në ruku(*), përthyhet më dysh.

Bashkëshorjta e parë është Zonja Jonë, Hatixheja (r.a). Pesëmbëdhjetë vjeçe më e madhe, martesa me këtë grua të rrallë përbën shembullin më të ndritur për çdo martesë. Ai, ashtu siç mbeti një jetë të tërë i lidhur pas grave të veta me një besnikëri të thellë dhe miqësi të sinqertë që buronte nga nderimi ndaj Zotit, pas vdekjes s'e pati harruar kurrë Hatixhenë, madje pat hapur diskutime rreth saj sa herë që i ishte dhënë rasti. Pas Hz. Hatixhesë Pejgamberi (s.a.v.) nuk u martua për 4-5 vjet. Megjithëse i kishin mbetur na ngarkim disa jetim, i ishte vënë vet kujdesit dhe ushqimit të tyre të përditshëm duke kryer edhe detyrën e nënës, edhe të babës. Sikur më parë a më pas të kish patur ndonjë dobësi të vogël për femrat, kështu do të vepronte?!

II. Edhe pse jo sipas radhës, gruaja e dytë është Aisheja Besnike(6). Vajza e shokut më të afër. Dhurata më e zgjedhur për Profetin, me të cilën Ai kaloi një jetë të tërë së bshku, në hidhërime e gëzime... Atë ditë kur morën fund të gjitha afërsitë(7), nderi për t'iu ndodhur pranë Atij do t'i takonte asaj vetëm në saje të një afërsie të pafundme. Po, Aisheja Besnike me Hz. Ebu Bekri ia kishin arritur një intimiteti profetik pa asnjë të çarë materialo-shpirtërore. Veçanërisht një krijesë e rrallë në mençuri si Hz. Aisheja, për nga krijimi, zotëronte cilësitë e trashëgimtarit të mundshëm të kauzës profetike në kuptimin e plotë të fjalës. Ajo qenie e lartë që me jetën pasmartesore dhe me shërbimet e mëvonshme kishte fituar tipare përfundimtare, mund të bëhej vetëm një bashkshorte profeti. Sepse, duke e treguar veten si njohësja më emadhe e hadithit-porosive profetike, më e shkëlqyer e tefsirit-komentit të Kur'anit dhe si juristja më e rrallë, me shpjegime të qarta e të pashembullta e përfaqësonte me të drejtë Muhammedin (s.av.) si në formën e jashtme, ashtu edhe në përmbajtje.

Është për këtë arsye që Profetit i jepej në ëndërr lajmi se do të martohej me të, ndërsa ajo, ende pa iu shfaqur ndonjë iluzion tjetër ndër sy, hidhte këmbën në banesën e Tij...

Në sajë të këtij hapi ajo do të bëhej për Hz. Ebu Bekrin (r.a) shkak nderimi dhe, brenda botës femërore, duke i përparuar të gjitha dhuntitë dhe aftësitë e saj, me identitetin e njerit nga nxënësit më të dalluar të Profetit, do të përgatitej për t'u bërë një edukatore dhe një prijëse e madhe. E kështu, pra, ajo, edhe si bashkëshorte, edhe si nxënëse, ishte bërë tashmë pjesëtare e banesës së lumturisë.

III. Përsëri jo sipas radhës, bashkëshortja e tretë është Ummi Seleme (r.a) Me prejardhje nga tribuja Mahzum dhe një ndër muslimanët e parë, kishte përjetuar shtypje e shtrëngesë në Mekë, kishte emigruar, së pari, në Etiopi, pastaj në Medine dhe, sipas klishteve të asaj kohe, kishte zënë vend ndër besimtarët e radhës së parë. Në këto udhëtime të gjata plot vështirësi e vuajtje, përkrah kishte patur edhe të shoqin . Në sytë e Ummi Selemës ai ishte njeri i pakrahasueshëm. Pai e humbi në Medine Ebu Selemen mbeti e vetme, kokë më kokë me fëmijët e saj. Kësaj gruaje të mbetur larg vatanit dhe shtëpisë së vet me një tufë jetimësh, që kish ngarkuar mbi supe barrën e jetës, të parën dorë dhembshurie ia zgjatën Ebu Bekri dhe Omeri (r.a), por ajo i refuzoi këto kërkesa, sepse në sytë e saj nuk ekzistonte një njeri që të zinte vendin e Ebu Selemes.

Më në fund, asaj i zgjati dorën i Dërguari i Allahut (s.a.v.)duke i propozuar martesë. Edhe kjo martesë ishte mjaft e natyrshme, sepse kjo grua e lartë që s'i ishte shmangur asnjë sakrifice në synimin drejt Islamit dhe besimit, që pasi kishte jetuar një kohë të gjatë mes tribusë arabe më fisnike, kish mbetur e vetmuar, nuk mund të braktisej në udhën e lipjes. Sidomos, po të mendoheshin pastërtia e saj shpirtërore, sinqeriteti dhe punët të cilave iu kishte hyrë për Islamin, asaj duhej t'i zgjatej dora pa diskutim.

Kështu, pra, duke e marrë nën kurorë, Krenaria e Gjithësisë i kishte zgjatur dorën e ndihmës e të favorit. Sigurisht, ashtu siç kishte vepruar që në rini, detyrën e kujdesit ndaj të vetmuarve dhe dorën e ndihmës ndaj jetimëve e zbatonte në përshtatje me kushtet e asaj kohe.

Ashtu si edhe Hz. Aishe, Ummi Seleme ishte një grua e mençur dhe e zgjuar. Kishte talentin e një prijëse dhe edukatoreje. Për këtë arsye, duke e marrë dora e dhembshurisë nën mbrojtje atë nga njëra anë, në anën tjetër, në medresenë, shkollën e diturisë e të prijësisë pranohej edhe një nxënëse tjetër ndaj së cilës bota femërore do të mbetej veçanërisht e detyruar për falenderim.

Nuk mund të bëhet asnjë shpjegim tjetër i kundërt me ç'u tha gjer këtu për martesën me këtë grua të Krenarisë së Gjithësisë që ish afruar të gjashtëdhjetave e po hynte nën barrën e një sërë detyrimeve, sidomos ndonjë shpjegim lidhur me ndonjë gjë tjetër si me erotizëm a me pasion ndaj grave, kurrë, kategorikisht!...

IV. Një bashkëshorte tjetër është edhe Remle bint-i Ebu Sufjan, Ummi Habibe. Vajza e njeriut që kishte përfaqësuar një kohë mohimin dhe blasfeminë kundër Profetit (s.a.v.) dhe profetësisë. Edhe kjo nga muslimanët e parë dhe nga të radhës së parë. Një grua e hequr dhe e vojtur, që në periudhën e brengës kishte emigruar në Etiopi, që kish përjetuar në fillim kthimin e të shoqit në i krishter, pastaj edhe vdekjen e tij...

Atëherë ithtarët pasues ishin të paktë në numër dhe të varfër. Ata s'kishin mundësi të kujdeseshin për ndokënd, për t'i siguruar ndokujt mjetet e jetesës. Në këto kushte, ç'mund të bënte Ummi Habibe? Ose të bëhej e krishtere e të përfitonte nga ndihma e të krishterëve, ose të kthehej në shtëpinë atërore, në atë çerdhe blasfemie, ose të lipte portë më portë. Asnjëra nga këto zgjidhje nuk ishte e mundur për gruan më besimtare, më të fisme e më të pasur për nga prejardhja. Mbetej vetëm një zgjidhje: ndërhyrja dhe kujdesi i Profetit...

Ja, pra, edhe në martesën me Ummi Habiben ndodhte e njëjta gjë. Kjo grua që kish pranuar çdo sakrificë për fenë, e mbetur larg vatanit dhe çerdhes familjare, mes zezakëve, ato ditë që jetonte zemërthyer nga tradhtia dhe vdekja e të shoqit, thirrej në audiencë të sundimtarit të Etiopisë, Nexhashiut, dhe i lidhej kurorë me Pejgamberin , një akt, ky tepër i natyrshëm. E kjo s'duhet dënuar, por, e konsideruar si realizimi i një domosdoshmërie të rrjedhur nga funksioni i Rahmeten li'l alemin, i Mëshirës së të gjitha botrave, duhet duartrokitur.

Mbetet të themi se edhe kjo grua e madhe, në të njëjtën mënyrë, kishte mjaft gjëra për të sjellë në botën diturore të muslimanëve burra e gra. Në të njëjtën formë, edhe kjo futej në atë mjedis lumturie edhe si bashkshorte, edhe si nxënëse.

Në të njëjtën kohë, në sajë të kësaj martese, edhe familja Ebu Sufjan pëfitonte mundësi të hynte e të dilte pa teklif në Banesën Profetike dhe zbutej duke fituar një portret tjetër... Kjo martesë ishte e një karakteri të tillë që do të realizonte ndikim jo vetëm mbi familjen Ebu Sufjan, por ndoshta edhe mbi të gjithë Emevitë(8). Madje, mund të thuhet se kjo familje e ashpër dhe fanatike në kulm, në sajë të kurorës së Ummi Habibes u zbut dhe u bë gati të pranonte çdo lloj bekimi.

V. Një nga ato që hyjnë në banesën e lumturisë së Profetit, qe edhe Zejneb bint-i (r.a) Zotëruese e një bote të brendshme krejt të veçantë dhe, po ashtu, delikate Hz. Zejneb ishte një farefis i afërt i Mbretit të Profetëve dhe e rritur e zhvilluar pranë tij. Kur Profeti (s.a.v.) e kishte kërkuar atë për Zejdin (r.a.), familja e saj kishte ngurruar pak dhe, në këtë mes, kishte shfaqur prirjen për t'ia dhënë vajzën Pejgamberit. Më në fund, me këmbënguljen e tij, familja e vajzës kishte pranuar t'ia jepte Zejd b. Harisesë.

Zejdi ishte një libër që dikur kishte pasë humbur lirinë, kishte pas rënë rob dhe kishte rifituar lirinë pastaj nëpërmjet të Nderuarit të Gjtihësisë. Me këmbënguljen në këtë martesë, Pejgamberi (s.a.v) donte të sendërtonte, të fuqizonte e të përçonte tek njerëzit barazinë shoqërinë mes tyre dhe ia fillonte kësaj pune më të vështirë përsëri tek të afërmit e vet. Por ç'e do që një femër me një natyrë shumë superiore si Zejnebi, dukej sikur nuk do ta shtynte gjatë një martesë të tillë konvecionale. Edhe për Zejdin kjo martesë nuk kish sjellë diçka, veçse pritje e ankth.

Me në fund erdhi divorci. Në fakt, Pejgamberi përpiqej që Zejdi të hiqte dorë nga divorci dhe martesa e tyre të vazhdonte. Pikërisht në ato rrethana erdhi Xhebraili (a.s.)(*) dhe, me një ferman qiellor, solli urdhërin e martësës së Zejnebit me Pejgamberin (s.a.v.) Kjo provë së cilës duhej t'i nënshtrohej ai, ishte mjaft e rëndë, sepse ishte diçka që s'kishte guxuar ta bënte askush dhe, ndaj zakoneve të rrënjosura të ngulitura prej kohësh, ishte një ilan-i harb, një shpallje e vërtetë lufte. Kjo ishte një përpjekje tepër e vështirë, por bëhej vetëm se kishte urdhëruar Allahu. Dhe ja, Pejgamberi me vetëdijen e thellë të robit, e bëri këtë punë që përplasej shumë rëndë ndaj personalitetit të tij të dlirë. Ashtu siç thoshte H. Aisheja, sikur t'i lejohej Pejgamberit të fshihte diçka nga Revelacioni, do të mbante të fshehur ajetet që urdhëronin martesën e tij me Zejnebin. Sigurisht, aq rëndë i kish ardhur kjo gjë Individualitetit Profetik...

Kurse urtësia Hyjnore deshte që këtë qenie të pastër e të lartë ta fiste në Banesën Profetike, ta përgatiste në dituri dhe kulturë dhe ta ngarkonte me detyrën e shpalljes e të prijësisë. Më së fundi ashtu edhe u bë. Dhe më pas, në tërë jetën e tij moralo-etike të kulluar, ajo iu përgjigj hollësive që përbënin domosdoshmërinë e bashkëshortësisë profetike.

Në periudhën e injorancës, veçanërisht, djalit të adoptuar i thuhej djalë dhe, po ashtu, gruaja e djalit të adoptuar pranohej si gruaja e djalit të vërtetë. Kur u urdhërua qëllimi për të hequr këtë zakon që i përkiste injorancës, përsëri zbatimi filloi te Profeti. Ashtu siç nuk mund të jetë djalë dikush i thirrur djalë, edhe gruaja e tij nuk mund të konsiderohet nuse e djalit.

Ka akoma shumë gjëra që do të duhej të thuheshin për Zejnebin si bashkëshorte, por, me që e kapërcejnë mundësinë e tematikës pyetje-përgjigje, tani për tani po e pres shkurt dhe po e kapërcej këtë çeshtje që do të duhej të analizohej më vete.

VI. Njëra nga gratë e nderuara me banesën e lumturisë, është edhe Xhuvejrije bint-ul Haris. Në një luftë të zhvilluar kundër fisit të saj jomusliman, kishte rënë rob bashkë më gra e burra të tjerë. Bota ndiesore i ishte përmbysur, krenaria i ishte thyer dhe kur ishte sjellë në praninë profetike, kjo grua pallati ishtë plot zemërim e urrejtje.

E pikërisht atëherë Logjika Profetike e zgjidhi çeshtjen me një hop.

Duke lidhur kurorë me Hz. Xhuvejrijen (r.a.), kjo u ngrit në postin e nënës së besimtarëve dhe, në sytë e ithtarëve pasues u transformua në një përmendore nderi. Sidomos thënia e pasuesve të të Dërguarit të Allahut se farefisi i Pejgamberit nuk zihet rob, pasoi lëshimin e robërve, gjë që bëri të triumfohej menjëherë zemra e Xhuvejrijes dhe e fisit të saj.

Duket qartë se me këto martesa të realizuara rreth moshës gjashtëdhjetëvjeçare Pejgamberi zgjidhte shumë çeshtje në një hop dhe bënte që mes ndodhive të përgjakshme të frynin flladet e paqes e të prehjes.

VII. Ndër ato fatbardhat është edhe Safije bint-i Hujej (r.a.). Vajza e njërit nga emirët e Hajberit. Në ngjarjen e njohur të Hajberit i ishin vrarë i ati, i vëllai dhe i shoqi, pjesëtarët e fisit ishin marrë rob. Safija (r.a.) digjej nga dëshira e vrullshne për të marrë hak. Më aktin e kurorës, duke u ngjitur në lartësinë e pozitës së bashkëshortes së Profetit, përballë nderimit të besimtarëve, apelativit nënë të ithtarëve pasues (r.a.) dhe madhështisë zbutëse e plakëse të Tij, Safija i harroi gjithë ç'kishin ndodhur dhe filloi të ndihej krenare për qënien e saj si bashkshorte e Profetit.

Veçanërisht krijohej edhe mundësia që me anë të Hz. Safijes shumë çifutë të shihnin dhe njihnin nga afër Profetin dhe të zbuteshin. Hazreti Allah (Xh.Xh.) që prej diçkaje krijonte gjithçka dhe në çdo veprim të të Cilit do të kishte mijra urtësi, ashtu siç ndodhi edhe tek të gjitha bashkëshortet, edhe tek kjo pati sjellë shumë dobi dhe bekim.

Përveç kësaj, nga pikëpamja emundësisë për t'u bërë i njohur me botën e brendshme të armiqve, pandeh se është me vend të kujtoj që me këtë ai i jepte edhe një mësim bashkësisë së vet. Sidomos ndaj çifutëve...

Po ashtu nga kjo pikëpamje, ishte shumë i rëndësishëm fakti që Hz. Safije dhe gratë e tjera vinin , në mënyrë të ngjashme, nga popuj të ndryshëm. Mjafton që, duke njohur qëllimkëqinjtë midis tyre, njeriu të mos i tregonte sekretet e veta armikut.

VIII. Nga këto fatbardha ishte edhe Sevdeja, nga ato që radhës së parë, që kishte emigruar në Etiopi me të shoqin dhe, ngjashëm me fatin e Ummi Habibes, që kishte mbetur në mes të udhës pas vdekjes së të shoqit.

Profeti ia lidhi plagën kësaj zemërthyere, e shpëtoi atë nga shkatërrimi dhe iu bë shok në ndjenja. Për më tepër që kjo grua e madhe që mendonte të jetonte nën kurorën e Pejgamberit (s.a.v.) nuk dëshironte gjë tjetër veç kësaj.

Ja pra, Pejamberi ynë i orientuar me këto urtësi dhe synime në këto martesa, kurrë nuk u kishte hyrë atyre për dëshira trupore. Ose qe martuar për dhuntitë dhe aftësitë e grave që i bënë bashkëshorte, për të ngritur një ngrehinë farefisnie me ndihmën e tij siç ndodhi me dy kalifët e parë Rashidinë(9), ose qe martuar me të tjera urtësi dhe qëllime duke hyrë nën përgjegjësi dhe detyrime të mëdha.

Përveç këtyre, sigurimi në formën më të drejtë i nevojave të kaq grave për banesë, nevoja të përditshme dhe veshje, kujdesi i jashtëzaonshëm në trajtimin e tyre, respektimi i drejtësisë dhe i të drejtave, parandalimi i pakënaqësive që mund të shkaktoheshin midis tyre, zgjidhja e lehtë dhe e qetë e pashkuarjeve eventuale, janë argumente në favor të profetësisë së atij Individualiteti të Veçantë që, siç shprehej Bernard Shou, i zgjidhte preblemet më të mëdha me lehtësinë e pirjes së një kafeje...

Ne që shohim dhe dimë se sa i vështirë është administrimi një gruaje dhe nja dy fëmijëve, përballë asaj qenieje të lartë e madhështore që kishte trajtuar në një ritëm dhe harmoni poetike disa gra të cilat më parë kishin pasë krijuar çerdhe të tjera, të cilat ishin bërë dëshmitare të konstrukteve të tjera familjare, të cilat kishin fituar zakone e vese të ndryshme në ato familje, përballë Tij, pra, thyhemi më dysh në nderim...

Mbeti vetëm një çeshtje e veçantë, ajo e numrit të bashkëshorteve, e numrit të tyre mbi atë të lejueshmin për bashkësinë e Tij. Kjo është një çeshtje ligjëvenësie. Sigurisht, ky është një përjashtim ligjor që përfshin shumë urtësi dhe synime të njohura e të panjohura prej nesh. Një farë kohe ishte dhënë një liri e pakushtëzuar për këtë gjë, kurse më pas, në një ditë të përcakruar, ishte vënë kufizim dhe martesa ishte ndaluar.

Duke u nisur nga rëndësia e pyetjes, e ndieva të nevojshme ta zgjatja këtë temë; shpresoj të dukem i justifikuar.


1) Megazi dhe sijer: përkatësisht lidhur me lufttërat dhe jetën e Profetit Muhammed.
2) Solomon dhe David sipas ebraizmit
3) Në origjinal: teaddud-i zevxha (osm.)
4) Në origjinal: xhemaat (arab.) (*)
5) Në origjinal: Fetanet-i adham (osm.)
6) Atributi salik – i drejtë, i sinqertë, i fjalës, besnik, i ishte dhënë të atit, Hz. Ebu Bekir, një ndër besimtarët e parë dhe pasuesit e Profetit Muhammed (a.s.) si dhe Kalifi i Parë. Pastaj ky atribut i ishte dhënë edhe së bijës, Aishe, bashkëshorte e Profetit
7) Kur vdiq Profeti.
8) Emevitë: Shteti (kalifati) i Emevive (661-750). Filluar me Muavije bin Ebi Sufjan, 14 kalifë radhazi të kësaj dinastie udhëhoqën shtetin Islam. Nën udhëheqjen e tyre u kalua Gjibraltari, u pushtua Spanja dhe u ngrit shteti i Andaluzisë (756-1031). Epigjeu i këtij shteti përshkruhet artistikisht në romanin e Lion Fohjvangerit Çifutja e Toledos
9) Është fjala për kalifet Hz. Ebu Bekri dhe Hz. Omer që erdhën në pushtet pas Profetit, radhazi.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.