Kur Shejtani e di se do të shkojë në xhehennem, pse ngul këmbë në herezinë e tij?

Nisur nga kuptimi i saj leksikor, fjala "shejtan" emërton qenien që është përzënë nga vendndodhja hyjnore, që është larguar prej mëshirës hyjnore, që të gjitha mundësitë që ka pasur në dorë, i ka kthyer kundër vetes, që ka humbur tek ka qenë fitues. Nisur nga gjendja ku ndodhet, Shejtani është viktimë e një rrethi vicioz pasi është larguar në mënyrë të pakthyeshme nga dëgjimi dhe kuptimi i së vërtetës.

Në fillim Shejtani është vetëgoditur me anë të krenarisë dhe arrogancës. Duke e patur fjalën për njeriun, ai ka thënë: "Unë jam më i dobishëm se ai!" Ky mendimi i parë djallëzor, kjo dialektikë ka përbërë turin e parë të rrethit të mbyllur ku e ka futur veten ai duke i prerë lidhjet e duke i mbyllur rrugëdaljet. Me këtë ai ka hedhur hapin e parë në vorbullën vrasëse dhe i ka përlyer me baltën e justifikimit të gjitha mundësitë e pendesës. Në këtë thënie ka, si fillim, një vetëpëlqim e, pastaj, një arrogancë që ka kapërcyer brigjet e është derdhur jashtë.

Kur Shejtani bëri mëkat, edhe Hz. Ademi pati gabuar duke e zgjatur dorën drejt asaj peme të ndaluar. Por, me ta kuptuar se si qëndronte çështja, pati rënë në gjunjë e pati thënë: "Zoti ynë! Ne i bëm dëm vetes sonë. Po s'na fale, do të jemi ndër ata që kanë humbur me të tëra!" (Kur'ani, Araf: 23). Me të hyrë në mes falja, rrugëdalja qe hapur dhe profeti Adem pati shpëtuar.

Kurse Shejtani i doli në mbrojtje vetvetes, egos së tij, me justifikime djallëzore. Përballë qortimeve, ai nuk deshte të pohonte të metën e vet dhe, duke thënë "Unë jam më i dobishëm se ai", u shkatërrua. Dhe më pas vendosi të bëhej armiku kryesor i njerëzimit. Shihni vendosmërinë e tij në këtë udhë: "Betohem në madhështinë tënde se të gjithë njerëzit do t'i nxjerr nga udha!" (Kur'ani, Sad: 82). Dhe në një vend tjetër: "Do t'u dal majtas e djathtas, para e prapa e do të shohësh se si nuk do të të falenderojnë. Ashtu do të jetojnë ata, gjithmonë mosmirënjohës. Do të hanë të mirat e tua dhe do të adhurojnë tjetërkënd. Do të notojnë në të mira, por ty nuk do të të njohin!" (Kur'ani, Araf: 17). Edhe në shumë vende të tjera Kur'ani tregon për grindjen e Shejtanit, për armiqësinë ndaj njeriut dhe për revoltën ndaj Zotit. Revolta e tij dha si rezultat dëbimin e tij nga ana e Zotit. Sapo që Shejtani tha "Unë jam më i dobishëm se ai", Zoti e urdhëroi: "Zbrisni poshtë të gjithë!", duke e lënë atë të vetëm. Pretendimet e mëdha, nga njëra anë, dhe armiqësia e përbetuar kundër njerëzimit, nga ana tjetër, e largoi krejtësisht atë prej atmosferës konstruktive, zbutëse e lartësuese të Mëshirës. Më pas iu dorëzua plotësisht logjikës djallëzore dhe tha: "Betohem në madhështinë tënde se të gjithë njerëzit do t'i nxjerr nga udha!" dhe zgjodhi për udhë atë të gënjeshtarit e të mashtruesit. Sa më shumë që gënjeu, aq më shumë u largua e sa më shumë u largua, aq më shumë iu shtua zemërimi e urrejtja e, kështu, fitoi një natyrë të dytë të përbërë nga intriga dhe mosmirënjohja. Në çdo largim, tërbohej edhe më shumë e, duke e ndjerë më shumë përzënien, s'bënte tjetër veçse rrinte duke shprehur neverinë, urrejtjen dhe arrogancën e vet. Ngrihej të polemizonte me Allahun, bënte dialektikë e, kështu, largimi prej mëshirës së Allahut e shtynte atë në revoltë, e cila e largonte, pastaj, edhe më. Dhe Shejtani, si viktima e rrethit vicioz ku qe mbyllur vetë, iu nënshtrua dënimit, vetëndëshkimit: zemra iu vulos. Kjo kishte këtë kuptim: brenda nuk i mbeti gjë tjetër veç mendimit të keq, kurse të gjitha fakultetet e mira, të gjitha burimet dritësore iu shuan e morën fund.

Për ta kuptuar këtë, domethënë se si njeriu që bie në një pozitë të tillë, i humb të gjitha vlerat e tij, po jap këtë shembull. Njeriu është një qenie shumë e përplotësuar. Në se i vlerëson dhe i vë në punë dinamikat që i janë dhuruar, mund të kthehet e të bëhet një engjëll. E tani mendoni një njeri shumë të dhembshur e jashtëzakonisht të përsosur në namazin e tij, në agjërim, në lutje, në haxh, në zeqat e në marrëdhëniet me njerëzit. Në një moment të caktuar, këtë njeri e kanë prekur në nderin e vet, janë marrë me dinjitetin e tij, ndjeshmëria i është dëmtuar rëndë dhe, si njeri, kurrë nuk është marrë në konsideratë. Ndërkaq, ka arritur në një gjendje të tillë sikur mbi sistemin e tij nervor janë ngarkuar male e, më në fund, njeriu nuk ka mundur të durojë e ka plasur. Atëherë në kokën e tij nuk ka mbetur gjë më: as butësi, as durim, as mirëkuptim, as falje. E në se do ta trajtësonit këtë gjendje të njeriut me atmosferën të përbërë tërësisht prej neverisë dhe urrejtjes, s'do të shihnit tek ai gjë tjetër veç shkëndiave që shpërthejnë si prej xhehennemit. E, në atë çast, në se do të donit t'i jepnit ndonjë këshillë, nuk do të mund të arrinit t'i jepnit të kuptonte asgjë.

Çdokush, në jetën e tij personale, ka parë e ka jetuar gjëra të ngjashme me këtë. Ja, pra, Shejtani është një qenie që në çdo sekondë të jetës përjeton në vetvete të tillë urrejtje e neveri. Gjatë gjithë jetës e sa të jetë gjallë, nuk do të mendojë gjë tjetër veç të keqes. Eshtë në një gjendje tensioni të lartë, por, natyrisht, jo një tension i dobishëm, por djallëzor. Në këtë gjendje ai mendon veçse për keq, sepse edhe nuk mundet të gjejë rast për të menduar mirë, pasi brenda është mbushur plot e përplot me të këqia. Prandaj ndodh që, edhe në se në një aspekt, e njeh Allahun, ai, ashtu si edhe besimtari i cili, megjithëse e njeh Allahun, gjatë zemërimit e humb bonsensin dhe durimin, nuk mundet ta kujtojë Atë dhe nuk mundet të shprehë besim. Sepse gjërat e këqia që ka brenda, i bëhen pengesë. Ka edhe shumë njerëz që, ashtu si Shejtani, viktimë e një rrethi vicioz, kanë rënë viktimë e të njëjtave gjëra. Edhe ata janë bërë viktimë e të tillave ndjenja dhe pasione të këqia dhe i janë nënshtruar idhullit ego. Në lidhje me këtë dukuri, mund të thuhet se askush nuk është i siguruar. E vetmja siguri e neve besimtarëve, është besimi dhe mbështetja jonë tek Zoti. Ne mbështetemi te Ai, ne Atë e kemi dorëzanës. Zoti na mbrojttë nga rruga e Shejtanit!

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.