Introdukte

Besimi[1] është identitet i pranimit të Islamit[2] me gojë dhe i vërtetimit të tij me zemër. Besimi është burim i pafund fuqie dhe force. Vetëm se për të marrë frytin e kërkuar dhe rezultatin e dëshiruar, është kusht që besimi të mbështetet me veprimin[3].

Ndërkaq, kryerja e veprimit nga njeriu sikur ta kishte para Allahun dhe ta shihte, quhet "mirësi"[4].

Besimi dhe mirësia janë si drita në sy dhe shpirti në kurm. Kurse plotësimi i adhurimeve të detyrueshme[5] dhe suplemen­ta­re[6] është si një shpalosje dykrahëshe dritësore në qiejt e am­shueshmërisë.

Po, më e sigurta, më e shkurtra dhe më e pranueshmja e rrugëve që e afron njeriun te Zoti, është kryerja e detyrimeve. Kurse të qenët adhurues i vërtetë i Zotit dhe i afërt i Tij[7] arri­het në atmosferën besnike, të gjerë e të pafund të adhurimeve su­plementare të pakufizuara e të pakushtëzuara.

Udhëtari për tek e Vërteta e gjen veten çdo çast, nën krahët e një adhurimi suplementar të veçantë, në një korridor të ri që zgjatet drejt pafundësisë, e ndjen se ka arritur një meritim të ri dhe bëhet më kërkues për të kryer adhurime të detyrueshme dhe më dëshirues ndaj adhurimeve suplementare. Çdo shpirt që ka arritur këtë pikë dhe këtë kuptim, e ndjen edhe se Allahu e do dhe, siç shprehet në një hadith të shenjtë, tashmë ai nis të dëgjojë, të shohë, të prekë, të ecë drejtpërdrejt në kushtet e po­saçmërisë së afërsisë hyjnore[8]. Nga një aspekt, kjo është edhe intuita e njohjes së Zotit[9]. Ky është niveli ku njohja bëhet një me njohësin dhe kthehet në natyrë të tij dhe ku çdo gjendje e njohësit bëhet interpret i gjësë së njohur. Ka pasur njerëz që e kanë përkufizuar "marifetin" (intuitën e njohjes së Zotit) si zbu­lim dhe zhvillim të informacionit ndërgjegjësor, i cili, në të njëj­tën kohë, konsiderohet edhe si zbulim dhe zhvillim i njeriut me vlera që janë të posaçme për të. Kjo duhet të jetë edhe një for­më e shprehjes "kush njeh vetveten, njeh Zotin"!

Shkalla e parë e intuitës së njohjes së Zotit është vështrimi dhe ndjerja e emrave ose atributeve hyjnore që na rrethojnë nga të katër anët dhe udhëtimi në atmosferën mahnitëse të at­ributeve hyjnore pas portës së të fshehtave të hapur me këto shfa­qje. Gjatë këtij udhëtimi, fjalës së udhëtarit të së Vërtetës i pikojnë vazhdimisht dritëra nga syri dhe veshi, zemra fillon t'ia urdhërojë sjelljet, sjelljet i kthehen në gjuhë që vërtetojnë dhe njoftojnë Zotin dhe kjo gjuhë bëhet pothuaj si një disketë fjalësh të ëmbla[10] dhe, ndërkaq, në ekranin e ndërgjegjes së tij fillojnë të reflektohen drita veç e veç nga e vërteta plot dritë "te Ai ngji­ten vetëm falët e bukura të cilat i ngjisin aktet e mira"[11]. Tashmë një shpirt i tillë mbyllet ndaj të gjitha ndjenjave dhe pasioneve të këqija dhe një zemër e tillë kapet pas frymëzimeve që vijnë prej përtej. Kapet dhe, nga një e çarë enigmatike e hapur për shpirtin e tij, hapen – siç shprehet në pohimin metaforik që kër­kohet të sqarohet për atë që dihet fshehtësisht në zemra me anë të idesë së vargjeve "nuk më nxënë, tha Zoti, tokë e qiej / në minierën e ndjesive i fshehur u zbulua"[12] – korridore drite dhe njeriu arrin kënaqësinë e një soditjeje, nga e cila nuk mendon të ndahet e të kthehet pas.

Kjo pikë ku udhëtari i së Vërtetës mbyllet krejtësisht ndaj të tjerëve, të huajve, ku kalon krejtësisht në tendosje kundër fry­më­sores dhe egoizmit dhe ia lëshon veten vajtje-ardhjeve të pre­hjes dhe kënaqësisë, është pika e intuitës metafizike[13]. Atij që sillet rreth kësaj pike, i thuhet "udhëtar i kulturës shpirtëro­re"[14], kurse atij, kryet e të cilit ka arritur në këtë pikë, i thuhet "njohës i kulturës shpirtërore"[15].

Ashtu si në kopshtet e xhennetit, parajsës, jeta në klimën e intuitës metafizike është krejt e kthjellët dhe krejt e qetë, e çliru­ar prej çdo lloj preokupimi dhe shqetësimi, shpirti është gjithë krahapur me ndjenjën e arritjes te pafundësia, zemra, e hare­sh­me si një fëmijë, me ëndjen e arritjes së ngopjes dhe kënaqë­si­së, por, po aq e matur dhe e kujdesshme…

Njohësit e kulturës shpirtërore gdhihen e ngrysen në klimën e shprehjes "ata nuk dinë të kundërshtojnë në gjërat e urdhëru­ara nga Allahu, përkundrazi, i çojnë në vend ato"[16] dhe vijnë një më një me engjëjt. Këta shpirtra me ndjenjat të hapura si burbuqe ndaj njohjes së Zotit, disa herë në ditë hapen fletë-fletë sikur të udhëtonin në majat e së premteve të xhennetit, paraj­sës, dhe çdo çast vijnë në një dimension tjetër sy më sy me mi­kun dhe arrijnë ëndjen e konfidencës me të. Për sa t'i kenë sytë në të hapurën e portës së Zotit, çdo ditë, ndoshta dhe disa herë në ditë, dehen nga konfidenca hyjnore dhe çdo çast ngrihen peshë me një shfaqje hyjnore të veçantë.

Le të merren me dijen e tyre dijetarët që merren me dije, le t'i rrëmojnë idetë filozofike ata që merren me filozofi! Njohësi i kulturës shpirtërore brenda një prizmi drite gjithë përcjell qetësi e kënaqësi, mërmërit qetësi e kënaqësi. Edhe në çastet kur tron­ditet nga mahnitja dhe frika, madje, ai ndjen një ëndje të am­shuar dhe zemra i qesh edhe kur sytë pothuaj i derdhin lot!

Krahas këtyre veçorive të përbashkëta, mes njohësve të kul­turës shpirtërore bien në sy dallime natyrore dhe disa dasi. Ndërsa disa, me heshtjen dhe thellësinë e tyre, të kujtojnë vor­bullat, disa të tjerë janë të zhurmshëm si përrenjtë e rrëmbyer. Disa një jetë të tërë qajnë për mirësitë dhe mëkatet e veta por pa u ngopur as me rënkime e as me madhërimin e Zotit të tyre dhe të pangopur mërgojnë e ikin nga kjo botë. Kurse disa të tje­rë udhëtojnë vazhdimisht në atmosferën e mahnitjes-turpit-fa­miljarizimit pa menduar kurrë për të dalë nga ky det në breg. Disa janë krejt si toka; kushdo që kalon aty pari, shkel mbi ta. Disa të tjerë janë si reja; marrin nën vete këdo duke i spërkatur me pika mëshire. Kurse disa të tjerë janë si ajri; fryjnë gjithmonë mbi ndjenjat tona me frymëra aromatizuese.

Të merituarit e njohjes intuitive të Zotit kanë shenjat e veta. Njohësi i kulturës shpirtërore nuk pret interesim dhe konsideratë prej dikujt tjetër veç Zotit[17], nuk veçohet kokë më kokë me tje­tërkënd veç Tij, nuk ia hap kapakët e syve dhe portat e zemrës tjetërkujt veç Tij. Për njohësin e vërtetë të kulturës shpirtërore, interesimi ndaj një tjetri, dëshira për t'u veçuar kokë më kokë[18] me dikë tjetër dhe përfytyrimi i një tjetri janë ndëshkimi më i madh dhe vuajtja më e madhe. Ai nuk e dallon dot gjysmë të huajin që nuk e arrin dot intuitën e vërtetë të njohjes së Zotit. Ai nuk mund ta dijë ç'është vuajtja e ndarjes nga Zoti…

Nga një aspekt, "fakti"[19] vjen pas intuitës. Në çdo minutë, në çdo sekondë në çdo gjysmë, në çdo të dhjetë të sekondës së je­tës së njeriut, ai ka kuptimin e hapjes ndaj një horizonti të ri, e hapjes së velave në një det të ri. Njohja faktike është një kër­kim. Kërkimi i të pakufishmes nga njeriu i kufizuar. Jeta e një njeriu të tillë është e ndriçuar me të tëra. Në ndërgjegje i pikon ekzistencë pa pushim. Dhe ai e jeton jetën vazhdimisht mes ndriçimesh. Për respekt të tij ngrihen e shtrohen njëra pas tjet­rës sofra[20] qiellore. Eshtë sikur Profeti të mos ketë vdekur, zbu­lesa hyjnore të mos jetë ndërprerë dhe këmba e Xhebrailit të mos jetë shkëputur prej toke. Ai u përgjigjet me entuziazmin e zemrës frymëzimeve që vijnë prej përtej.

Fakti[21] është i tillë që të bën t'i besosh çështjet që duhen be­suar pa i dhënë mundësinë më të vogël të kundërtës. Në mate­matikë, dy herë dy bëjnë katër. Por, për sa i përket planit cilë­sor, numrat mund të mos jenë në të gjitha kushtet të të njëjtës vlerë dhe nivel, për rrjedhojë, ky përfundim mund të kritikohet, pra, jo gjithmonë dy herë dy mund të bëjnë katër! Ja, nga ky këndvështrim, koncepti "jakin", në tërë gjerësinë e tij semantike, është një bindje dhe besim[22] që, për karakterin e vet cilësor dhe kategorik, qëndron mbi të gjitha llojet e kritereve dhe masave matematike. Fundja, vetëm me një bindje dhe besim të tillë mund të vëzhgohen, në bukuritë që shfaqen pothuaj çdo çast dhe në çdo aspekt të qenies, përvijimet e shfaqjeve të bukurisë dhe përsosmërisë së Zotit, i cili është i Bukur dhe Absolutisht i Përsosur[23], dhe të arrihet në pikën e quajtur "ëndje shpir­të­ro­re"[24]! Njeriu që arrin bindjen dhe besimin faktik, e ndjen veten vazhdimisht në majat parajsore të tij. Ndjesitë i mbushen e i zbrazen çdo çast me pasuri të reja ndjesore. Ai e ndjen veten çdo çast tjetër njeri dhe e rinjeh Zotin përsëri. Ja kjo është të bësh tufa lulesh nga lulishtet dhe të mbledhësh fruta nga kop­shtet e Rezidencës Hyjnore![25]

Si fillim, fakt do të thotë nisje për dobi, kurse si përfundim, do të thotë arritje në bindje dhe siguri, si dhe ngopje. Po të ngopet njeriu me çdo gjë tjetër veç Zotit, nuk i mbetet oreks për Të dhe, po të ngopet me Të, nuk i mbetet oreks për gjëra të tje­ra. Ata që e ndjekin këtë botë me ambicje, janë njerëz që nuk kanë mundur ta marrin pjesën që u përket prej Tij. Njeriu i ten­dosur në bindjen ndaj Zotit është i mbyllur ndaj çdokujt dhe çdo gjëje tjetër. Zemra e tij, krejt si një busull që tregon kiblen, orientimin e faljes, shënon vazhdimisht kënaqësinë e Zotit dhe shigjeta e ndërgjegjes së tij nuk bën as shmangien më të vogël. Kjo është një shkallë e lartë fakti, e tillë që, çdo shpirt që ngjitet në të dhe udhëton në atë nivel, ndjen në çdo konak një frymë­marrje të re të premtimit: "Për miqtë e Zotit nuk do të ketë frikë dhe ata nuk do të shqetësohen!"[26] Pastaj dëgjon sihariqin: "Mbi ta zbresin engjëjt dhe thonë: "Mos kini frikë, mos u shqetësoni, por gëzohuni për xhennetet që ju janë premtuar!"[27] Dhe e për­jeton me të gjithë qenien kënaqësinë e pohimit: "Dijeni se zem­rat vetëm me përmendjen e Allahut gjejnë qetësi!"[28]

Siguria[29] është cilësia e qenies së njeriut mbi shkaqet dhe pë­rtej mjeteve të ndërmjetme. Në këtë shkallë e përfundon mend­ja udhëtimin e saj mbinatyror. Shpirti shpëton nga dyshimet e kësaj bote kur arrin në këtë pikë. Në këtë konak enigmatik i gje­jnë ndjesitë të gjitha gjërat që kërkojnë dhe, nga pikë, bëhen det!

Ka rrugë më vete që e çojnë njeriun në këtë pikë. Në krye të rrugëve në fjalë vijnë dituria dhe meditimi[30].

Dituria përbëhet prej ndjerjes, përceptimit dhe konceptimit të gjërave që na tregojnë materia dhe dukuritë, që na i derdhin dhe vënë para urdhrat e krijimit, si dhe prej kuptimit të synime­ve të larta të Krijuesit. Njeriu i krijuar në pozitën për të sunduar mbi materien, do të shohë, do të lexojë, do të ndjejë dhe do të mësojë. Dhe, pasi të ketë mësuar, do të kërkojë rrugën për t'u imponuar dukurive fjalën e vet e për t'i shtënë në dorë ato. Ja, kjo është pika ku, me urdhër të Krijuesit të Lartë, materia është e nënshtruara dhe e burgosura e njeriut, kurse njeriu, i nën­shtruari dhe i burgosuri i Krijuesit të vet!

Me fizikën, astronominë, kiminë dhe shumë degë të tjera të saj, dituria është në shërbim të njeriut dhe i jep çdo ditë dhurata të reja.

Po, dituria, shkencat e natyrës që janë pjesë e saj, teknika dhe teknologjia janë në shërbim të njeriut dhe nuk ka asnjë shkak serioz për t'u trembur prej tyre. Rreziku nuk qëndron te shkenca dhe ngritja e një bote sipas saj, por te padituria, injo­ranca, pavetëdijshmëria dhe shmangia prej marrjes së përgje­gjësisë.

Krahas kësaj, kurrsesi nuk duhet nënvleftësuar fakti se, nëse shkenca mbetet vetëm, e thënë ndryshe, veçohet prej treshes me­ndim-përvojë-ndërgjegje, bëhet pretekst për devijime.

Sigurisht, atje ku mendjet lihen të privuara nga mendimi mbi amshueshmërinë, ku shpirti kthehet në skllav të teknologjisë, ku jeta ndjesore lihet mënjanë krejtësisht, nuk mund të flitet për di­turinë, shkencat dhe dobishmërinë e tyre. Përkundrazi, në një klimë të tillë, shkenca do të ndihmojë që egërsitë të ridimen­sio­nohen, që përfytjet të vazhdojnë dhëmb për dhëmb, që mash­trimet dhe shpërdorimet të shndërrohen në fatkeqësi gjigante dhe, duke u radhitur sup më sup me "forcën", do të marrë anën e saj kundër "të drejtës".

E drejta është se, po qe që dituria dhe shkencat janë të do­bishme në atë masë sa ç'përpiqen t'i zgjidhin problemet trupo­re-shpirtërore të njeriut duke vënë si synim lumturinë e tij ma­te­riale-shpirtërore dhe sa ç'mund ta bëjnë njeriun të arrijë njësi­min zemër-mendje, kur të mos i bëjnë apo të mos mund t'i bëj­në këto, do të jenë të padobishme, madje, në një farë mase, të dëmshme, dhe, atëherë, do të jetë e kotë të presësh prej tyre ndonjë gjë në dobi të njeriut!

Sot, njeriu i materializuar krejtësisht tregon interesim për shkencën dhe teknikën vetëm për kënaqësi vetiake, për mirëqe­nie dhe komoditet material. Dhe ky botëkuptim e çon atë çdo ditë e ca më shumë drejt rënies morale, turbullimit shpirtëror dhe shterpësisë ideore. Eshtë pikërisht ky tip njeriu që, në shu­micën e tij të madhe nuk priret për ta kërkuar të vërtetën dhe për të medituar mbi të, madje, gjëra të tilla nuk i pëlqejnë. Pa dyshim që këtu ka ndikuar shumë sundimi në shoqëri i kulturës së vulgut, mendimi i njerëzve të shkencës për përfitim pasiv dhe pakica e shpirtit të sakrificës. Ndërkaq, më i madh se kaq është ndikimi i pamundësisë për përgatitjen e njerëzve të shpirtit, fry­m­ëzimit dhe ndjenjës. Në një kohë kur çdo gjë e kanë rrethuar njerëzit e rregullave të thata me mendjen te sytë që e kërkojnë çdo gjë te lëndësorja, është e pamundur të flitet për shkencën e të vërtetës, për thellimin dhe dimensionimin në shkencë. Përku­ndrazi, në një atmosferë të tillë, gjykimi dhe meditimi do të shterpëzohen çdo ditë e ca më shumë, njerëzit do të bëhen ca më të trashë dhe të katër anët e botës do të mbushen e der­dhen me njerëz që bëjnë punë nën komandën e makinerive dhe aparateve!

Prandaj, ata që planifikojnë t'i rindërtojnë të nesërmet, janë të detyruar së pari ta përcaktojnë shumë mirë se ç'janë dituria dhe shkenca, se ç'mund të pritet prej tyre, se cilat duhet të jenë synimet dhe qëllimet e tyre. Ndryshe, mangësitë do të vazhdoj­në të shtohen, kurse dituritë dhe shkencat e natyrës kurrsesi nuk do të mund ta japin atë që pritet prej tyre!

Meditim do të thotë ta rrëmosh fije për pe librin e gjithësisë me metodën e argumentimit. Meditimi është emri i arritjes në majat e parajsës duke kaluar përmes vështirësish të shumta si­kur të kaloje nëpër vrimat e zeza, sikur të kaloje nëpër tunel. Me këtë metodë, çdo majë e diturisë dhe shkencave bëhet si një pi­kë nga ku vështrohet ndriçimi.

Në burimin e materies dhe dukurive është Allahu, Zoti i gji­thësisë, dhe e gjithë qenia mbështetet te Ai!

Njeriu ecën me argumente dhe argumentime gjer në një vend të caktuar. Ato e kapin njeriun për dore dhe e çojnë gjer te porta e pallatit. Ato janë si shoqëruese nderi për njeriun. Por vetëm gjer te porta e pallatit, sepse brenda nuk i pranojnë. Se­pse, tashmë është zbuluar enigma e mirësisë[31]. I Panjohuri[32] i kërkuar është gjetur dhe njeriu po e dëgjon zërin që vjen prej Tij. Kur njeriu bisedon me vetë të Argumentuarin, ç'punë ka aty argumenti? A po pyet njeriu se ia vodhën mjaltin e kosheres kur ka gjetur Mjaltin e mjaltrave? Allahu, Zoti i gjithësisë, s'ka të bë­jë me elementin dhe simptomën, pra, nuk është i përbërë prej lënde dhe simptomash, mirëpo njeriut i duket se, po të hedhë edhe një hap më tej, do ta gjejë veten në prehrin e Tij! Mirë, po a s'është Zoti më afër njeriut se damari i qafës që i rreh? Atje ku del sheshit kjo enigmë, a mund të flitet më për argument dhe ar­gumentim?

Ç'i duhet rruga apo gjurma atij që e gjen pretekstin, thesarin, origjinën? Mjafton që kjo rrugë të mbarojë në majën e besimit dhe në pikën e fundit të përkryerjes…



[1] Në origjinal: iman, besim, bindje absolute.
[2] Islami nuk është një izëm apo një doktrinë njerëzore, por një ide unike dhe një realitet unik i mbështetur në një tekst unik që nuk ka pësuar qoftë edhe amendamentin më të vogël qysh prej pesëmbëdhjetë shekujsh, si dhe me një kumtues (profet) historik, prandaj është emër i përveçëm dhe duhet shkruar me të madhe.
[3] Në origjinal: amel, akt, veprim, punë. Por kur bëhet fjalë posaçërisht për besimin, me këtë fjalë kuptohen adhurimet, posaçërisht, namazi.
[4] Në origjinal: ihsan.
[5] Në origjinal: farz.
[6] Në origjinal: nafile.
[7] Në origjinal: kurbet, afërsi ndaj Zotit.
[8] Në origjinal: meshiet-i hassa; termi i plotë: meshiet-i hassa-i ilahijje.
[9] Në origjinal: marifetullah, intuitë e njohjes së Allahut. Këtu duhet theksuar se koncepti i intuitës mistike metafizike për të cilën bëhet fjalë këtu, ndryshon në thelb nga koncepti i intuitës së psikologjisë materialiste.
[10] Në origjinal: kelime-i tajjibe, fjalë e këndshme, e ëmbël.
[11] Kur'ani, Fatir, 35:10.
[12] Vargje të poetit Ibrahim Haki; shih F.Gylen, Dritë e pashuar (shqip) f. 23.
[13] Në origjinal: marifet.
[14] Në origjinal, në këtë emërtim është përdorur fjala irfan që do të thotë kulturë shpirtërore.
[15] Në origjinal: arif.
[16] Kur'ani, Tahrim, 66:6.
[17] Në origjinal: maruf.
[18] Në origjinal: halvet, mbyllja, konfidenca kokë më kokë me njeriun e dashur, në mistikë, me Zotin.
[19] Në origjinal: jakin, fakt i njohur e i jetuar drejtpërdrejt.
[20] Fjalën sofër e lamë si në origjinal sepse është një koncept mistik që nuk mund të zëvendësohet me semantikën që bart fjala tryezë.
[21] Këtu autori e zhvillon më tej pasurinë kuptimore të fjalës "jakin" duke u për­qëndruar në kuptimet e saj, "revelacion ose zbulesë hyjnore", "e vërtetë e si­gurt", "fakt dhe përvojë mistike", "bindje e palëkundur".
[22] Në origjinal përdoret vetëm një fjalë, "iman" që do të thotë "besim pas një bindjeje të palëkundur e përfundimtare, prandaj ne këtu kemi përdorur për "iman", "bindje dhe besim".
[23] Në origjinal, respektivisht: Xhemal, Kemal-i Mutllak.
[24] Në origjinal: zevk-i ruhani.
[25] Në origjinal: Arsh, Rezidenca Hyjnore.
[26] Kur'ani, Bakara, 2:38.
[27] Kur'ani, Fussilet, 41:30.
[28] Kur'ani, Rad, 13:28.
[29] Në origjinal: itminan.
[30] Në origjinal, respektivisht: ilm, tefekkur
[31] Në origjinal: ihsan.
[32] Këtu e poshtë, me fjalët me shkronjë të madhe nënkuptohet Zoti.