Çeshtje te Veçanta Lidhur me Kaderin dhe Vullnetin

  1. Pyetje: Pse Allahu pa më pyetur për mua, pa marrë që më parë mendimin tim, më krijoi dhe më bëri të dë­nuarin e kaderit? Pastaj, pse kaderi im shfaqet jo në fo­rmën që unë të bëhem i pasur e të jetoj në mirëqenie, por në formën që të pësoj ngatërresa, kokëçarje e fat­ke­qësi?
  2. Pyetje: Si mund të shpjegohet që, për një vullnet te­jet të thjeshtë, të vogël dhe të dobët, jepet një xhennet ose xhehennem i pafund?
  3. Pyetje: Si ndodh që, gjatë krijimit të shpirtrave ose kur njeriu është ende fetus në barkun e nënës, për të të shkruhet se do të bëhet zotëri apo shërbëtor, se do të shkojë në xhennet ose xhehennem?
  4. Pyetje: Ç'do të thotë natyrë islame? Ç'është orienti­mi dhe si bëhet preteksti për orientim?

Nën këtë titull, krahas përsëritjes nga një këndvështrim tjetër i shpjegimeve që bëmë gjer tani, do të përpiqemi t'u japim për­gjigje pyetjeve më të shpeshta mbi kaderin.

Pyetje: Pse Allahu pa më pyetur për mua, pa marrë që më parë mendimin tim, më krijoi dhe më bëri të dë­nuarin e kaderit? Pastaj, pse kaderi im shfaqet jo në fo­rmën që unë të bëhem i pasur e të jetoj në mirëqenie, por në formën që të pësoj ngatërresa, kokëçarje e fat­ke­qësi?

Përgjigje: Kaderi s'është detyrues, i padrejtë, dhunues, si­domos kurrsesi i shëmtuar!

Siç kuptohet nga shpjegimi që kemi bërë gjer tani, nuk ka ndonjë vendim të paracaktuar pa llogaritur vullnetin e njeriut. Veç kësaj, Allahu edhe na ka tërhequr vëmendjen dhe paralaj­mëruar në mënyrë të vazhdueshme duke na dërguar profetë dhe duke na zbritur libra të shenjtë.

Nuk ndodh ndonjë gjë e shëmtuar ose mëkat nëse njeriu nuk i del për zot asaj. Nën ndikimin e egos, duke e përdorur vu­llnetin për keq, për rrjedhojë duke u bërë ftesë të këqijave, nje­riu ka shtypur butonin e së keqes, pra, është bërë shkak që të hapet kapaku i gropës ku ka për të rënë. Pastaj ai shkon dhe rrokulliset brenda në të! Për shembull, ashtu siç është vetë i pastër e i shkëlqyer, dielli është edhe burimi i dritës dhe ngroh­tësisë që janë të nevojshme domosdoshmërisht për jetën, si dhe burimi i ngjyrave dhe bukurive që reflektohen në fytyrën e lu­leve. Mirëpo, nëse njeriu rri nën diell me orë të tëra, mund të sëmuret, madje, të vdesë. Po për këtë mos ka faj dielli? A mund të thotë njeriu "pse u krijua dielli" nga pakënaqësia e sëmurjes, për të cilën është vetë shkaktar ngaqë e shpërdoroi diellin? A mund ta kritikojmë ne krijimin dhe ekzistencën e diellit për shkak të pasojave negative, si djegia e trupit, sëmurja apo pri­shja e ushqimeve, të buruara, këto, krejtësisht nga gabimet e vullnetit tonë?

Sigurisht, mëkatet, dëmet dhe shëmtitë që i ngarkohen kade­rit, janë, në të vërtetë, rezultat i shpërdorimit nga njeriu të vull­netit të vet. Po qe se ia ngarkojmë kaderit një sërë padrejtësish dhe shëmtish pa futur në llogari vullnetin tonë, edhe fatkeqë­sinë tonë e dyfishojmë, edhe tregojmë paturpësi ndaj kaderit.

Për shembull, njeriut i është dhënë ndjenja e epshit edhe si një shije e kënaqësi, edhe si shkak që çon në një rezultat të do­bishëm siç është shtimi i brezit. Dhe në qoftë se njeriu, duke e përdorur keq vullnetin e vet, përpiqet ta realizojë këtë ndjenjë dhe plotësojë kënaqësinë e rrjedhur prej saj me rrugë të gabu­ara e të ndaluara, si marrëdhëniet seksuale jolegjitime dhe pros­titucioni, kush do të ketë faj, kaderi, apo njeriu vetë? Në këtë rast, njeriu, një pretekst të dhënë për dobi dhe, për realizimin e të cilit, janë përgatitur të gjitha mundësitë, e përdor për të keq, bën keq dhe hyn në mëkat dhe, si përfundim, i bën padrejtësi vetes, e dëmton veten. Të kësaj natyre janë edhe krimi dhe ve­prime të tjera të këqija, të ndaluara e të dënueshme. Ndërkaq, ka edhe vuajtje e fatkeqësi që heq njeriu jo për faj të tij, pra, jo se e shpërdoron vullnetin e vet, por ne u përpoqëm të shpje­gojmë kuptimin, urtësinë, dobitë dhe bukuritë e tyre dhe, kur të jetë vendi, do të flasim përsëri për to.

Krahas rezultateve dhe përfundimeve, kaderi merr parasysh edhe shkaqet, kurse njeriu, për shkak të krijimit të vet dhe nga­që nuk e kupton dot plotësisht kaderin, vështron vetëm përfun­dimet dhe shkaqet e jashtme, formale e që mundet t'i shohë, arrin në konkluzion të gabuar dhe bën padrejtësi. Për shembull, po të shihni një të moshuar duke ia hequr veshin një fëmije, meqë veprimi është i papëlqyeshëm, ju menjëherë konkludoni se fëmijës po i bëhet padrejtësi. Kurse ai që po i tërheq veshin fëmijës është, ndoshta, i ati, i cili po bën diça të domosdoshme që do ta bënit edhe ju. I ati vetëm sa i ka hequr veshin fëmijës për një gjest të keq të tij ndoshta jo dhe aq me rëndësi, me që­llim që në të ardhmen të mos vijë puna që t'u bjerë gjunjëve nga mjerimi dhe pendimi për një veprim të keq më të rëndë të fëmijës, ka marrë masa para se shtamba të thyhet... Mirëpo ju konkluduat sipas dukjes dhe e akuzuat atë baba për dhunë dhe padrejtësi, duke i bërë, në fakt, padrejtësi jo atij, por vetes suaj. Kurse kaderi i sheh tërë shkaqet menjëherë dhe i di edhe shka­qet e padukshme, prandaj konkludon plotësisht dhe me drejtë­si!

Shihni një gjuetar që qëllon një luan dhe e vret. Juve ju vjen keq për luanin, por nuk e dini se atë e pati dënuar kaderi sepse pati lënë pa nënë të vegjlit e një drenusheje. Nga ana tjetër, vjen një ditë që gjuetari thyen këmbën dhe ndëshkohet që vrau luanin. Dikush plagos me thikë dikë tjetër, por, për shkaqe të ndryshme, nuk dënohet dhe, me kalimin e kohës, ngjarja harro­het. Mirëpo ja që vjen një ditë dhe për këtë njeri dikush shpif për çnderim, ai del para gjyqit dhe dënohet megjithëse është i pafajshëm. Ju që mund ta dini të vërtetën, e akuzoni gjykatësin për padrejtësi, por gjykatësi s'ka faj, se ai sheh faktet dhe provat që ka në dorë. Në të vërtetë, është kaderi që ka vendosur për të duke marrë parasysh të gjitha shkaqet dhe ai po dënohet tani për atë plagosjen me thikë që ishte harruar! Ja, pra, bukuria te kaderi dhe shëmtia në konkluzionet tona! Pa dyshim, çdo kon­kluzion i kaderit ose është i bukur në vetvete, ose është i bukur si rezultat dhe përfundim.

Meqë erdhi vendi, e quaj me vend të tregoj një ngjarje të rrëfyer për profetin Musa.

Profeti Musa i lutet Zotit: "O Zot, tregoma drejtësinë tënde!" Dhe Zoti i përgjigjet: "Prit pranë aksh çezmeje dhe shih ç'do të ngjasin!" Profeti Musa shkon atje dhe pret i fshehur. Pa shkuar shumë, te çezma vjen një kalorës, i jep ujë kalit dhe largohet, por, ndërsa po i jepte ujë kalit, i bie përtokë një qese me florinj. Pas tij vjen menjëherë një fëmijë, e merr qesen dhe largohet. Pastaj te çezmja vjen një i verbër dhe, në atë mes, vjen edhe kalorësi i cili, pasi e vë re se i ka rënë qesja, kthehet te çezma për ta marrë. Kalorësi ia kërkon florinjtë të verbërit, i cili për­piqet ta bindë kalorësin se as ka gjetur, as ka marrë qese me florinj, por më kot. Kalorësi e vret të verbërin dhe largohet. Pro­feti Musa e pyet Zotin se ku është drejtësia te ato ngjarje krejt të padrejta dhe merr këtë përgjigje:

"Kohë më parë, kalorësi i pati vjedhur të atit të djalit një qe­se me florinj dhe Ne ia kthyem të birit. Kurse i verbëri, dikur, ia pati vrarë kalorësit të atin dhe Ne e çuam drejtësinë në vend me vrasje për vrasje!" Ja, kështu, zinxhiri i ngjarjeve të dukura tërësisht si padrejtësi për shkak të mosnjohjes së shkaqeve të vërteta dhe vështrimit nga jashtë, kur njihen shkaqet e vërteta, del si drejtësi e plotë. Kështu është edhe konkluzioni i kaderit; në të nuk përmbahet as padrejtësia dhe shëmtia më e vogël. Çdo konkluzion dhe vendim i tij është vetëm drejtësi dhe vetëm bukuri!

Në gjërat që njeriu i sheh si të këqija duke vështruar dukjen, Allahu ka dëshiruar për të shumë të mira, kurse në shumë gjëra që njeriu i mendon se të mira e të dobishme, për të ka të këqija. (Bakara, 2:216) Për shembull, veçanërisht në mot të ftohtë, nje­riu e ka të vështirë të marrë abdest, kurse abdesti është vetë i bukur, i ka edhe përfundimet të bukura. Xhihadi, sipas shpreh­jes së ajetit, mund të vijë i rëndë e i neveritshëm, por, si rezul­tat, mund të sjellë shumë favore e shpërblime. Ndodh që Allahu e bën dikë të falimentojë, por njeriu nuk e di se pasuria do t'i bëhej pretekst për ta nxjerrë nga rruga e drejtë. Njeriu lutet, por, kur s'i plotësohet, bie në pesimizëm, kurse ose ato që kër­kon janë kundër interesit të tij, ose Allahu do t'i japë më vonë ose në jetën tjetër gjëra edhe më të mëdha e të bukura!

Kështu, në çdo konkluzion dhe vendim të Allahut për ne ka shumë urtësi dhe dobi që nuk mundemi t'i dimë. Allahu nuk është i detyruar që patjetër ta trajtojë njeriun me urtësi duke marrë për bazë të mirën e tij, por siç është Krijues dhe i Ditur,[1] Allahu është edhe i Urtë[2] dhe kurrë nuk bën punë të kotë, por ç'e do se në shumicën e rasteve ne mund të mos i dimë urtësitë në veprimet e Tij! Në këto kushte, ta pranojmë kaderin dhe t'i nënshtrohemi Zotit, të orientohemi kah Ai dhe, me botëkup­timin se edhe favori i Tij është i këndshëm, edhe persekutimi i Tij, t'i nënshtrohemi pa kundërshtim gjithçkaje që vendos Ai për ne!

Pyetje: Si mund të shpjegohet që, për një vullnet te­jet të thjeshtë, të vogël dhe të dobët, jepet një xhennet ose xhehennem i pafund?

Përgjigje: Siç u prek kjo çështje edhe më parë, në të vërte­të, ne duhet të mendojmë më shumë jo të meritojmë favore të së ardhmes si xhenneti, por të falenderojmë për të mirat që na bien si shi në kokë. Eshtë krejt e pamundur që falenderimin e të mirave që na jepen në dorë dhe pa shpërblim, s'është e mun­dur kurrë ta bëjmë me anë të adhurimeve. Në jetën e kësaj bo­te, punojmë një ditë për të jetuar një ditë, punojmë gjashtë mu­aj për të jetuar gjashtë muaj dhe themi: "Eh, sikur të punoja gjashtë muaj e të jetoja një vit!" Ndërsa e vërteta qëndron kësh­tu, si mund të fitohet xhenneti, parajsa, vendi i mrekullive të pa­sosura, me një jetë kaq të shkurtër që kalon më shumë me gju­më, me fëmijëri dhe me punë që i përkasin kësaj bote? Për më tepër, si mund të fitohet xhenneti me kontributin e vogël të nje­riut që llogaritet me shtypjen e një butoni? Ose, nga ana tjetër, si mund të dënohet njeriu me xhehennemin e përjetshëm ve­tëm për shkak të një akti kaq të vogël?

Tani le të përpiqemi t'i bëjmë dritë çështjes nga disa aspekte.

a) Nga aspekti i qëllimit.

Xhennet i përjetshëm, të mira të përjetshme dhe Bukuri e përjetshme e Allahut! Të gjitha këto s'mund të bëhen produkt i kësaj jetës sonë të vdekshme e të shkurtër dhe ne kurrsesi s'mund ta arrijmë përjetësinë me anë të vlerave tona materiale! Mirëpo është "qëllimi i besimit të përjetshëm" që mund të na bëjë ta arrijmë përjetësinë. Lavdi Allahut, i besojmë Zotit tonë dhe jemi të vendosur e besnikë në këtë besim. Në këtë drejtim e përdorëm butonin e vullnetit tonë dhe, gjithashtu, me vullnetin tonë, do ta mbajmë fort me anë të qëllimit tonë këtë besim të përjetshëm. Prapë, është Zoti ynë që na ka vënë në rrugën e drejtë që na e ka ndezur si pishtar në zemrën tonë. Po qe se ke­mi për të jetuar shtatëdhjetë vjet, jemi të vendosur në qëllimin tonë për të jetuar me besim. Edhe sikur Zoti ynë të na jepte jo shtatëdhjetë e njëqind e shtatëdhjetë, por edhe një mijë vjet je­të, prapë ne nuk do të kthehemi, por do të vazhdojmë me ven­dosmëri në besimin tonë! Sa të jemi gjallë, madje, sikur Zoti ynë të na lërë përjetësisht në këtë botë, ne nuk do të kthehe­shim nga besimi dhe do ta besonim Zotin përjetësisht. Ja, pra, thelbësore në hyrjen në xhennet apo xhehennem është ky që­llim. A nuk thotë edhe Profeti se aktet vlerësohen sipas qëllimit? Çdokush do të marrë përgjegjësen e qëllimit të vet. Po qe se që­llimi ynë s'mbetet në vijën e besimit të përjetshëm, edhe shpër­blimin do ta kemi sipas kësaj. Ndëshkimi dhe shpërblimi janë sipas llojit të aktit: për besimin e përjetshëm dhe qëllimin e be­simit të përjetshëm, xhennet i përjetshëm; e kundërta, për mo­himin e përjetshëm dhe qëllimin e mohimit të përjetshëm, xhe­hennem i përjetshëm. Allahu nuk sheh pamjen tonë dhe as sa kohë ndenjëm me trup në këtë botë të vdekshme, por qëllimin që bartëm, vendosmërinë që treguam, besimin që patëm në ze­mër dhe vazhdimësinë e qëllimit dhe mendimit në besim.

Sigurisht, pavarësisht se sa pak që të jetohet, me anë të mendimit të besnikërisë dhe vendosmërisë në besim, qëllimi mbetet një dritë që ndriçon kohët gjer në pafundësi. Në antago­nizëm me këtë, edhe jeta e pafundme e mohuesit me qëllim të errët, i cili e sheh çdo gjë të errët, është e errët siç e ka kuptimin xhehennemi. Sepse mohuesi është i vendosur me kryeneçësi të mos e ndezë dritën e përjetshme të besimit edhe sikur të jetojë me miliona vjet, për pasojë, do të bëhet viktimë e qëllimit të vet të errët që ia errëson zemrën, jetën e kësaj bote dhe të botës së përjetshme.

Qëllimi juaj i kthjelltë u zgjattë gjer në pafundësi dhe përje­tësia e haptë prehrin për ju!

b) Vendimi në ndëshkim sheh peshën e fajit si dhe qëllimin, synimin dhe rezultatin në kryerjen e tij, jo ko­hëzgjatjes së kryerjes.

Në botë, për fajin e vrasjes me paramendim, i cili, si akt, kryhet brenda disa minutave, disa herë jepet dënim me 25 vjet burg, domethënë, 13 milion minuta, disa herë me burgim të përjetshëm ose me vdekje dhe në asnjë rast nuk merret para­sysh kohëzgjatja e aktit. Ndoshta shihen elementë të tjerë për­bërës të fajit, si pesha e tij, qëllimi, synimi dhe përfundimet. Kri­met që bartin në shpinë mohimi dhe mohuesi, janë shumë më të mëdha, shumë më të rënda sesa krimi i vrasjes së një njeriu. Numri i dëshmitarëve që dëshmojnë ekzistencën e Krijuesit ësh­të sa numri i molekulave, atomeve, qelizave, engjëjve, pikave të shiut, etj., kurse mohimi, duke konsideruar për një çast si të pa­qenë dëshminë e kaq shumë dëshmitarëve, merr kuptimin e akuzimit si gënjeshtarë të tyre si dhe të dënimit të tërë gjithësisë me errësirë. Gjithashtu, duke e nënvleftësuar Artistin e Madh, duke i quajtur të dobëta qëndisjet e Tij në gjithësi dhe duke i hedhur poshtë argumentet e Tij, mohimi konsiderohet një krim i madh. Për më tepër, është përgënjeshtrim i mijra profetëve, në jetën e të cilëve është e pamundur të gjesh gënjeshtër, i miliar­da besimtarëve besnikë. Gjithsesi, edhe ndëshkimi i një faji të tillë do të jetë nga lloji i tij që është xhehennemi i përjetshëm!

c) Vullneti i pjesshëm është vërtet e vogël, por përfu­ndimi i tij është shumë i madh, pra dhe Allahu e jep ndëshkimin sipas përfundimit të tij.

Me shtypjen e një butoni, mund të shuani në një çast milio­na llamba elektrike duke lënë në errësirë një qytet apo vend të madh. Ose, si në Luftën e Parë Botërore, me një sjelljen apo veprimin tuaj mund të bëheni shkak për vdekjen e miliona njerëzve, për shembjen e miliona familjeve, për rrafshimin e qy­teteve, për asgjësimin e veprave që kanë kërkuar punë dhe për­pjekje shekullore të popujve ose të të gjithë njerëzimit dhe të ndryshimeve shumë të mëdha në dimensione botërore. Në të njëjtën mënyrë, me një shkrepse mund të digjni një pyll të madh ose, duke hequr një tullë, mund të shembni një pallat. Mohim do të thotë shkatërrim dhe shkatërrimi është shumë i lehtë dhe, si rezultat, shumëpërfshirës dhe tronditës. Ja, pra, meqë me përdorimin e vullnetit të vet për të shkatërruar, mo­huesi bëhet shkaktar shkatërrimesh shumë të mëdha, meriton xhehennemin, skëterrën e përjetshme. Në antagonizëm me të, duke e përdorur vullnetin në drejtim pozitiv, besimtari ia ndri­çon vetes edhe këtë botë, edhe botën tjetër.

ç) Njeriu që ia kthen shpinën dhënësit të mirësive të pakufishme, e meriton të hajë shpulla.

Njeriu që ia kthen shpinën zotëruesit dhe dhënësit të atyre të mirave të pakufishme që tregojnë madhështinë dhe fuqinë e pafundme të Allahut dhe që kanë peshë dhe vlerë të pafundme në ekzistencë, njeriu që, pastaj, duke e mbyllur një libër si ndër­gjegjja që është dëshmitari i pazë i ekzistencës së Allahut, i vret mendjen, vetëdijen dhe ndjenjat e veta të pasionuara ndaj për­jetësisë, veçanërisht, njeriu që i mbyll sytë për Profetin i cili, duke e treguar librin e gjithësisë me anë të Kur'anit, tregon rru­gën e lumturisë, dhe që e mbyll derën e zemrës, ky njeri, pra, duke e shpërdoruar vullnetin e vet me peshë shumë të vogël në përmasat gjigande të gjithësisë, duke parapëlqyer në zgjedhje ca gjëra iluzive e konvencionale pa asnjë peshë në krijim dhe ekzekutim dhe duke rënë në lojën e egos së vet dhe djallit, si­gurisht që do ta meritojë të hajë shpulla të rënda sa gjithësia!

d) Dënimi i tradhtisë së amanetit jepet në raport të drejtë me vlerën e amanetit dhe të të zot të amanetit.

Dënimi që i jepet fëmijës që thyen xhamin e dritares, nuk është i njëjtë me dënimin që i jepet adjutantit që prish duke e shpërdoruar kurorën prej kristali të mbretit. Po t'u dorëzohet në ruajtje një ushtari dhe një komandanti armate një sasi kapitali sipas pozitës së secilit dhe ata ta bëjnë atë kapital rrush e ku­mbulla, sigurisht që, në ndryshim të pakrahasueshëm me dëni­min që do t'i jepet ushtarit, komandanti i armatës do të nxirret para gjykatës së lartë ushtarake. Po kështu, përgjegjësia e një shkencëtari që e kalon jetën me studime e zbulime të mëdha, është krejt e ndryshme nga përgjegjësia e një çobani që e kalon gjithë jetën pas kopesë në mal.

Si në shembujt e mësipërm, kapitali jetë që u është dhënë kafshëve dhe kapitale e të mira të tjera të dhëna sipas mundë­sive të kafshëve dhe funksioneve që kanë për të kryer, përdoren prej tyre pa bërë ndonjë shpërdorim. Po, kapitalet dhe të mirat që u janë dhënë, disa kafshë i përdorin për të bartur dhe tran­sportuar ngarkesa, disa për të dhënë mish dhe qumësht, etj. Mi­rëpo njeriu nuk është kafshë dhe kapitali i dhënë atij nuk është si kapitali i dhënë kafshëve. Një dorë njeriu është më e çmuar sesa duart e një mijë merimangave; një gisht njeriu është më i çmuar sesa krahët e një mijë trumcakëve. Sigurisht, kur njeriu ta shpërdorojë kapitalin e madh që i është dhënë, ndërgjegjen, mendjen, arsyen, vetëdijen, gjykimin, njohjen si dhe mijra ndje­nja, aftësi e mundësi, edhe dënimi i tij ka për të qenë i të njëj­tave përmasa. Sidomos po qe se zemra, vendi i shfaqjeve të po­saçme, e cila duhet të mbushet dhe ngopet me afërsinë, respek­tin dhe dashurinë ndaj Allahut e jo të hapë dyert ndaj tjetër gjëje e tjetërkujt, merret nëpër këmbë nga egoja, atëherë njeriu do të bjerë në nivelin e një guri si lëndë djegëse e xhehennemit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atëherë, njeriu duhet ta përdorë vullnetin me vend, t'ia kushtojë zemrën të Zot të zemrës dhe të shkojë tek Ai me zemër të pastër.

Pyetje: Si ndodh që, gjatë krijimit të shpirtrave ose kur njeriu është ende fetus në barkun e nënës, për të të shkruhet se do të bëhet zotëri apo shërbëtor, se do të shkojë në xhennet ose xhehennem?

Përgjigje: Megjithëse kjo çështje u shpjegua në mënyrë të mjaftueshme në vendin e duhur, këtu le të përpiqemi ta para­shtrojmë me pak rreshta.

Para së gjithash, Allahu shkruan se si ka për t'u sjellur njeriu me vullnetin e vet, se do të kryejë akte për xhennet apo akte për xhehennem, me anë të diturisë së Tij të pafundme, sepse i di qysh në pafillimshmëri me diturinë e tij të pafundme, kurse njeriu bëhet i denjë për xhennet ose xhehennem, bëhet zotëri ose shërbëtor jo se Allahu ka shkruar ashtu për të.

E dyta, Allahu, jo vetëm di se në ç'drejtim do ta përdorë nje­riu vullnetin e tij, por di edhe të gjitha shkaqet që ndikojnë e do të ndikojnë mbi aktet e tij dhe sipas këtyre gjërave shkruan. Allahu e di se si do të jetë ndikimi dhe edukata e familjes së tij mbi të, se në ç'drejtim do ta ndikojë atë mjedisi, cilat do të jenë pretekstet që çojnë në besim ose mohim dhe se si ka për t'i kapërcyer ai të gjitha këto.

Ne nuk mund ta dimë nëse njeriu do të bëhet për xhennet apo xhehennem, sepse s'dimë gjë sepse s'e njohim kaderin. Ne gjykojmë faktet e jashtme dhe, nëse ka fjalë dhe veprime që çojnë në mohim, më e shumta i themi "mohues", por nuk mund t'i themi se është për në xhehennem. Meqë s'e njohim të vërtetën, zemrën e atij njeriu, dhe se si ka për ta dhënë frymën e fundit, këto ia lëmë Allahut. Dikush që sot e njihni për ateist, vjen një ditë dhe e shihni se është bërë një besimtar i komple­tuar. Me që është vendi, do të tregoj një ngjarje nga Gjermania, të dëshmuar nga një shoku ynë funksionar feje. Xhamitë janë të hapura për këdo, bëhen biseda dhe përpjekje për t'i shpjeguar disa çështje me rëndësi. Një i ri që vjen të dëgjojë, thotë: "A e dini, unë jam komunist!" A mund t'i thuhet menjëherë këtij të riu se e ka vendin në xhehennem? Kalojnë ditë, i riu njihet me disa shokë, mëson prej tyre me një mënyrë të përshtatshme mbi besimin dhe çështjet fetare dhe ja tek duket një të shtunë në xhami së bashku me një shok tjetër për të falur namazin e jat­sisë... E ka sjellë edhe shokun me vete që të mësojë disa gjëra!

E, tani, ç'do të fitonit po ta kishit refuzuar qysh në çastin e parë duke i ngjitur vulën e të dënuarit me xhehennem? A s'do të turpëroheshit kur ta shihnit atë të shtunë mbrëma me ndry­shimin që kishte bërë? Nuk është as detyra, as kompetenca jonë të konkludojmë dhe vendosim mbi njerëzit!

Le të shohim edhe fjalët e një të riu tjetër që u bëhen inter­pretë të ndjenjave të brezit tonë.

"Unë merrja pjesë në Këln në marshimet nën flamujt e kuq. Një ditë shkova te shokët e rinj. Atje bëheshin pyetje dhe jepe­shin përgjigje. Meqë isha simpatizant i komunizmit, ndjeja shqe­tësim, dëgjoja me shumë kujdes dhe rrija në pritë duke pasur dyshim se mos sulmojnë totemet e mia, mos thonë fjalë të kë­qi­ja për to, mos hedhin parrulla. Nuk ndodhi asgjë nga këto, por u fol për çështje besimi që s'i kisha dëgjuar asnjëherë. Ndryshe, do të mbetesha i pakënaqur dhe do të vazhdoja me zakonet e mia të vjetra si pijet, etj."

Prapë po pyesim: Si do ta dënonit me xhehennem këtë të ri që sot është bërë një besimtar i mirë dhe vrapon majtas e djath­tas me makinën e vet për të bërë ndonjë shërbim?

Siç kuptohet edhe nga shembujt që dhamë, meqë Allahu e di se si do ta përdorë njeriu vullnetin dhe si do ta japë frymën e fundit, shkruan qysh në botën e shpirtrave ose në barkun e në­nës se ç'do të bëhet ai, zotëri, apo shërbëtor, për në xhennet apo xhehennem. Siç shprehet hadithi, porosia profetike, "nje­riu, si të rrojë, ashtu vdes dhe, si të vdesë, ashtu ringjallet"! Ajo që na takon ne, është të përpiqemi dhe punojmë pa e prerë shpresën te Allahu dhe pa e parë të ardhmen e brezit tonë errë­sirë, të tregojmë zell në rrugën për t'u bërë pretekst për besimin dhe orientimin e njerëzve në rrugën e drejtë!

Pyetje: Ç'do të thotë natyrë islame? Ç'është orienti­mi dhe si bëhet preteksti për orientim?

Përgjigje: Në një hadith autentik thuhet: "Çdo njeri që lind, lind me natyrë islame. Pastaj prindërit e bëjnë atë krishter, çifut ose zoroastrian (ose një nga izmat e sotme)!"

a) Çdo njeri lind me krijim të pastër, të panjollë dhe me një natyrë të përshtatshme për besim dhe Islam.

Njeriu lind si një letër e bardhë ku mund të shkruhet çdo gjë, si një shirit elektromagnetik ku s'është regjistruar asgjë, si një mineral i shkrirë që pret të futet në kallëpë, si një fidan i njomë që mund ta përkulësh nga të duash.

Për këtë arsye, ç't'u tregosh fëmijëve të moshës 5-15 vjeç, e regjistrojnë menjëherë në mendje dhe kujtesë, e ruajnë me da­shuri në zemër, gjë që ka shumë rëndësi për edukimin e besi­mit. Për shembull, sapo t'u thuash se edhe fshati më i vogël e ka një kryeplak, se gjilpëra e ka mjeshtrin që e ka bërë, kështu që, edhe tërë kjo gjithësi e madhe e ka një Zot që është Allahu, ata e kuptojnë mesazhin sepse, në sajë të natyrës së pastër që kanë, s'i ngatërron e s'i pengon asgjë. Në lidhje me natyrën e pastër, ne kemi konceptet dhe kriteret tona me të cilat jemi më­suar dhe jemi në gjendje t'i dallojmë natyrat e pastra sapo t'i shohim, sapo ato të përputhen me konceptet dhe kriteret tona.

b) Natyra e pastër mund të fëlliqet dhe të atrofizohet me anë të mohimit dhe mëkateve.

Me mohim dhe mëkate, njeriu konsiderohet se i ka mbyllur sytë ndaj argumenteve dhe provave në përmasa universale, se i ka zënë veshët, se e ka shuar ndërgjegjen, e ka atrofizuar naty­rën dhe, për pasojë, e ka privuar veten nga të gjitha burimet e dritave, është groposur në errësira dhe mbi natyrën e tij të pa­stër në origjinë, ka lyer njolla të zeza që Allahu s'i do. Në anta­gonizëm me këtë, me besim dhe akte të mira, njeriu e ruan na­tyrën e tij në origjinë të pastër. Atëherë, mund të themi se, në natyrën e njeriut, besimi është esencial, kurse mohimi, aksiden­tal. Natyra e pastër në krijim, mund të fëlliqet më pas. Po qe se gjendja e fillimit e krijimit nuk ruhet, nuk i shkohet në ndihmë dhe nuk merren masat e duhura në këtë drejtim, është krejt e mundur që ai të bëhet ose krishter, ose çifut, ose zoroastrian, ose çfarëdo gjëje tjetër që mund t'ju shkojë nëpërmend!

c) Pasi fëlliqet dhe prishet natyra e pastër, njeriu fi­ton një natyrë të dytë të prishur.

Zogu që del nga veza është zog edhe pse s'fluturon dot. Ai është në krijim i përshtatshëm për të fluturuar dhe i pajisur me aftësinë dhe prirjen e fluturimit. Ne vëmë re, gjatë periudhës së daljes së pendëve, se zogu bie e ngrihet në përpjekjet për të flu­turuar dhe themi se ai zog ka për të fluturuar. Por po qe se gjatë kësaj periudhe ndërhyjnë shkaqe dhe faktorë që i cënojnë ve­çoritë dhe mundësitë e bashkëlindura të zogut dhe ia heqin aftësinë për të fluturuar, ai s'do të fluturojë edhe pse është zog. Kështu është edhe mohimi. Duke e atrofizuar krijimin e pastër dhe të pajisur me aftësi të shumta të njeriut, mohimi formon tek ai një natyrë të dytë të prishur duke e bërë të paaftë për të flutu­ruar! Siç thoshim për zogun se do të fluturojë sepse është zog, edhe për njeriun e porsalindur themi se është musliman ose se ka për t'u bërë musliman. Por ç'e do se, me kohë, mbi të fryjnë erëra të dëmshme, edhe ai vetë e përdor vullnetin në drejtime të dëmshme, për pasojë e prish natyrën e pastër dhe bëhet di­çka tjetër.

ç) Në të gjitha këto çështje që i grumbulluam këtu për t'i trajtuar, ekziston mundësia që gjithmonë të na dalin para dy specifika lidhur me çështjen e kaderit: shkaqet e jashtme dhe vullneti.

Sigurisht, çdo njeri që lind, lind me natyrë islame, por fak­torët e jashtëm si prindërit, shokët, mjedisi, shoqëria dhe shko­lla, si dhe vullneti i cili do t'i përdorë këta në favor apo në disfa­vor të vet, ndikon mbi natyrën në drejtim pozitiv ose negativ. Kurse kaderi, duke i futur në llogari të gjitha këto, shkruhet kë­shtu: "Ky njeri do ta mbajë natyrën të pastër dhe do të bëhet i lartër"... ose, "Ky njeri do ta prishë natyrën, do të fundoset në mohim dhe do të bëhet i poshtër."

Orientimi në rrugën e drejtë.[3] Orientimi në rrugën e drejtë ose, shkurt, orientimi, është një dritë që Allahu ia ndez njeriut në botën e brendshme pasi ai ta përdorë vullnetin e tij të pjesshëm në drejtim pozitiv dhe në favor të vet. Siç e theksuam edhe më parë, edhe orientimi, edhe çorientimi realizohen me anë të aktit krijues të Allahut. Në një ajet thuhet: "Po të donte Zoti yt, të gjithë ç'janë mbi tokë i bënte të besonin!" (Junus, 10:99) Kurse në një ajet tjetër, thuhet: "Po të donte, Allahu i mblidhte ata në rrugë të drejtë!" (En'am, 16:35) Madje, Profetit i thuhet: "Pa dyshim, ti s'mund t'i bësh të vdekurit të binden, t'i bësh shurdhët të ta dëgjojnë fjalën... dhe ti s'je orientuesi i të verbërve nga rruga e shtrëmbër e tyre për në rrugë të drejtë!" (Rum, 30: 52-53). Fundja, edhe ne, në çdo reqat të namazit i lutemi Zotit të na orientojë dhe dyzet herë në ditë themi: "Ihdina's-sirata'l-mustakim", "Shtyna ne në rrugë të drejtë"!

Edhe ajeti si më poshtë është nga ajetet që duhen përmen­dur rreth kësaj çështjeje: "Ti nuk mund ta orientosh dot njeriun që do, por Allahu e orienton atë që do!" (Kasas, 28:56) Edhe Profeti porosit: "Unë u dërgova si ftues i njerëzve në besim dhe në rrugën e drejtë. Eshtë Allahu që do t'i çojë ata në rrugë të drejtë dhe që do t'ua shtresojë besimin në zemër!" Edhe djalli i tregon të zbukuruara mohimin, çorientimin dhe mëkatet, u fut zemrave dyshim e lëkundje, por edhe çorientimin, edhe mëka­tet, Allahu i krijon.

Të bëhesh pretekst për orientim.

Në një ajet thuhet: "Pa dyshim, ti je orientues në rrugë të drejtë!" (Shura, 42:52) Kurse në një ajet tjetër, thuhet: "Pa dy­shim, ti i thërret dhe i fton ata në rrugë të drejtë!" (Muminun, 23:73) Ndërsa në ajetin e parë bëhet fjalë për veprimtarinë orientuese, në të dytin, për ftesën. Siç kuptohet nga ajetet, Pro­feti ynë është pretekst për orientim, kurse djalli, për çorientim dhe mëkat, ndërkaq që, siç e theksuam më lart, edhe orienti­min, edhe çorientimin i realizon Allahu.

Duke filluar me profetët, Allahu ka krijuar pretekste të ndry­shme orientimi. Po qe se njerëzit nuk i përvetësojnë pretekstet në fjalë dhe nuk e përdorin vullnetin në drejtim të orientimit, Allahu nuk e krijon për ta orientimin, domethënë pretekstet i krijon, por përfundimet, jo. Për shembull, në lidhje me këtë çë­shtje, Kur'ani thotë: "Ne e patëm orientuar fisin e Themudit, por ata zgjodhën verbërinë në vend të orientimit!" (Fussilet, 41:17) Kjo do të thotë se njëri aspekt i çështjes, që i përket nje­riut, ka të bëjë me prirjet dhe vullnetin e tij, kurse aspekti tjetër, që i përket Allahut, ka të bëjë me krijimin, realizimin e orien­timit apo çorientimit.

Duhen kërkuar pretekstet që çojnë në orientim.

Duke u përqëndruar, në njërën anë, në kundërshtimin e shkaqeve dhe preteksteve që çojnë në mohim dhe që krijojnë pritë para orientimit, në anën tjetër Kur'ani nxit pretekstet që çojnë te e vërteta. E thënë ndryshe, ndërsa nga njëra anë na mëson se si t'u shmangemi cilësive që i bëhen pengesë besimit, si mendjemadhësia, krenaria, vetëpëlqimi, kryelartësia, nënvlef­tësimi i tjetrit, parapëlqimi i kësaj bote dhe injoranca, nga ana tjetër na nxit të lexojmë, të mendojmë, të bëjmë kërkime në gji­thësi, të nxjerrim mësime nga pësimet, të gjykojmë, të dëgjojmë ata që bisedojnë në emër të Zotit dhe të ndjekim rrugën e tyre të ndriçuar.

Në Kur'an, fjala "pretekst"[4] përdoret në dy vende. Njëri nga këta është ajeti 35 i sures Maide: "O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun, tregohuni të respektuar ndaj Zotit tuaj, kërkoni pretekste për t'iu afruar Atij dhe luftoni që të shpëtoni!" Kurse në ajete të tjera thuhet: "Dhe ata që luftojnë në rrugën tonë, Ne pa dyshim që i fusim në rrugët tona të dobishme!" (Ankebut, 29:69) "Atij që frikësohet nga Allahu, Allahu i krijon një rrugë­dalje (pretekst)!" (Talak, 65:2)

Siç kuptohet edhe nga ajetet, Allahu kurrë nuk i çorienton ata që ecin në rrugën e Tij.

Në jetën e tij të nderuar, Profeti e ka kryer gjer në fund dety­rën e pretekstit për orientim. Allahu e pati vënë në veprim të Dërguarin e Tij duke e urdhëruar: "Paralajmëroji njerëzit e tu më të afërt!" (Shuara, 26:214) "Kujto dhe këshillo!" (Gashije, 88:21) "Dhe shpalle hapur atë që të është urdhëruar!" (Hixhr, 15:94)

Fakti që në ditën e triumfit të Mekës, Profeti i fali me fjalët "shkoni, jeni të lirë", ata që s'patën lënë të keqe pa i bërë kur pati shkuar në Taif si interpretues i të vërtetës, fakti që i poro­siste shokët që kishin nxjerrë shpatat për t'ua hequr kokat atyre që i patën luftuar me aq egërsi, se armiku më parë duhet këshi­lluar dhe ftuar për të besuar, fakti që i thoshte Aliut se "orien­timi i një njeriu me dorën e tij ishte më i vlefshëm se çdo gjë tje­tër mbi të cilën lindte dielli", si dhe shumë e shumë shembuj të tjerë tregojnë se ç'rëndësi të madhe ka preteksti në orientimin e njerëzve në rrugë të drejtë!

Ai që bëhet pretekst, fiton mirësi sa dhe ai që e kryen atë punë për të cilën tjetri iu bë pretekst. Profeti na porosit: "Atij që hap një shteg të mirë dhe bëhet pretekst për dobi, i jepen po aq mirësi që u jepen pa të metë

  • Krijuar në .