Kaderi, Kadaja dhe Ligjet e Faljes

Kada-ja është vënia në veprim e konkluzioneve dhe vendi­meve të marra nga Allahu në Levhi Mahfudh (Tabela e Kujte­sës), pra, në Librin Kryesor, kur u vjen koha dhe me anë të vu­llnetit të njeriut, domethënë, ekzekutimi i paracaktimit hyjnor.

Veç Tabelës së Kujtesës, Allahu ka edhe librat Levhi Mahv ve Isbat (Tabela e Prishjes dhe Provës). Siç e kemi thënë edhe më parë, Levhi Mahfudh (Tabela e Kujtesës) është "Imami Mu­bin" ose "Ummul Kitab", pra, në të nuk ndodh fshirje dhe ndry­shim. Kurse "Tabela e Prishjes dhe Provës", siç thuhet në aje­tin, "Allahu e fshin atë që do dhe e lë në vend atë që do; Libri Kryesor është tek Ai" (Rad, 13:39), është libri ku Allahu, me li­gjin e faljes, bën ndryshime në vendimet dhe konkluzionet e pa­racaktuara prej Tij duke anuluar ekzekutimin e tyre.

Ligji i faljes e prish kadanë (ekzekutimin). Për shembull, një njeri për të cilin do të ekzekutohet një vendim i paracaktuar, duke përdorur një mundësi specifike të vetën, hyn në marrë­dhënie me Allahun, fiton afërsi me Të ose, duke kryer akte të pëlqyeshme për Të, si lutjet dhe sadakatë, bën që, si rrjedhojë, Allahu të bëjë një falje të posaçme për të, ta anulojë ekzeku­timin dhe ta ndërrojë në favor të tij.

Për shembull, njeriu del nga shtëpia me qëllimin dhe prirjen për të shkuar në vendin e mëkatit, pra, "shtyp butonin" e kryer­jes së një mëkati. Atëherë, edhe Allahu, sipas dëshirës dhe vull­netit të njeriut, do ta realizojë aktin përkatës duke e çuar njeriun në vendin e mëkatit, si dhe rezultatet e atij akti, mëkatin përka­tës. Mirëpo mund të ndodhë që, një sjellje ose qëndrim i mirë i atij njeriu ta vërë në veprim mëshirën hyjnore dhe Allahu t'i nxjerrë në rrugë një shok të mirë që ta çojë jo në vendin e më­katit, por në një vend mirësie e bukurie dhe, kështu, ta ndry­shojë në favor të tij vendimin dhe ekzekutimin (kadanë) e meri­tuar nga ai me vullnetin e vet. Ja, pra, ndryshimi me shkak ose pa shkak nga Allahu në favor të njeriut i një vendimi ose ekze­kutimi të caktuar për të, është falje dhe mirësi për atë njeri.

Ndërkaq, ne nuk kemi të drejtë ta pyesim Allahun: "Pse s'e lejove të shkojë në vendin e mëkatit kur ai e kishte vënë si që­llim atë?" "Pse e ndryshove kadanë për të me falje dhe mirësi?" Ai e favorizon atë që do me aq sa do, Ai e çon në rrugë të drej­të atë që do dhe në rrugë të shtrembër, atë që do. Prandaj, të gjitha të mirat tona janë favori i Allahut kurse të gjitha të këqijat tona janë përmbajtja jonë. (Nisa, 4:79) Ndërkaq, shumë herë, kur ne jemi duke u rrëzuar kokëposhtë me mëkatet dhe të kë­qijat tona, na kap për dore e na shpëton. Ky është favori i Tij! Me këtë favor, Allahu u bëhet pengesë ngatërresave dhe fatke­qësive, gjithashtu, nuk e lejon njeriun të zhytet në mohim dhe mëkat. Këto janë falja dhe mirësia e Tij madhore për disa njerëz që nuk e meritojnë e nuk janë të denjë për falje e mirësi!

Po qe se Allahu nuk do ta prishte kadanë me faljen dhe mi­rësinë e Tij, por do ta krijonte aktin që dëshiruam dhe inicuam me vullnetin tonë, kjo do të ishte thjesht një zbatim drejtësie. Kurse po të mos e krijonte, kjo do të ishte një favor dhe mirësi e posaçme. Siç pohohet shpesh në Kur'an, Allahu e ka lidhur shkatërrimin e popujve nga ana e Tij me këmbënguljen e tyre në mohim, politeizëm, padrejtësi, dhunë, kundërshtim dhe re­voltë. Mirëpo populli i Junusit, sapo pati nisur t'i vinte fatkeqë­sia ndëshkuese, pati nisur të lutej dhe, si përfundim, Allahu e pati larguar fatkeqësinë dhe ndëshkimin e tyre, domethënë, fal­ja dhe mirësia e patën prishur kadanë për popullin e Junusit.