Specifikat qe e demtojne veprimtarine orientuese

1) Nuk është e lejueshme që çështjet fetare të parashtrohen në formë debati dhe polemike me qëllim për ta heshtur dhe vënë poshtë bashkëbiseduesin. Po qe se në një vend ku flasim për fenë, ka kundërshtime dhe ide antagoniste, jemi të detyruar ta ndërpresim bisedën. Po qe se vazhdojmë të flasim, edhe vetë hyjmë në mëkat, edhe besimin e bashkëbiseduesit apo auditorit e hedhim në rrezik. Qëllimi ynë s’është kurrë t’ia presim fjalën bashkëbiseduesit apo auditorit, t’i zëmë mat ose të sigurojmë epërsi ideore mbi ta; qëllimi ynë është ta bëjmë të dashur Zotin tonë!

Disa herë, polemizimi me bashkëbiseduesin mund ta shtyjë atë të këmbëngulë në kryeneçësi, për më tepër, të studiojë dhe kërkojë t’i shtojë njohuritë mbi mohimin. Po qe se mendimi për t’ia mbyllur gojën dhe për ta vënë poshtë dhe polemizimet ideore e shtyjnë bashkëbiseduesin në kundërshtim kryeneç, duhet shmangur patjetër nga polemika. Pa dyshim, në këto raste, bashkëbiseduesi, jo vetëm që s’ka për të na dëgjuar, por ka për të ardhur i përgatitur për të na bërë pyetje e kundërshtuar dhe, më në fund, ka për t’u ndarë prej nesh i mbushur me pakënaqësi dhe zemërim.

2) Orientimit dhe kumtimit nuk i duhet lëshuar hije me opinione dhe qëndrime politike. Njëra prej pikave që duhen bërë kujdes në lidhje me orientimin dhe kumtimin veçanërisht në ditët e sotme, është domosdoshmëria për t’u shmangur nga idetë dhe mendimet politike që do t’i lëshonin hije detyrës sonë, që do të zgjonin antipati ndaj nesh dhe që, ndërsa do t’i linin të kënaqur disa persona të caktuar, do ta zemëronin shumicën, sidomos nëse masat do të kishin nevojë për besim. Kurse brezi ynë sot jo vetëm që s’i njeh dhe kupton çështjet administrative dhe politike, por është edhe larg njohjes dhe kuptimit të çështjeve besimore themelore që kanë të bëjnë me Allahun, Profetin dhe Kur’anin. A ka ndodhur ndonjëherë që dikush me një opinion politik çfarëdo të bëhet që t’i pranojë çështjet fetare në atmosferë politike? Jo! Përkundrazi, ka ndodhur që të fryhen mëritë, neveritë dhe urrejtjet e lidhura me debatet, polemikat dhe përpjekjet për ta heshtur dhe vënë poshtë kundërshtarin! Prandaj, duke folur për të vërtetat si perla mbi Allahun dhe Profetin, bashkëbiseduesi do t’i shohë ato si copa xhamash, njerëzit si engjëj do t’i vlerësojë me vështrim tjetër duke konkluduar prerazi se, meqë s’janë të një mendimi me të, s’vlejnë për të, dhe do të largohet duke i akuzuar se “e përdorin fenë si mjet politik”. Dhe ju, duke dashur të flisni për 3-5 përqind të çështjeve fetare, me opinionin tuaj politik do të bëheni shkak për shkatërrimin e 98 përqind të çështjeve besimore e adhurimore. Këto që po themi nuk janë kritikë ndaj opinioneve politike. Edhe besimtarët mund të kenë opinionet dhe pëlqimet e tyre politike. Ajo që kritikojmë ne është përlyerja e metodës së orientimit me politikë. Opinioni politik duhet të mbetet një ngjarje e kufizuar në javën e zgjedhjeve elektorale, kurse e gjithë koha duhet kaluar duke ua përçuar brezave të vërtetat besimore dhe adhurimore!

3) Nuk duhet shmangur nga përdorimi i aftësive dhe mundësive personale e rrethanore. Ne duhet të mendojmë për çdo fjali që na del prej goje. Çdo besimtar, brenda parimit të kursimit maksimal, duhet t’i përdorë mundësitë dhe aftësitë e tij gjer në pikën më të fundit dhe të përpiqet që rastet që i bien në dorë gjatë gjithë jetës, t’i vlerësojë dhe përdorë në mënyrën më ideale. Së bashku me njerëzit që u dalin për zot atdheut, kombit, kulturës kombëtare, historisë dhe brezave të rinj, të vrapojë atje ku e thërret detyra gjer në frymën e fundit!

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.