Edhe individualiteti i Hz. Muhammedit deshmon per drejtesine dhe profetesine e tij

1. Për atë që kupton dhe sheh, fytyra është pasqyra e shpirtit dhe si një libër që reflekton rreshtat njohës të botës së brendshme. Dijetari çifut që pati parë fytyrën e ndritshme të Profetit që reflektonte vërtetësi, qysh në shikimin e parë pati shprehur besim duke thënë, “në këtë fytyrë nuk ka gënjeshtër”!

2. Sikur ta supozojmë se në fjalët dhe sjelljet e atij Individualiteti do të kishte gënjeshtër dhe falsitet, qoftë para profetësisë, qoftë pas saj, patjetër do të shfaqte ndonjë mangësi, do të bënte ndonjë gafë dhe, si rezultat, edhe kundërshtarët dhe armiqtë që prisnin rastin, do t’ia shpallnin botës duke ia arritur qëllimit pa qenë nevoja për të përdorur shpatën.

3. Gjëja artificiale, imituese dhe e gabuar kurrë nuk është si gjëja e vërtetë dhe e natyrshme. Sytë e shkruar të lindur të tillë janë tjetër gjë, sytë e bojatisur janë tjetër gjë! Sa mund t’i shembëllejë e ta imitojë miza palloin, xixëllonja diellin, çobani guvernatorin apo shkencëtarin? Sidomos në çështje si profetësia, imitimi dhe gënjeshtra kurrë nuk mund të kenë vend!

4. Për shkak të natyrës së vet krijuese, njeriu e ka pothuaj krejt të pamundur që, i ndodhur mes një shoqërie shumë të vogël e të kufizuar, ku çdo njëri e njeh çdo njërin gjer në imtësira, të thotë qoftë edhe gënjeshtrën më të vogël për çështjen më të parëndësishme duke i bërë opozitë asaj shoqërie. Ndërkaq, po qe se, përkundrazi, ai Individualiteti i lartë mundej që, i ndodhur brenda një shoqërie krejt armiqësore ndaj tij, të thoshte krejt i sigurtë dhe pa asnjë shqetësim gjëra në emër të një kauze shumë të madhe, a mund të mendohet se në fjalët e tij kishte gënjeshtër dhe dredhi?

5. Sidomos në kushtet kur ky Individualitet i pakënduar, megjithëse ndodhej mes një bashkësie të zgjuar, të kulturuar, të aftë në të folur dhe me nivel të lartë poetik dhe oratorik, fliste dhe sillej pa drojë e pa pengesë, a do të ishte e mundur të vazhdonte kështu për një kohë të gjatë pa u përgënjeshtruar?

6. Po qe se njeriu sheh se, pasi ka parashtruar një mendim, ide ose tezë, gjen përballë një kundërshtim në formën e një debati idesh të qytetëruar, mund të vazhdojë t’i mbrojë idetë e veta qofshin edhe të rreme ose të gabuara. Por nëse një njeri i vetëm bën durim dhe qëndresë para kërcënimit me vdekje për çdo çast, veçanërisht nëse nuk kthehet nga kauza e tij dhe nuk bie në pesimizëm edhe përballë fyerjeve tronditëse ndaj shpirtit dhe personalitetit të vet, përballë talljeve dhe pështyerjeve në fytyrë, kjo është një argument i palëkundur i drejtësisë së tij.

7. Sot shihni shumë njerëz që, bie fjala, kërkojnë të duken të justifikuar që s’kanë agjëruar dot në ditët e nxehta. Tani shkoni në atë shekull dhe mendoni një njeri në atë klimë shkretëtire, të shtrirë mbi rërën përvëluese duke pasur sipër diellin gjithashtu përvëlues dhe, sikur e gjitha kjo të ishte pak, të durojë edhe tortura vrasëse, e përse? Për një kauzë të rreme, frytet e së cilës s’ka për t’i parë kurrë në këtë jetë? Pastaj, përsëri po për atë kauzë të rreme, mendojeni të ketë për shtrat degë e gjethe hurmaje, të rrijë ditë të tëra pë ngrënë dhe një pjesë të madhe të jetës ta kalojë në fushat e betejës, dhe gjykoni: A janë të mundura të gjitha këto?

8. E rëndësishme s’është të dalësh në shesh me një kauzë të caktuar; e rëndësishme është t’i zbatosh dhe praktikosh vetë parimet që sjell dhe të bëhesh model i përsosur i kauzës tënde! Në histori ka sa e sa njerëz të quajtur të mëdhenj që kanë sjellë sisteme dhe ligje, por që nuk janë pranuar sepse nuk i kanë jetuar vetë thëniet dhe pretendimet e veta, nuk i kanë vënë dot në zbatim kauzën dhe sistemin e vet ose nuk i kanë mbajtur dot për një kohë të gjatë në këmbë, si dhe nuk kanë gjetur dot përkrahës të sinqertë, të plotë dhe besnikë. Dhe shihni, tani, namazet që ka falur ai Individualiteti që u thoshte të tjerëve “falni namaz”, pasurinë që ka dhuruar ai që u thoshte të tjerëve të jepnin zeqat (taksa), agjërimet e atij që u thoshte të tjerëve të agjëronin, dhe qëndrimin ndaj haramit (gjërave të këqija, të palejuara, të pabekuara, të ndaluara) të atij që dilte kundër haramit!

9. Njeriu zhvillohet fizikisht gjer në moshën 18 vjeç, kurse tharmimi i shprehive, karakterit dhe moralit fillon në moshë shumë të vogël. Pastaj shprehitë, karakteri dhe morali zhvillohen gjer në pubertet, zënë rrënjë në periudhën e rinisë dhe, pas moshës 30 vjeçe, marrin formë përfundimtare duke u kthyer në veti tipike. Ndryshimi i moralit dhe karakterit pas moshës 40-vjeçare pa një operacion të gjerë kokë-zemër është po aq i vështirë sa do të ishte ndërrimi i lëkurës! Tani le ta shohim Profetin: gjer në moshën 40 vjeç ka jetuar si i besueshëm, i ndershëm e i virtytshëm, duke i bërë të gjithë t’ia pranojnë dhe pohojnë drejtësinë dhe ndershmërinë. Po qe se, mos e dhëntë Zoti, do të bartte ndonjë ves a karakter të keq të bashkëlindur, kjo do t’i dilte në shesh nën ndikimin e moshës së rinisë. Eshtë e pamundur që shprehitë e ngulitura gjer në moshën 40-vjeçare të ndryshojnë si me thikë. Dhe tani, a mund të mendohet që dikush i cili s’ka gënjyer kurrë gjer më 40 vjeç, të nisë, pas kësaj moshe, papritmas, të gënjejë?

10. Eshtë mjaft e vështirë që një njeri gënjeshtar, fals dhe joserioz të gjejë një shok të mirë e të moralshëm për të bërë një bisedë, jo më të ketë shokë që të japin me gjithë dëshirë ç’kanë e ç’nuk kanë e të bëjnë fli jetën për të! Dhe shihni ju, tani, përreth tij, sahabet, shokët me të cilët ai, pavarësisht nga mundimet dhe vështirësitë, e kreu misionin e tij profetik, pas tyre, tabiinët, ndjekësit dhe, pas tyre, mijëra dhe miliona njerëz të urtë e të shquar, specialistë të çdo dege të shkencave dhe miliona shpirtra të ndriçuar të grumbulluar rreth këtyre njerëzve gjigantë! A është e mundur, vallë, që kaq shumë njerëz të mblidhen bashkë rreth një çështjeje kontradiktore?

11. Po qe se edhe ky Individualitet, Zoti mos e dhëntë, s’është profet, atëherë s’mbetet gjë për t’u thënë për profetësinë e asnjë profeti tjetër. Sepse mesazhi i ofruar nga të gjithë profetët e tjerë, mrekullitë e treguara dhe shenja e lënë prej tyre janë një gjë pakrahasimisht e pakët dhe e vogël ndaj veprës së Kryeprofetit!

12. Eshtë e pamundur që të dalë dikush tjetër me kauzën dhe veçoritë e tij, sepse është Allahu që na e ka mësuar neve këtë sfidim. Ai i fton njerëzit kështu në Kur’an: “Po qe se keni ndonjë dyshim mbi atë që i kemi zbritur robit Tonë, ejani dhe silleni edhe ju një sure si ato...” (Bakara, 2:23) Dhe ka mbi katërmbëdhjetë shekuj që askush nuk i është përgjigjur kësaj sfide!

13. Më në fund, si është e mundur që një njeri që nuk thotë gënjeshtër para njerëzve, të thotë para Zotit? Si është e mundur t’i paraqesë fjalët e tij si fjalë të Zotit?