Edhe jeta e Hz. Muhammedit para profetesise eshte argument i profetesise se tij

1. Ngjarjet e jashtëzakonshme që shoqëruan ardhjen e tij në këtë botë, vëzhgimet e të afërmve në periudhën e fëmijërisë dhe kuptimet e nxjerra në lidhje me të nga njerëz me aftësi për të hyrë në thelbin e fshehtë të gjërave, s’ishin gjë tjetër veçse shprehje kuptimplote të faktit se në të ardhmen ai kishte për të hyrë nën përgjegjësinë e një detyre të madhe.

2. Në periudhën gjer në profetësi, ai pati dalë vazhdimisht kundër dhunës dhe padrejtësisë dhe, duke marrë pjesë aktivisht në një shoqatë si Hilful Fudul që mbronte viktimat e padrejtësisë, qe pozicionuar në krah të të dobtëve dhe atyre që kishin pësuar padrejtësi.

3. Gjer në 40 vjeç ai s’pati jetuar me madhështi dhe salltanet, përkundrazi, pati mbetur jetim qysh në moshë të vogël, qe rritur nën mbrojtjen dhe kujdesin e gjyshit dhe xhaxhait dhe s’ishte aq i fuqishëm si person, pasuri dhe përkrahës.

4. Me gjithë prostitucionin e përhapur në mjedisin e tij, ai e pati ruajtur nderin, virtytin dhe dinjitetin në shkallën më të lartë. Vetë ai tregon se si, duke shkuar për herë të parë në një dasëm, e kishte zënë gjumi në rrugë. Kur ishte 25 vjeç, pra, në lulen e moshës, në kulmin e zhvillimit e të bukurisë rinore, u martua me zonjën Hatixhe, një e vejë 40-vjeçare dhe me fëmijë. Dhe rrëfehet se skuqej si një vajzë që po bëhej nuse. Gjithsesi, ky duhej të ishte i riu-përmendore nderi dhe virtyti që u shkonte në çastin e parë ndërmend atyre që, ndërsa do të largoheshin për një farë kohe nga vendi për arsye të ndryshme, kërkonin njeri të besuar për t’ia lënë amanet familjen!

5. Në periudhën para profetësisë nuk pati ndodhur kurrë që dikush të bëhej dëshmitar se ai gënjeu, tradhtoi apo nuk e mbajti fjalën. Lidhur me këtë çështje, askush, përfshi edhe armiqtë e tij, nuk tregojnë ndonjë rast, përkundrazi, të gjithë pohojnë njëzëri dhe pa lëkundje se ai kurrë nuk pati gënjyer, nuk pati tradhtuar apo nuk e pati mbajtur fjalën! Edhe armiqtë më të tërbuar të tij e quanin Muhammed Emin, i Besueshmi. Gjatë meremetimit të Qabes, fiset patën rënë në mosmarrëveshje se kujt i takonte ta vendoste Gurin e Zi në vend dhe acarimi mes tyre pati ardhur në pragun e përleshjes me armë. Atëherë, i caktuar njëzëri prej fiseve si gjykatës i çështjes, Muhammedi e pati zgjidhur në një mënyrë shumë të thjeshtë e paqësore si mënyrën e vendosjes së gurit, ashtu dhe grindjen mes fiseve. Ai pati shtruar rrobën e vet përtokë, pati vënë në mes të saj Gurin e Zi dhe u pati thënë përfaqësuesve të fiseve ta kapnin rrobën nga një cep për ta bartur të gjithë së bashku gjer në vend. Pastaj, në mur e pati vendosur vetë. Kështu e pati zgjidhur ai këtë çështje të vështirë!

6. Edhe fakti që, pas ditëve të kaluara plot ankth në shpellën e bekuar të Hira-s, ai u shfaq i ngarkuar me një kauzë të madhe, është një nga argumentet e rëndësishme të profetësisë së tij. Sepse të gjithë e dinin se ai ishte i pamësuar, s’dinte as të shkruante, as të lexonte, pra, në jetën e tij s’kishte mësuar prej askujt asgjë! Fakti që, pas kalimit të muajve të tërë i vetëm, i mbyllur në një shpellë, ai doli para njerëzve me një shprehje që sfidonte poetët dhe oratorët, tregon se deklarata e mrekullueshme që kishte në dorë ishte hyjnore. Pas një përgatitjeje të tillë sublime u shfaq ai në horizontin e Mekës dhe u vu ta përhapë kauzën e tij.

7. A është e mundur që një njeri, qysh nga fëmijëria gjer në moshën 40-vjeçare, të jetë model i drejtësisë, ndershmërisë, fjalës, besnikërisë dhe moralit të lartë dhe këto cilësi t’i jenë kthyer në shprehi dhe atribute dhe, pastaj, menjëherë të ndryshojë?

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.