Transformimet e kryera nga Hz. Muhammedi ne çdo fushe janë argumente te profetesise se tij

1. Ç’ mund të jetë përgjigjja që mund t’i jepet pyetjes “cili është profesioni më i rëndësishëm, më i nevojshëm, më i vështirë e më i dobishëm në botë?” A mos është administrimi profesioni që i mbledh në vetvete këto katër veçori, apo politike, apo gjykatësia, hetuesia, avokatia, ushtria, policia? A mos është bujqësia, artizanati, tregtia, apo mësuesia, shkenca, prijësia shpirtërore, mësuesia fetare? Po t’i pyesni ata që kanë një profesion, secili do të zërë t’ju flasë për nevojën, dobitë, vështirësitë dhe rëndësinë e profesionit të vet. Sigurisht, çdo profesion ka, sipas tij, dobinë, rëndësinë, vështirësinë dhe domosdoshmërinë e vet, por, ndërkaq, thelbi dhe baza e çdo profesioni dhe veprimtarie duhet të jetë, pa asnjë diskutim, elementi njeri, domethënë, rritja e individit dhe përgatitja e tij për t’u bërë i dobishëm.

2. Për të rritur dhe përgatitur “njeriun e veçantë (të zgjedhur)”[1] që është shtylla qëndrore e shoqërisë, para së gjithash duhet që edukuesi të jetë i veçantë (i zgjedhur) dhe i përsosur në aftësi dhe moral. Veç kësaj, edukuesi duhet të jetë në gjendje që ligjet e krijimit të individit që merr në dorë, natyrën e tij, aspektin psikologjik, strukturën shpirtërore, aftësitë dhe mundësitë, kulturën dhe botëkuptimin, botën ndjesore, ndjenjat, mendjen dhe veçorinë e të menduarit, prirjet dhe dëshirat, dobësitë dhe anët e dobëta, pozitën shoqërore dhe, më të rëndësishmen prej këtyre, veçoritë që ka për të fituar në të ardhmen, fushat ku do të mund të bëhet i suksesshëm dhe produktiv, shkurt, edukuesi duhet të jetë në gjendje ta lexojë si një libër dhe ta kuptojë njeriun me të gjitha aspektet e tij. Pastaj, as ky përkufizim dhe analizë nuk janë të mjaftueshëm. Eshtë me mjaft rëndësi të orientohen dhe drejtohen individët duke marrë vendimin më të qëlluar pa i ngatërruar dhe harruar të gjitha këto aspekte të secilit individ, në kohën dhe vendin e vet, sipas bashkëbiseduesit dhe gjendjes së tij, duke thënë atë që duhet thënë dhe duke mbajtur qëndrimin më të përshtatshëm dhe duke marrë vendime ku të jenë llogaritur përfundimet. Përtej kësaj, pas njohjes në mënyrën më të mirë të çdo individi një e nga një dhe pas zgjedhjes dhe përcaktimit të sjelljes së përshtatshme dhe mënyrës së bisedimit me secilin prej tyre, t’i fshish me metodat më pozitive moralin dhe veset apo shprehitë e këqija të pranishme te çdo individ, ta kalosh çdo individ nëpër operacionin e kokës dhe zemrës duke futur në llogari efektet anësore dhe reaksionet e mundshme, ta pastrosh prej të gjitha mikrobeve dhe tumoreve të këqija dhe, pas të gjitha këtyre, të bësh që grafiku i nxënësit të marrë prej niveleve të ulta, të ndjekë vazhdimisht një vijë ngjitëse duke e pajisur me shprehitë më të larta por pa kaluar në ekstremin tjetër, pra, pa e tepruar, ashtu siç bën bujku që, për të marrë prodhime të mbara, pasi e ka përgatitur siç duhet tokën për mbjellje dhe ka hedhur farën më të zgjedhur, ia pastron barërat e këqija që bima të rritet e shëndoshë, të gjitha këto përbëjnë një çështje të veçantë me rëndësi jetësore, ndjekjen e vazhdueshme të edukimit të personit dhe kujdesin për të.

3. Besimi i një njeriu mund të duket i shëndoshë, por është pa adhurim. Flet për atdhedashurinë, por as veten s’e shpëton dot nga sëmundja e rushfetit. Eshtë i hollë në sjellje, i edukuar, por ç’e do që nuk është i ndjeshëm kur vjen puna për ta mbrojtur mallin dhe pasurinë e popullit. Pastaj, mund t’i ketë mbledhur në vetvete të gjitha llojet e moralit të bukur, por ç’e do se ky moral nuk i është qëndisur në mendje dhe zemër, për rrjedhojë, nuk i është kthyer në pjesë të pashkëputur të personalitetit. Duke qenë kështu, atë që fiton sot, mund ta humbë nesër, ndërsa sot duhet, nesër mund të kthehet në person të padëshiruar ose të neveritur. Dhe tani mendoni një njeri që beson, që i bën të tjerët të besojnë dhe i ngrë peshë zemrat besimtare me të gjitha llojet e adhurimit. Thotë “moral”, e jeton vetë dhe i bën edhe të tjerët ta jetojnë dhe pastaj siguron vazhdimësinë e të gjitha këtyre me të njëjtën dëshirë gjer në varr. A mund të dyshohet, vallë, në faktin se ky njeri bart një fuqi të shenjtë? Zoti na ruajttë! Ja, pra, Edukatori më i madh i njerëzimit i ka bërë të gjitha këto punë dhe ka përgatitur individët më të përsosur dhe me këta individë që njerëzimi ndoshta s’ka për t’i parë edhe një herë tjetër, formoi shoqërinë më të përsosur. Në këto kushte, nëse ai s’është profet, kush mund të jetë?

4. Një tjetër specifikë e rëndësishme në edukimin e individit është mospërdorimi i detyrimit. Sanksionet ndëshkimore, masat shtrënguese, forcat ushtarake dhe policore mund të jenë të efektshëm vetëm gjer në një shkallë, vetëm se mund t’i hapin rrugë lindjes ndër zemra të ndjenjës së urrejtjes kundër sistemit dhe vlerave që kërkohet t’u dilet për zot dhe të mbrohen. Prandaj, të hysh në zemra, t’i bësh ndërgjegjet ta bëjnë të vetën çështjen, ta qëndisësh atë në mendje e në zemra dhe, po qe e mundur, ta bësh të dashur, është esenciale në përgatitjen e individëve në emër të kauzës që mbrohet. Dënimet dhe masat shtrënguese ndoshta mund të zbatohen, pasi kauza të jetë përvetësuar me të gjitha aspektet e saj, kundër atyre që përpiqen të kthehen mbrapsht dhe atyre që i lënë aftësitë t’u atrofizohen. Sepse tharmi dhe eliksiri që ua fusin individëve në shpirt kauzën si në fillim, ashtu dhe në fund, duhet të jenë gjithmonë afërsia, dashuria, dhembshuria dhe mirëkuptimi dhe vetëm në çastet kur është tejet e domosdoshme, mund të përdoren kudhra dhe çekiçi!

5. Po, është e pamundur të tregosh një njeri të dytë i cili, elementin njeri, atë qenien më komplekse që është objekt studimi i universiteteve me qindra degë dhe i mijëra specialistëve, ta kuptojë më mirë se Profeti ynë, ta mbrujë dhe përgatisë më mirë se ai, t’ia lërë vendeve e kohëve si model dhe personat që përgatiti, t’i bëjë mësues dhe prijës për popujt e qytetëruar!

6. Eshtë sheshit se sa e vështirë është t’i ndërrosh apo ndryshosh besimet, bindjet, sidomos bestytnitë dhe idetë fikse të shtresuara në mendje e në zemër. Pa le t’i bësh njerëzit që i kanë kaluar të dyzetat, t’i braktisin bindjet e gabuara dhe bestytnitë, që është më e vështira e të vështirave! Mirëpo këtë punë nga më të vështirat arriti ta bëjë Kryeprofeti i cili, nga njerëzit e egër, kokëfortë, kundërshtues dhe që u pëlqente vetja, nxori udhëzuesit më të shquar të njerëzimit.

7. Profeti ynë hyri në zemra pa përdorur kurrë kërcënim, detyrim, frikësim dhe shtrëngim. Ai ngriti fron në skajet më të zgjedhura të zemrave dhe i bindi mendjet duke mënjanuar dhe fshirë dyshimet. Kurrë gjatë jetës së tij s’u vu re që ai të përdorë shtrëngimin dhe urdhërimin nga lart. Fundja, po të kishte përdorur kërcënimin dhe detyrimin, as që mund të mendohet që Feja e sjellë prej tij të arrinte gjer në ditët e sotme duke kapërcyer shekujt, sidomos të përhapej me një shpejtësi të panjohur në histori dhe të bëhej nëna e qytetërimeve. Asnjë sistem mendimi dhe besimi s’mund të vendoset duke këputur koka e duke copëtuar zemra; edhe nëse vendoset përkohësisht me këto mënyra dhe mjete, është tejet jetëshkurtër. Ata që kanë përdorur forcën dhe shtypjen, janë shembur dhe kanë marrë fund së bashku me sistemet që kanë ngritur, duke mbetur përgjithmonë në faqet e errta dhe të zeza të historisë!

8. Personat që dalin në shesh me ndonjë kauzë çfarëdo, shpesh u premtojnë partnerëve gjëra me karakter temporal,[2] si pushtet, pasuri, post, pozitë, etj. Por Kryeprofeti që gjatë gjithë jetës s’pati shijuar gjë tjetër veç papasjes, urisë, ankthit e vuajtjes, nuk bëhet fjalë t’u ketë premtuar të tjerëve gjëra të tilla, por për vete i pati hedhur poshtë me vendosmëri të gjitha premtimet e këtij lloji që i qenë bërë vazhdimisht në Mekë, duke parapëlqyer miratimin e Zotit dhe shpërblimin shpirtëror! Shihni familjen dhe shokët e tij që patën parapëlqyer pa asnjë ngurrim skamjen ndaj kamjes, thjeshtësinë ndaj popullaritetit dhe famës, jetën e pasosur ndaj kësaj bote!

9. Një person i pasinqertë në çështjen apo kauzën e tij dhe që s’është profet, e ka të pamundur jo më të hyjë në zemrën e armiqve e t’i bëjë t’i besojnë drejtësisë së tij, por as t’ua fitojë zemrat miqve dhe të marrë mbështetjen e tyre, madje as të krijojë një mjedis miqësor rreth vetes! Kurse Profeti ynë, pa përdorur asnjë lloj detyrimi, me dhembshurinë, mëshirën, dashurinë, mirëkuptimin dhe ndjenjën e faljes që e karakterizonin, pati triumfuar zemrat jo vetëm të miqve, por edhe të armiqve që kishin nxjerrë shpatën kundër tij, si Ebu Sufjan, Ikrime, Halid, Vahshi, Hind, Amr dhe Safvan.

10. Ta zëmë se jeni mësues në një shkollë ose drejtues në krye të një institucioni. Qëllimi juaj është të hyni në zemrat e nxënësve ose punonjësve, t’ua përçoni mesazhin tuaj mendjeve dhe zemrave të tyre dhe, për t’i arritur këto, jeni gati të pranoni çdo lloj vështirësie, t’u vini gjoksin të gjitha fyerjeve, dëmeve moralo-materiale dhe rreziqeve. Dhe, tani, pasi keni vendosur kështu, provojeni veten duke supozuar se njerëzit me të cilët keni të bëni, kur kaloni pranë tyre, ju pështyjnë në fytyrë, kur jeni në sexhde, ju hedhin fëlliqësira mbi kokë, herë pas here ju japin ndonjë shpullë, në rrugën nga kaloni, ju shtrojnë ferra ose hedhin gurë, ju presin në qoshet e rrugës ose të shtëpive kërcënues me kama në duar, mes popullit tallen me ju dhe ju vënë në lojë, shpifin për familjen tuaj, ju vrasin të afërmit duke ua nxjerrë zemrën dhe mëlçinë jashtë për t’ua copëtuar, jua vrasin shokët e ju plagosin ju vetë dhe, më në fund, ju detyrojnë ta braktisni vendlindjen... Ç’do të bënit po qe se do të ndodhte me të vërtetë kështu me ju? A do bënit lëshim, a do të tregonit dot durim? A do të vazhdonit dot në rrugën tuaj pa pësuar as lëkundjen më të vogël? A do t’u përgjigjeshit dot me mirëkuptim dhe falje këtyre trajtimeve duke e vazhduar dashurinë, dhembshurinë dhe mëshirën ndaj tyre? A do të luteshit dot për ta, “O Zot, fali se s’dinë dhe futi në rrugë të mbarë”? Për më tepër, a do të ktheheshit përsëri mes tyre pasi të kishit rrokur qiejt e të kishit soditur parajsën? Kështu, pra, të mos e pranosh profetësinë e atij Individualiteti që nuk u tund kurrë para të gjitha fyerjeve e torturave e që, me mëshirën, dashurinë, dhembshurinë dhe mirëkuptimin e palëkundshëm të tij, njerëzit më të egër i ktheu në njerëz model, është një mijë herë punë e keqe dhe verbëri!

11. Po të merrni të shqyrtoni jetën e sahabeve, shokëve të Profetit, do të shihni se si e kërkonin vdekjen në shërbim të fesë që kishte sjellë ai Personalitet, se si e prisnin vdekjen duke qeshur në fushën e luftës, se si e nënvleftësonin jetën e kësaj bote dhe vini re se si, nga 80-vjeçari te fëmija, nga burri te gruaja, bënin garë për të rënë dëshmorë. Të mendosh për falsitet në një çështje që e bën kaq të dashur vdekjen, që i bën ndjekësit e saj ta kërkojnë vdekjen e të vrapojnë të apasionuar pas saj, do të thotë të mos e dish se ç’është e drejta dhe e vërteta!

12. Sigurisht, për ta bartur dhe çuar më tej një kauzë, është shumë e rëndësishme të përgatitësh ndihmësit që do t’i vënë supet asaj. Ndërkaq, është, të paktën, po kaq e rëndësishme të sigurosh që këta ndihmës të qëndrojnë atje ku ua do puna me durim, qëndresë dhe vendosmëri edhe në kohët më të vështira, atëherë kur shqetësimet, vuajtjet, ankthet, ngatërresat dhe fatkeqësitë të vërshojnë si lumë. Historia tregon për shumë e shumë raste shthurjeje e disfate në kushte të tilla. Kurse e njëjta histori flet vetëm për durimin, qëndresën dhe vendosmërinë e sahabeve, shokëve dhe ndihmësve të Profetit në kauzën e përbashkët.

13. Njerëzit e drejtë e të ndershëm janë mjaft të sinqertë në dashuri dhe respekt. Njeriu që duan këta, është me të vërtetë i denjë për atë dashuri dhe respekt. Dhe po qe se kjo aureolë dashurie premton për të qenë e vazhdueshme në këtë botë dhe e orientuar për në botën tjetër, e këtyre përmasave është edhe vlera e njeriut që duhet. I Dërguari i Allahut, i cili është bërë fokusi i dashurisë së miliona dhe miliarda njerëzve, është njeriu më i dashur ndër njerëzit që kanë ardhur e shkuar nga kjo botë. Dhe kjo, vetëm si rrjedhojë e profetësisë së tij. Po të mos ishte profet, ai përsëri do të duhej dhe duhet, por atëherë kjo dashuri nuk do të vulosej me vulën e përjetësisë!

14. Çdo komb bën të vetat idetë dhe idealet e parashtruara e të sugjeruara nga mendimtarët e vet, synimet e caktuara prej tyre. Këto shfaqen të dobëta apo të fuqishme, modeste apo aktive, të fshehura apo të hapura në botën mendore, në shtyp, përgjithësisht në mjetet e informacionit masiv dhe në jetën shoqërore e politike të atij kombi. Por arritja e një uniteti ideor dhe ideal në përmasa kombëtare si në cilësi, ashtu dhe në sasi, mund apo s’mund t’u ketë rënë në pjesë në histori një numri kombesh sa gishtat e dorës.[3] Më e rëndësishme se kjo, mundësia për ta mbajtur këtë unitet besimi dhe ideali jetëgjatë dhe të gjerë sa të kapërcejë shekujt dhe kontinentet, dhe për ta treguar në praktikë, i pati rënë në pjesë bashkësisë së bekuar të formuar prej atij Personaliteti mëse katërmbëdhjetë shekuj më parë dhe qe arritur në sajë të përpjekjeve të asaj bashkësie për t’ua bërë të njohur emrin e Allahut të gjithë njerëzve “me zemër” dhe për t’i ngopur ata njerëz me të vërtetat e amshuara dhe me jetën e amshuar. Kështu qe formuar historia dhe qe mbushur me fitoret e këtij ideali. Dhe tani, ju, nëse nuk do ta shihni të denjë për profet Individualitetin që ndezi ndër zemra këtë ideal sa në përmasa cilësore, aq dhe sasiore, kë do të shihni?

15. Ka ndodhur dhe ndodh që ne, si mësues, shërbyes fetar, administrator ose, thjesht, baba, herë pas here të mbetemi të paaftë para pyetjeve shumë të zgjuara të fëmijëve dhe nxënësve tanë të vegjël. Veçanërisht, është e qartë se pyetjet që na duhet t’u japim personave me kultura dhe mendësi të ndryshme, do të ndryshojnë sipas gjendjes së tyre. Në raste të tilla, shpesh nuk arrijmë dot ta bindim bashkëbiseduesin dhe ndjejmë nevojën për të studiuar lituraturë dhe bibliografi. Ndërkaq, edhe pyetjet që kemi mundur t’u përgjigjemi, u përkasin, përgjithësisht, çështjeve të fushave tona. Kurse Profeti, megjithëse s’dinte shkrim e këndim, u përgjigjej të gjitha pyetjeve të çifutëve, veçanërisht, edhe pyetjeve të beduinëve dhe sahabeve u përgjigjej në atë mënyrë që i bindte si mendje dhe i ngopte si zemër. Dhe kjo ishte një mënyrë e tillë përgjigjeje që i mënjanonte dyshimet e çfarëdo niveli që do të lindnin për të njëjtën çështje shekuj më vonë. Bie fjala, mënyra e faljes së namazit në polet me gjashtë muaj ditë e gjashtë muaj natë zgjidhej qysh me përgjigjen e dhënë njerëzve të asaj kohe. Dhënia e përgjigjes në këtë mënyrë, edhe për sot, edhe për nesër, edhe për të ardhmen e largët dhe për të gjitha nivelet është një punë që mund ta bëjë vetëm njeriu që është profet dhe Ai e ka bërë këtë ashtu siç duhet!

16. Aftësia konceptuese, rrokëse, parashikuese dhe parandjerëse[4] janë cilësi që ndodhen te pak njerëz. Ta shohësh të ardhmen, t’i zbulosh dhe njohësh shumë mirë njerëzit që ke përreth me të gjitha veçoritë e tyre, duke ua parandjerë aftësitë, mundësitë, dhuntitë dhe talentet,[5] t’i vësh në punë secilin në fushën më të përshtatshme për të, atje ku ai mund të japë rendimentin më të lartë pa ndjerë nevojën, pastaj, për të thënë “s’doli gjë, s’bëri gjë” dhe për të bërë ndryshime, të gjitha këto janë shprehje të një parandjenje, kuptimi dhe njohjeje tejet të thellë e të qëlluar. Ndërkaq, po qe se kjo aftësi parandjenjeje, kuptimi dhe njohjeje vazhdon të ekzistojë dhe veprojë gjatë gjithë jetës pa treguar asnjë shmangie ose gabim, do të thotë se personi me këto cilësi ka një zgjuarësi të nivelit të gjeniut. Më tej, po qe se kjo cilësi është e tillë që të përfshijë gjithë jetën, bëhet një mrekulli. Ja, e tillë ka qenë zgjuarësia e Profetit. Të gjitha cilësitë tek ai kanë qenë tërësisht përsosmërisht mrekullore!

17. A nuk janë dëshmitarët më të pakundërshtueshëm të profetësisë së tij, së bashku me bashkësinë e sahabeve që u patën dhënë dritë shekujve, që u patën shërbyer tërë kombeve si mësues shkence, ideje, administrimi e qeverisjeje, politike, sociologjie, ekonomie, shkurt, mësues të çdo fushe, dhe që kanë ngritur qytetërime, pra, bashkë me sahabet, edhe personalitete të tillë si Ebu Hanife, Shafii, Bistami, Gejlani, Rabbani, edhe tabiinët, tebei tabiinët[6] dhe brezat e ndritshëm të mëvonshëm?

18. Eshtë mjaft e vështirë ta bësh një njeri t’i braktisë zakonet dhe shprehitë e ngulitura në shoqëri. Lërini pijet alkoolike, bixhozin, prostitucionin, mitën (rushfetin), mashtrimin, vjedhjen dhe krimin, sot konsiderohet sukses i madh ta bësh një njeri ta lërë cigaren! Megjithë këmbënguljen e predikuesve dhe shkencëtarëve për t’i bindur njerëzit për dëmet e tyre, si duhani, edhe alkooli, edhe bixhozi nuk po lihen. Ç’nevojë kemi për të shkuar më tej? A jemi në gjendje t’i pakësojmë tri vakte ushqim në dy, t’i braktisim pijet joalkoolike të shtrenjta, madje, kafen dhe çajin, apo të heqim dorë nga llojshmëria e veshjes?

Po le të shkojmë edhe në atë Shekull Drite dhe të bëhemi dëshmitarë sesi ai Personalitet i cili, megjithëse s’ishte pushtetar dhe sundues, megjithëse nuk përdori asgjë urdhër dhe shtrëngim, se, fundja, as që kishte mundësi të urdhëronte dhe shtrëngonte kënd, hoqi nga individët dhe fiset e mëdha e të ndryshme që u ishin rrënjosur në gjak zakonet, shprehitë dhe veset, që ishin jashtëzakonisht kryeneçë, fanatikë, të egër dhe të lidhur gjer në fund pas traditave, brenda një kohe të shkurtër, me fare pak përpjekje e këmbëngulje, jo një e pesë, por, ndoshta, me dhjetra dhe qindra zakone e vese të këqija. Përtej edhe kësaj, shohim se, duke mos u mjaftuar vetëm me heqjen e zakoheve dhe shprehive të këqija, nguliti me lehtësi, sikur të injektonte serum, të gjitha llojet e moralit të bukur. Dhe, pas kësaj, a s’na bie ne të ulemi me duar në prehër para tij e të themi “esh’hedu enneke Resulullah”, “dëshmoj se ai është i dërguari i Allahut?”

Po, Personaliteti i cili është autori i veprimtarisë së përshkruar më sipër, është figura e vetme dhe unikale, për të cilin historia nuk tregon ndonjë shembull të dytë!

19. Ju kërkoni të pajtoni dy vëllezër që rrinë të zemëruar me njëri-tjetrin qysh prej tre vjetësh. Ose keni dy fqinj që janë grindur dhe ju duhet t’i afroni. Ose jeni para një grupi shoqëror ose shoqërie, individët e të cilit janë vrarë me njëri-tjetrin për shkaqe politike e ideologjike. Ose jeni brenda një grupi shoqëror ose shoqërie të bërë copë-copë nga gjaqet që vazhdojnë prej vitesh... Ja, pra, në këto kushte, si mund të sigurohen paqja, vëllazëria dhe bashkëjetesa njerëzore?

Po të kthehemi mëse katërmbëdhjetë shekuj pas në shekullin e Tij, do të na dalë para një shkretëtirë e egër dhe, në të, grindjet e pambaruara mes fiseve, luftimet mes tribuve, konkurrenca mes gjaqeve familjare, degë gjenealogjike vëllazërore të ndara më dysh nga hakmarrjet e gjakut dhe kontradikta me bazë kusarish e punësh të ulta që mezi presin të mbarojnë muajt e ndaluar për të rifilluar përleshjet. Gjithashtu do të shohim femrat të shiten në treg si një mall i zakonshëm, të bëhen lodra epshi dhe vajzat e vogla të groposen përsëgjalli. Veç këtyre, do të shohim të dobëtit dhe të varfërit të shtypen gjer në fund, tregun të mbahet nën presionin e kamatës, akaparimit dhe korrupsionit, vlerën e njerëzve të përcaktohet sipas gjakut, prejardhjes dhe fisit, përhapjen e pakufizuar të çdo lloj shpërdorimi dhe forcën të bëhet ligj. Dhe tani le të shohim atë Personalitet pa shkrim e këndim, në kushte të tilla dhe brenda një kohe të shkurtër 23-vjeçare, t’i qytetërojë ato fise të egra, të nxjerrë nga ato egërsira, modele të mëshirës dhe dhembshurisë që druhen të vrasin edhe një milingonë, t’i kthejë ata njerëz që grabisnin mallin e njëri-tjetrit, në njerëz-engjëj që e ndajnë me gjithë zemër dhe tërë gëzim me vëllanë gjithçka që kanë dhe që, para se të ngopen vetë, kërkojnë të ushqejnë dhe ngopin vëllanë... E, pra, para gjithë kësaj përmbysjeje gjigande, a s’do të themi edhe një herë “Muhammedun Resulullah”, “Muhammedi është i Dërguari i Allahut”?

20. E pse të duket e papranueshme profetësia e një personi që i përfshin të gjitha kohët dhe vendet, që i zgjidh çdo personi çdo çështje dhe të gjitha çështjet e të gjitha shtresave, që mundet ta trajtojë të gjithë jetën me të gjitha aspektet e saj, që është i pastër nga të meta të tilla si zbehja e vlerave dhe e personalitetit, zhvlerësimi me kalimin e kohës, pamjaftueshmëria dhe nevoja për rikuperim, që e fillon vënien në jetë të një sistemi gjithëbotëror me një burrë, me një fëmijë, me një skllav dhe me një grua dhe e vendos plotësisht brenda një kohe të shkurtër prej 23 vjetësh?

21. Po qe se s’është e mundur të tregohet një njeri i dytë i cili, me Kur’anin dhe traditën e tij profetike, u shërben si model jete miliona njerëzve, i cili, i përshkruar në mijëra libra, ka zënë dhe vazhdon të zërë vend për të mos u fshirë kurrë në mendje dhe në zemra, në personin e të cilit, në transformimet që kreu dhe në asnjërin prej parimeve që solli nuk tregohet as gabimi më i vogël, as e meta më e parëndësishme, as pasaktësia më pak e dukshme, emri i të cilit i njoftohet tërë botërave pesë herë në ditë në çdo pikë të globit, dhe s’është e mundur të tregohet, atëherë, a s’na takon që edhe një herë tjetër të ulemi me duar në të lidhura në brez për të thënë “ve esh’hedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu”, “dhe dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i dërguari i Allahut”?

22. Siç do të trajtohet më tutje, njëri prej dëshmitarëve më të mëdhenj të profetësisë dhe drejtësisë së tij është koha. Ashtu siç e ka kryer këtë dëshmi e kaluara me një shkëlqim si të diellit, ashtu dhe e ardhmja do të njoftojë dhe dëshmojë për të me një shkëlqim si të diejve. Madje agimi i pranverës së të ardhmes e grisi perden e natës dhe nisi të zbardhë. Sigurisht, ndërsa shkohet drejt shekullit XXI, kalimet si ortek në Islam në Europë dhe në zonat e tjera të botës, formimet e reja dhe shembja një nga një e të gjitha izmave të mbështetura në materializëm a nuk janë sihariqe të reja të kësaj pranvere të re?

23. Librat e shumë shkencëtarëve dhe mendimtarëve vendas e të huaj, miq e armiq, të vdekur e të gjallë janë plot me miratime dhe admirime në çështje të tilla si personaliteti i tij, morali, suksesi në zgjidhjen e vështirësive, përsosmëria e rendit dhe rregullit që solli si dhe nevoja e njeriut të sotëm për të!


[1] Në origjinal: mustesna, përjashtues; i veçantë dhe i zgjedhur. Siç dihet nga psikologjia dhe filozofia, individi njerëzor karakterizohet, para së gjithash, nga papërsëritshmëria e individualitetit të tij, gjë që, njëkohësisht, është ajo që e dallon atë nga të gjitha gjallesat e tjera dhe e bën epror mbi to. Prandaj, edukim i vërtetë, shkencor dhe me rezultat është ai që përgatit individë të dallueshëm e të papërsëritshëm, kurse edukimi që vë si synim të përgatisë individë të ngjashëm ose kopje të njëri-tjetrit, është i dënuar të dështojë, ashtu siç është vërtetuar kjo gjë vazhdimisht në histori.

[2] Në origjinal: dünyevî, temporal, material dhe që i përket kësaj bote, jo shpirtëror.

[3] Në origjinal është përdorur fjala arabishte milet që ka dhe përdoret në disa kuptime: popullatë, popull, fis, komb. Ne përdorëm këtu fjalën dhe kuptimin komb duke pasur parasysh konceptin shkencor të kësaj fjale, meqë në këtë paragraf bëhet fjalë për çështjen e unitetit të mendimit dhe qëllimit që është treguesi kryesor cilësor që e çon një njësi etnokulturore drejt formimit kombëtar dhe e karakterizon kombin duke e dalluar atë nga popullata dhe populli që është një bashkim jo esencial dhe përmbajtësor njësish etnokulturore të emërtuara si fise, pakica kombëtare, popullata dhe popuj. Ndërkaq, autori e ka fjalën për bashkësinë që formoi profeti Muhammed rreth besimit islam dhe fesë islame ku marrin pjesë aktualisht popuj dhe kombe të ndryshëm dhe jo për një komb të caktuar, të formuar mbi bazën e unitetit racor dhe etnokulturor. Dhe në histori nuk njihet ende ndonjë komb që të jetë formuar mbi unitetin e besimit dhe as që ekziston koncepti i kombit besimor-fetar. Shtetet e mëdha ose perandoritë multikombëtare të formuara mbi bazën e unitetit fetar, politik e ideologjik janë të shumta në histori. Por këto janë tjetër gjë. Kombi është një dukuri shoqërore-historike me përmasa racore, antropomorfike, etnokulturore e hapësinore. Edhe bashkësia islame, në ecurinë e saj historike, ka pasur disa forma: uniteti shpirtëror i muslimanëve të parë në Mekë, qytet-shteti islam i Medines, kalifati islam, shtetet e sotme islame, bashkësitë muslimane si organizime nënshtetërore brenda shteteve laike, si dhe bashkësia islame botërore si një unitet besimi e ndjenje i të gjithë muslimanëve të botës.

[4] Në origjinal: basiret dhe firaset.

[5] Në origjinal: kabilijet.

[6] Sahabet: shokët e Profetit; tabiinët, bashkëkohësit dhe ndjekësit e sahabeve; tebei tabiinët, bashkëkohësit dhe ndjekësit e tabiinëve.