Kuptimi ynë mbi moralin

Mendoj se më parë duhet të merremi vesh me lexuesin mbi një sërë çështjesh, sepse mendoj që, po të mos me­rremi vesh mbi një sërë çështjesh themelore, nuk do të jetë e lehtë që ai të përfitojë nga ky libër. Me të vërtetë, duke trajtuar çështjet mbi edukimin në familje, a mund të arrihet marrëveshje me ata që nuk shqetësohen nga gru­mbulli i madh i imoraliteteve që për­jetohen sot në të katër anët e vendit tonë, në fshat e në qytet, në mjedisin e ja­shtëm e në familje?

Ç'është e drejta, ç'mund të thuhet po qe se ne jemi të këna­qur me gjendjen dhe po qe se fëlliqësitë e mjedisit to­në nuk na prekin? A mund të mendohet se diskutimi mbi çështjet morale do të ketë ndonjë dobi po qe se nuk na dridhet zemra përballë rrënimit moral të fëmijëve, nipërve e mbesave apo të të afër­m­ve e fqinjëve tanë?

Historia na tregon se asnjë shoqëri nuk ka qëndruar në kë­mbë me anë të imoralitetit. S'e di a ka ndonjë përja­shtim kjo, por nuk ka dyshim se popujt që kanë mundur të mbeten për një kohë të gjatë në këmbë pa u rrëzuar nga historia, janë ata që kanë respektuar vlerat morale!