Pajisja me moralin e Allahut

a) Edukata e të folurit

Gjithsesi, në një shtëpi, do të bisedohen punët që kanë të bëjnë me këtë botë, çështjet që lidhen me jetën. Ndërkaq, kur këto gjëra bisedohen në prani të fëmijës, duhet mbajtur para­sysh vazhdimisht prania e tij. Ndërkaq, po të ketë mun­dësi, çë­shtjet që nuk e interesojnë atë ose nuk i sjellin dobi atij, sido­mos gjërat që do ta shqetësonin atë, të mos bise­dohen në sy të tij. Sigurisht, veçoritë që do të zhvillohen në shpirtin e tij në një periudhë të caktuar, duhet të përcak­tohen shumë mirë dhe ai s'duhet të bëhet viktimë e gjërave të padurueshme për të. Kudo që të jemi, në shtëpi apo në punë, kur t'i kemi fëmijët pranë, ta­kimet dhe bisedat duhet t'i bëjmë duke pasur parasysh gjith­monë praninë e tyre.

Me sa të kemi mundësi, bisedat në sy të fëmijëve duhet t'i bëjmë mbi çështje të tilla si besimi te Allahu (xh.xh.), te të mirat e dhëna prej Tij dhe feja e tij. Parimisht, në shtëpi duhet të dis­kutohet për çështje që kanë lidhje me formimin dhe të ardhmen e fëmijëve në mënyrë që ata të rriten me vetëdijen që kërkojnë prindërit. Po qe se këto porosi pra­nohen si një recetë, një pjesë e madhe e problemeve që i përkasin të ardhmes së fëmijës ma­rrin zgjidhje që më parë. Ndërkaq, çdo periudhë e jetës së fëmi­jës do të ketë edhe problemet e veta specifike tek të cilat do të ndalemi kur t'u vijë radha.

b) Masa në bujari dhe dhembshuri

Një çështje tjetër që duam ta prekim këtu, është edhe zhvi­llimi tek fëmijët i ndjenjës së bujarisë dhe dhembshurisë, përga­titja e tyre si heronj dhembshurie. Edhe në këtë çësh­tje, rruga më e drejtë është shembulli personal. Fjala vjen, kur vjen di­kush te dera dhe shtrin dorën dhe burri me gruan dalin me du­art plot me gjëra për të dhe, me një sjellje për­vujtnie, ia dë­gjojnë me kujdes hallet, kjo bëhet për fëmijën mësimi më me efekt për edukimin e tij si njeri i dhembshur e bujar.

Ndjenja e dhembshurisë te fëmijët është edhe e trashë­gue­shme. Për shembull, disa fëmijë, qysh të vegjël, përloten shpejt. Kjo është shenjë se ata në të ardhmen do të bëhen njerëz pak a shumë të ndjeshëm, të brishtë, delikatë. Ç'ë­shtë e vërteta, disa herë fëmijët përloten për të tërhequr vë­mendjen ose për të arri­tur që t'u plotësohen dëshirat, por përlotja e ndjerë është diçka tjetër. Qoftë kështu apo ashtu, po qe se mendojmë t'i kemi ose të na bëhen fëmijët të butë, bujarë dhe të dhembshur, duhet ta bëjmë familjen një mje­dis të ngrohtë, të butë, plot dashuri dhe dhembshuri mes pjesëtarëve të saj.

Rritja e fëmijës si koprrac ose, siç thotë populli, dorë­shtrë­nguar, të dhënë pas interesave dhe mirëqenies mate­riale, mund të quhet shkak që, në vartësi të disa kushteve të caktuara, ai të bëhet egoist, interesaxhi, ambicioz, ekspansiv dhe kundër­shtu­es. Po qe se një fëmijë i tillë nuk rritet sipas moralit hyjnor, kjo gjendje përbën për të fatkeqësi si për jetën e kësaj bote, ashtu dhe për jetën e pasosur të tij.

Mëshira dhe dhembshuria janë shumë të rëndësishme. Buja­ria është shfaqje e një shpirti të tillë. Heronjtë e dhe­mbshurisë janë gjithmonë të humbur materialisht. Por bujari mund të hyjë në xhennet edhe në qoftë mëkatar apo here­tik, kurse mundësia e besimtarit koprrac për të hyrë në xhe­nnet është e ulët. Pran­daj fëmijëve u duhet zhvilluar ndjenja e keqardhjes dhe dhemb­shu­risë, u duhet shtuar ndjenja e dhënies dhe mirëbërësisë me qëllim që të mos bëhen am­biciozë e të jepen pas interesave të kësaj bote, për rrjedhojë, t'i harrojnë Allahun dhe njerëzit. Sigu­risht, do t'ia mësosh fëmijës të dhënët që të mos bëhet materia­list, që në jetën shpirtërore të lidhet pas Allahut. Ndërkaq, le ta kujtojmë edhe një herë se, të dhënët, përsa i përket vlerës si shembull personal i edukatorit, po s'u tregua praktikisht dhe po s'u mbështet edhe me fjalë, nuk ka ndikim. Kur veprojmë, fjalët që i shoqërojnë veprimet bëhen ndikuese si frymëmarrje en­gjëjsh.

c) Shpërblimi

Fëmija duhet shpërblyer në raport me suksesin që arrin. Ndërkaq, duhet të theksojmë se qoftë në çështjet e jetës be­si­more-fetare, qoftë në çështjet materiale të kësaj bote, shpër­blimi për çdo arritje ose sukses legjitim është domos­doshmëri e moralit hyjnor.

Nga ky këndvështrim, "nënë dhe baba" do të thotë pak edhe mendimtar, erudit dhe edukator. Prindërit do të dinë, do të mendojnë, do të vëzhgojnë, do të kujdesen për fëmijët dhe do të dridhen mbi kokë të fëmijëve. Sigurisht, po qe se prindërit nuk do t'u japin rëndësi fëmijëve sa ç'u japin ma­kinës, kopshtit ose arës, është e qartë se ata do të mbeten të pazhvilluar në ndje­nja e mendime ose, e thënë ndryshe, me ndjenja e men­dime të atrofizuara. Edhe në këtë rast, ashtu siç u parashtrua më lart, kur është fjala për edukimin tek fëmijët të ndjenjave të larta, duhet t'i drejtohemi burimit ba­zë që është morali i Allahut (xh.xh.). Atyre që bëjnë punë të mira, Allahu u jep në jetën tjetër xhennet, kurse atyre që bëjnë punë të këqia, ndëshkim.

Kur'ani thotë: "Po qe se falënderoni, edhe unë jua shtoj të mirat; po qe se tregoheni mosmirënjohës, ndëshkimi im është shumë i rëndë!" (Kur'ani, Ibrahim, 14/7)

Dhe, të pajisur me moralin e Allahut, do të përpiqemi që sje­lljet dhe qëndrimet tona para fëmijës t'i kemi aq të ma­tura, sa edhe Allahu të mos na shtyjë ne në vetmi!

d) Përgatitja e fëmijës për të nesërmen

Një tjetër çështje që na duket me vend ta sqarojmë në fund, është edhe kjo: Trajtimi i fëmijëve sipas moshës, nive­lit, dijeve dhe kulturës duke mbajtur parasysh edhe mjedisin ku rriten e zhvillohen. Njohuritë fetare që duhet t'i japim fë­mijës pesë vjeç, duhet t'i zgjedhim me atë metodë që zgje­dhim ushqimin me të cilin duhet ta ushqejmë në atë moshë. Njohuritë që do t'i japim fëmijës kur të bëhet shtatë vjeç, do të jenë tjetër gjë dhe, kur të bëhet dhjetë vjeç, tjetër gjë, e kështu me radhë.

Ndërkaq, është edhe një veçori e rëndësishme, sipas së cilës, çdo gjë që do t'ia sugjerojmë fëmijës, duhet të jetë për një peri­udhë më tej se e tashmja, sepse, sido që të jetë, ai e sheh, e dë­gjon dhe e jeton të tashmen. Nga ky këndvë­sh­trim, niveli i edu­katës që duam të arrijë ne, duhet t'i përkasë të ardhmes së tij.

Hz. Aliu (k.v.) porosit: "Mësojini fëmijët për një kohë më tej se koha juaj sepse ata i përkasin një kohe përtej kohës suaj!" Po qe se ky parim trajtohet nga këndvështrimi i dijes dhe kulturës së përgjithshme, kuptohet se mjaftimi me dijet dhe kulturën ak­tu­ale është mediokritet ose, më shqip, do të thotë se, me kohë, tjetri vjen, ju zë e ju kalon, kurse ju mbe­teni shumë pas! Trajtimi i këtij parimi nga këndvështrimi i mësimit dhe edukimit e ndih­mon edukatorin që, duke e ka­përcyer të tashmen dhe duke ma­rrë parasysh periudhat e mëpastajme, të caktojë për fëmijën një vijë në përputhje me to. Kur fëmija të jetë gjashtë vjeç, t'i jepet një edukatë që t'i vlejë për në moshën shtatë vjeç dhe, kur të bë­het shtatë vjeç, të zbatohet për të programi për moshën tetë vjeç.

Si përmbledhje, mund të thuhet kështu: Mësimi dhe edu­kimi i zbatuar mbi fëmijën gjer më pesë vjeç duhet të va­zhdohet shkallë-shkallë gjer në moshën pesëmbëdhjetë vjeç që është mo­sha mesatare e pubertetit. Po qe se ngriheni e i jepni të riut njëzetvjeçar edukimin që i përket një pesëmbë­dhjetëvjeçari, do të thotë t'ia përmbysni çdo gjë që ka për­vetësuar ai mbi fenë, be­simin dhe moralin.

Po qe se ju ngriheni për t'i dhënë ca gjëra personit që je­ni ngarkuar ta mësoni dhe edukoni, pa e kuptuar nivelin e tij sho­qëror, mendor e ideor, e largoni atë me ndjenja dhe shpirt nga ju. Po qe se sot, pavarësisht nga një sërë prak­tikash mësimore e edukative të gabuara, disa të rinj i kanë ndjenjat dhe mendimet ende të shëndosha, kjo është plo­tësisht një favor i Zotit për ta, ose ata nuk janë zhvilluar en­de mendërisht; janë njëzet e pesë vjeç, por, si të ishin dhjetë a pesëmbëdhjetëvjeçarë, ndodhen shumë pas kohës në të cilën jetojnë. Nëse njëri prej këtyre për­ballet një ditë me një konsideratë të ndryshme fetare, kombë­ta­re apo shoqërore çfarëdo që e kapërcen nivelin e tij, Zoti e ruaj­t­të, tronditja në vlerat e veta dhe dezertimi i tij bëhen të pash­mangshme!

Porosia që jep feja në lidhje me edukimin e shkallëzuar të fëmijëve është kështu: Po qe se fëmija e ka të detyruar namazin në moshën pesëmbëdhjetë vjeçare, mësojeni atë qysh në dhjetë vjeç. Kjo ka vlerë edhe për mësimin e fë­mijës me agjërim disa vjet para se të vijë në moshën e de­tyrimit. Të njëjtën gjë mund të mendojmë edhe për specifika të tjera.

Dua të sqaroj edhe këtë që ne besojmë se dhënia e gjë­rave që i duhen dhënë fëmijës qysh në moshë të vogël ësh­të me ndi­kim më të madh. Ne mendojmë se nëse duam që fëmija t'i kry­ejë pa diskutim dhe plotësisht detyrimet fetare në moshën kur bëhet përgjegjës, përgatitja e tij duhet të fi­llojë qysh në moshë të vogël. Gjer tani ne e kemi parë shu­më herë frytin e kësaj metode, jemi bërë dëshmitarë të kësaj shumë herë.

Këtu dua të flas mbi kriteret moshore të disa moshave të dhë­­na neve nga imam Xhaferi:

"Gjer në shtatë vjeç është periudha fëminore kur fëmija imi­ton gjërat që sheh dhe luan me lojëra të ndryshme. Ç'të shohë tek ju, e mëson dhe e imiton. Pastaj fillon mosha e marrjes së mësimeve. Në fillim vjen periudha e mësimit të Librit të Allahut që kërkon edhe po aq kohë. Pas kësaj vjen periudha e mësimit të hallalleve dhe harameve që ai i kup­ton dhe përvetëson me ar­sye, logjikë dhe gjykim që kërkon përsëri po aq kohë."

Sipas metodës së imam Xhaferit, gjer në moshën njëzet e një vjeç, fëmija ka plotësuar marrjen e të gjithë infor­macio­nit sho­qëror dhe fetar. Atëherë, ai, gjer në këtë moshë du­het të përve­tësojë në mënyrë të pakun­dërshtueshme çdo gjë fetare e kom­bë­tare që të mos tronditet nga erërat e ndrysh­me kundërshtare.

Në një hadith të përcjellë nga Tirmidhiu, Profeti (s.a.s.) po­ro­sit kështu:

"Mësojuani namazin fëmijëve qysh në moshën shta­tëvjeça­re." [1]

Po, gjer në atë moshë, fëmija ka mësuar dhe është edukuar nga ju duke u nisur nga shembulli juaj. Pas kësaj, vjen koha kur ai do të mësojë duke vënë në punë arsyen dhe logjikën e vet, domethënë është gati të marrë mësime. Ndërkaq, disa e shohin këtë moment në moshën tetëvjeçare, kurse disa të tjerë, më e shumta, në moshën dhjetëvjeçare. Në moshën kur fillon mësi­mi i fëmijës, ai duhet trajtuar seriozisht dhe respektuar për t'iu zhvilluar personaliteti.

Profeti porosit: "Ndjenja e turpit është një nga shtyllat e rën­dësishme të besimit!" [2] Kurse në një hadith tjetër, poro­sit: "Ai që s'ka turp, s'ka as besim!" [3] Atëherë, qysh në moshë të vogël duhet të përqëndrohemi mbi brezat që me­ndojmë t'i rrisim të edukuar e që ta kuptojnë se ç'është tur­pi, në mënyrë që, kur të vijnë në moshën e pjekurisë, të pa­jisen me moralin kur'anor.



[1] Tirmidhi, Salat, 182.
[2] Muslim, Iman, 57, 58; Buhari, Iman, 3; Ebu Davud, Sunne, 14; Nesei, Iman, 16; Ibni Maxhe, Mukaddime, 9.
[3] shih Ali el-Muttaki, Kenzu'l-Ummal, 3/119.