Sëmundja e banalitetit

Në një hadith të nivelit sahih (autentik), Profeti (s.a.s.) thotë kështu: "Në të ardhmen, ndjekësit e librit dhe kombe të tjerë do të sulen mbi ju siç sulet i urituri mbi sofër dhe do të kërkojnë t'jua marrin kafshatën prej goje!" Me fjalë të tjera, do të hidhen mbi ju siç hidhet i urituri drejt bukës për t'jua rrëmbyer kuletën prej dore, për t'u ulur mbi gjërat që keni fituar ju.

Sahabet, shokët e tij, e pyesin: "Atë ditë kjo a do të ndodhë për shkak se ne do të jemi në pakicë, o i Dërguari i Allahut?" Dhe ai iu përgjigjet: "Jo, përkundrazi, ju atë ditë do të jeni tejet të shumtë, por Allahu do ta ketë nxjerrë nga zemra e armiqve ndjenjën e drojtjes para jush (ju do të dukeni në sy të armiqve të padenjë për t'u respektuar, nuk do të jepni siguri dhe nuk do t'i bëni dot ata ta ndjejnë peshën tuaj); gjithashtu, Allahu do t'ju fusë në zemër ndjenjën e banalitetit!"[1]

Sahabet e pyesin: "Ç'do të thotë "vehen", o i Dërguari i Allahut?" Dhe ai u përgjigjet: "Vehen do të thotë dashuri për këtë botë (kalimtare), vënie e kësaj bote në plan të parë dhe frikësim nga vdekja."[2]

Pa dyshim, po qe se një shoqëri e vë këtë botë, duke e traj­tuar në anët e saj që kanë lidhje me interesa materiale, egoistike e të ulta, pra, që kanë lidhje me anët e saj banale, si synim du­ke u orientuar kah ajo me zemër e shpirt dhe duke e lënë më­njanë pëlqimin e Allahut, pra, po qe se pa­rapëlqen këtë botë dhe gjërat e saj ndaj Allahut, edhe sikur të thotë "La ilahe il'lallah, nuk ka zot tjetër veç Allahut", nuk mund të thuhet se e ka orientuar zemrën dhe shpirtin kah Allahu. Këtu, duke thënë, "Allahu do të fusë në zemrën tuaj banalitetin dhe atëherë ju para armiqve do të bini të mu­ndur", si dhe, në një hadith tjetër, duke folur mbi heqjen e drojtjes së armiqve, Profeti (s.a.s.) tër­heq vëmendjen mbi nënvleftësimin e disa detyrave, si "urdhë­rimi i të mirës dhe ndalimi i të keqes"[3], parashtrimi i besimit mbi ringjalljen dhe llogaridhënien.

Atëherë, qëllimi më i madh për ne duhet të jetë përgatitja e një brezi shumë besimtar, tejet të fuqishëm materialisht e mo­ra­lisht, të vullnetshëm për të çarë malet, parashikues sa për ta he­dhur poshtë botën në aspektet e saj banale dhe të shenjtë sa për të mos i dhënë vend në zemër banalitetit, si dhe impresi­o­nues përballë armikut.



[1] Në origjinal: vehen (arab.), banalitet; shih tekstin në vijim. (Përkth.)
[2] Ebu Davud, Melahim, 5; Musned, 2/359; 5/278.
[3] Në origjinal: emr-i bi'l-ma'ruf nehj-i ani'l-munker.