Martesa dhe foleja familjare

Martesa nuk është për kënaqësi e dëfrim. Martesa bëhet për të ndërtuar familjen, për të siguruar vazhdimësinë dhe pavde­kësinë e kombit, për t'i shpëtuar nga hallakatja men­dimet dhe ndjenjat e individit, për t'i marrë nën kontroll dëshirat trupore. Ndërkaq, ashtu si edhe në shumë çështje të tjera të krijimit, dëshirat dhe kënaqësitë fizike janë një përparësi dhe element nxitës...

* * *

Personat që do të martohen, nuk duhet të vendosin sipas ve­shjes e mbathjes së njëri-tjetrit, madje as sipas pasurisë dhe bu­kurisë; në këtë çështje tepër serioze, duhet të ve­ndosin sipas bukurisë shpirtërore, kuptimit të moralit dhe nderit, virtytit dhe lartësisë së karakterit...

* * *

Për ata që, duke u martuar, nuk kanë bërë dot analizën e nevojshme ose nuk kanë gjetur rastin për ta bërë, kur të vijë puna në prag të ndarjes, nuk kanë për t'u vlejtur as dhe kriteret më të mençura. Sigurisht, çështja nuk është të shpë­tohet foleja familjare nga zjarri me sa më pak dëme; e rëndësishme është të mos futen në familje elementët me rrezik zjarri!..

* * *

Nuk duhet t'u japim vajzë njerëzve që s'i njohim dhe nuk duhet të kërkojmë vajza që s'i njohim. Marrëveshja e bërë ba­zuar mbi të panjohura të tilla, ose finalizohet me një re­zultat si ndarja që Allahu s'e pëlqen, ose bëhet për palët shkak torturash për gjithë jetën!..

* * *

Ka fole familjare të bekuara, të ngritura mbi logjikën dhe gjy­kimin duke u mbështetur qysh në hapat e para te Zoti, që fun­ksionojnë gjatë gjithë jetës si një shkollë dhe, me nxënësit që përgatisin, sigurojnë vazhdimësinë dhe pavde­kësinë e kombit që i përkasin!

* * *

Martesat e bëra për martesë pa u menduar e peshuar dhe bashkëjetesat e këtij lloji janë finalizuar me bashkëshor­të që qaj­në e zvarriten nëpër rrugë, me jetimë të braktisur në jetimore e me kriminelë që i plagosin familjet në zemër...

* * *

Nëse interesi dhe dobia e martesës për individin është një, interesat dhe dobitë e saj për kombin janë të shumta. Nisur nga kjo, si martesa e prishur, ashtu dhe ndenjja pa u martuar fare janë një kolerë që i turpëron djemtë, i zhyt vajzat në mjerim dhe kombit i shkakton hemorragji...

* * *

Foleja familjare e themeluar qysh në krye mbi parime të shëndosha e ku sundon lumturia materiale-shpirtërore, ësh­të guri themelor më i shëndoshë i ekzistencës si komb dhe një shkollë e bekuar ku përgatiten individë të virtytshëm e të vlef­shëm. Kombet që i bëjnë shtëpitë të begatshme sa dhe shkollat dhe shkollat, të ngrohta sa dhe foletë familjare, qu­het se kanë realizuar reformën më të madhe dhe kanë vënë nën garanci qetësinë dhe lumturinë e brezave të ardh­shëm...

* * *

Kombi formohet prej elementëve shtëpi. Kështu, po qe se shtëpitë janë mirë, edhe kombi është mirë; po qe se shtëpitë janë keq, edhe kombi është keq! Sikur ata që kër­kojnë paqen e kombit, të përpiqeshin së pari për paqen e familjeve!..

* * *

Shtëpisë i thuhet "shtëpi" sipas njerëzve që rrinë atje. Pje­sëtarët e një shtëpie quhen të lumtur me aq sa ndajnë mes tyre vlera njerëzore. Po, mund të themi se njeriu rron si njeri në saje të shtëpisë; edhe shtëpia bëhet shtëpi kur ka brenda njerëz!..

* * *

Familja është një komb i vogël, kurse kombi, një familje e madhe. Një person që ka mundur të arrijë me sukses ta qeve­risë një familje të madhe a të vogël si dhe t'i ngrejë pjesëtarët e saj në nivele të larta njerëzore, mund të bëhet i suksesshëm me pak përpjekje edhe në organizime më të mëdha...

* * *

Çrregullimi dhe shpërbërja në një shtëpi tregon çorien­timin dhe shkatërrimin shpirtëror të pjesëtarëve të asaj shtë­pie; fë­lliqësia, parregullsia dhe çrregullimi i shtëpive, dyqa­neve dhe rrugëve të një vendbanimi, gjithashtu, është tre­gues i nivelit kulturor dhe të interesimit për punën të kuadrit të pushtetit ven­dor...

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.