Përgatitja e një mjedisi të mirë

Dhe tani dëshirojmë të mendojmë mbi çështjen e për­gatitjes së një mjedisi të mirë për fëmijën. Në botën mo­derne u jepet shumë rëndësi arsimit parashkollor si dhe ko­mplekseve sociale si parqe, palestra, salla leximi, etj. të ngri­tura pranë shkollave ose në vende të përshtatshme. Për fë­mijën është shumë e rën­dësishme që jeta e tij materiale dhe fizike të kalojë në një mjedis të shëndetshëm, të rregullt dhe të qetë, që të mos e preokupojë familjen, që të rritet dhe përgatitet i pajisur dhe i hapur ndaj mjedisit. Të gjitha këto janë menduar e shoshitur dhe janë bërë duke parashikuar çdo lloj dobie dhe dëmi. Por ç'e do se ka ne­vojë si ky, edhe për një mjedis ku ta zhvillojë jetën e tij shpir­tërore, ta ndjejë veten njeri të pavarur dhe, madje, të krijojë li­dhje me Zotin e vet. Kur flasim për mjedisin e fëmijës, duhet menduar edhe kjo. Këtu e më poshtë do të përpiqemi t'i para­shtrojmë gjërat që duhen bërë lidhur pikërisht me këtë çështje.

a) Zgjedhja e shokut

Ka shumë rëndësi që nxënësi të zgjedhë, mes shokëve, ata që respektojnë besimin dhe fenë. Në këtë mes, prindërit s'duhet të rrinë indiferentë, por ta ndjekin nga afër zgjedh­jen që ka bërë apo do të bëjë fëmija i tyre. Ndërkaq, ndjekja e prindërve nuk duhet të jetë në formën e presionit të ush­truar mbi fëmijën, por në formën e udhëzimit.

Siç thotë Saadiu te "Gjylistani", shoku i keq është më i keq se gjarpëri. Kurse shoku i mirë është më i mirë se en­gjëjt. Sa të jeni bashkë me shokun e mirë, ndodheni vazh­dimisht në hori­zontet engjëllore!

Profeti na porosit: "Njeriu rri me atë që do!"[1] Prandaj është shumë e rëndësishme që prindërit t'i ndihmojnë fëmijët për të gjetur shok. Kurrë nuk duhet nënvleftësuar mjedisi sho­qëror kur bëhet fjalë për formësimin e ndjenjave dhe men­dimeve të fë­mijës. Po qe se fëmija ka hyrë në një mjedis të prishur, ai duhet shkëputur menjëherë prej aty dhe duhet futur në një mjedis tjetër. Kurse kur ky mjedis i prishur është vetë mjedisi i lagjes apo shkollës së fëmijës, ai duhet izoluar ose transferuar në një mjedis tjetër ku menjëherë i duhet gjetur shoqëria e duhur, fe­tare, e ndershme, e virtytshme.

b) Ta bëjmë fëmijën të thithë një atmosferë fetare të sinqertë dhe ta mbajmë larg nga dyfytyrësia

Përveç marrjes me vete ose dërgimit në xhami, fëmijën du­het ta merrni me vete ose ta dërgoni edhe në ceremonitë fetare, mevludet, etj. Kështu, e afroni dhe e mësoni atë me jetën dhe atmosferën fetare. Ndërkaq, në përputhje me na­tyrën e tij të pastër, fëmija duhet ta dëshirojë këtë gjë, të kë­naqet dhe ngo­pet me këtë atmosferë në mënyrë që të mos kërkojë të shkojë tjetërkund. Edhe muzika që duhet të dë­gjojë ai, duhet ta fusë në një atmosferë fetare, t'ia kujtojë besimin, fenë, gjërat e shenj­ta dhe të përgatisë tek ai zhvilli­min e ndjenjës së afërsisë ndaj Allahut.

Vetëm se nuk duhet të harrojmë që mjedisi ku do ta çoni fë­mijën, duhet të jetë i sinqertë. Nëse personat që këndojnë mev­lud apo himne fetare, nuk ndjejnë vetë emocione, jo vetëm që dallohen nga fëmijët duke e humbur forcën bin­dëse mbi ta, por edhe ndikojnë për keq mbi fëmijët duke u sugjeruar atyre anas­jelltas dyfytyrësinë në këtë punë.

Po të shihet me kujdes, çështja nuk është vetëm te pjesë­ma­rrja e fëmijëve nëpër ceremoni fetare për të dëgjuar mev­lude e himne fetare, por te largimi i tyre nga ceremoni dhe mjedise ku shfaqet formaliteti dhe dyfytyrësia.

c) Zgjedhja e personave dhe mjediseve për të krijuar lidhje

Në të vërtetë, fëmija i rritur mirë dhe nën kujdes nga pri­n­dërit, është i mbrojtur në një masë të madhe nga ndikimet ne­gative të mjedisit të jashtëm. Megjithëkëtë, ndjekja nga afër ka shumë rëndësi. Edhe kur të shkojë për të blerë lapsa e fletore, fëmija duhet orientuar në mjedise ku të mos bjerë nën ndikime negative. Ai nuk duhet të hyjë në ato vende ku janë ekspozuar dhe shiten libra të rrezikshëm.

Edhe kur të shkojë për të qepur një rrobë, fëmija duhet të gjejë te rrobaqepësi botën e vet. Edhe te berberi fëmija duhet të shohë njeriun që e fillon punën me emrin e Zotit!

Ndërkaq, të gjitha këto s'duhen kuptuar si kërkesë për ta shkëputur fëmijën nga njerëzit. Këtu është fjala për të treguar ndjeshmërinë dhe vëmendjen e duhur për këto çë­shtje që li­dhen me formimin dhe të ardhmen e fëmijës.

Këtu dëshiroj të ndalem edhe mbi një çështje tjetër. Vaj­tja në gëzimet apo hidhërimet e të tjerëve është një detyrë fetare. Pro­feti (s.a.s.) na porosit: "Kur t'ju ftojnë në një das­më apo fejesë, përgjigjiuni ftesës!"[2] Eshtë e qartë se kjo po­rosi e Profetit s'du­het kundërshtuar. Por edhe të mos shkosh në një dasmë ku ka gjëra të këqia dhe kryhen mëkate, është një parim fetar dhe një detyrë fetare. Po qe se bëhet fjalë për situata ku fëmija prishet me ato që sheh dhe dëgjon me­ndime që ia turbullojnë kokën, sigurisht që askush s'duhet të shkojë.

d) Zgjedhja e programeve televizive

Besimtari që ka televizion në shtëpi, duhet t'i zgjedhë me kujdes programet që do të ndjekin fëmijët. Nuk the­mi se ka faj ose bën mëkat televizioni. Gjithashtu, fjalët tona nuk duhen ku­ptuar si kundërvënie ndaj televizionit. Vetëm se edukimi e kër­kon domosdoshmërisht zgjedh­jen e programeve televizive. Esh­të fakt që disa emisione e trondisin mendimin moralo-etik dhe besimor të rinisë dhe e nxijnë botën e tyre shpirtërore. Prandaj, nëse në shtëpinë tuaj shihet ende një kanal televiziv, megjithëse ai i ka shpallur luftë moralit tuaj, prishja e moralit të fa­miljes suaj, duke filluar që me fëmijët, bëhet e pashma­ngshme.

Këto fjalë të mia kurrsesi nuk duhet të krijojnë opinionin se ne jemi kundër shkencës, zhvillimit, përparimit, teknikës. Ne përkrahim përdorimin e teknikës në shërbim të lumturisë dhe qetësisë së njerëzimit. Ne duhet të përfitojmë patjetër nga dhun­titë e Allahut për ne, si mendimi, arsyeja, kultura, arti, shënde­tësia, mjekësia, etj. Zgjedhja e kanaleve televizi­ve ose, më sak­të, mospranimi për të ndjekur çdo lloj kanali nuk është shenjë prapambetjeje, ashtu siç nuk është shenjë përparimi ndjekja e kanaleve dhe programeve me përmbaj­tje shkatërruese për bre­zat e rinj.

e) Rritja e fëmijëve me edukatë kur'anore

Eshtë përsëri detyrë e prindërve, mësuesve dhe edukato­rëve që të mos u lënë hapësirë për t'u mësuar me mëkat ze­mrës, ko­kës, veshit, syrit dhe ndjenjave të tjera të fëmijës i cili përshtatet pothuaj në çdo mjedis, që të sigurojnë rritjen dhe zhvillimin e tij në një mjedis krejt të pastër, që të për­piqen për t'u siguruar fëmijëve edhe jashtë atë atmosferë fe­tare me të cilën janë më­suar në familje, që të përpiqen për të siguruar përputhshmërinë e mjedisit të jashtëm me atë familjar.

Në të vërtetë, në një kohë kur të gjitha forcat përdoren si ele­mentë shtypjeje dhe kur e Vërteta merret nëpër këmbë, mbroj­tja e orientimit dhe e dinjitetit të të qenit njeri kanë rëndësi të madhe. Mendoj se, për këtë arsye, edukimi i bre­zit me edu­ka­tën kur'anore dhe pajisja e tij me moralin kur'anor për ta sjellë atë si përkrahës të gjithëhershëm të së Vërtetës, përgatitja e tij në atë nivel që të mos lëkundet as para forcave më të papër­ballueshme, është parimi më i rë­ndësishëm i ekzistencës sonë kombëtare. Në përgjithësi, shoqëria ideale si në botën e ndje­njave e të ndërgjegjes, ashtu dhe në botën e realiteteve, është realizuar vetëm në saje të Kur'anit!

Morali i Profetit tonë (s.a.s.) ka qenë Kur'ani, karakteri dhe temperamenti i tij, Kur'ani. Edhe ata që e ndiqnin atë, Kur'an dëgjonin, Kur'anit i jepnin zë dhe me të jetonin e përparonin. Ata që duken se janë të lidhur me Kur'anin, por nuk shfaqin dot një përsosmëri të tillë, janë shpirtra sipër­faqësorë dhe mendime sipërfaqësore që nuk e kanë përve­tësuar dot frymën e tij!

Ta kuptosh Kur'anin dhe të ripërtërihesh me të, varet nga thellimi në thelbin e tij. Ata që merren vetëm me fjalët dhe shprehjet e tij, Allahu e di, edhe nëse fitojnë sevab, mi­rësi, nuk mund të bëhen një shoqëri e hapur ndaj mirësisë. Çështja jonë thelbësore përsa i përket lidhjeve dhe marrë­dhënieve me Kur'a­nin, është të orientohemi kah ai me zemrën, vetëdijen, vullne­tin, njohjen dhe ndjenjat tona dhe ta ndjejmë atë me të gjitha përmasat e qenies sonë.



[1] Buhari, Edeb, 96; Muslim, Birr, 165; Ebu Davud, Edeb, 122; Tirmidhi, Zuhd, 50.
[2] Muslim, Nikah, 98, 101; Ibni Maxhe, Nikah, 25; Musned, 2/22.
Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.