Brezi i Kuranit

Pyetje: Për kë është fjala, kur qëndrohet te 'brezi i Kuranit', që ndalemi herë-herë gjatë bisedave? Cilat janë detyrat e këtij brezi?

Brezi i Kuranit

Përgjigje: Brez të Kuranit quajmë atë brez që e ka kthyer dëshirën hyjnore mbi rruzullin tokësor në qëllim të vetëm, përfaqëson ashtu siç duhet çdo të vërtetë të Kuranit, i Cili do të vazhdojë të jetë udhërrëfyes për mbarë njerëzimin deri në kiamet dhe e ka kthyer ndjekjen me përpikëri të Kuranit në faktorin dallues kudo, në mendime, fjalë dhe çdo veprim e sjellje të tij. Nga cilado anë që t'i shihni, do të vëreni se tek ata sikur të jenë kulluar kuptimet e Kuranit Famëlartë. Ata mbajnë një qëndrim ashtu siç e kërkon Allahu, njësoj sikur të gjendeshin përpara Allahut e të ishin duke qëndruar përpara Tij. Ata kthejnë në qëllim të vërtetë jetën e përtejme, e cila është vendi i bukurive të pafundme dhe jo këtë botë, e cila nuk është veçse një vend kalimtar provimi. Nuk zgjedhin të jetojnë, por të jetësojnë. Nuk kërkojnë kënaqësitë dhe argëtimet në këtë botë kalimtare, por vështirësitë dhe vuajtjet që lipsen në rrugën e jetës së përtejme. Ata janë të veshur me moralin e Kuranit. Andaj, siç shprehet edhe në një hadith të bekuar, kur i sheh ata, të kujtojnë Allahun.[1] Arrin tek Allahu kushdo që i ndjek dhe ecën pas tyre. Përtej jetesës dhe përfaqësimit të Kuranit në jetët e tyre individuale, ata ia kanë kushtuar veten rijetësimit të të vërtetave të Kuranit në mesin e tërë njerëzimit, për ta bërë atë jetë për jetët njerëzore.

Këndvështrimi ynë

Botëkuptimi i unitetit të Zotit të Lartësuar është i pranishëm në shumë prej formave të besimit, botëkuptimeve metafizike, që ekzistojnë sot në botë. Për ne, të rëndësishme janë përshkrimet e Kuranit. Sepse dija më e saktë për botën metafizike janë dijet që i janë bërë të njohura njerëzimit nëpërmjet profetëve. Ata ia kanë paraqitur më saktë njerëzimit ekzistencën e Zotit të Lartësuar si Një dhe i Vetëm. Poende, po ata kanë ofruar shpjegimet më realiste në lidhje me vdekjen, botën e varrit dhe botën e jetës së përtejme. Nëse nuk i vihet veshi dhe nuk i kushtohet vëmendje zërit të shpalljes hyjnore në lidhje me këto çështje, atëherë konceptimet mund të jenë tejet të gabuara. Sepse shumë njerëz të librit, të cilët nuk kanë arritur dot as që të ruajnë gjendjen origjinale të shpalljes që u është bërë atyre, kanë rënë në zbrazëti të përjetimit të besimit (konfesioni), janë përfshirë në interpretime të gabuara, duke përjetuar sakaq zhgënjime dhe shtrembërime të shumta.

Ne nuk duhet të harrojmë se kapaciteti i mendjes njerëzore është i kufizuar. Edhe gjeni të jetë, njeriu nuk i kapërcen dot këta kufij. Siç e thotë edhe Zija Pashai, "Nuk janë për këtë mendje kaq të vogël konceptimet e paana. Sepse nuk e përballon dot të gjithë barrën kjo peshore."  Sa e sa filozofë dhe mendimtarë kanë folur rreth ekzistencës së Zotit, por i duhet kushtuar vëmendje shpalljes hyjnore, për të arritur në dije të saktë rreth emrave dhe cilësive të Tij. Sepse këto janë çështje që i përkasin botës së të panjohurës dhe arritja e konceptimit përfundimtar është shumë përtej aftësive tona njohëse. Rruga e arritjes drejt informacionit të saktë për sa u përket të vërtetave të unitetit dhe të të qenit Zot të Zotit kalon përmes dëgjimit me vëmendje të çdo fjale të profetëve të nderuar (a.s.). Dhe një ndër detyrat kryesore të brezit të Kuranit është njohja e Allahut, Kuranit dhe Sunetit aq mirë sa për t'i pasur ata referencën e përhershme dhe t'ua bëjnë ata të njohur mbarë njerëzimit si ilaçin shërues për zemrat e tyre.

Horizonti që tregon Mehmet Akifi, teksa thotë: "Fill nga Kurani duhet frymëzimi, që botëkuptimit të botës Islamin të njohur t'ia bëjmë t'arrisim" - duhet të jetë një synim shumë i rëndësishëm për brezin e Kuranit. Zhvillimet e sotme në dije dhe shkencë kanë bërë që të ndryshojnë, horizonti i leximit të gjithësisë dhe këndvështrimi ndaj krijimit dhe ngjarjeve. Kur flisni për çështje të ndryshme, nëse nuk i trajtoni ato sipas vështrimit të tyre, në mendjet dhe zemrat e tyre mund të krijohen zbrazëti. Siç janë krijuar te shumë njerëz të tjerë. Nga kjo pikëpamje, teksa u paraqesin njerëzve të vërtetat metafizike, brezat që ia kanë kushtuar veten kauzës së besimit dhe Kuranit duhet ta bëjnë këtë asisoj që të mos lejojnë krijimin e asnjë zbrazëtie mendore, shpirtërore, apo në zemra dhe ndjenja, por të mund t'i bindin mendjet e pastra dhe ndërgjegjet e atyre që kanë përballë si bashkëbisedues.

Meqë është pikërisht vendi, me dobi është që të përmendet edhe kjo: Disa njerëz mund ta perceptojnë ndryshme përmbajtjen e fjalëve të përmendura më sipër të Mehmet Akifit, mund ta interpretojnë ndryshe këtë çështje dhe për rrjedhojë, i qasen Kuranit ndryshe dhe thonë se në fe duhen bërë reforma në përputhje me konditat e kohës në të cilën jetojmë, e duke iu qasur Kuranit me pikëpamje historiciste, arrijnë gjer atje sa të thonë se disa ajete nuk kanë më vlefshmëri në ditët e sotme. Duke qenë se i konsiderojnë disa principe si në kundërshti me botëkuptimin aktual, nuk arrijnë që t'i mbrojnë dot dhe thonë se ato janë disa rregullime që kanë qenë enkas për shoqërinë e errësirës, andaj nuk mund të jenë të vlefshme edhe për ne.

Ata e shohin këtë çështje nga një anë e gabuar, andaj edhe mendojnë gabim. Fatkeqësisht, disa njerëz motivohen nga qëndrimet në modë të kohës së sotme. Mendojnë se një stil tjetër jetese, që është ndryshe nga ai i sotmi është i pajetueshëm. Botëkuptimin e imponuar nga bota moderne e pandehin më idealin, duke refuzuar prerazi çdo lloj këndvështrimi tjetër. Rrjedhimisht thonë se disa prej urdhëresave të Kuranit Fisnik janë demode dhe vënia në zbatim e tyre sot nuk është e mundur. Patjetër, ndikim shumë të madh te kjo ka edhe fakti që Kurani është lënë pas dore për shumë shekuj me radhë, nuk është kuptuar dhe nuk është përfaqësuar ashtu siç duhej. Nëse brezi i Kuranit arrin që t'i jetojë denjësisht të vërtetat e Kuranit, duke ia bërë ato jetë jetës së njerëzve, mbarë njerëzimi, si në planin individual, ashtu edhe në atë shoqëror, do të vrapojnë drejt botës së tyre.

Shprehja e ndjenjave dhe mendimeve

Nga ky këndvështrim, unë e konsideroj shumë të rëndësishme, që të gjithë të dedikuarit, të cilët janë shpërndarë sot nëpër të katër anët e botës, të shprehin të gjitha ndjenjat dhe mendimet që kanë në lidhje me botën e tyre. Bashkë me këtë, ata nuk duhet të largojnë nga vëmendja edhe këtë realitet: nuk është e lehtë që t'ua paraqitni vlerat tuaja dhe t'i bëni individët, shtetet dhe popujt, që për disa shekuj me radhë kanë sunduar mbi gjithë botën, i kanë parë të tjerët nga sipër, mendimet i kanë të ngurtësuara, kanë krenari kombëtare, veprojnë sipas një sistemi kastash të shtrembëruar, të pranojnë një botëkuptim krejt të ndryshëm nga botëkuptimi i tyre.

Megjithatë, nëse ju vini në pah virtytet e botës suaj dhe i jetoni edhe vetë ato, mund të zgjoni një simpati tejet serioze tek ata. Gjer më sot, ne kemi parë shumë shembuj të tillë. Ka pasur akademikë të mirënjohur, të cilët kanë thënë: "Nëse ka diçka që premton të ardhme për njerëzimin, ajo është kjo lëvizje." Një përfaqësim i denjë, qoftë edhe në platforma shumë të vogla, mund të shkaktojë simpati. Edhe shkëndijat më të vogla mund të zgjojnë te njerëzit emocionet e një bote më të mirë. Të gjitha këto janë secila nga një burim shprese mjaft i rëndësishëm. Mjafton që ju të paraqitni denjësisht bujarinë tuaj, t'i vazhdoni shërbimet tuaja, madje duke i shumëfishuar ato dhe t'u ofroni njerëzve një jetë edhe më bindëse. Tregojini dhe përfaqësojini sa më mirë besimin dhe vlerat tuaja. Përpiquni që t'i riparoni të gjitha pikat e dëmtuara gjer më sot, t'i restauroni bedenat e dëmtuara, t'i mjekoni plagët dhe krisjet dhe t'i mbushni të gjitha boshllëqet e krijuara. Përpiquni që t'ua tregoni të gjithëve bukuritë marramendëse të Islamit, që të mund të përfitojë çdo rob i Allahut prej tyre. Përdoreni shumë mirë besimin, emocionin dhe dijen që zotëroni.

Me lejen dhe ndihmesën e Allahut, të gjitha këto përpjekje do të priten shumë mirë nga njerëzit që ju dëgjojnë. Sepse, natyra njerëzore është e karakterizuar nga ndjenja e kërkimit të së vërtetës; ka dëshirë për bukurinë dhe përsosmërinë.

 

 

[1] Ibni Maxhe, zuhd 4.