Çdo gjë prej Tij e kemi

Fethullah Gylen: Çdo gjë prej Tij e kemi

Pyetje: Ju thoni, se të gjitha punët dhe shërbimet e kryera kanë arritur të realizohen sajë bashkimit të mijëra shkakësive, e meqenëse këtë nuk mund ta ketë bërë të mundur kush tjetër pos Allahut (xh.sh.), që është krijuesi dhe zotëruesi i çdo shkakësie, kështu edhe është larg mendjes që dikush të dalë e t’i përvetësojë të gjitha këto arritje. A mund të na e shpjegoni më gjerësisht këtë qasje?

Përgjigje: Pikë së pari duhet theksuar, se çështja e sendërtimit të të gjitha arritjeve falë bujarisë dhe mirësisë së Allahut, i cili është Shkaku i gjithë shkakësive, nuk se ka të bëjë vetëm me ne, por është një kriter i vlefshëm për çdo periudhë. Për shembull, Nuhu (a.s.), sipas një qasjeje të përftuar prej interpretimit, pasi shpëtoi prej tufanit falë lejes dhe mirësisë së Allahut (xh.xh.) vijoi edhe për një periudhë kohe së u shpjeguari njerëzve të drejtën dhe të vërtetën. Ai, ndërsa përpiqej, që brenda kësaj kohe, t’i shpëtonte të tjerët prej kafshërores duke i lartësuar kah njerëzorja, i drejtonte ata drejt shkallëve të ndryshme të zemrës dhe shpirtit; e edhe ata janë përpjekur që të kryejnë sa më mirë robërimin e tyre karshi Allahut. Kësisoj, ju mund ta vëreni fare mirë ndihmesën hyjnore nëse shihni jetën gjithë përpjekje të Nuhut (a.s.). Sepse nëse do t’ia linim gjithçka shkaqeve, atëherë nuk do të mund të shpjegonim dot as shpëtimin e tyre prej tufanit, as ndikimin e tyre të mëtejshëm mes njerëzve. Zaten, edhe ajeti “Edhe lëvizja, edhe ndalimi/hedhja e spirancës i (së) anijes bëhen me emrin e Allahut.”[1] a nuk thotë, se edhe lëvizja edhe ndalimi i anijes së Nuhut bëhen të mundura falë një ndihmese hyjnore?

Poende, është e pamundur që t’i mendosh, shpëtimin e Musait (a.s.), marrjen e hebrenjve prej tij dhe nxjerrjen prej Egjiptit për t’i mbajtur në Tih, e pas një farë kohe futjen e tyre me Jusha bin Nunin (a.s.) në Palestinë, nëse do të rrekesh ta ndërtosh gjithçka nëpërmjet shkakësive. Sepse nëse do të shihet veç nëpërmjet prizmit të zinxhirit të shkaqeve të njëpasnjëshme, kjo mund të jetë e mundur vetëmse me një probabilitet diku tek një në dymilionë.

Ndjekje hyjnore dhe komplote të shkuara dëm

Nëse do të shohim jetën e bekuar të Krenarisë së Njerëzimit (s.a.s.) mund të vërehet lehtësisht prania e një ndihmese dhe ndjekjeje të hapur hyjnore. Sepse idhujtarët, njësoj si egërsirat vrojtonin çdo shteg dhe mundësi për t’iu vërsulur Profetit dhe myslimanëve rreth Tij, duke i torturuar, madje nganjëherë edhe duke i vrarë, që t’ua mpaknin sa më shumë shpresën. Mirëpo, ç’e do, se shpresa e atij Personaliteti të çmuar nuk u dobësua dot asnjëherë. Sikur edhe poeti Sulejman Nazif të ishte duke i dhënë zë pikërisht kësaj gjendjeje shpirtërore të Tij me vargjet: “Për sa kohë kët’ besim të bartë ky shpirt/ia vlen tre, katër a pesë shekuj me pritë.”

Siç e paraqet edhe ajeti i sures Enfal: “Edhe më parë ata mohues thurën shumë plane, për të lidhur duar e këmbë e për të të hedhur në birucë, apo për të të vrarë, apo për të të përzënë prej vendit tënd…”[2] politeistët mekas thurnin gjithfarë komplotesh kundër Prijësit të profetëve (alejhi ekmelut’tehaja). Edhe atëherë kur ia rrethonin banesën, që nga pikëpamja e shkakësive nuk kishte asnjë gjasë që të shpëtonte, apo kur e patën prerë me shpatë në faqen e bekuar gjatë betejës së Uhudit, ku i qe thyer ai dhëmb i bekuar, dhe gjaku kishte nisur t’i mbulonte krejt trupin, përjetohej po i njëjti fat. Është e pamundur t’i gjesh ndonjërës syresh shpëtim nëpërmjet shkakësive. Mirëpo Allahu (xh.sh.) e pati ruajtur gjithnjë si me mrekulli Profetin e Tij të dashur (s.a.s.). Asisoj, që edhe kur ia patën rrethuar shtëpinë, pati arritur ta nxirrte Atë lehtësisht mu përpara syve të mohuesve keqbërës, duke e larguar së andejmi në një mënyrë të atillë që të mos kish askush mundësi që ta ndiqte, pasi e bëri që t’i bënte katërqind e kusur kilometra brenda një kohe të shkurtër, çka është e pamundur përballë çdo ligjësie. Madje edhe Suraka ibni Maliku, i cili i qe vënë pas për ta gjurmuar, nuk kishte vazhduar dot më tej dhe qe kthyer pas dhe i pati drejtuar gabim edhe të tjerët që kishin dashur ta ndiqnin.[3]  

Në fakt, tablo të ndihmesës hyjnore mund të shikosh në jetën e të gjithë atyre që e kanë jetuar jetën veç duke u përpjekur në rrugën e Allahut. Për shembull, individualitete të rralla të gjinisë njerëzore si Tarik bin Zijadi dhe Ukbe ibni Nafi (r.a.) janë vetëm dy prej tyre. Siç e dini, Ukbe ibni Nafiu pati triumfuar mbi mbarë Afrikën Veriore dhe i pati grahur kalit të tij gjer në brigjet e Oqeanit Atlantik. I pati grahur kalit gjer në brigjet e Oqeanit Atlantik e mandej pati thënë: “O Zot! Sikur të mos më kish dalë përballë ky det i errët, do ta kisha çuar emrin Tënd madhështor gjer matanë tij.”[4] Tani, nëse do të kundroni jetët e këtyre njerëzve të mrekullueshëm, do të vëreni fare qartë, se si të gjitha këto mirësi janë realizuar me ndërhrjen e një sërë mundësish të njëpasnjëshme. Këtyre shembujve mund t’u shtohen edhe sa e sa sivëllezër nga shkëlqimi i Perandorisë Osmane, nga ngadhënjimi i Stambollit apo nga hizmeti[5] i të dedikuarve, që ka nisur qysh me Bediuzamanin e që vazhdon edhè në ditët tona. As që mund të mendohej që Bediuzamani do të pasonte një hapje kaq të gjerë. Pasi ai qe mbajtur në çdo çast i mbikëqyrur, i përndjekur, aq sa edhe hapat ia numëronin, andaj edhe e syrgjynosnin nga njëri vend në tjetrin. Megjithëse, pavarësisht këtyre kushteve kaq të këqija, me lejen dhe me ndihmesën e Allahut (xh.sh.), drita e Kuranit dhe besimit që u zbulua prej tij arriti të përhapej anekënd. Bediuzamani, i cili ishte mirëfillthi një njeri i shpresës, arrinte, që edhe në çastet më të privuara prej shpresës, të klithte gjithë shpresë: “Po, të jeni shpresëplotë! Në këtë ndryshim të madh të së ardhmes, zëri më i lartë dhe më kumbues do të jetë zëri i Islamit!”[6]; “Kam besim të plotë, se një ditë, kjo tokë e ky qiell i mbarë Azisë do t’i dorëzohet dorës së bardhë të Islamit...[7] Nëse do t’i mendojmë të gjitha këto nën dritën e koniukturave të asaj kohe, nuk ngjajnë aspak si të mundshme, megjithatë, ndoshta ato që ndodhin sot janë shpërfaqje të sihariqeve që u dhanë atyre ditëve.

Mundësi një në një milionë

Edhe vullnetarët e edukimit në ditët e sotme, të cilët kanë përvetësuar mesazhin kuptimplotë të Mevlanës: “Qiriri nuk humb asgjë prej flakës së tij duke ndezur edhe fitilin e një qiriri tjetër.” po përhapen në të katër anët e rruzullit, për ta ndriçuar botën me pishtarin e dritës që kanë marrë në duar. Dhe, me lejen dhe ndihmesën e Allahut, janë duke u pranuar mjaft mirë nga çdo vend ku shkojnë. Njësoj si shërbimet e kryera në të shkuarën, edhe ato të sotmet janë ndodhi që mund të realizohen veç me praninë e një sërë kushteve të domosdoshme. Për shembull, për atë hapje të parë në fillim të viteve ’90, duhej që fillimisht të binte një prej superfuqive më të mëdha të kohës, dhe pikërisht në kohën që u ndodhi kjo shpërbërje, nevojiteshin shumë mësues dhe kujdestarë ende të rinj, e për më tepër të atillë, që ndienin një dëshirë të pashpjegueshme për të shkuar edhe drejt atyre vendeve, disa prej të cilave nuk u kishin dëgjuar as emrin më parë, pavarësisht rreziqeve që mund t’i prisnin. Shumë prej këtyre të rinjve të sapodiplomuar mund të kishin ëndrra dhe dëshira për të ndenjur e për të kontribuar në vendin e tyre. Sepse malli për vendin dhe të afërmit është një ndjenjë shumë e fortë. Mirëpo këta rioshë të sapodiplomuar, me vajza me djem, i kapërcyen këto ndjenja që mund të përbënin pengesë dhe shkuan nëpër vende të ndryshme, të cilave nuk ua njihnin as gjuhën, as zakonet, as traditat, pa përjetuar as ndjesinë më të imtë të panikut dhe pa u mëdyshur për asnjë çast. Megjithatë, sërish nuk do harruar, se si këta të vetëdedikuar të sapodiplomuar, ashtu edhe nënat me baballarët e tyre, kishin disa pritshmëri për të ardhmen. Mirëpo si arritën t’i bindnin prindërit e tyre këto zemra dedikuar edukimit, që e ëndërronin jetën e tyre dedikuar shërbimit për të jetësuar? Por edhe ato nëna e ata baballarë, si mundën ta pranonin largimin e fëmijëve prej tyre? Edhe kjo është një tjetër çështje. Njëherazi, disa nga këta njerëz të sakrificës që u nisën drejt vendesh të ndryshme ishin të fejuar, e megjithatë, ata i lanë pas njerëzit e tyre më të dashur dhe ikën. As ai që iku, as ai që ndenji pas me fatin e pritësit, nuk e pa mallin dhe dashurinë e larguar si pengesë për shërbimet që duheshin kryer; Thanë: “Kjo është ajo çka duhet bërë tani për njerëzimin!” dhe paraqitën një nga tablotë më prekëse të historisë së sakrificës. Ja pra, po t’i mendosh këto të gjitha bashkë, pranë njëra-tjetrës, duket sikur është e pamundur që tërë këto mundësi të përbashkohen, e për nga zinxhiri i shkakësive, të bëhet e mundur gjithë ç’është arritur.

E megjithatë, shkaqet e nevojshme për sendërtimin e gjithë këtyre veprimtarive të bukura në emër të njerëzimit nuk janë vetëm kaq. Përveç kësaj kishte nevojë edhe për financues të sakrificës, të cilët të besonin mirëfillthi në vërtetësinë dhe domosdoshmërinë e këtyre shërbimeve në emër të njerëzimit. Dua ta qartësoj disi më mirë këtë pikë duke ju treguar një histori të diçkaje të jetuar. Në Izmir, bashkë me dikë që ishte tejet i pasur po shëtisnim fabrikat një e nga një për të kërkuar ndihmë prej pronarëve të tyre për ndërtimin e Institutit të Lartë të Islamit. Që të ishte më bindëse për njerëzit me të cilët do të flitej më patën thirrur edhe mua si vaiz. Në një fabrikë tullash, pasi i shpjeguam pronarit se ku qëndronte kërkesa jonë dhe rëndësinë e saj, ai nxorri nga xhepi, nuk dua të gaboj, pesëdhjetë lira. Edhe ju e kuptoni fare mirë, se nëse do të merreshin veç shuma kaq të vogla, as që mund të bëhej fjalë për ngritjen e institutit. Andaj, pas një këshillimi që bëmë me përfaqësues të nismës, vendosëm që t’i ftonim të gjithë njerëzit që ishin në gjendje të mirë ekonomike dhe t’u kërkonim atyre që të përpiqej secili me sa të mund’ dhe të jepte kontributin e tij. Me sa më kujtohet, arritën të mblidheshin vetëm aq njerëz sa për të mbushur katër anët e një tryeze. U mbajta një fjalim. Prej atyre që e kishin pranuar ftesën dhe patën ardhur u gjend sekush në ndihma nga njëqind, pesëdhjetë, dyzet apo tridhjetëmijë lira. Mirëpo njëri syresh u ngrit e tha, se “secili jep aq sa beson në një çështje të caktuar, ndaj edhe unë po jap vetëm dymijë e pesëqind lira” duke e prishur disi rregullin e grupit. Mirëpo, erdhi drta dhe me dhjetëra njerëz nga të katër anët e vendit filluan të nxisnin njëri-tjetrin për këto veprimtari mirëbërjeje; asisoj, që nëse ndodhte dhe ndonjëri nuk kishte marrë vesh për mbledhjen, përballeshe me njerëz që vinin e të pyesnin me qortim: “Po mua pse nuk më thirrët?” Madje, në një tjetër mbledhje të ngjashme që patëm bërë me një tjetër grup, një nënoficer i dalë në pension më erdhi nga pas në dhomë me një palë çelësa në dorë, dhe tejet i prekur, më tha: “Pak më parë të gjithë dhanë ç’të mundnin, ndërsa unë nuk kisha ç’të jepja, prandaj ju solla çelësat e shtëpisë.” Patjetër, që për mua ishte e pamundur t’ia pranoja. E falënderova, dhe me një gjuhë sa më të përshtatshme, u përpoqa që ta largoja prej vendimit që kish marrë.

Pikërisht një shpirt i këtillë qe formësuar tek njerëzit në fillim të viteve ’90 dhe nisi hapja drejt vendesh të tjera. Sepse çështja nuk ishte vetëm nevoja për mësues dhe kujdestarë. Sepse realizimi i të gjitha këtyre veprimtarive arsimore-edukative mund të bëhej i mundur vetëm pasi të ishin bërë bashkë një sërë kushtesh, siç ishte marrja e pëlqimit të prindërve, të ishte bërë analizimi i kushteve dhe koniukturave të vendeve ku do të shkonin, të merrej mbështetja financiare e njeriut trim dhe bujar të Anadollit, etj., etj., çka për nga pikëpamja e përllogaritjes së mundësive i bie të jetë një mundësi në njëmilionë. Atëherë, nuk ka njeri që të mund t’ia atribuojë gjenisë, intelektit, zgjuarsisë, logjikës dhe fuqisë së vet të jashtëzakonshme të gjykimit apo aftësisë së vet prej strategu të pa marrë me mend diçka që arrin të kryhet edhe me një mundësi një në njëmilionë; nëse e bën, atëherë imagjinojeni se ç’padrejtësie dhe paturpësie të madhe i bie të ketë shfaqur.

“Është Allahu Ai që na i ka falur arritjet”

Në thelb, njohja veç e Allahut pas çdo pune apo arritjeje të bukur është një çështje e një rëndësie të veçantë përsa i përket besimit dhe moralit islam. Për shembull, Omeri i nderuar (r.a.) e pati shkarkuar nga detyra komandantin e ushtrisë, Halidin (r.a.) në një luftë aq të madhe siç ishte lufta e Jermukut.[8] Forcat e kundërshtarëve në këtë luftë, e cila i dha fund sundimit bizantin në Siri, duke ia lënë drejtimin në dorë myslimanëve, ishin sa 7-8-fishi i myslimanëve. Mirëpo, falë mirësisë së Allahut (xh.xh.), myslimanët patën arritur ta përmbyllnin atë me triumfin e tyre. Strategjitë e luftës që u përdorën për herë të parë në këtë luftë prej Halid bin Uelidit (r.a.) që ishte komandanti i ushtrisë, zgjuarsia ushtarake dhe njëkohësisht trimëria dhe heroizmi i të cilit vlerësoheshin prej të gjithëve. Mirëpo, ndërkohë që kjo luftë ishte në vazhdim e sipër, Omeri i madh (r.a.) e pati shkarkuar Halidin (r.a.), kështu që gjithë ai Halid qe detyruar të kthehej pranë kalifit të myslimanëve me çallmën e tij në kokë. Ai që qe hedhur si bajloz mbi kryet e persëve dhe Bizantit. Atë njeri, për të cilin Ebu Bekri (r.a.) pati thënë: “Si Halidin, s’e bën më nëna.”[9] Siç e thotë edhe një teoricien perëndimor i historisë: “Përballë Halidit, komandantët si Hanibali mund t’i shohim veç duke iu përgjëruar që t’i gradojë komandantë.” Ja pra, megjithëse ishte një personalitet i këtillë, që përmendet me të tilla fjalë nga personalitete të ndryshme në epoka të ndryshme, përballë kalifit të mbarë rruzullit tokësor, ai është veç një ushtar i thjeshtë me çallmën e tij mbi krye. Kur u kthye pranë Omerit të nderuar (r.a.), Halidi i nderuar (r.a.), që iu bëfsha kurban të dyve, Omeri (r.a.) i drejtohet me këto fjalë: “Halid! Ti e di, që unë të dua shumë. Mirëpo, populli t’i atribuon ty personalisht të gjitha fitoret e arritura në luftë. Po unë e di fare mirë, se Ai që na i ka falur të gjitha këto është Allahu (xh.xh.). Jam i shqetësuar mos kthehesh në mit dhe njerëzit të kthejnë në idhull të tyre. Kjo është arsyeja pse të shkarkova...”[10] Karshi këtyre fjalëve, Halidi i nderuar (r.a.) i shton edhe më madhështi marramendëse madhështisë së tij, duke hyrë nën urdhrat e një njeriu që deri dje kish qenë nën urdhrat e tij, siç ishte Ebu Ubejde bin Xherrahu (r.a.)... hyn nën urdhrat e tij dhe lufton gjer në ditën e fundit të jetës së tij, jo si një ushtar i thjeshtë, por si shpata më e shndritshme e ushtrisë islame.

Me pak fjalë, nuk do harruar për as edhe një çast, se nëse brenda një pune nuk përfshihet forca dhe ndihmesa e Allahut, atëherë nuk ka kurrfarë shansi dhe mundësie që ajo të mund të çohet gjer në fund. Po, sepse çdo gjë e bukur bëhet e mundur veçse me lejen, forcën dhe ndihmesën e Allahut (xh.xh.). Ndaj, edhe ato arritje që mund të jenë sendërtuar gjer më sot, duhet t’i shohim si një shfaqje të ndjekjes, të ndihmesës dhe si një pasqyrim të pjesëmarrjes së Allahut (xh.xh.). Njëkohësisht, të gjitha këto duhet të nxisin ndjenjat tona të lavdërimit dhe falënderimit ndaj Tij, në mënyrë që mirësitë e falura gjer më sot të shumohen prej mirënjohjes sonë. Sepse, nëse të gjitha sukseset, Zoti na ruajtë, do t’ia atribuojmë vetes, atëherë Allahu (xh.sh) na lë vetëm për vetëm me forcën, fuqinë dhe vullnetin tonë të dobët e të mangët; na lë, dhe jo vetëm kaq, por ne do të kemi tradhtuar edhe këtë amanet të bekuar që ka kaluar veç prej duarve më të sinqerta. Valëvitja e të vërtetave kuranore mbi mbarë gjithësinë do të ishte e mundur veç aq sa ne do të ishim të lidhur fort pas të vërtetës së njësisë, aq sa ne do ta besonim plotësisht se pa pjesëmarrjen e Tij as një gjethe e vetme peme nuk do të mund të lëvizte dhe aq sa ne do t’i qëndronim besnikë këtij besimi.

[1] Hud, 11/41.
[2] Enfal, 8/30.
[3] Shih: Buhari, menakib 25; fedailu ashab 2; menakibu’l-ensar 45; Muslim, zuhd 75.
[4] Ibnu’l-Esir, el-Kamil fi’t-tarih 3/451.
[5] shën. - shërbimi
[6] Bediuzaman, Tarihçe-i hayat (shqip - Jetëshkrimi), fq. 126.
[7] Bediuzaman, Fjalët, (tr. Sözler) fq. 755; Rrezet, (tr. Şualar), fq. 739
[8] Shih: et-Taberi, Tarihu’l-umem ue’l-muluk 2/491.
[9] Po aty, 2/315.
[10] Po aty, 2/491.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.