Edhe sikur ta shkundin, besimtari nuk rrëzohet

Fethullah Gylen: Edhe sikur ta shkundin, besimtari nuk rrëzohet

“Qëndroni të palëkundur, mos u shqetësoni; nëse jeni prej besimtarëve, jeni të lartësuar.” (Al Imran, 3/139)

Tabloja me të cilën gjendemi ballë përballë është tejet frikësuese; megjithëse, sajë besimit, shpresës dhe drejtimit kah Allahu nuk duket as si e pakapërcyeshme. Nëse njeriu ecën apo fluturon drejt diellit, hijen e trupit e ka nga pas; ndërsa, po t’i kthejë kurrizin diellit, atëherë ka për të ngelur pas hijes së vet. Andaj vështrimi ynë duhet të jetë përherë i drejtuar kah drita e pashtershme. Po, çdo gjë, njësoj si me fjalët e Akifit, “kalon vetëm nëpërmjet mbështetjes tek Allahu, përqafimit pas vullnetit dhe njësimit me urtësinë.” Është e vërtetë që në vendin tonë po përjetohet një krizë; mirëpo, nëse njihemi më së miri me shkaqet e saj, dhe mandej e përballojmë me besim, shpresë dhe vullnet, atëherë kapërcehet lehtazi, siç ka ndodhur përherë me të këtilla kriza; në të kundërt, nëse problemet trazohen gjersa të shkumëzojnë dyshimet dhe fantazia, apo mbi to thuren politika nga më të ndryshme, ato fryhen, zmadhohen aq sa vjen një kohë kur çlirimi nga shkatërrimi psikologjik që kanë shkaktuar bëhet i pariparueshëm.

Në këto ditë, po përballemi edhe njëherë me një prej përsëritjeve të vazhdueshme të historisë; në çdo anë rrjedhin fatkeqësitë njëra mbi tjetrën, në çdo anë bela që e kanë mbërthyer shoqërinë dhe po e shkundin, përmbytje, flakë, aksidente të rënda automobilistike dhe sa e sa bela të tjera të kësaj natyre..! Përveç këtyre, padrejtësi nga më të shumëllojshmet, kundërvënie, komplote, mosmarrëveshje, vrasje dhe trysni mbi ndërgjegje... dhe megjithëse gjithë këto padrejtësi dhe viktima të njëpasnjëshme, njerëz krejt pa vullnet, që nuk u ndihet zëri, të cilët nuk dinë as të rënkojnë prej kobit që i ka kapluar... pos këtyre janë edhe ata, të cilët pasi kryejnë lloj-lloj padrejtësish dhe shtypjesh, janë aq zullumqarë sharlatanë, sa të përpiqen për t’i treguar këta të shtypur si të padrejtë... grumbuj të tërë të çekuilibruar njerëzish, të cilët për arsye nga më të ndryshmet, bien e ngrihen veç me urrejtje dhe mllef; dhe qarqe të caktuara, që përpiqen t’i shtyjnë ato sa vjen e më shumë drejt përdorimit të dhunës: Rroposës, që nuk ua ndjen për asgjë, që nuk njohin kurrfarë rendi dhe për më tepër zhurmues të cytjes... manipulues që e shohin vjedhjen dhe mashtrimin kushedi ç’marifet; vrapues pas rastit, se mos kapin ndonjë manipulues për t’u marrë pjesën e vet... imoralë që fshihen kinse pas një pastërtie të natyrshme... pastërti e natyrshme! Jezidë dhe bij të Shimirit të cilët e përdorin forcën e tyre pa pra duke u mbështetur veç pas parimit, “E drejta është me të fortin”... ryshfetçinj, mëkatarë kokë e këmbë, trafikantë armësh, drogmenë dhe rrjete të tyre... e sa e sa organizata të tjera të mallkuara..!

Po, sot po ndihet në çdo anë një vjeshtë drithëruese, e cila i ka bërë të gjitha vlerat njerëzore të nëpërkëmben; nuk ka ngelur më, asnjë vlerë njerëzore e universale. Edhe nëse mund të gjesh tre-katër veta që sillen si të sjellshëm, edhe ata janë duke ngarendur pas respektit që kanë për shpërblimin. Shtresa të ndryshme të shoqërisë ende cilësohen si turma; dhe gjendja e turmave që vijnë e na ulen në zemra në trajtën më të hidhur të mundshme. Premtimet për bukë, punësim dhe mirëqenie janë nga fjalët më të rëndomta që përdoren gjatë fushatave elektorale. E ngase deri më sot nuk ka pasur asnjë njeri që të jetë pjekur me ndonjërën syresh, tanimë nuk ia vë veshin më askush. Dija i është lënë amanet vetë Zotit!.. Njohja ia ka mbathur pas Malit të Kafit... me artin që bën kallauzin e ideologjive... edhe një pjesë e mirë e çerdheve të dijes janë lënë në mëshirë të imitimit të thatë... përpjekje që nuk marrin përgëzime për dashurinë për të vërtetën, pasionin për dijen dhe kërkimin shkencor... në shumicën e rasteve, edhe ato pak përpjekje që tregohen, janë thjesht nga një hobi... nuk kemi asnjë institucion jetik, të cilit do të mund t’i lëmë brezat e ardhshëm në përkujdesje... ndërsa po të shihet propaganda që bëhet, ngjan sikur të jemi një shtet i stërfuqishëm, që i mjafton tërë botës; kur në fakt, e vërteta na thotë se nuk jemi të atillë as për një rrethinë të vetme. Është e dukshme që jemi shumë-shumë pas standardeve botërore edhe përsa i përket vlerave morale, ndjenjës së përgjegjësisë, së drejtës dhe mendimit për drejtësinë: një pjesë e mirë e jona nuk ka respekt, as për nderin, as për turpin, e aq më pak respekt për të drejtën dhe mendimin... Frika nga Allahu dhe ndjenjat e virtytit ka kohë që kanë marrë arratinë... ndërkohë që jemi duke u përpjekur se si e si të shpëtojmë prej asaj ndjesisë ligështuese të të ndjerit turp prej njerëzve të tjerë, të cilët janë edhe ata robër. Na lexohet lehtazi që në fytyra se jemi kthyer në një tufë njerëzish krejt pa zemra dhe pa shpirt; në shumë prej nesh nuk ngeli më, as ndjenjë keqardhjeje dhe dhembshurie, e aq më pak ndjesi respekti e ndërsjellë... numri i njerëzve që e shohin fenë dhe komunitetet fetare si një institucion të vjetruar dhe rrënuar nuk është edhe aq i vogël. Në çdo anë ndjenjat fetare të rrënuara, fetaria e shkatërruar, ndaj dhe në çdo anë veç llafazanëri dhe rrënim moral; vetëm tradhti brenda tradhtish, në çdo anë vaje të pandalura... asnjë ndjenjë në shpirtrat e bjerrur prej erozionit që kanë përjetuar përsa i përket ndjenjave njerëzore... ose në rastin tjetër justifikime të natyrës, “Pse unë do ta shpëtoj botën?”, zemrat e prekura pre të dorëzuara pas emocioneve të tyre, dhe krejt të çekuilibruar... Numri i atyre që thonë: “Erdhi dita, ja ky është çasti i duhur”, nuk është fare i vogël... vetëm Allahu (xh.xh.) e njeh më së miri zakonin e atyre që ia kanë dedikuar jetën veç kapjes së çdo rasti dhe mundësie përfitimi personal kudo ku ato shfaqen. Edhe nëse ka ndopak njerëz që shqetësohen dhe mendojnë sadopak karshi të gjitha këtyre, ata janë të detyruar të jetojnë duke vajtuar nën trysninë e dhunës dhe ashpërsisë... kaderi i atyre që duan t’i shërbejnë njerëzimit është të shtypen, andaj edhe për ato zemra që rrahin me sinqeritet, çdo anë e kënd kthehet në nga një kurth i mundshëm djallëzor... deri më sot, askush nuk u ka thënë ndonjë gjë atyre që kanë ndenjur të heshtur... se çdo të ndodhë nesër, apo pasnesër, ngelet që të presim e të shohim...

Gjendet gjithmonë një rreth i caktuar margjinal njerëzish këlthitës, të cilët dalin përherë kundër fesë, Islamit dhe vlerave universale të njeriut, të cilët nuk janë vetëm armiq të besimit dhe fesë, por njëherazi edhe mosrespektues gjer në kulm të mendimit të lirë, demokracisë së vërtetë dhe të drejtave të njeriut. Këtalloj, sapo përballen me ndonjë mendim a qëndrim që nuk përkon me të tyrin, i shpallin saora luftë; hedhin baltë mbi çdokënd që nuk është i një mendjeje me ta; luajnë me erzin dhe nderin e tyre, madje nuk mjaftohen vetëm me kaq, por ndodh edhe që të ngrenë kundërguerrile të menjëhershme për ta zhdukur apo heshtur njëherë e mirë atë lloj mendimi tjetër. Jo vetëm kaq, por në mesin e tyre ka edhe të atillë, të cilët nuk njohin, as ndershmëri të mendimit, e aq më pak qashtërsi shpirtërore. Asaj që sot i thonë e drejtë, nuk e kanë për gjë, nëse ditën tjetër u duhet që ta quajnë të gënjeshtërt; mund të ndodhë, që atë që sot e ngrenë deri në qiell duke e duartrokitur, nesër mund ta zhysin deri shtatë pashë nën dhe. Nëse ka ndonjë anë të karakterit të këtyre mjeranëve për nga natyra është rrëshqitshmëria dhe këndellja prej helmimit të të tjerëve prej gjarpri. Tek disa prej tyre sheh një paudhësi të atillë mohuese, që!.. nuk njohin as Zot, e nuk pranojnë as Profet... për nga largpamësia mund t’i quash qorra të mirëfilltë, sepse nuk shohin, ndërsa nga veshët janë krejt vuvë. Nuk kanë lidhje as me shpirtin, e jo më pastaj ndonjë lidhje serioze me trurin, nuk tregojnë respekt as ndaj Allahut (xh.sh.), e aq më pak e dinë se ç’do të thotë të respektosh të Dërguarin e Tij... disa syresh janë injorantë të shumëfishtë, që mirë që nuk dinë, por as që ia kanë idenë se nuk dinë me të vërtetë: e njohin veten e tyre veç si më të diturit.

Me pak fjalë, sot, ka gjëra të papëlqyeshme e negative aq sa të mos duash që të ekzistojnë; ato mund t’i gjesh kudo, madje më shumë edhe se aq; ndërsa përsa i përket gjërave, të cilat i presim si popull, mund ta themi lirshëm se nuk kemi kurrfarë lajmi prej tyre. E ndërsa kjo është tabloja, të flasësh për shpresë, besim dhe vullnet është paksa e vështirë; mirëpo ne, si popull, jemi të detyruar që t’ia dalim kapërcimit të kësaj gjendjeje. Në të ardhmen, këto gjëra që po na ndodhin sot, mund të na i behin sërish mbi krye, por asaj here disa herë të shumëfishuara... i tërë vendi mund të kthehet në një varrezë gjigante, pa anë e pa fund... shpresa dhe përpjekja e popullit mund t’i vishet atij si qefin mbi krye... lumenjtë mund të kthehen në lumenj të Reuanit, shkretëtirat në Qerbela, armiqtë në Shimirë e muajt në muaj Muharremi... qytën e armës mund ta pasojë po qyta armësh njëra pas tjetrës... mund të ketë flakë tejefund, e flakët janë fare kaq pranë shtëpive dhe familjeve tona, për t’i bërë prush e hi të gjitha planet dhe pritshmëritë tona... mund të na ndodhë që të na lënë vetëm, të gjithë, si miq si armiq; madje, duke mos u mjaftuar vetëm me lënien vetëm, por mund të ndodhë që të pësojmë ndonjë goditje pas shpine pikërisht aty ku nuk e presim. Dhe ja pikërisht, në një kohë kur armiqtë turfullojnë kësodore prej mllefit, e miqtë tregojnë pabesinë e tyre, duke na lënë fillikat të vetëm përballë vështirësive, nuk duhet të lëkundemi aspak; duhet të qëndrojmë në këmbë pikërisht duke u mbështetur pas besimit dhe shpresave tona, aq sa, porsi kuajt e kalorësve, të dimë të vrapojmë derisa plasja të mund të na ndalë.

Edhe sikur të gjitha këto të këqija dhe fatkeqësi të shumëfishohen akoma më tepër... e çdo anë e jona të vajtojë prej pikëllimit... aq sa ulërimat tona të arrijnë deri në oqeane... edhe sikur vuajtjet e përjetuara të shkumëzojnë dhe derdhen në zemra porsi magma e vullkaneve, e i tërë populli të përpëlitet në një gjendje pazgjidhjeje... edhe sikur shpatat të vringëllojnë mbi kokat që rreken të mendojnë, apo madje edhe sikur me bajloza të shtypen trutë e tyre... sikur në çdo anë të dëgjohet vetëm ngazëllimi i zullumqarëve... edhe sikur ndërgjegjet më të pastra dhe më të gjalla t’i kaplojë pesimizmi më i errët... sikur të gjitha vendqëndrimet të kthehen në rrënoja të parestaurueshme... sikur hëna të zhduket fare e dielli të shuhet, e bashkë me shikimin të futen në errësirën ku nuk duket asgjë edhe krejt zemrat.. sikur kush ka dhëmbë të dalë nëpër pazar e të tregojë dhëmbët... sikur të dobëtit t’i mbahet gjuha për fare, e të heshtë kësodore njëherë e përgjithmonë... sikur shpirtrat e paqëndrueshëm të rrëzohen të gjitha njëra pas tjetrës, e ata që nuk kanë zemra të rrokulliseshin një e nga një...

Pavarësisht çdo gjëje, ne duhet t’i japim atë që meriton pozicionin në të cilin gjendemi pa e ndryshuar aspak qëndrimin dhe sjelljet tona, duhet të qëndrojmë në vendin tonë, për të qenë një forcë ku mund të mbështetet çdokush, një burim shprese, i cili do të shërbejë për t’i rindezur të gjithë pishtarët që mund të fiken. Po ta kemi të plotë besimin te Zoti, atëherë shpresa, vullneti dhe vendosmëria duhet të jenë shenjat tona dalluese; e shërbimi ndaj njerëzve detyra jonë kryesore. Duhet të ndjejmë aq shumë respekt ndaj Allahut (xh.sh.), dhe duhet ta shohim jetën tonë aq të lidhur prej lumturisë së të gjithëve, asisoj që ata që shohin se ne u japim të tjerëve të hanë atë që nuk e hamë vetë, kur të shohin se u veshim të tjerëve atë që nuk e veshim dot vetë, duke jetuar përherë pavarësisht vetes, të ndjejnë gëzimin e pjekjes me disa njerëz të besueshëm. Ne duhet të jetojmë aq pastërtish, saqë gjërat e palejuara dhe të ndaluara, jo vetëm jetën tonë, por as ëndrrat nuk duhet t’i ndotin me vizitat e tyre... ç’është e vërteta, një ndotje e këtillë, larg qoftë, mund të vijë një ditë që të shfaqet si kushedi ç’lloj humbjeje e thellë..! Nuk është parë e as dëgjuar ndonjëherë, që të ketë shpëtuar dot ndonjëri prej atyre që nuk e ka vlerësuar siç duhej pozicionin në të cilin është ndodhur. Kur, ç’është e vërteta, ne edhe mendimet e kësibotshme, dëshirën për të jetuar dhe pasionin për të nxjerrë interesa e përfitime, e quajmë si njëfarë vetëvrasjeje. Për më tepër, ne edhe Xhenetin nuk duhet ta kthejmë në synim të adhurimeve tona, dhe duke e lidhur zemrën tonë drejtpërsëdrejti me kënaqësinë e Allahut (xh.xh.), duhet të jemi përherë kundërshtues dhe mospranues në asnjë mënyrë të ndonjë dëshire vetjake. Kurrsesi nuk duhet të biem në kërkim për shpirtin tonë në këtë rrugë, të cilës i jemi futur për t’u dhënë shpirtrave.

Ata që i janë dhënë kësaj rruge të shenjtë, si dje edhe sot, nuk kanë menduar asnjëherë t’u përgjigjen atyre me pesimizëm, lëkundje, nervozizëm apo me ndonjë lloj ndjenje tjetër armiqësore, në këto kohë kur ndjenjat e armiqësisë vlojnë anekënd, një kohë e atillë kur edhe armiku ndodh rëndom të tregohet i pabesë për t’i gëzuar armiqtë, të cilët turfullojnë prej mllefit dhe ashpërsisë; ata i kanë gjykuar të këqijat gjithnjë duke bërë mirë; ata janë përpjekur që t’i rehabilitojnë të gjitha veprimet e këqija me mirësjellje, fjalë të ëmbla dhe mirësi nga më të ndryshmet, e kësodore kanë arritur që t’i kthenin të gjitha thyerjet dhe humbjet në fitore, duke iu përgjigjur çdo mendimi shprishjeje me veprime për ndërtim. Kështu që, nëse, - larg qoftë -, ndodh që, një ditë, i gjithë shteti të kthehet përmbys, dhe turmat të zhyten në errësirë, rrugët të shkatërrohen dhe urat të rrëzohen; nëse këta njerëz e quajnë paturpësi ndaj besimit dhe vullnetit të tyre që të ndjejnë panik, andaj, në vend që të shfaqin imazhe prej vdekjeje në pesimizëm dhe ngathtësi, mundohen të kijatin se rrugët për të ecur janë të hapura, me tërë mundësitë dhe përpjekjet e tyre, në mënyrë që të mos i lënë për asnjë çast pa lëvizur.

Unë besoj se, nëmos sot, nesër, këtyre heronjve të vullnetit do t’u zgjatet një dorë e ndihmesës... do t’u vijë fundi edhe llumit që përpiqet t’i ndalojë... bora dhe akulli do të shkrijnë, dhe kësisoj të gjitha ato shkretëtira të thata prej shekujsh do të kthehen në parajsa, dhe patjetër që fati ka për t’u qeshur edhe atyre.

Pesimizmi është kthyer në një egërsirë që të pret udhën, ndërsa mendimi i dobësisë dhe mungesës së zgjidhjes është një sëmundje që ta vret shpirtin. Ata që kanë arritur deri në njëfarë pike në të shkuarën, e kanë arritur atë veç sajë besimit dhe shpresës. Ata që janë zhytur në dobësi dhe pesimizëm kanë ngelur përherë në gjysmë të rrugës. Sepse ata që nuk kanë ndjenja, por rrinë veç në vendnumëro nuk mund të arrijnë asgjëkund... ata që flenë nuk mund t’i arrijnë pikësynimet e tyre... sidomos ata që humbasin vullnetin dhe fuqinë për t’u përpjekur nuk e kanë shumë të gjatë qëndrimin e tyre në këmbë.

Tani, nëse mendojmë sadopak për të nesërmen, dhe nëse mendojmë që t’ia arrijmë të ardhmes shëndoshë e mirë, nuk duhet të harrojmë se rrugët bëhen vetëm duke ecur dhe se planet plotësohen vetëm me vullnet, përpjekje dhe planifikim të tyre. Sa e sa herë ndodhi, që të gjitha ato maja që u tha se ishin të pakapërcyeshme u kaluan; me herë të tëra, maja të mëdha malesh e vunë sipërfaqen e tyre nën këmbët e vullnetit dhe përpjekjes, duke bërë kësodore që të përndizeshin edhe më shumë dëshirat për të përparuar. Ç’është e vërteta, në cilëndo epokë, ka pasur të atillë që ia kanë ditur mirë rëndësinë rrugës në të cilën kanë ecur, synimit të saj dhe forcës së nevojshme për të gjitha këto, kështu që sajë vetëdijes dhe dinamikave të tyre të brendshme, rruzulli sikur ka zënë të zvogëlohet nën këmbët e tyre, qielli ka hapur gjoksin për të mbështjellë njohjen e tyre, asisoj që ka ndodhur që të gjitha pengesat janë kthyer në nga një urë, e cila të çonte më pranë zgjidhjeve të lehta... përballë këtyre trimave, errësira ka pranuar përherë humbjen e saj, fatkeqësitë janë shndërruar në mëshirë, vuajtjet janë bërë rrugëzgjidhje, kurse përndjekjet janë kthyer në përparim.

Dhe ja, një të tilli, sikur edhe gjithë të sotmen t’ia rrënojnë, ai drejtohet kah të nesërmet, duke e vazhduar rrugën e tij në këtë kalvar; po edhe sikur edhe të nesërmen t’ia shkatërrojnë, ai i godet mamuzet e kalit për të rendur pas ndonjë dite tjetër të ardhme. Nuk ka njeri që të mund t’ia dalë një njeriu të këtillë, dhe nuk duhet të ketë. Sepse ai, edhe gjatë periudhës kur ka ndjerë humbje apo kur është shkundur, sajë besimit, shpresës dhe përpjekjeve të tij, e ka qetësuar vetveten me projekte të reja fitoresh dhe ngadhënjimesh. Dhe sërish, një njeri i këtillë, edhe në çastet kur përballë tij shfaqen urrejtjet e njëpasnjëshme dhe kanë shkumëzuar mllefet, për t’ia errësuar horizontin, ai asnjëherë nuk ka rënë në pesimizëm, poende pa rënë asnjëherë në panik. Sepse ai nuk është, as vetëm dje, as sot dhe as nesër. Ai është një “bir i kohës”, një “ibnuz-zaman” që gjendet në pozita për ta bërë fjalën e vet të dëgjueshme në çdo kohë. E njeh mjaft mirë kohën në të cilën jeton, e poashtu shpirtin e fesë së tij, bashkë me to edhe sekretet e Librit. Në çdo vend ku shihet apo ndjehet ai të kujton njerëzit e Kohës së Lumturisë. Ai, me karakterin e tij të shëndoshë, me ndjenjat, mendimet, pastërtinë, erzin, nderin dhe besnikërinë e tij është si një statujë graniti; sikur çdo gjë rreth tij të rrënohet – Zoti e di – asnjë pjesë e tij, qoftë edhe sa një thua, nuk i shkëputet prej tij.

Ne shpresojmë se; pikërisht sajë një karakteri kaq të shëndoshë, edhe sikur jo sot, nesër medoemos që edhe përmallimi i zemrës së tij, e cila po digjet prej mallit, ata që kanë jetuar të kërrusur do të drejtojnë trupin e tyre e do të ulërasin ekzistencën e tyre; kësisoj shpirtrat e ringjallur do ta përzënë errësirën që mbizotëron gjithandej, dhe duke i kapërcyer të gjitha pengesat me kallauz rrënjësh shpirtërore dhe tradicionale, sepse vetëm ashtu do të mund të bashkohet me thelbin e tij për t’u ngjitur kah majat e fatlumturisë.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.