Feja e zbritur prej Allahut është një e vetme

Pyetje: Pse Allahu i Madhërishëm nuk i krijoi njerëzit rreth një feje të vetme, por i lejoi ata që të përqafonin konfesione të ndryshme?

Përgjigje: Para së gjithash besimtarët duhet ta dinë se edukata dhe respekti për Allahun (xhel’le shanuhu) e kërkon që qeniet njerëzore të mos i kërkojnë dot llogari Atij për gjërat që Ai ka krijuar. Sepse, siç thuhet edhe në urdhrin kuranor, “(Ai) Nuk mund të mbahet nën llogari për gjërat e kryera.”; [1] sepse “Ai e bën çdo gjë si të dëshirojë.” [2] dhe nuk i përgjigjet askujt për këtë. Krejt e kundërta e kësaj është e vërtetë, gjithçka tjetër e krijuar është e ngarkuar me detyrën e llogaridhënies karshi Tij. Po të dojë dërgon një fe të vetme, po të dojë dërgon dy; po të dojë mund t’u shohë të denja edhe njëqind fe të ndryshme njerëzve. Këtë e shohim edhe në urdhrin e patëmetë të Tij: “Po të donte Zoti yt i krijonte njerëzit si një popull të vetëm.” [3] Mirëpo, po të ishte kështu, atëherë për njerëzit do të viheshin në zbatim po të njëjtat ligjësi që janë vënë në veprim edhe për bimët apo krijesat e tjera jofrymore, si rrjedhojë e vetë natyrës së tyre të krijimit. Por ç’e do se njerëzit nuk janë të këtillë. Atyre u është dhënë vullnet dhe vetëdije. Dhe, edhe pse mund të jenë disi të drejtuar dhe të detyruar prej pjesës së pandryshueshme të natyrës së tyre, paraqesin disa veçanësi edhe përsa i përket mundësive të përzgjedhjes dhe gjendjes përpara faktit për të qëndruar autentikë në sjelljen e tyre.

Shprehja e ajetit fisnik, “Po të donte Zoti yt do t’i krijonte njerëzit si një bashkësi të vetme,” është në përputhje të plotë me krijimin, cilësinë e të krijuarit, të cilën Ai është i vetmi që e zotëron. Mirëpo kërkesa hyjnore e Tij nuk ka dashur kështu.
Në vend të kësaj u ka parashtruar atyre një varg kërkesash dhe urdhëresash, duke u kërkuar kësodore që ta përdorin vullnetin e tyre sa më mirë. Por ç’e do se disa nga njerëzit e pranuan këtë marrëveshje, e disa të tjerë jo. Disa nga ata që e pranuan e zbatuan siç duhej, e disa të tjerë jo. Disa nga ata që e zbatuan më së miri hoqën dorë pas njëfarë kohe, duke devijuar, ndërsa disa të tjerë jo. Kësisoj, ata ose i hapën punë vetes me vullnetin e tyre të lirë, ose gjetën rrugën që të çonte për në Xhenetin e amshuar. Me një fjalë është më se e kuptueshme se nuk bëhet fjalë për një detyrim absolut karshi njeriut nëse do ta shohim këtë në dritën e ligjësisë së natyrës së qenies njerëzore. Allahu (xh.xh.) ua ka falur lirinë si një ndër mirësitë më të mëdha që i ka falur njeriut. Dhe një njeri që e përdor atë për të kuptuar sa më mirë fenë e zbritur po prej krijuesit të kësaj lirie, mund të arrijë gjersa të fitojë lumturinë në të dyja botët (këtë botë dhe në ahiret).

Ndërsa në anën tjetër të kësaj çështjeje qëndron njëjësia (e Zotit). Ligjet hyjnore që Allahu (xh.sh.) i ka dërguar si fe për njerëzit duhet të jetë medoemos i natyrës thirrëse drejt unitetit. Të gjithë profetët, duke filluar që nga Ademi (a.s.) e deri te Profeti ynë i Dashur në krye, kanë thirrur të gjithë drejt “Një”-shit. Vetëm drejt “të Vetmit” i kanë ftuar njerëzit. Edhe mendimi i përhapur nën ndikimin e mendimtarëve materialistë perëndimorë lidhur me historinë e feve, se besimi fetar ka evoluar nga fetë politeiste drejt atyre monoteiste nuk ka asnjë bazë të besueshme vërtetësie. Epoka e besimit tek Zoti si Një dhe i Vetëm ka nisur që me Ademin (a.s.); me kalimin e kohëve janë shtuar urdhra dhe urdhëresa të tjera për përsosjen dhe plotësimin e qenies njerëzore në çdo aspekt të saj, në përputhje edhe me kërkesat e shpërfaqura prej evoluimit të strukturës së shoqërisë njerëzore. Ndryshimi, apo përmirësimi, i këtyre urdhrave, të cilët kanë ndryshuar me përparimin e shoqërisë njerëzore, ngjajnë njësoj me ndryshimin e disa rrethanave në një familje me ndryshimin e strukturës së saj. Por të gjitha këto janë që gjenden qysh në krye të herës në planin dhe projektin njerëzor. Për shembull, në një shtëpi jetojnë zoti Ali me zonjën Fatime. Dhe kur ata bëhen me fëmijë, atyre u duhet që të shtojnë edhe një, dy apo më shumë dhoma të reja, sipas nevojës. Kësisoj, sipas ndryshimit të strukturës së familjes së tyre, u duhet që të shtojnë edhe dhoma, dyer dhe dritare të reja në të. Kësodore edhe ndërtesa e kësaj bote kërkon ndryshime të tilla. Kjo nevojë shfaqet në mesin e njerëzve si dobësi, si varfëri apo si mangësi, të cilat duhen kapërcyer. Allahu (xh.sh.), i Cili zotëron pasuri të pakufishme e absolute, i di shumë mirë këto nevoja me dijen e Tij të parakohësisë, ndaj i jep gjithësisë një formë të këtillë, duke e strukturuar gjithçka sipas një plani të caktuar dhe bën atë që është më e nevojshmja dhe më e domosdoshmja në kohën e duhur.

Ja pra se si na del se feja është e ndërtuar në metodën e saj qysh me Ademin (a.s.). Me zhvillimin dhe përparimin e njerëzimit janë shtuar disa ndërtesa të tjera, me një përparim të përcaktuar nga shkalla e zhvillimit. Ademi (a.s.) i ftonte njerëzit drejt rrugës së drejtë duke shtuar edhe frazën “Adem Resulullah” pas bërthamës së besimit, “La ilahe il’lallah”. Po ashtu edhe Nuhu (a.s.), thoshte: “La ilahe il’lallah Nuh Resulullah”; Musai (a.s.) duke thënë: “La ilahe il’lallah Musa Resulullah”; Isai (a.s.) duke thënë: “La ilahe il’lallah Isa Resulullah”. Kohët ndryshuan, njerëzimi ndryshoi dhe ne themi sot “La ilahe il’lallah, Muhammedun Resulullah”.

Në fakt, në thelb, mes feve të zbritura prej Allahut (xh.xh.) nuk ka asnjë ndryshim. Të gjithë profetët kanë folur për ahiretin, e kanë tërhequr vëmendjen e njeriut kah llogaridhënia dhe libri i veprimtarisë së jetës së tij, duke e quajtur besimin te Libri i zbritur prej Allahut si kusht të besimit. Këto janë të gjitha të vërteta të pandryshueshme dhe të patjetërsueshme; ka pasur ndryshime veçse në disa imtësi dytësore, të cilat nuk i prekin shtyllat e besimit. Nëse një shtëpi është zmadhuar dhe ka marrë përmasat e një fshati, atëherë janë të pashmangshme disa ndryshime që duhen bërë. Por, nëse kjo shtëpi pastaj zhvillohet dhe merr formën e qytezës, apo të qytetit, atëherë është e domosdoshme që të zgjidhet një administrator që të ndjekë mbarëvajtjen e gjërave dhe që punët të kryhen ashtu siç duhet; poende duhet që të lindin edhe një varg detyrash që duhet të marrë përsipër secili prej individëve që bën pjesë në të. Dhe nëse kjo familje ka marrë trajtën e një shteti, atëherë ajo ka nevojë për shumë drejtues, për një ushtri dhe për një prijës e kështu me radhë.

Edhe feja islame, e cila është njëfarësoj rrjedhojë e natyrshme e natyrës njerëzore, ashtu është zhvilluar, në përputhje të plotë me këtë rrënjë, duke e fituar plotërinë e saj për t’iu drejtuar mbarë njerëzimit në epokën e Profetit tonë (pqmT). Megjithëse feja gjithmonë një e vetme ka qenë.

Thelbi i feve që kanë dalë përgjatë historisë me emra të ndryshëm është si trupi i një peme të vetme. Më vonë ato kanë lëshuar sythe dhe degë, derisa kanë gjelbëruar në atë gjethnajë të dendur. Edhe nuancat që janë shfaqur si rrjedhojë e karaktereve, temperamenteve dhe perceptimeve të ndryshme sërish shfaqen të lidhura rreth atij uniteti. Feja është një e vetme, vetëm se përgjatë historisë ka pasur devijime serioze prej atij “një”-shi. Allahu ka qenë një dhe i njëjti mirëpo mes Tij dhe njerëzve janë futur lidhje të tjera, të cilat kanë bërë që të harrohet synimi i vërtetë. Materia, të cilën Allahu e ka krijuar si një mjet për njerëzit – njësoj si në epokën që jetojmë ne – ata e kanë hierofanizuar atë në pozitat e hyjnores dhe ka pasur shumë njerëz që kanë filluar të besojnë tek ajo, duke bërë që të lindë ai që ne sot e quajmë mendimi materialist. Këto kanë qenë devijime shumë serioze dhe ka qenë po njeriu që ia ka hapur vetes si fatkeqësi për veten, nga të cilat e ka pasur dhe e ka shumë të vështirë që të shpëtojë. E kësodore edhe natyra e hyjnores i ka lënë ata përballë krijesës që ata e kanë krijuar vetë me zgjedhjen e vullnetit të lirë të tyre, duke e krijuar gjithçka në një formë që ata të jenë së sprovë mes krijimeve të tyre dhe krijimit hyjnor.



[1] Enbija, 21/23.

[2] Hud, 11/107; Buruxh, 85/16.

[3] Hud, 11/18.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.