Lutja për falje

Fethullah Gylen: Lutja për falje

Pyetje: Çfarë mund të na thoni për mënyrat dhe edukatën e lutjes për falje, të cilat janë edhe nga një mundësi pastrimi për zemrat besimtare?

Përgjigje: Çdokush, përpara se të fillojë të kërkojë falje, duhet të kujtojë njëherë madhështinë e Allahut (xh.xh.), e kësisoj ta përlartësojë dhe t’i thurë lavde siç i ka hije madhështisë së Tij, me të gjitha llojet e përmendjeve. Në lidhje me këtë çështje ka shumë fjalë të bukura të transmetuara prej Profetit tonë Fisnik (s.a.s.). E duke marrë frymëzim prej këtyre thënieve, mund të niset edhe nga pendesa apo kërkesa e faljes.

“Më i Madhi është Allahu, e çdo lavd e falënderim është e drejta e Atij Më të Lartit ndër të lartë. Vetëm Ai e meriton që të përmendet ditë-natë. Nuk ka Zot tjetër veç Allahut. Ai është i vetëm. Ai e ka ndihmuar robin e Tij, dhe i Vetëm i ka shpartalluar ushtritë armike. Ai nuk ka as shok e as ortak në punën e Tij.”

Pas shprehjes së madhështisë dhe lartësisë së Allahut, edhe salavatet drejtuar të Dërguarit të Tij, janë një tjetër arsye për pranimin e lutjes për falje. Sepse salavati është një lutje e pranuar prej Allahut. E duhet ditur, se me anë të salavatit, çdokush ka gjetur një rrugë të shëndoshë për t’u lidhur me të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Pra, kushdo që e nis kërkesën e tij për falje me emrin e të Dërguarit të Allahut, ka një arsye më tepër afrimiteti drejt Allahut (xh.xh.).

Poashtu, siç ndodh në namazin e haxhetit, mund të kërkohet falje edhe në emër të mbarë Umetit të Profetit Muhamed (s.a.s.). Apo siç ka qenë e përfshirë prej të parëve tanë edhe nëpër përmendjet e mëngjesit apo të mbrëmjes: “O Zot! Fale umetin e Profetit Muhamed! Mëshiroje umetin e Profetit Muhamed!” Kësisoj, edhe do të keni bërë një kërkesë tejet të vyer për mbarë umetin, por edhe do të keni nisur mirë për kërkesën e faljes suaj. Madje mund ta shihni veten si një prej më mëkatarëve në mes të umetit të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), dhe të luteni: “O Zot! Falmë mua dhe umetin e Profetit Muhamed! O Zot! Mëshiromë mua dhe umetin e Profetit Muhamed!”, duke e nxjerrë kësisoj edhe veten në pah.

Kërkesë për falje me më të bukurat e fjalëve

Pas një fillimi të tillë, në mënyrë që t’i falen mëkatet dhe gabimet, personi mund t’i drejtohet Allahut edhe me disa prej ajeteve të Kuranit:

Ti je i pastër nga çdo cilësi e tëmetë; ç’është e vërteta, unë u tregova prej të padrejtëve.”, andaj pres faljen Tënde. (Enbija, 21/87);

Unë u dëmtova shumë, Ti je më i Mëshirshmi ndër gjithë të mëshirshmit.” (Enbija, 21/83);

Duamë o Allah dhe falmë mëshirë; falmë, se mëshira Jote është më e vyera.” (Mu’minun, 23/118);

O Zot, unë i bëra keq vetes sime, falmë!” (Kasas, 28/16);

O Zoti ynë! Falmë mua, nënën dhe babanë tim e të gjithë besimtarët e tjerë!” (Ibrahim, 14/41);

O Zoti ynë! Na i fal të gjitha teprimet apo mëkatet që mund të kemi kryer pa e ditur; na i mbaj të qëndrueshme këmbët në rrugën e drejtë, dhe na ndihmo prej atyre që gjenden në rrugën e mohimit.” (Al Imran, 3/147).

Krahas lutjeve që gjenden edhe në Kuranin Fisnik, gjenden edhe shumë lutje të tjera, mjaft të bukura në Sunetin e Profetit. Për shembull, njëherë, Ebu Bekri (r.a.) i qe lutur të Dërguarit të Allahut që t’i mësonte një lutje për në namaz, dhe Profeti ynë i Dashur (s.a.s.) i mësoi këtë lutje: “O Zot! Unë i bëra shumë keq vetes sime. E vetëm Ti je Ai që mund të m’i falë mëkatet. Atëherë mëshiromë dhe falmë mua me një falje siç është falja Jote. Sepse veç Ti je Pastruesi i mëkateve, e Ti je i Vetmi i Gjithëmëshirshëm.” (Buhari, daauat, 17; Muslim, dhikr, 48). Kjo lutje, e cila mund të lexohet pas sexhdes, apo pas tahijatit, do të ishte me vend që të thuhej në pozitën e kërkesës së faljes.

Një tjetër lutje e këshilluar prej Krenarisë së Njerëzimit (s.a.s.), që mund të thuhet çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, e që për më tepër është cilësuar edhe si zonja e lutjeve për falje, është kjo: “O Zot! Ti je Zoti im. Nuk ka zot tjetër veç Teje që të meritojë adhurim. Mua Ti më krijove. Unë jam robi yt. Ende po rrekem që të qëndroj në fjalën e dhënë që në krye të herës. Veç tek Ti mbrohem prej të keqes së mangësive të mia. Veç Ty t’i përmend me ndjenjën e detyrimit që kam karshi Teje, të gjitha të mirat që më ke falur, e poaty të dëshmoj dhe mëkatet e mia. Falmë mua; nuk ka dyshim, se nuk ka tjetër që të mund t’i falë mëkatet.” I Dërguari i Allahut (s.a.s.) është shprehur kështu në lidhje me këtë lutje: “Kushdo që e thotë këtë lutje gjatë ditës, duke i besuar virtytit dhe shpërblimit të saj, edhe nëse vdes para muzgut të asaj dite, ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit. Dhe kushdo, që duke i besuar virtyteve dhe shpërblimit të saj, e thotë gjatë natës, atëherë nëse ndërron jetë para agimit të ditës tjetër, ai do të jetë prej banorëve të Xhenetit.” (Buhari, daauat, 2)

Përgjërohu derisa të ndjesh pastrimin

Veç kësaj, njeriu mund ta vërë kokën në tokë, duke thënë: “O Jetëdhënësi, që e mban në këmbë krejt universin, të kërkoj ndihmë duke i besuar mëshirës Sate; përmirësoma çdo gjendje timen, duke mos më lënë vetëm me egon time, qoftë edhe sa një pulitje e qepallave.” derisa të lodhet, apo të ndjejë brenda njëfarë ngopjeje, se mund edhe të jetë pastruar. Disa syresh i kanë shtuar edhe një pjesë tjetër lutjes së tyre, e cila mbart kuptimin, “mos më lër vetëm me veten time qoftë edhe sa një pulitje qepallash.

Ti je i Pastër prej çdo të mete, o Allah! Sa madhështor që është emri Yt. O Zot, të kërkoj që të m’i falësh të gjitha mëkatet. Të përgjërohem që të më falësh me mëshirën Tënde. O Zot, shtoma dijen, e pas udhëzimit që më ke falur, mos më lejo që zemra të më largohet prej udhës së drejtë, por falmë sa më shumë mëshirë prej mirësisë Sate. Ç’është e vërteta, vetëm Ti je Ai që bën kaq shumë të mira, prej mirësisë, bujarisë dhe fisnikërisë Sate.” (Buhari, daauat, 7-8; Muslim, dhikr, 59) është një tjetër lutje prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), të cilën Ai e thoshte sa herë që zgjohej nga gjumi, e që ia vlen të derdhet mes dhëmbëve si një melodi zemre.

Nga ana tjetër, çdokush, duke e ditur edhe më mirë gjendjen e mangësive dhe mëkateve të veta, duhet të tërhiqet mënjanë për të përsëritur njëqind herë “estagfirullah! subhanallah!”. Për shembull, sipas transmetimeve thuhet se Ebu Hurejre ka pasur përsëritur dymbëdhjetëmijë herë Subhanallah gjatë ditës. Dhe kur e pyesnin, “A nuk është shumë?”, ai përgjigjej: “Po unë e them aq herë sa ç’mëkate kam kryer.” (Ibni Shejbe, el-Musan’nef, 5/345). E unë nuk mendoj se ai, i cili kishte ardhur prej Deusit në mes të sahabëve të Sufes, e që pasi kishte ndenjur për një kohë të gjatë pranë të Dërguarit të Allahut, ishte bërë edhe transmetuesi më i madh i haditheve të Tij, e pas largimit të të Dërguarit të Allahut nga kjo botë, ishte kthyer në një forcë qendërthithëse ku çdokush drejtohej për të kërkuar zgjidhje për pyetjet e veta, të kishte ndofarë mëkati. Mirëpo, ai, sipas horizontit të tij, kështu e shihte më të drejtën për veten e tij. Saora, nëse ne marrim e shohim pak jetën tonë të përditshme, të shpërfytyruar prej mëkateve, edhe sikur tridhjetëmijë herë të themi “estagfirullah!”, prapë pak ka për të qenë.

 Krahas këtyre, mund të lexohen edhe lutjet për falje nga njerëzit më të lartë, të cilat kanë hyrë tashmë edhe në Kulubu Daria. Për shembull Hasan Basriu, i cili ishte një njeri shumë i thellë shpirtërisht, që përballej dhe kapërfytej vazhdimisht me vetveten. Nëse keni mundësi, lutjen për falje që kryente ai të ndarë nëpër ditë, mund ta ndani edhe ju me njëri-tjetrin nëpër ditë të caktuara. Ai, pasi thoshte një salavat për të Dërguarin e Allahut, fillonte të derdhte një nga një të gjitha mëkatet e tij, e kësodore e mbyllte sërish lutjen e tij me një salavat. Në fakt, as që mund të bëhet fjalë se një njeri i tillë, i cili kryente adhurime ditë-natë, e që përpiqej vazhdimisht që ta jetonte jetën veç në përpjekje për rrugën e së drejtës, të mund të bjerë në mëkat. Sepse, as koha dhe as natyra e tij nuk ishin të përshtatshme për të rënë në mëkat. Mirëpo, bashkë me këtë, ai i përgjërohej Allahut (xh.xh.) edhe për gjërat më të imta që mund t’i kenë kaluar ndërmend. E ne, ashtu siç nuk jemi më përpara se Hasan Basriu në jetesën tonë fetare, ashtu nuk jemi fare pas se Hasan Basriu në gabimet tona. Kështu që, edhe nëse ne i lexojmë dyfish këto lutje të tijat, të cilat ai i lexonte njëherë, prapë ka për të qenë shumë pak.

E ndërsa është duke e përmbyllur lutjen e tij për falje, çdokush, ashtu siç e nisi, duhet ta përfundojë me një salavat për të Dërguarin e Allahut (s.a.s.). Sepse, siç është dhënë sihariqi, se lutja e futur mes dy lutjesh të pranuara, pranohet, edhe kjo lutje për falje, e futur mes dy salavateve (lutje të pranuara) për Profetin tonë të Dashur (s.a.s.), ka për t’u ngjitur drejt horizonteve të pranimit.

Dhe si një pikë e fundit, dua të shtoj se çdo fjalë e përmendur në lutjen për falje, duhet të jetë medoemos e vetëdijshme. Sepse fjalët e thëna si në një topitje e sipër ndjenjash, e në mënyrë krejt të pandërgjegjshme, janë nga një paturpësi treguar karshi Allahut (xh.xh.). Përveç kësaj, ka mundësi që të qerthullojnë edhe ndonjë gënjeshtër brenda vetes. Si rrjedhojë, çdo fjalë e derdhur prej gojës duhet të rrjedhë prej zemrës, në mënyrë që të lërë gjurmë ngado që të kalojë. Asisoj që, ndërsa dikush do t’i hapë zemrën për t’iu përgjëruar Allahut (xh.xh.), duhet të përpëlitet prej shqetësimit të mëkateve dhe gabimeve, të dridhet në pendesë, deri në një gjendje që t’i duhet sikur edhe rrahjet e zemrës do t’i ndalin nga çasti në çast.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.