Shtamba e Thyer

Mevlana Xhelaledin Rumi në një histori të tijën tregon: Dikur njerëzit i donin shumë mbretërit që pushtonin jo vetëm tokat, por edhe zemrat e njerëzve. Gjithashtu ata kishin dëshirë të njiheshin dhe të duheshin prej tyre. Për këtë arsye, në ditë të veçanta njerëzit shkonin në Bagdad dhe dilnin në praninë e mbretit për t’i servirur atij dhuratat e tyre. Në një ditë kur të pasurit paraqitnin dhurata të çmuara, një i varfër po kërkonte një dhuratë të denjë për mbretin. Pasi nuk arrin të gjejë asgjë me vlerë, i vjen ndërmend shtamba e thyer që kishte në shtëpi. E mbush shtambën me ujin e freskët të fshatit dhe niset për rrugë.

Rrugës takon dikë i cili pasi mëson se me çfarë merrej e për ku ishte nisur, në formë tallëse i thotë: “A nuk e di ti se froni i mbretit ndodhet mbi burimin e atij uji. Madje edhe uji i burimit tuaj atij i përket!” I varfri skuqet, fjalët i bëhen lëmsh në grykë, përtypet dhe thotë: “S’prish punë, mbretit i ka hije të sillet si mbret, ndërsa shërbëtorit si shërbëtor. Edhe nëse s’kam një dhuratë të veçantë për mbretin, gjithsesi kam një zemër plot me dashuri e me mall për t’i servirur atij ujin tim.” Me shtambën e thyer ai del para mbretit. Mbreti sillet ashtu siç i ka hije një mbreti; e gostit atë dhe kur fshatari bën për të dalë, u thotë shërbëtorëve të tij: “Çfarëdo që të ketë sjellë, mos e ktheni duarbosh, mbushjani me flori shtambën.”

Mevlana tregime të tilla i vlerëson mjaft bukur. E rrëfen këtë tregim dhe shton, “Edhe nëse vijmë me një kapital të paçmuar, prapë se prapë porta për ku jemi nisur është porta e Allahut.” Edhe shokët tanë, duke u nisur nga kjo ide, emërtuan faqen e internetit me emrin “Shtamba e thyer”.

Bediuzamani, në Fjalën e Njëzetekatërt, duke folur për “nijetin e përgjithshëm” thotë: “Për shembull, një person del në praninë e mbretit me një dhuratë që ka vlerën e 5 lekëve. Atje shikon se prej njerëzve të afërt të tij janë të rreshtuara dhurata që vlejnë miliona. Mendon me vete: “Dhurata ime është pothuajse asgjë, ç’të bëj?” Por më pas thotë: “O Zotëria im! Po t’i servir ty të gjitha këto dhurata të çmuara në emrin tim. Sepse ti i meriton ato. Nëse edhe unë do të kisha mundësi, do të bëja dhurata ty edhe një herë sa këto.” D.m.th, “O Mbreti i mbretërve! O Sunduesi i sunduesve! Këta njerëz po të bëjnë ty këto dhurata të çmuara; ndërsa unë vetëm kaq kam mundësi. Por nëse do t’i kisha mundësitë, do të jepja ty një dhuratë sa të gjitha ato dhuratat e tjera...”

Në këtë aspekt, nijeti (qëllimi) ka shumë rëndësi. Sepse nijeti përbën thellësinë e vërtetë të adhurimit dhe bindjes. Adhurimi është një veprim, një aksion. Dhe thellësia e vërtetë e tij ndodhet tek nijeti i njeriut, tek sinqeriteti me të cilën e kryen ai atë punë. Gjithashtu është kusht që gjërat që ka kryer mos t’i shohë të shumta, mos të bjerë në kurthin e mjaftueshmërisë, por t’i shohë pak ato që ka kryer e të mundohet gjithmonë për më tepër. Nuk po i themi ndokujt “Fal një mijë rekatë!”, por nëse dikush ngrihet e thotë “Unë fal një mijë rekatë, çmendim keni?”, unë atij i them, “Nëse ke mundësi, shtoji edhe një mijë rekatë, fal dy mijë rekatë!”

Por nëse nuk e them këtë, është për arsyen sepse Profeti (s.a.s) ka thënë: “Feja është e ndërtuar mbi lehtësinë. Nëse e vështirësoni atë dhe e shndërroni në një gjendje të papërballueshme, atëherë ju do të dilni të humbur dhe do t’i shtyni ata që zbatojnë obligimet fetare drejt braktisjes së tyre.”

Dhe unë për të mos rënë në një gabim të tillë vështirësimi nuk them “edhe më”. Por nëse nisemi nga e drejta e Zotit mbi ne, jo një mijë, por edhe sikur tre mijë rekatë të falë, më duhet të them “edhe më”.

Ebu Hurejre (r.a) çdo ditë thoshte 12 mijë herë “Subhanallah”. Kur e pyesin për arsyen, u thotë, “Them vetëm aq sa mëkate kam, jo më shumë”. Mund të pyesni, “Ç’mëkate kishte ai?”; mund t’ju kalojë nëpër mend, “Vallë çfarë bënte?”, por unë nuk jam i mendimit se ai kryente ndonjë mëkat. Një person i cili ia kishte kushtuar veten Profetit në Suffe; i cili në harkun kohor të tre vjetëve kishte marrë dije që nuk përvetësohen as për njëzet vjet; që kishte hyrë në mesin e sahabeve më të ditur; dhe ashtu siç dëshmojnë edhe shokët e tij, që ishte i kyçur ndaj çdo mirësie në emër të kësaj bote dhe priste vetëm mirësitë dhe favoret nga ana e Zotit, nuk pandeh se mund të kryente ndonjë gjë të keqe. Ndoshta, duke shikuar mirësitë e Allahut dhe duke mos e falënderuar dot siç duhet, duke parë favoret e Tij çdo minutë, çdo sekondë, madje çdo të qindtën e sekondës dhe me ndjenjën se nuk po mundej ta falenderonte denjësisht Allahun, përgjërohej dhe thoshte “Subhanallah”. Ndoshta i kërkonte llogari vetes duke thënë “Më kaloi një çast larg Tij” dhe kërkonte falje për atë moment.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.