Të arrish të vdesësh mysliman

Fethullah Gylen: Të arrish të vdesësh mysliman

Pyetje: Si duhet të jetë një njeri, që të jetë prej atyre që jetojnë si myslimanë, vdesin si të atillë, gjersa në atëbotë hyjnë në rrethin e të mirëve?

Përgjigje: Pikë së pari, që një njeri të mund të vdesë si mysliman, është tejet e rëndësishme që të ketë jetuar si i atillë. Në një hadith të bekuar, i cili mund të kritikohet përsa i përket kritereve vlerësuese të haditheve, Profeti ynë i nderuar (s.a.s.) shprehet: "Si të jetoni ashtu vdisni, si të vdisni ashtu ringjalleni."[1] Domethënë, edhe bota tjetër formësohet pikërisht sipas çastit të vdekjes së besimtarit. Ndërsa ky çast i ndërrimit jetë formësohet pikërisht prej mënyrës se si ai ka jetuar. Nëse një jetë është jetuar në më lartën dhe të pastrën mënyrë të mundshme, duke u ruajtur përherë fortë lidhja me Zotin, duke iu dhënë trajta e nevojshme çdo fakulteti të trupit apo shpirtit sipas kuptimësimit që i ka caktuar Allahu (xh.sh.), edhe migrimi prej kësaj bote, me lejen dhe ndihmesën e Allahut (xh.sh.), po njësoj ka për të ndodhur. E nëse nuk është thelluar siç duhej në besim, atëbotë njeriu po me një zbrazëti të atillë do t'i thotë lamtumirë kësaj bote.

Të parët tanë na kanë dëshmuar mjaft raste të tilla, si përsa i përket krahut pozitiv, ashtu edhe atij negativ, në librat e titulluar Kitabu'r-Rekaik, të cilët janë libra që trajtojnë dhe rrëfejnë çështje, të cilat ia gjallërojnë shpirtin, ia prekin zemrën dhe shikimin ia kthejnë kah ahireti dhe dita e gjykimit çdokujt që i lexon. Një shembull ideal prej tyre mund të jetë "Tedhkireja" e Imam Kurtubiut. Siç e vërejmë në këto vepra, ka pasur të atillë prej të parëve tanë, të cilët sikur janë bërë me krahë në çastin që kanë qenë duke dhënë shpirt. Sepse këta njerëz gjatë gjithë jetës kanë qenë të zënë veç me Kuranin Fisnik, e kanë dashur atë aq sa ia kanë falur krejt zemrën, që edhe sikur të kenë qenë në koma, gjuha e tyre ka kënduar veç Kuran e nuk u ka reshtur prej kurrfarë arsyeje së foluri veç në emër të të Drejtit. Pasi kjo çështje është kthyer për ta në nënvetëdije, duke u kthyer në dinamo të të gjitha fjalëve, sjelljeve dhe veprimeve të tyre. Gjëja më e ëmbël në çastin e vdekjes së një myslimani, për të cilin namazi zë një vend të qenësishëm në jetën e tij, është që të mund ta vendosë edhe njëherë ballin në sexhde përballë Zotit të Tij. Siç bëhet e ditur edhe në hadith, gjendja kur njeriu është më pranë Zotit të tij, është çasti i sexhdes.[2] Dhe ja, një njeri i këtillë, pikërisht me ballin në sexhde kërkon t'ia dorëzojë shpirtin Zotit të tij. E, që ç'është e vërteta, jo se nuk ka që e kanë dhënë shpirtin në këtë formë; njëri syresh është edhe Ahmet Naimi.

Ngjashëm me këtë, në polin tjetër ka njerëz të atillë që, Zoti na ruajtë!, e, më falni por, kanë kaluar veten e tyre në anën tjetër duke murmuritur: "Shpjereni kalin dhe lidheni mirë në haur, fshijeni mirë vendin përreth, dhe bjermani mua fshesën." ose, "Filani kishte kaq për të më dhënë, se atë punën e patëm zgjidhur të dy tok. Edhe në dy-tri vende të tjera kam për të marrë ca." Ka sa e sa njerëz që e kanë dorëzuar shpirtin e tyre në një agoni duke belbëzuar shprehje të këtilla. Sepse ashtu si të ketë jetuar, ashtu është trajtësuar edhe nënvetëdija e atij njeriu. Në çastin që njeriu e humb vetëdijen, atëherë nënvetëdija fillon ta torturojë, gjersa arrin ta marrë plotësisht në kontroll. E kjo gjendje vazhdon mandej kësodore gjer në varr. Madje më tepër se aq, mund të ndodhë, që ndërsa në varr i vjen engjëlli për ta pyetur për Zotin dhe Librin e Tij, ka gjasa që ai t'i përgjigjet si belban: "Sillmëni sepeten atje, jepuni tagji kuajve, pa sistemojeni edhe kashtën siç duhet."

Ajo që ne e lusim Zotin tonë është që të na falë një fund sa më të mbarë. Kësoarsyeje Kurani na thotë: "Mos t'ju shkojë nëpër mend ndryshe, por të përpiqeni që të vdisni si mysliman." Ndërkojhë, ndërmend mund t'ju vijë edhe një pyetje e tillë, "A e kemi në dorë ne të vdesim si myslimanë?" E si pasojë, ne as nuk duhet të harrojmë se si besimtarë që jemi, duhet t'i përdorim të gjitha mundësitë që kemi në duar. Lëre pastaj, që shpërblimi ndjell shpërblimin. Siç thuhet edhe një hadith të bekuar, "nga e mbara lind e mbara, e e mbara gjithnjë në të mbarë të nxjerr."[3] Për shembull, Allahu (xh.sh.) ia zbut zemrën atij që jep sadaka, duke ia shtuar edhe më tej dëshirën për të bërë punë të mira. Kjo dëshirë e tij për të bërë adhurime ia zgjon edhe më tej dëshirën për të bërë punë të tjera. Ashtu si një rreth vicioz që është diçka krejt boshe, nga e cila po një gjë boshe lind; po ashtu një rreth pjellor është diçka e mbarë, e cila bën të lindë një dashuri dhe një mbarësi e re. Kështu që çdo ngarendje e një besimtari bëhet shkas për sa e sa ngarendje të tjera pozitive.

Më treguan njëherë për një mikun tim që e pati kaluar jetën veç me namaz dhe lutje. Më patën thënë, që ndërsa ishte në ruku, qe mbështetur pas këmbës së tij dhe sakaq qe rrëzuar. E patën kthyer me fytyrë, mirëpo u kishte dhënë shpirt ndër duar. Poashtu më treguan edhe për dikë tjetër, i cili shtegtoi prej kësaj bote duke thënë "Allahu Ekber", e saaq duke u kapitur mbi jastëk. Po, duket se Allahu (xh.sh.) ia merr çdokujt jetën sipas ndjenjave me të cilat ai gjallon. Mirëpo, kjo nuk do të thotë kurrsesi se ata që nuk vdesin ndërsa janë duke u falur, apo në sexhde, kanë vdekur në një mënyrë jo të pëlqyeshme. Madje, edhe për atë që ndërron jetë duke mos thënë as ato çfarë janë të domosdoshme, nuk mund të thuhet diçka e atillë. Larg qoftë, askush nuk thotë dot diçka të këtillë, e as nuk mund ta pretendojë. Veçse ai që jeton bukur, që poashtu e vulos jetën kur i vjen koha për t'u larguar, - me ndihmesën dhe mbështetjen e Allahut (xh.sh.) - sido që të shkojnë kushtet, siç është për t'u larguar shkon. Zoti na ruajtë, se edhe fundit të një njeriu që i ka kthyer të gjitha gjërat negative në nënvetëdije të tij, është për t'iu frikësuar, dhe duhet në fakt.

Një tjetër pikë e lidhur me këtë çështje është kjo: besimi që ka dikush tek Allahu (xh.sh.) duhet të thuret asisoj pas shpirtit të tij, në mënyrë që djallit të mos arrijë t'ia shkulë dot prej zemrës, dhe kësodore çdo dyshim që mund ta vizitojë, të mos e lëkundë dot. Patjetër që në jetën e përditshme të gjithkujt do t'i thuren dantella të ndryshme meditimi përpara syve. Për shembull, neve na mjafton edhe një argument i vetëm përsa i përket besimit në Zot. Dashtë Zoti që ta kemi besuar në një mënyrë të atillë që, ç'është e vërteta mendojme se ashtu ka ndodhur, por prapëseprapë edhe ky besim do përforcuar akoma edhe më shumë me kalimin e kohës, sikur edhe me mijëra filozofi të na dalin përpara, të cilat të na shpjegojnë me qindra përfundime pozitive të shkencave që çojnë drejt mohimit, e sikur me qindra lojra dritash të përdorin për të na i veshur shikimin, ne duhet t'i besojmë aq fuqishëm Atij, të përqafuar pas postulateve më të pandryshueshme të dijes, dhe duhet të qëndrojmë aq të fortë, që as djajtë xhinde e as ata njerëz të mos arrijnë dot të fusin dorë brenda territorit të besimit tonë. Madje besimi ynë nuk duhet të mjaftohet vetëm me zemrën, ai madje duhet të shëtisë me gjakun nëpër damarë. Me shprehjen e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), djalli shëtit nëpër damarët e njeriut bashkë me gjakun[4], hipin mbi qelizat e bardha a të kuqe të tij, i viziton zemrën dhe atyfill i fut dyshimin e parë; i hyn nëpër mendime, në tru, dhe ia turbullon gjithë ç'ka atje. Besimi duhet të qarkullojë asisoj në gjakun e njeriut, që djalli të mbytet ngado prej trysnisë së besimit, aq sa besimi të vijë përnjëherë e të na pushtojë trurin. Ne duhet të hyjmë në një marrëdhënie të atillë me Zotin tonë, që të tjerët të mos e kuptojnë dhe djalli të mos e arrijë dot. Atë pikë duhet ta dijë veç Zoti dhe vetëm zemra jonë duhet ta përkapë. Sa më shumë të përparojmë kësorruge, duke qenë krejtësisht të mbyllur ndaj dyshimeve dhe ndërdyshjeve, në mënyrë që djalli të mos vijë, e pikërisht në çastin e fundit, të na i rrënojë të gjitha mendimet. Patjetër që kjo është edhe disi e lidhur edhe me meditimin por edhe kalimin e disahershëm në operacion të mendimit.

Ndërsa një tjetër çështje tejet e lidhur me mundësinë për të vdekur mysliman është edhe kjo: ta mendosh sa më shumë vdekjen për të që qenë "i lidhur me vdekjen", siç kanë qenë më parë të gjithë njerëzit e së vërtetës dhe njerëzit e thellësive mistike, dhe duke u ndjerë sikur e kemi atë mbi krye në çdo grimëçast, t'i hedhim hapat me sa më shumë kujdes, njësoj sikur të ishim duke e dëshmuar përherë, dhe herë-herë edhe të pushtuar prej emocioneve të ritakimit... Po, po, të gjendesh vazhdimisht nën emocionet, se "vallë kur do të takohem me më të dashurin, me më të kërkuarin?"... kur në fakt edhe i Dërguari i Allahut (s.a.s.) kështu shprehet: "Nëse ndokush dëshiron të ritakohet me Allahun (xh.xh.), dhe (përndizet brenda vetes njësoj si i dashuruari pas të dashurit të vet thërret veç Zoti im, Zoti im) edhe Allahu (xh.xh.) ashtu e pëlqen takimin me të. Nëse ndokush i frikësohet vdekjes, dhe nuk e dëshiron ritakimin me Zotin, edhe Allahu po njëlloj nuk e pëlqen takimin me të."[5] Zoti na ruajttë!

Edhe ai që është besimtar, pikërisht një emocion të tillë duhet të bartë në zemrën e tij; ta bartë, dhe sipas thellësisë së besimit të tij duhet ta presë ritakimin me Allahun (xh.xh.), dhe kalimin matanë, sikur ai udhëtari që kthehet për në vendlindjen e tij pas shumë kohësh i kapluar prej mallit, dhe nga padurimi e nxjerr herë pas here kokën nga dritarja e trenit me pyetjen ndër buzë: "Vallë mbërrita në vendlindje?" Të jetë i atillë që edhe arkivolin apo teneshirin ta shohë si diçka më të fisme se edhe krahët e engjëjve, dhe të thotë: "Unë nuk e dua vdekjen sepse ende nuk e ka urdhëruar Allahu. Përndryshe, vdekja për mua është pista më e përshtatshme për të fluturuar drejt Xhenetit.", dhe është pikërisht një besimtar i tillë ai që mund të quhet se është i pasionuar për t'u takuar me Zotin e tij. Dhe Ai (xh.sh.), - me aq sa mund të jetë e lejuar një shprehje e tillë, - pasionohet vetëm ndaj atyre që janë të pasionuar pas Tij. E Allahu (xh.xh.), përsa i përket kësaj dëshire dhe pasioni, shprehet: "Nëse robi më afrohet Mua veç një pëllëmbë, Unë i afrohem atij një pashë. Nëse ai më afrohet një pashë, Unë i afrohem dy. Nëse ai vjen duke ecur drejt Meje, Unë i shkoj duke rendur."[6] Mandej kjo afri merr një trajtë të atillë, që Zoti bëhet syri që sheh i këtij besimtari, veshi që dëgjon, duke bërë që ai ta vlerësojë çdo gjë në mënyrën më të mirë të mundshme, të mos dëgjojë më asgjë gabim, bëhet dora e tij që mban dhe këmba e tij që ecën, të cilat e mbajnë larg gabimeve dhe gjërave të papëlqyera përgjatë gjithë jetës.

Zoti veproftë me ne, jo sipas gjendjes sonë, por sipas bujarisë së Tij të paskajshme, dhe dashtë Ai që të na lumturojë me dhuratat dhe shpërblimet e Tij të pashtershme, sipas parimit "Mbretit i shkon mbretërimi, e robit robëria."...

* Ky shkrim është marrë dhe përkthyer prej librit më të fundit të botuar vetëm para pak muajsh prej mendimtarit M. Fethullah Gylen, të titulluar "Në kërkim të shpirtit tonë".
[1] Alijulkariu, Mirkatu'l-mefatih, 1/332; 7/375; 8/431.
[2] Muslim, Salat, 215; Ebu Daud, Salat, 148; Nesai, tatbik, 78.
[3] Buhari, xhihad, 37; rikak, 7; Muslim, zekat, 121-123.
[4] Buhari, i’tikaf, 11, 12; bedu'l-halk, 11; edeb, 121; ahkam 21; Muslim, selam, 23, 24.
[5] Buhari, rikak, 41; Muslim, teube, 14; xhennet, 63.
[6] Buhari, teuhid, 15, 50.; Muslim, teube, 1; dhikr 1, 20-22.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.