Të pendohesh dhe të kërkosh falje

Fethullah Gylen: Të pendohesh dhe të kërkosh falje

Pyetje: Në këto ditë kur mëkati është përhapur gjithandej porsi një sëmundje ngjitëse, çfarë i premton pendesa dhe të kërkuarit falje zemrave që besojnë? A ka kohë të caktuara, që ia vlen të sugjerohen në veçanti?

Përgjigje: Sipas fjalëve të të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), të gjithë fëmijët lindin myslimanë për nga natyra. (Shih: Buhari, xhenaiz, 80, 93). Në fakt, thelbi i vërtetë i detyrës që i është dhënë njeriut që në fillim, është të ruajë këtë natyrë të tij origjinare. Me një fjalë, njeriu është i ngarkuar gjer në vdekje me detyrën e ruajtjes së gjendjes fillestare që i është falur prej Allahut (xh.xh.). Zaten, ashtu siç të gjitha urdhrat për veprimet që do ta shpien njeriun në bregun e shpëtimit priren më së tepërmi nga ruajtja e kësaj natyre origjinare, edhe të gjitha veprimet e ndaluara që e çojnë njeriun drejt rrënimit, janë shkaktare të prishjes së saj. Kështu që, ne duhet të rendim vazhdimisht kah punët e mira, duke kërkuar vazhdimisht rrugët e ruajtjes pa e ndotur dhe deformuar këtë natyrë.

Çdo mëkat i kryer është një deformim për natyrën njerëzore. Që një njeri i cili ka pësuar një deformim të këtillë, të rikthehet edhe një herë në formën e tij fillestare, duhet të kalojë njëherë, medoemos, nga pendesa dhe të kërkuarit falje. Me fjalë të tjera, mëkatet sjellin disa lloje ndryshimesh në natyrën e njeriut. Asisoj, që një zemër e ndotur prej mëkateve vjen një ditë e nuk i kryen dot funksionet e saj. Veç kësaj, çdo mëkat e largon njeriun prej Allahut, duke e afruar akoma më tej kah mohimi. Dhe pikërisht, rruga për ta shpëtuar njeriun prej mëkateve që e afrojnë nga mohimi dhe pastrimi i zemrave realizohet vetëm nëpërmjet pendesës dhe të kërkuarit falje. (Shih: Tirmidhi, tefsiru-sure, (83) 1)

Mjekësi parandaluese

Në fakt, çdo njeri duhet të tregojë kujdes të veçantë për të ndaluarën përpara se të hedhë hapa në të. Kësodore, ai duhet të përpiqet që t’i formojë vetes në ambient të pastër, ku të mos bjerë dot në mëkat, madje duhet të largohet prej vendeve që janë të hapura ndaj mëkatit, njësoj siç largohet prej gjarprit dhe nepërkës. E kjo i bëhet e mundur vetëm një zemre që e ndjen deri në thellësitë e ndërgjegjes frikën se pas diçkaje të këtillë të ndaluar do të rrokulliset në flakët e Xhehenemit. Zaten nëse në zemër nuk formohet një neveri ndaj mëkatit, mund të thuhet se ajo zemër është e vdekur. Po, një zemër që nuk reagon fare ndaj gabimeve dhe mëkateve, që nuk shqetësohet asfare prej asnjërës prej trajtave të së ndaluarës, që nuk i del gjumi prej gabimeve që ka bërë, është si një organizëm i vdekur. E për këtë shkak, një zemër që beson tregon medoemos njëfarë reagimi ndaj mëkatit. Dhe reagimi më parësor që duhet të tregojë, është pendesa dhe të kërkuarit falje.

Ndërsa besimtari thotë “estagfirullah”, në fakt, duke përfituar prej gjerësisë përmbajtjesore që mbart kjo formë gramatikore e foljes, thotë: “O Zot, unë (po)/(do të) kërkoj pastrim prej Teje!” Është shumë domethënëse që këtu përdoret kjo lloj e tashmeje, e cila i përfshin brenda vetes të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Sepse me këtë, njeriu do ta ketë shpërndarë pendesën dhe kërkimin e faljes për mëkatet e të shkuarës edhe në të ardhmen. Në fakt, Allahu mund t’ia falë robit të Tij mëkatin edhe nëse ai pendohet e kërkon falje vetëm njëherë. Mirëpo, detyra e robit është që të mos e shohë asnjëherë si të mjaftueshme nevojën për të kërkuar falje nga frika se mos sytë, veshët, duart apo këmbët i rrëshqasin në drejtim të së ndaluarës. “O Zot, unë kërkoj falje prej Teje; dhe sa kohë që të kem jetë, do ta vazhdoj këtë lutje. Nuk e shoh si të mjaftueshme që të të kërkoj falje vetëm njëherë; ashtu siç dua që të më falësh tani, unë do të të lutem për faljen e atij gabimi gjatë gjithë jetës sime. Pastromë mua, o Allah!..” Pikërisht, ta thotë këtë dhe ta ndjejë pendesën për të gjithë jetën. Megjithëse është duke e parë sërish rrugën e shpërblimit, edhe pas kryerjes së diçkaje të ndaluar, ai prapëseprapë duhet të ndjejë pendesë dhe të kërkojë falje për gabimin e tij. Kur e di se ka një Xhenet, ai duhet ta shohë futjen e tij në mëkate si një paturpësi, duhet të ndjejë thellë dhimbjen e atij gabimi, e duhet të pendohet e të kërkojë falje menjëherë. Asisoj, që ndonjëherë t'i duhet të kërkojë të falur dhjetëmijë herë vetëm për një mëkat të vetëm. Madje ndonjëherë edhe këtë të mos e shohë si të mjaftueshme, andaj duhet të thotë, "Elfu elfi estagfirullah!", e brenda një pendese të vetme të ndjejë me miliona të tilla.

Eliksir që ç'rrënjos çdo nismë të keqeje

Të kërkuarit falje për mëkatet, ashtu siç restauron atë që është rrënuar, poashtu i pret hovin prirjes ndaj së keqes. Sepse një njeri që pendohet dhe kërkon falje për pastrim vazhdimisht, do të thotë se e zhduk terrenin që do të ishte një ftesë për në mëkat. Domethënë, në zemrën e tij nuk gjendet më një virus që do të ishte thirrje për të gjitha mikrobet e tjera. Veç të tjerash, në një mënyrë që ne as mund ta imagjinojmë, Allahu ia çrrënjos njeriut ndjesinë e prirjes ndaj të këqijave.

Nga ana tjetër, Allahu (xh.xh.) në ajetin, "Allahu i kthen të këqijat e tyre në të mira, e mëkatet e tyre në shpërblime.", i cili gjendet në suren Furkan, shprehet se do t'ia kthejë në të mira të gjitha të këqijat që kanë kryer, atyre, të cilët i drejtohen Atij me pendesë, besim, përvujtëni dhe vepra të mira. Po, Allahu mund t'i fshijë dhe t’i pastrojë faqet dhe radhët që i drejtohen Atij, të cilat janë ndotur prej mëkateve; e ato faqe e radhë të ngelura bosh, që të mos mbeten të tilla, i mbush me të mira që burojnë prej mëshirës së Tij të thellë. E kjo është një tjetër pasqyrim i faktit se mëshira e Allahut qëndron mbi ashpërsinë e Tij. (shih: Buhari, teuhid, 22)

Bediuzaman Said Nursiu, shprehet se pendesa dhe kërkimi i faljes mund të bëjë që Allahu t'ia kthejë aftësitë për të kryer vepra të papëlqyera në aftësi për punë të mira. Kështu që, kur robi kthehet edhe njëherë kah Allahu në shenjë besnikërie, duke kryer pendesën e duke kërkuar falje, edhe Allahu mund t'i përgjigjet: "Meqë ti u ktheve kah Unë, atëherë unë prirjet e tua për punë të këqija, do t'i kthej në prirje për punë të mira."

Kohë të rëndësishme për të kërkuar falje

Të kërkosh tri herë falje pas çdo namazi farz është sunet. (Muslim, mesaxhid, 135). Të kërkuarit e faljes pikërisht në një çast kur njeriu është afruar aq shumë me Krijuesin e tij, mund të shpjegohet me këto dy çështje: E para, është gjendja kur njeriu nuk ia jep dot veten namazit, por veç rend për ato punët e tij, dhe të gjitha sjelljet e këtilla, në një adhurim që konsiderohet si miraxh, janë nga një paturpësi ndaj Allahut (xh.xh.). E një sjellje e këtillë e papërgjegjshme, që ndërsa ka mundësinë që të ngrihet e të ndjejë të gjitha ato kuptimet që ka ndjerë i Dërguari i Allahut ndërsa ngjitej në miraxh, pengohet prej vetvetes, i duhet medoemos që të pendohet e të kërkojë falje pranë Allahut.

E dyta, ngase namazi është një pozicion nga ku të gjitha lutjet dhe përgjërimet e robit janë të mirëpritura prej Allahut, edhe lutjet e tjera që bëhen menjëherë pas tij kanë një vlerë dhe një pranueshmëri më të veçantë. Prandaj edhe është këshilluar prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), që pas drejtimit kah Allahu dhe pastrimit prej mëkateve, të thuhet tri herë "Estagfirullah". Kësisoj, pesë kohët e namazit kthehen në një terren dhe mundësi e rëndësishme për t'u penduar dhe për të kërkuar falje.

Siç shprehet edhe në Kuran, "Ata, që gjatë natës flenë pak, e në prag të agimit kryejnë pendesë dhe kërkojnë falje." (Dharijat, 51/17-8), ja edhe një tjetër kohë, e cila është një kohë tejet e veçantë për të kryer pendesën. E, këtu, ndërsa nga njëra anë lavdërohen ata besimtarë, të cilët ngrihen në prag të agimit e kërkojnë falje, që ia derdhin Allahut gjithë ç'kanë në shpirt, e duke e vendosur kokën në sexhde, nuk duan që ta ngrenë më, ky lavdërim u thuhet engjëjve, gjithë besimtarëve dhe banorëve të tjerë të qiellit. Nga ana tjetër, me këto fjalë u tregohet edhe një synim besimtarëve. Sepse, në Kuranin Famëlartë dhe në Sunetin e Drejtë, ndërsa disa tipare të besimtarit jepen sikur të ishte duke u dhënë raporti i një ngjarjeje, në anën tjetër ato lavdërohen, e në fund, edhe u tregohen besimtarëve mbarë si një synim që duhet arritur. Kështu që, një njeri i zhytur në mëkate e ka të pamundur të shpëtojë prej tij. Madje edhe një njeri që është i mbushur deri në grykë me mëkatet e tij, nëse nuk e përdor vullnetin siç duhet, duke përqafuar edhe vendosmërinë, fillon të gjykojë edhe pse është ndaluar ai mëkat, një pikë kjo e cila mund ta çojë në rrëpirë edhe krejt besimin e tij. E ata që janë rrënuar, në përgjithësi, prej këtyre mendimeve kanë përfunduar të atillë. Pikërisht, si pasojë, duhet thënë që në fillim, "Kjo rrugë të çon në një moçalishte! Pas njëfarë kohe, ndoshta vjen një pikë nga nuk mund të kthehem më.", madje duke mos humbur asfare pak kohë, do kthyer nga çdo lloj gabimi ose mëkati në të cilin mund të jetë rënë.

Dua të shtoj edhe një çështje të fundit, edhe nëse kohët e sipërpërmendura përbëjnë nga një pjesë kohe si mundësi e artë, nuk është aspak e kushtëzuar që të kërkohet medoemos një kohë e caktuar për t'u penduar dhe për të kërkuar falje. Sepse, nuk është aspak e drejtë, që pendesa të kufizohet brenda këtyre harqeve kohore. Njeriu mund të kërkojë falje kur të dojë, qoftë agim apo muzg, ditë apo natë, duke e përdorur ndoshta çdo çast të jetës së tij si një kohë të përshtatshme për të kërkuar falje prej Allahut. Po, njeriu, me të gjetur mundësitë, duhet të tërhiqet mënjanë, qoftë duke u ulur në gjunjë, qoftë duke e ulur kokën përdhe. Madje, edhe kur është duke shkuar për diku, ndërsa është duke ngarë makinën, duke pritur dikë, etj., në vend që të rrijë kot, më mirë është që t'ia rrëfejë Allahut (s.a.s.) shqetësimet e tij, duke i kërkuar Atij mbrojtje dhe falje, pasi vdekja mund të na trokasë, fare pa e pritur, nga çasti në çast. E ta presësh vdekjen me buzët që belbëzojnë pendesë dhe kërkesë për falje, është një arsye shumë e mirë për të shtegtuar pastërtisht matanë.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.