Vetëgjykimi dhe pendesa

Fethullah Gylen: Vetëgjykimi dhe pendesa

Pyetje: Cilat duhet të jenë kriteret që duhen ndjekur prej besimtarit, që ta tejkalojë paq periudhën e sprovimit, teksa mbetet viktimë e belave dhe fatkeqësive të ndryshme?

Përgjigje: Çdokush që i beson urdhrit “Çdo e mirë që të vjen është prej Allahut, ndërsa çdo e keqe është prej egos sate” (Nisa, 79), duhet ta lidhë çdo fatkeqësi më së pari me gabimet dhe mëkatet e veta. Për shembull, nëse duke ecur i bie një gotë apo pjatë nga dora, duhet ta shohë këtë si një pasojë që buron prej vetvetes, duhet të mendohet për ndonjë mbrapshti që mund t’i ketë ndotur imagjinatën, mendimet apo përsiatjet gjatë atyre çasteve të fundit, andaj duhet të thotë: “Vallë ç’ngatërrova unë kësaj here që nuk i pëlqen lartësisë hyjnore, që më ndodhi diçka e këtillë?” Sepse në asnjë ndodhi të kësaj bote nuk mund të bëhet fjalë për gjurmë të rastësisë. Nëse do t’i hidhni një shikim të shpejtë jetës, do të shihni se edhe fatkeqësitë më të vogla janë nga një paralajmërim, duke e bërë kësisoj çdo ndodhi të jetës sonë një sinjal që duhet lexuar. Njeriu edhe mund ta kuptojë atë sinjal, dhe nëse i drejtohet Allahut duke kryer një të mirë, ajo mund t’i shërbejë si një pengesë për fatkeqësi më të mëdha që mund t’i zënë derën. Padyshim, të gjitha ato të këqija janë njëkohësisht nga një sinjal, por edhe nga një mundësi për t’u pastruar nga ndotjet prej mëkateve. Për shembull, një gotë e thyer, mund të shpërndajë hallkat e një zinxhiri të gjatë belash, por edhe i bën një pastrim mëkateve që mund të ketë kryer. Si vijim, në një hadith thuhet se “Nuk ka lodhje, sëmundje, shqetësim, mërzi, vuajtje, pikëllim, madje edhe një gjemb që mund ta shpojë në këmbë, që të mos i përftojë atij pastrim të disa mëkateve nga ana e Allahut.” (Buhari, Merda, 1; Muslim, birr, 49)

Në kërkim të fajtorit të vërtetë

Bie fjala, që ne nuk mund t’i përkapim qartë, ashtu siç duhet, shkaqet e vërteta që fshihen prapa të gjitha ndodhive që mbushin jetën tonë. Veçse, një zemër që beson, duhet të kërkojë gabimet dhe mangësitë e vete pas çdo fatkeqësie, e cila i vjen përballë mu si shfaqja e një kutie para këmbëve, ashtu krejt papritur. Sepse njeriu që e kërkon gjithnjë fajin te vetja, quhet se ka hedhur hapin më të qenësishëm në kërkim të fajtorit të vërtetë. Sepse, tekembramja, ata që e kërkojnë fajin gjithnjë gjetkë, edhe sikur t’i vazhdojnë kërkimet e tyre përgjatë gjithë jetës, as fajtorin e vërtetë nuk kanë për ta gjetur, por veç do të kenë kaluar jetën e tyre duke përkeqësuar emrat e të tjerëve.

Bediuzaman Said Nursiu në lidhje me këtë çështje, diku shprehet kështu: “Tashmë e kuptova arsyen e vërtetë përse më kanë torturuar kaq shumë dukë më bërë padrejtësi. Jua them me pikëllim të plotë se shkaku kryesor ka qenë se unë e kam lidhur shërbimin e Kuranit me përftimin e zhvillimit tim vetjak material dhe shpirtëror.” Këto fjalë që, në fakt, i thotë një njeri i përsosur, tregojnë thellësinë e tij të vetëgjykimit. Veç kësaj, ajo që ne kuptojmë prej fjalëve të tij është se, shërbimi që i bëhen besimit dhe Kuranit, nuk duhet të përdoren si mjete për disa arritje dhe përfitime, as për të arritur ndonjë gradë të ndonjë njeriu të lartë; madje as për qëllimin madhor të hyrjes në Xhenet, apo të të qëndruarit sa më larg prej Xhehenemit. Sepse, nëse këto sillen në gradën e qëllimit imagjinar, punës që je duke bërë i ke vendosur një dinamit. Qëllimi ynë kryesor dhe i vetëm duhet të jetë sinqeriteti dhe kënaqësia e Allahut (xh.xh.). As dëshira e paepur për Xhenet, as frika prej Xhehenemit, nuk duhet të pengojnë në asnjë mënyrë adhurimin e qashtër. Zaten, është Allahu Ai që do t’i shpërblejë me bollëk të gjitha veprat e kryera me sinqeritet të plotë. Mirësitë e Allahut janë aq shumë, saqë të panumërueshme, e adhurimet dhe lutjet tona janë veçse të kufizuara. Edhe sikur sundimtari i krejt botës të jeni, e të keni miliardat, prapëseprapë frikësoheni kur jepni diçka. Sepse ajo që do të jepni do t’ju pakësohet prej atyre çfarë keni. Mirëpo, thesari i mirësive të pashoqe të Allahut është aq i madh, saqë sikur të ngriheni për të bërë një statistikë të të gjitha këtyre mirësive, nuk i përfundoni dot kurrsesi përllogaritjet tuaja. Sepse ato që do të kërkoni ju, do të jenë sërish nën mundësitë e Tij për të dhuruar mirësi.

Duhet të ruhemi nga çdo lloj ankese

Ata që nuk arrijnë t’i shohin shkaqet e mirëfillta të fatkeqësive që ia behin mbi krye, fillojnë të shprehin fjalë që ngjajnë si ankesa njerëzve për Allahun. Mund të flitet për të drejtën e njeriut që në emër të së drejtës, të ankohet në instancat e duhura ose në opinionin publik për padrejtësitë e bëra atij. Me fjalë të tjera, një njeri që mendon se po i bëhet padrejtësi, duke ia bërë ankesën Allahut dhe opinionit, mund të presë vendimin e Allahut dhe opinionin e gjindjes. Jo vetëm një gjuhë e artikuluar qartazi, por edhe oh!-et apo ah!-et e pasfatkeqësive, mund të konsiderohen si një ankim ndaj Allahut (xh.sh.). Andaj, duhet ndenjur larg të gjitha fjalëve dhe reagimeve që mbartin kuptimin e ankimit, qofshin ato artikuluar qartazi, apo në mënyrë jo të drejtpërdrejtë.

Sepse, nëse belatë dhe fatkeqësitë që i vijnë njeriut janë që ai ta njohë më mirë vetveten, atëherë ajo është e varur nga një ndjenjë e thellë vetëgjykimi dhe shprehje e një besimi në Zot dhe në jetën e përtejme, të vendosura mbi themele të shëndosha në zemër. Në një fjalë që transmetohet ta ketë thënë Omeri i nderuar, thuhet: “Bëjani vetë gjykimin vetes, përpara se t’jua bëjnë të tjerët.”, e cila tregon edhe ajo se vetëgjykimi është i lidhur drejtpërsëdrejti me besimin se një ditë do t’ju bëhet gjykimi në jetën e përtejme. Zaten, nëse shihni pak lutjet dhe dhikret e njerëzve të lartë, ato janë treguese të njëmendta se ata e kanë kaluar jetën të zhytur në shqetësimin e vetëgjykimit se një ditë do të përballen me një llogari që do të bëhet ditën e Gjykimit të Madh. Ndoshta ne nuk do ta kemi bërë përgjatë gjithë jetës një vetëgjykim kritik ashtu siç Shah Gejlani mund ta ketë bërë vetëm brenda një lutjeje të vetme, ku nuk i lë anë pa e goditur ashpërsisht egon e tij. Ebu Hasan Shazeliu pasi e kritikon vetveten, “Jo po ti je i tillë! Ja, ky je ti!”, thotë: “Sa njerëz erdhën në portën tënde e nuk u kthyen duarbosh”, shprehje të cilat nuk e mbyllin portën e shpresës, por vazhdojnë të kërkojnë falje dhe pastrim të mëkateve nga ana e Allahut (xh.xh.).

Edhe lutjet javore të Hasan Basriut në Kulubu’d-Daria janë lutje tejet të rëndësishme që ia vlen të merren si shembull. Ky personalitet i veçantë, që çdo ditë të javës bënte nga një lutje të veçantë, kur i vjen radha të tregojë gabimet e tij, i bën ato nga një në njëmijë. Ky hero i pashoq, që është mëkuar nga gjiri i një sahabeje, që është një prej personaliteteve më të mëdhenj të tabiinëve, që u ka thënë “Nuk keni dalje prej këndej!” sa e sa grupimeve të pafytyra, për të cilin mund të thuhet se mëkati nuk ka guxuar t’i afrohet as në ëndrra, i cili për më tepër është një hero famëlartë prej të cilit edhe Ebu Hanifja ka përfituar aq shumë, i shpreh mëkatet e tij aq të hiperbolizuara, saqë ju mund të mendoni se ai është më i keqi ndër mëkatarët e njerëzimit. I drejtohet Allahut me zërin dhe frymëmarrjen e një njeriu sikur të ketë falimentuar plotësisht, sikur ishte ndonjëri që kryente pareshtur mëkate, por që qëndronte çdo ditë, edhe njëherë, për t’i bërë gjykimin e nevojshëm egos së tij.

Pendesa është fryti i ndjenjës së vetëgjykimit

Një njeri që jeton gjithnjë i vetëdijshëm për gabimet dhe mangësitë e veta i drejtohet pashmangshmërisht pendesës dhe kërkimit të faljes. Allahu në suren Furkan, pasi shpreh disa mëkate të ndyra, dhe denjësinë e tyre për t’u dënuar ashpërsisht, thotë se edhe sikur ndokush t’i ketë kryer, jep sihariqin e mënyrës se si do të sillet Allahu karshi këtyre heronjve të pendesës që i drejtohen Allahut:

“Ata që heqin dorë prej mëkateve dhe i drejtohen Allahut, që besojnë me zemër, e bëjnë punë të mira, janë të papërfshirë (në dënim). Allahu ua kthen të këqijat në të mira. Sepse Allahu është Falës dhe Mëshirues.” (Furkan, 70) Sipas këtij ajeti, një njeri që është çnatyruar shpirtërisht si pasojë e gabimeve dhe mëkateve, i cili pendohet dhe kërkon falje, duke treguar një përpjekje të denjë për t’u pastruar, që e rifreskon besimin dhe drejtohet kah punët e mira, Allahu ka për t’ia kthyer të këqijat në të mira. Allahu do t’i fshijë të gjitha mëkatet që ai mund të ketë bërë nëpërmjet dorës, këmbës, syrit, veshit, mimikës apo gjesteve të ndryshme, madje edhe do t’i shkruajë të mira në vend syresh. B. Said Nursiu, duke iu afruar këtij ajeti nga një tjetër pikëvështrim, shprehet: “Prirja e tij (njeriut) e përhershme për të bërë vepra të papëlqyera, do të kthehet në prirje për të bërë punë të mira.” Kjo do të thotë, që nëse i drejtohemi Allahut me pendesë, përdëllim dhe dorëzim, përfundimi do të jetë që të gjitha anët e natyrës sonë për të bërë vepra të pavlera do të shndërrohen në anë të së mirës dhe të së bukurës.

Pendesa: Eliksiri i Ringjalljes

I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi Të e ka shprehur rëndësinë e pendesës me këtë hadith: “Ai që dëshiron të jetë i lumtur prej fletores së tij të veprave, të shkruajë atje pendesë.” (Kenzul’ummal, 1/475) Profeti Muhamed (s.a.s.), që është edhe heroi më famëmadh dhe më i lartë i këtij horizonti, ka thënë se bënte njëqind herë pendesë gjatë një dite. Ashtu siç mund ta lidhni këtë numër me lartësimin e tij të pamatshëm në horizontet e njohjes, mund ta lidhni edhe me detyrën e tij të shtrenjtë të kumtimit. Sepse, një njeri që gjendet në detyrën e prijësit të një populli, apo të një gjindjeje të tërë njerëzish, sidoqoftë ai, i mirë apo i keq, ka për t’u ndjekur si shembull prej pasuesve të tij. Për shembull, një drejtues i një institucioni, nëse rri vazhdimisht në pritje se mos kap gjëkafshë në çarkun e tij të interesit, i jep një shtysë edhe vartësve të tij që të dalin në kërkim të zbulimit të këtyre thesareve. Po njëlloj, një prijës që rend pa reshtur në kërkim të të mirës dhe të të dobishmes, ka për të qenë një udhërrëfyes i mirë për vartësit e tij, që edhe ata ta kenë përherë shikimin të drejtuar kah e mira. Ja, nëse e shohim nga ky këndvështrim, mund të themi, që i Dërguari i Allahut, duke bërë njëqind herë pendesë gjatë ditës, i drejtonte pasuesit e Tij të fluturonin në hapësira qiellore ku shëtisin vetëm engjëjt.

Në fakt, çdo person që e sheh rrjedhën e jetës së tij me një sy kritik, pavarësisht nivelit që ka, mund të gjejë përherë hapësira ku detyrohet të thotë një “estagfirullah”. Ndoshta duke ikur, diku shikimit të tij i është pleksur diçka e ndaluar. Kur i është folur për cilësitë e mira të dikujt, i shqetësuar nga lëvdimi i atij, mund të ketë hedhur një llaf ashtu. Nganjëherë është zhytur në batakun e përfoljes, për të cilin as që ka qenë i vetëdijshëm. Ai duhet të mendojë përherë se ato janë nga një shkak për ta fundosur krejt, e sakaq t’i drejtohet pendesës. Bediuzaman Said Nursiu, në maksimën e tij, “Kujdes, shkel me kujdes, ki frikë mos mbytesh. Mos u fundos prej një llokme, një fjale, një kokrre, një rrezatimi, një shenje apo një puthjeje. Mos i mbyt ndjesitë e tua në botë, të cilat mund ta përpijnë atë.”, tërheq vëmendjen se edhe një mëkat që mund të vlerësohet si i vogël, mund ta fundosë njeriun.

Njerëzit edhe çështjet që kanë të bëjnë vetëm me këtë botë i ndjekin në bazë të një llogarie të sofistikuar. Për shembull, kur duan të thurin një biznes, bëjnë përllogaritje të veçanta, mandej investojnë. Pastaj, për çdo muaj kontrollojnë bilancet e tyre të hyrje-daljeve, për të bërë hulumtimin e nevojshëm, për të vlerësuar nëse puna e tyre është duke shkuar në mënyrë sa më të frytshme. Tani, në qoftë se edhe punët kalimtare të kësaj bote kërkojnë kaq shumë llogaritje dhe mendime, a nuk është e nevojshme që edhe punët që kanë të bëjnë me jetën e përjetshme të ngrihen në dritën e një llogarie më serioze?

Këtu mendoj se është me mend të sjellim në qendër të vëmendjes një tjetër çështje. Said Nursiu thotë: “Ashtu si lutja dhe dorëzimi i plotë tek Allahu jep një fuqi të madhe për t’u prirur kah e dobishmja, edhe pendesa i pret hovin prirjes për të kryer vepra të këqija, duke ia thyer ashpërsinë që zotëron ajo.” Pra, ai thotë se pendesa dhe kërkimi i faljes do t’i presë hovin prirjes së njeriut kah e keqja, duke i dhënë një të goditur me bajloz gabimeve dhe mëkateve të tij, kështu, ka për të përforcuar edhe prirjet e tij për të kryer vepra të mira. Me një fjalë, një njeri që, nga njëra pendohet dhe kërkon falje, e nga ana tjetër fluturon me krahët e lutjes, mund ta gjejë veten të ngritur pingulthi drejt viseve të përsosmërisë njerëzore në këmbët e Krenarisë së Njerëzimit, me lejen dhe ndihmesën e Allahut. Por le të themi gjithashtu, se sa mirë do të ishte sikur njeriu të ngrinte prita për t’u mbrojtur prej dëmeve të këtyre situatave, përpara se të shqetësohej se si të bëjë restaurimin e jetës së tij materiale dhe shpirtërore! Sepse restaurimi i diçkaje pasi është shkatërruar është shumë më e vështirë. E kam shprehur edhe më parë, kur shkova në Edirne, sapo kishin filluar punimet për restaurimin e xhamisë së Selimijes. Restaurimi i kësaj xhamie, e cila ishte ndërtuar nga Selimi për gjashtë vjet, nuk pati përfunduar gjatë atyre 6-7 viteve të qëndrimit tim atje. Sepse, ta kthesh diçka të prishur në identitetin e saj autentik, është më e vështirë sesa ta ndërtosh atë nga fillimi. Nuk është e lehtë që një njeri që ka pësuar deformim prej mëkateve të tij të kapë edhe njëherë gjendjen e mëparshme. Andaj, njeriu duhet të jetojë një jetë të mbyllur ndaj dëmeve që në fillim, duke treguar përherë gatishmëri kundër të gjitha llojeve të mëkatit.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.