Bota në embrion

Në të shkuarën jo të largët, bota islame, si tërësi, ka përjetuar periudhat e saj më të trazuara nga pikëpamja e besimit, moralit, mënyrës së të menduarit, edukimit, industrisë, zakoneve, traditave, apo praktikës.

Dikur myslimanët dalloheshin shumë më tepër se sot për mëshirën, devotshmërinë, korrektesën dhe nderin, ata ishin më të përgatitur të mbizotëronin në fusha të ndryshme në gjithë botën, falë horizontit të tyre shoqëror dhe politik, si dhe mënyrës së tyre të të menduarit që ishte më përparimtare dhe e sofistikuar. Ata e praktikonin fenë e tyre pa gabime, apo dështime, duke përsosur moralin, duke kuptuar vendin dhe vlerën e shkencës dhe dijes, gjithmonë të aftë për të qenë në ballë të përparimit në dije për standardet e epokës në të cilën jetonin, duke vlerësuar në të njëjtën kohë siç duhet dhe duke ekuilibruar lidhjen dhe ndërthurjen ndërmjet frymëzimit, arsyes dhe përvojës.

Ja, përse ata qenë në gjendje të qeverisin territore kaq të gjëra që nga Pirenejtë deri në Oqeanin Indian, që nga Kazani deri në Somali, që nga Poitiers e deri tek Muri i Madh Kinez, me anë të sistemit më të mirë administrativ dhe qeverisës, të njohur deri në atë kohë, duke bërë që idealet e tyre të rrezatonin admirim te të gjithë. E ndërsa popujt e tjerë përjetonin periudhat më të errëta të historisë së tyre, myslimanët, në territoret që gjendeshin nën juridiksionin e tyre, gëzonin dhe përhapnin tek popujt e tjerë sisteme qeverisjeje të cilat ishin idealizuar si një utopi, apo si parajsë tokësore.

Sa keq që kjo pjesë e botës e shmangu dhe e distancoi vetveten nga dinamikat historike dhe vlerat islame, të cilat i kishin mbajtur lart përgjatë epokave dhe popujt u shndërruan në robër të injorancës, imoralitetit, supersticionit dhe kënaqësive trupore. Kjo ishte koha kur qytetërimi islam filloi tatëpjetën e tij drejt kthetrave të errësirës dhe mosmarrëveshjeve të mëdha, kur nisi të kridhej nga një krizë në tjetrën, kur po venitej kudo, ashtu si kokrrat e tespiheve, kur këputet peri. Kjo ishte koha kur Islami u la pas dore, si fletët e grisura të një libri, kur ai u trondit thellë nga rivalitete të pafrytshme të rënduara dyfish nga pesha e mijëra debateve, i egërsuar dhe i nxitur nga këngët e lirisë, sikur të kishte përjetuar skllavërimin, poshtërimin dhe turpërimin më të madh të mundshëm, kur ai filloi të ndjente mungesën e një ndjenje të fortë identiteti, pavarësisht se ekzistonte e fortë ndjenja e egoizmit, kur ai filloi të shmangte udhëzimet e Zotit dhe kur porositë e profetit u dukeshin njerëzve tabu e për më tepër, kur myslimanët ishin të mbërthyer nga kthetrat e shumë të tjerëve, kur Islami nisi të bëhej “më i mjeri nga të gjithë”.

Pavarësisht përpjekjeve të shumta të armiqve dashakeqë nga brenda dhe jashtë, periudha e errët e kohëve të fundit, në fakt, nuk zgjati shumë. Myslimanët e sotëm, të cilët llogariten në rreth 1/5 e popullsisë së botës, janë duke bërë përpjekje për një epokë të re rilindjeje, pothuajse kudo në botën islame dhe janë duke u munduar të shpëtojnë vetveten nga kjo periudhë e mallkuar e skllavërimit. Veçanërisht në vitet e fundit, edhe ngaqë atyre iu desh të ballafaqoheshin me fatkeqësi të reja çdo ditë, është bërë e mundur rritja e ndërgjegjësimit shpirtëror të myslimanëve, të cilët mendojnë se ka ardhur momenti i rikthimit drejt Zotit duke e rritur kështu vendosmërinë e tyre.

Ne ishim të sigurt, si për përputhjen ndërmjet shpirtit të Islamit dhe natyrës njerëzore për mbështetjen e tij në përparimet materiale dhe shpirtërore të njerëzve, ashtu edhe për cilësinë e tij të veçantë për të ekuilibruar këtë botë dhe botën e pasosur, prandaj mbijetuam duke pëshpëritur “E vërteta gjithmonë triumfon, asgjë s’mund të triumfojë mbi të vërtetën[1], ndaj natë e ditë ishim në pritje të “fundit të lumtur për të devotshmit[2], pa e humbur kurrë shpresën. Sot, ne jemi në gjendje të dëshmojmë në të gjitha fushat e jetës tendencën e rritjes së shpejtë të Islamit, të vërejmë se Islami është duke dalë në ballë dhe duke fituar terren në zona mjaft të gjera, që nga Shtetet e Bashkuara, deri në Stepat Aziatike, nga Skandinavia, deri në Australi.

Megjithëse shumë veprimtari misionare të feve të tjera bëhen sistematikisht nga grupet e ndryshme, ata nuk kanë arritur të ngjallin as një të dhjetën e interesit, apo të ngrohtësisë së Islamit në fetë e tyre respektive. Sot, në çdo kontinent, mijëra njerëz në vit zgjedhin të përqafojnë Islamin, duke gjetur strehë tek drita e Kuranit edhe pse e dinë se mund t’i nënshtrohen formave të ndryshme të diskriminimit.

Ne shpresojmë - sigurisht për sa kohë që nuk do të prishim lidhjen tonë të besnikërisë ndaj Zotit - se sihariqi i mesazhit hyjnor në suren Nasr, do të përjetohet përsëri:

“Kur erdhi ndihma e Allahut dhe ngadhënjimi. Dhe ti i pe njerëzit të hynin grupe-grupe në fenë e Allahut. Atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai, sigurisht që Ai është Pranues i madh i pendimeve. (Kuran, Nasr, 1-3)

Nga Amerika në Evropë, nga Ballkani në Murin e Madh Kinez dhe në zemër të Afrikës, kudo e në çdo vend, besimi, shpresa, siguria e për rrjedhojë paqja, do të përjetohen edhe njëherë nën ombrellën e Islamit. I gjithë njerëzimi do të bëhet dëshmitar i një rendi të ri botëror, i cili do të jetë larg çdo imagjinate. Çdokush do të përfitojë sipas natyrës, gatishmërisë dhe mentalitetit të tij.


[1] Buhari, Xhenaiz, 79.

[2] A’raf 7: 28; Hud 11:49.