Brezat e shpresës - II

Për ne, përjetimi i ringjalljes së re mbarëkombëtare varet nga disa duzina heronjsh, të cilët do t’i japin jetë trupit tonë dhe do të përbëjnë gjakun që rrjedh në venat tona, disa duzina heronjsh të cilët do të kenë arritur dritën e së vërtetës përtej horizontit të dijes. Ata do të kenë arritur të kontrollojnë dhe të disiplinojnë nevojat dhe dëshirat e trupit të tyre, duke i kufizuar ato, deri tek më elementaret. Këta heronj do të ndjejnë gjithmonë në ndërgjegje të tyre thirrjen që Zoti u drejton për një harmoni transcendente. Ata do ta komunikojnë gjithmonë mesazhin e Tij, të mbushur me entuziazëm duke folur me fjalë dhe tinguj të shumëllojshëm. Ata do të marrin frymë nëpërmjet frymës së Tij.

Meqenëse këta heronj ia kanë përkushtuar veten, përmes një vetëbindjeje vullnetare, së vërtetës që nga fillimi, kurrë nuk do të jenë shërbëtorë, apo skllevër të dëshirave konfuze në shoqëri. Ata janë të ndërgjegjshëm për shërbimin që kryejnë në rrugën e Zotit me përulësi dhe në çdo akt të tyre, ata vazhdimisht veprojnë me kujdes dhe me bindje për të arritur nivelet e përjetësisë. Ata e drejtojnë jetën e tyre nën atë shiun e frymëzimit që vjen nga Zoti. Duke rikthyer dhe riforcuar portat e dhuntive të tjera hyjnore me çdo frymëzim, ata do ta ndjejnë ndryshimin e tyre me të tjerët, sepse posedojnë bekimin e kthimit të gjithsecilit, në mijëra njerëz të barasvlershëm, duke shijuar çdo gllënjkë të jetës, shijen, kënaqësinë dhe gëzimin e pavdekësisë.

Aventura e jetës së këtyre heronjve do të rinovohet brenda kornizës së besimit, dijes, ngrohtësisë, dashurisë dhe kënaqësive shpirtërore. Horizonti i të menduarit të tyre do të shkëlqejë mbi hapësirën që ndan të vdekshmen, nga e përjetshmja. Kapitali i tyre është dija dhe besimi, bazamenti i tyre është Zotëruesi dhe i Plotfuqishmi dhe shtegu i ecjes së tyre është rruga e të gjithë shërbëtorëve të ndershëm të së Vërtetës, të cilët kanë jetuar më parë. Ata ecin duke u mbështetur në fuqinë e pamposhtur të fesë dhe përjetojnë ndihmën e Zotit në udhëheqjen që Profeti i bëri njerëzve drejt pavdekësisë. Për pasojë një periudhë e tillë mohimi, mosbesimi dhe ateizmi, do të shuhet dhe do të zhduket në skutat e largëta të të panatyrshmes.

Ashtu si njerëzimi nuk ka jetuar asnjëherë pa besim dhe dije në ndonjë periudhë të historisë së tij, ashtu edhe qytetërimet nuk kanë qenë kurrë pa tempuj adhurimi për Zotin. Edhe pse e ka errësuar horizontin me duart e veta duke rënë herë pas here në kthetrat e mosbesimit dhe të injorancës, ai është ngritur me një vendosmëri më kuptimplote, të qëndrueshme, të shpejtë dhe dinjitoze pas çdo rënieje, duke e ndjerë më thellë në ndërgjegjen e vet lidhjen me Krijuesin. Për këtë arsye, përjetimi i një boshllëku të qytetërimit që ka lidhje me Zotin dhe faltoret, i njerëzimit, që ka lidhje me dijen dhe besimin, gjithmonë ka qenë një gjendje e përkohshme. Dhe e tillë do të jetë edhe më tutje. Deri sa të vijë dita e gjykimit dhe shkatërrimi i botës, ideja për vendet e adhurimit dhe Zotin, nuk do të çrrënjoset nga zemrat e njerëzimit, qeniet njerëzore nuk do të mund të largohen krejtësisht nga Krijuesi i tyre. Ndërgjegjet janë tërësisht të hapura ndaj Zotit, prandaj errësira e përkohshme e horizontit të tyre që përjetohet herë pas here, do t’i ngjajë një eklipsi. Drita do të pasojë errësirën dhe errësira do të pasojë dritën, dhe kur të vijë momenti, koha dhe gjithçka tjetër që lidhet me të, do të lëshohet në një rrugë dhe orbitë të paracaktuar për të nga urdhri i parezistueshëm i Zotit, duke bërë që përjetësia të bëhet realitet.

Gjithçka rreth botës së brezave të sotëm është duke kërkuar thelbin e vet, jetën me ndërgjegje dhe parajsën që e ka humbur dikur. Kjo tendencë edhe në këtë shkallë që është, do të jetë e mjaftueshme që njerëzit të gjejnë heroin e tyre dhe të arrijnë rrugën e së Vërtetës. Sapo ndërgjegjet e tyre do të hyjnë në rrugën e natyrës dhe dispozitës së vërtetë, do të perceptojnë Zotin në çdo gjë dhe në gjithçka. Kjo mundësohet përmes shqisave të tyre të brendshme.

Ateizmi që i zhvesh gjërat nga shpirti dhe esenca që ato përmbajnë, duke i përdorur për të realizuar dëshirat, ambiciet dhe fantazitë e veta, ka nisur të mposhtet për shkak të paqëndrueshmërisë së tij, madje edhe të dezintegrohet. Gjatë kësaj kohe shpirtrat që janë duke kërkuar të vërtetën e tyre, kanë lëvizur drejt fazës së zbulimit të thelbit të tyre. Në këtë mënyrë njerëzit do të humbasin interesin për gjërat e zakonshme. Ata do t’i përjetojnë paaftësitë, dobësitë dhe lodhjen e tyre, si pikë referimi për zemrat, duke perceptuar pikën e mbështetjes dhe të bazimit (nokta istinad), si dhe pikën e ndihmës dhe të përkrahjes (nokta istimdad) në thellësitë e ndërgjegjes së tyre. Kështu, natyra e tyre do të shfaqet e jashtëzakonshme, vullneti i tyre do të çlirohet nga ngushtësia e vet dhe ata do të kthehen tek vullneti dhe urdhrat e Zotit, të Pafundmit, të Përjetshmit.

Në këtë proces, besimi dhe vendosmëria, pra dinamikat më të mëdha shpirtërore të suksesit, do të bëjnë që çdokush të arrijë fuqinë e shpirtit të vet, fuqi që i përket sekreteve hyjnore. Kjo fuqi do t’i mbushë këta njerëz me entuziazëm, shpresë dhe zell, do të asgjësojë çrregullimet dhe paqëndrueshmërinë, do t’i ndihmojë ata të kapërcejnë urat të cilat i shpien drejt vetvetes duke i bërë kështu që të arrijnë tek Zoti.

Rruga më e shkurtër, më e shpejtë, më e sigurt dhe më e suksesshme për qeniet njerëzore, që ata të arrijnë tek e vërteta, është rruga e besimit. Ajo është e pajisur me dije shkencore dhe shpirtërore. Shpirti gjithmonë ka arritur sukseset e tij më marramendëse dhe fitoret e tij më të mëdha me anë të kësaj rruge. Në një vend ku besimi nuk ushqehet me dije, injoranca zëvendëson të vërtetën dhe ligjin, duke bërë që të përjetohet pashmangshmërisht dhuna dhe forca. Në kushte të tilla, njerëzit u drejtohen armëve, paraja bën ligjin, vetëm njerëzve hileqarë u dëgjohet zëri dhe hipokrizia shndërrohet në cilësinë më të dëshirueshme dhe të ëndërruar. Në një atmosferë të tillë është e pamundur të arrihet shpirti, apo thelbi i krijimit, apo të vëzhgohet çfarë shtrihet pas tij.

Nga ana tjetër, e vërteta jonë është e lidhur fort me shpirtin e pafundësisë. Për ta ndjerë këtë marrëdhënie dhe për të perceptuar çfarë ajo premton, ne si një komb i tërë, duhet të sakrifikojmë shumë. Nuk është e mundur të flasim rreth një marrëdhënieje, apo lidhjeje të tillë përderisa të mos sakrifikojmë nga kënaqësitë, lumturia, rehatia, pozita, shkalla dhe titujt individualë e madje edhe nga ndjenjat dhe ambiciet tona për të bërë të mundur përparimin shpirtëror. Në qoftë se kjo lidhje dhe marrëdhënie arrihet, bota e së nesërmes do të jetë e ndritshme. Në të Zoti do të konsiderohet si Qenia më e Lartë, duke besuar me vullnet të plotë dhe me respektin e duhur. Në një botë të tillë interesi në lidhje me pushtetin dhe përfitimet personale, do të konsiderohen si turp.

Ne ndjejmë se kemi qenë në rrugën e një bote të tillë të ndritur për vite me radhë. Ne bashkohemi në kërkimin e shenjave dhe simptomave të agimit të shumëpritur, jo nëpërmjet studimit të numrave magjikë dhe datave misterioze, në lidhje me ngjarjet e ardhshme, por duke vlerësuar gjithçka që shpirti ynë arrin të përqafojë. Duke vepruar kështu, pra, nën udhëheqjen dhe udhëzimin e realitetit hyjnor, ne do ta lidhim vetveten me Vullnetin Hyjnor nëpërmjet vullnetit tonë të lirë, do të bëhemi si ata njerëz heroikë, që shpenzuan gjithçka që kishin në këtë rrugë, do të vëmë në përdorim, do të shpenzojmë dhe do të sakrifikojmë pjesë nga jeta dhe pasuria jonë, do të vijojmë të ecim në këtë rrugë, deri sa të takojmë Vullnetin Hyjnor dhe atë çfarë Ai paraqet dhe premton.

Secili person, i cili ka një ndjenjë serioze përgjegjësie individuale, do të thotë: “Mua më duhet ta kryej këtë punë. Nëse unë nuk do ta kryej atë tani, sido që të mundem, atëherë ndoshta askush nuk do ta kryejë.” Në këtë mënyrë njerëzit do të rendin të parët për të kryer një vepër të caktuar duke mbajtur flamurin lart. Ata do të veprojnë kështu, pa ndjenjën e garës, pa xhelozi, apo armiqësi, pa i penguar dhe shqetësuar të tjerët, përkundrazi, duke garantuar mundësi për të tjerët rreth tyre, në mënyrë që ata të përparojnë. Gjatë periudhës së errët që kemi përjetuar, disa prej gjërave që ne i bëmë me, apo pa vetëdije, kanë sëmurur zemrat tona dhe kanë shkatërruar shpirtrat tanë. Shumica dërrmuese e popullit tonë nuk qe në gjendje të shkëputej, apo të dilte nga kjo situatë, ndaj nuk qenë të aftë të zgjojnë dritën e së vërtetës me esencën e tyre. Nuk arritën të fitojnë dinamikat shpirtërore, të cilat shprehin gjallëri dhe të cilat i ngjajnë ujit, ajrit dhe fuqisë vegjetative të domosdoshme për rilindjen dhe ringjalljen tonë. Të paktën në ditët tona, në vend që të kërkojmë edhe diçka tjetër, përveç vetes, si një lule kacavjerrëse për t’u ngjitur në të dhe për t’u mbajtur në mënyrë që të mbetemi në këmbë dhe të mbijetojmë, duke nxjerrë në pah gjithë fuqinë tonë potenciale me të gjitha lidhjet dhe marrëdhëniet me të përtejmen dhe Mbretërinë Qiellore, duke u mbështetur në ndihmën e Zotit, ne vazhdojmë të ecim drejt tij. Për të arritur një pikësynim të tillë, të cilin mund ta vërejmë, dëgjojmë, kapim dhe marrim me vete të gjithë, duke e vlerësuar nëpërmjet një gjykimi të hapur ndaj frymëzimit, kjo varet fort nga rishikimi dhe rinovimi i kësaj furie dhe lidhjeje potenciale. Shkurt, ju nuk duhet ta kërkoni kurrë shpirtin dhe thelbin që mbart ekzistenca juaj jashtë vetvetes. Përkuleni kokën dhe dëgjoni ndërgjegjen tuaj dhe duke përdorur esencën dhe tërësinë tuaj si një gotë magjike, ju do të filloni të udhëtoni në drejtim të ekzistencës duke u nisur nga ky thelb.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.