Brezat idealë

Në prag të ditëve të mrekullueshme të së ardhmes e në këto ditë, ku agimi na pëshpërit për festa të gëzueshme, është e qartë se ne jemi duke përballuar kriza të cilat duken të pakapërcyeshme. Ashtu si shqetësimet sociale, problemet kombëtare dhe fatkeqësitë natyrore, krizat që kaplojnë një shoqëri nuk mund të kapërcehen, apo të zgjidhen me anë të masave të zakonshme, zgjidhjet për kriza të tilla kushtëzohen nga mprehtësia, dijet dhe mençuria e përhapur gjerësisht në shoqëri. Nuk është e nevojshme, - madje do të ishte thjesht humbje kohe, - të përpiqemi që t’i zgjidhim të tilla kriza me mjete të pabaza, të kufizuara dhe jopremtuese, të cilat i ngjajnë manovrave të rëndomta politike. Që nga e shkuara e deri në ditët tona, njerëzit e shpirtit, thelbit dhe vizionit, i kanë zgjidhur situatat dhe krizat më të përhapura dhe më të zakonshme depresive përmes horizontit dhe zellit të tyre të pamasë, me një lehtësi të paimagjinueshme, duke përdorur dhe aktivizuar burimet aktuale të fuqisë për të ardhmen. Disa njerëz të ligjit mendojnë se masat e tyre, të ashtuquajtura gjeniale, janë supernjerëzore, ndaj i lavdërojnë dhe i admirojnë ato aq shumë. Megjithatë gjithçka që ata bëjnë, si edhe njerëzit e tjerë të suksesshëm, ndodh si rezultat i përdorimit të plotë dhe efikas të kapacitetit, talentit dhe mundësive që u ka garantuar atyre Zoti i Plotfuqishëm.

Njerëzit e ndryshimit janë gjithmonë, në çdo veprim dhe sjellje të tyre, të zënë dhe të preokupuar me planet dhe projektet e së ardhmes. Ata përdorin gjithçka që kanë, çdo rast, apo mundësi që u jepet si material për të ndërtuar urën lidhëse që të çon drejt së ardhmes, ata gjithmonë e ndjejnë dhimbjen dhe shqetësimin e mbartjes të së sotmes tek e nesërmja. Zgjidhja e problemeve ka të bëjë në njëfarë shkalle me kapërcimin e së tashmes dhe me shndërrimin e këtij fenomeni në diçka që shtrihet përtej kohës. Kjo është me pak fjalë aftësia për të vështruar, parashikuar dhe vlerësuar të sotmen dhe të nesërmen në të njëjtën mënyrë. Një objektiv të tillë mendimi, i cili e përqafon të nesërmen nga e sotmja dhe që përfshin shpirtin, thelbin dhe përmbajtjen e së ardhmes, ju mund ta konsideroni nëse dëshironi “ideal”. Një person, që nuk ka një horizont të tillë, nuk është në gjendje të kapërcejë tërësinë e problemeve aktuale dhe as të premtojë ndonjë gjë të vlefshme për të nesërmen. Edhe pse disa njerëz të thjeshtë kanë marrë dimensione të mëdha, duke u veshur nga pompoziteti, rrethanat dhe madhështia e Faraonëve, Nemrudëve, Çezarëve dhe Napoleonëve, jeta e tyre e zhurmshme dhe heretike që hutoi kaq shumë njerëz, kurrë nuk u bë dhe nuk mund të bëhet premtuese për të ardhmen në asnjë drejtim. Kjo për shkak se të tillë njerëz të drejtën ia kishin deleguar forcës dhe dhunës, relatat shoqërore i kushtëzonin nga interesat e përfitimet vetjake dhe se jetën e tyre e kalonin mjerisht si skllevër të egove dhe pasioneve të shthurura, pa gëzuar kurrë në të vërtetë liri prej tyre.

Në të kundërt, Katër Halifet e Parë në Rrugë të Drejtë dhe më vonë Osmanët, paraqitën kaq shumë vepra të tilla të mëdha, rrjedhojat e të cilave e kapërcejnë këtë botë dhe arrijnë tek bota tjetër, vepra që në thelb janë të afta të garojnë me shekujt, sigurisht, vetëm për ata të cilët nuk gënjehen nga eklipset e përkohshme. Megjithëse ata e jetuan jetën, i plotësuan krejtësisht detyrat dhe ikën nga kjo botë, do të kujtohen gjithmonë, do të flitet për ta dhe do të gjendet një vend për ta në zemrat tona si njerëz të mirë dhe të admirueshëm. Në çdo cep të vendit tonë, shpirti dhe thelbi i njerëzve të tillë si: Allparsllan, Melikshah, Osman Gazi, Fatihu dhe shumë të tjerë, u përhap si era e mirë e temjanit dhe shpresat e sihariqet e tyre fluturuan drejt shpirtit tonë, nga vizioni i tyre.

Cezari e rrënoi idealin e Romës me tekat dhe dëshirat e tij, Napoleoni e burgosi dhe e vrau idealin e Francës së madhe me atë rrjetën e tij të lakmisë dhe ambicies dhe Hitleri e konsumoi ëndrrën e Gjermanisë së madhe, për shkak të marrëzisë së tij të pashoqe. Nga ana tjetër, ideali i cili tek njerëzit tanë është i hapur ndaj vazhdimësisë, heroizmi i të cilit shpreh integritet dhe vazhdimësi, është mbajtur gjithmonë lart dhe mbi çdo kotësi, apo vulgaritet, si në fitore, ashtu dhe në humbje. Ai është konsideruar si i dashur, i shenjtë dhe i çmuar si një flamur për të cilin është dhënë jeta. Nën një flamur të tillë Fatihu eci drejt Kostandinopojës, Sulejmani i Mrekullueshëm përparoi drejt perëndimit dhe vetë populli ynë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe gjatë Luftës Kombëtare, edhe njëherë tjetër e ruajti besnikërinë e tij dhe dha jetën në mënyrë që ky flamur të mund të valëvitej krenar përgjithmonë. Një ideal në duart e një njeriu ideal, arrin vlerat më të larta dhe kthehet në një bukuri arritjesh dhe fitoresh. Nëse njerëzit të cilët përfaqësojnë një ideal të tillë nuk janë njerëzit e përshtatshëm për këtë detyrë, atëherë ky flamur kthehet në një sinjal, ku shprehen ankesa të ulëta dhe ambicie të rëndomta. Megjithëse një flamur i tillë sinjalizues është në gjendje t’i bashkojë fëmijët në rrugë, duke i orientuar drejt objektivave të caktuara si të ishin në një lojë, ai nuk është në gjendje të realizojë emocionet dhe aspiratat që shtrihen në thellësitë e shpirtit të popullit tonë. Një njeri i idealeve është para së gjithash një hero i dashurisë, i cili e do Zotin, Krijuesin e Plotfuqishëm me devocion dhe ndien një interes të madh në lidhje me tërësinë e krijimit nën peshën e krahëve të kësaj dashurie, e cila rrethon gjithçka dhe këdo me mëshirë, i mbush me lidhje shpirtërore me vendin dhe popullin. Ai kujdeset për fëmijët si të jenë gonxhe të së ardhmes, ai i këshillon të rinjtë të bëhen njerëz të idealeve, duke u dhënë atyre objektiva dhe pikësynime të larta, i mëson të nderojnë të vjetrën me zemër të plotë dhe me respekt. Një njeri i tillë ndërton ura mbi humnera për të lidhur dhe bashkuar sektorë të ndryshëm të shoqërisë. Ai i orienton të gjitha përpjekjet drejt progresit, në mënyrë që çdo gjë të mund të ekzistojë në harmoni. Një bartës i tillë idealesh është gjithashtu një njeri i mençur. Kur ai vëzhgon gjithçka nga bota e gjerë e arsyes, mat gjithashtu çdo gjë me njësinë matëse të zemrës vlerësuese, duke testuar vetveten nëpërmjet kriterit të vetëkriticizmit dhe të vetëkontrollit, duke e gatuar dhe formuar veten në një udhëkryq arsyeje dhe duke u përpjekur gjithmonë të zotërojë dhe të përfitojë rrezatimin e mendjes dhe dritën e zemrës në porcione të barabarta.

Një bartës i idealeve është një person i vërtetë i përgjegjësive të shoqërisë në të cilën ai jeton. Për të arritur objektivat e tij, më kryesori i të cilëve është, sigurisht, kërkimi i kënaqësisë së Krijuesit, ai sakrifikon çdo gjë me të cilën Zoti e ka bekuar, pa u menduar dy herë. Ai nuk ka asnjë frikë, apo lidhje me ndonjë gjë që i përket kësaj bote, zemra e tij nuk është e pushtuar nga asgjë tjetër, përveç Zotit. Ai nuk ka, as ambicie për lumturi individuale, e as shqetësim në lidhje me mungesën e lumturisë, ai është një shpëtimtar, një hero i shpirtit, ai nuk e ka për gjë të digjet në zjarr, për sa kohë që idealet dhe vendi i tyre të stabilizohen, të bëhen të qëndrueshme dhe të fortë.

Një bartës i idealeve në nivele të larta, ndjen respekt për vlerat me të cilat ai është i lidhur, ai posedon vetëkontrollin më të thellë në kryerjen e detyrës së tij të shprehjes së adhurimit dhe jeton si një hero i dashurisë dhe i entuziazmit. Në emër të idealit, ai di të sakrifikojë jetën, pasurinë, familjen, të tashmen dhe të ardhmen e tij, vepron kurdoherë në kohezion me të vërtetën dhe të gjitha preferencat i bën në emër të idealit të tij sublim. Një njeri i tillë është gjithmonë në luftë me thellësitë e zemrës, luftë që kërkon ta bëjë atë zotërues të vetvetes në çdo kohë. Ai është dënuar që të jetë skllav i së vërtetës, ai është indiferent dhe i painteresuar në lidhje me pozitat dhe titujt dhe e sheh famën dhe kërkimin e komoditetit dhe të lehtësisë, si një helm fatal. Kjo është arsyeja përse të tillë njerëz fitojnë gjithmonë, kur kanë një mundësi për të fituar dhe i kthejnë rrethanat e pavolitshme në të mirë të tyre.

Duke ecur në këtë rrugë së bashku me shpirtrat e lavdishëm, një person i tillë është kaq i nënshtruar me sinqeritet ndaj Vullnetit të Zotit. Kësisoji stuhitë e ambicieve, të cilat e godasin atë intensivisht, konsolidojnë tek ai ndjenjën e drejtësisë, të mirësisë dhe të pozitivitetit. Rrëketë e urrejtjes, të mërisë dhe të keqdashjes, zëvendësohen në shpirtrat e tyre nga pranvera e dashurisë dhe e mëshirës. Ata i injorojnë dhe shkelin mbi dhuratat dhe të mirat me të cilat janë lidhur njerëzit e zakonshëm, ata janë kundërshtues të hakmarrjes. Nëse do të mendojmë për të tillë heronj të idealeve, në horizontin e tyre të vërtetë, horizont që të trondit mendjen, atëherë ne do të jemi në gjendje t’i portretizojmë si persona me vendosmëri gati profetike. Tablo të supernjerëzve hyjnë në ndjenjat tona nga dyer të cilat janë hapur falë këtyre grupimeve dhe imagjinata jonë mbushet me shembuj historikë të heroizmit. Kështu ne jemi të magjepsur nga besnikëria dhe sinqeriteti i Ukbe ibni Nafiut në shkretëtirat afrikane, jemi të mahnitur nga trimëria dhe guximi i Tarik ibn Zijadit pas kapërcimit të Gjibraltarit, zhytemi në admirim për Fatihun (Mehmetin II) dhe vendosmërinë e tij, nderojmë heronjtë në Pleven dhe përshëndesim me respekt luanët e Galipolit, mbi kokat e të cilëve bombat fluturonin si breshër dhe të cilët e përballuan me buzëqeshje në fytyrë sulmin e rreptë të armiqve.

Ne kemi nevojë veçse për njerëz të tillë, modele që janë me karakter dhe ideale të larta. Këta shpirtra të ndritur të idealeve të larta, do të realizojnë dhe do të rithemelojnë shoqërinë e re, duke bërë që kombi ynë të zërë vendin që i takon në vitet e ardhshme. Këta njerëz heroikë, tharmi i ekzistencës së të cilëve është besimi, dashuria, mençuria dhe mprehtësia, nuk janë përkulur dhe lëkundur nga sulmet e panumërta, që erdhën nga brenda dhe nga jashtë, për më shumë se dhjetë shekuj me radhë. Këto sulme ndoshta e kanë tkurrur paksa kombin tonë dhe e kanë bërë atë pak më të vogël. Megjithatë nëpërmjet fuqisë që do të fitojmë dhe vendosmërisë, ne do të ngrihemi në atë nivel që duhet. Duke u ngritur në të ardhmen në këtë nivel, do të merret parasysh edhe mendimi ynë dhe me anë të një force të jashtëzakonshme shpirtërore, ne do të gjejmë kohën e përshtatshme për ta çuar deri në fund detyrën që kemi marrë përsipër.

Është fakt që gjatë shekullit të fundit, dashuria, mençuria, largpamësia dhe ndjenja e përgjegjësisë janë tkurrur shumë dhe çështje të rëndomta të jetës së përditshme kanë zënë vendin e idealeve të mëdha. Sigurisht, nuk mund të thuhet se kemi bërë diçka në emër të reformave gjatë kësaj periudhe. Gjërat që na janë servirur si të reja dhe reforma gjatë kësaj kohe, s’kanë qenë gjë tjetër, veçse një imitim e dublazh pa nivel. Dhe një imitim i tillë i verbër të cilin mund ta konsiderojmë si maskim në imoralitet të idesë kombëtare, shkatërrim të shpirtit të popullit, ka sjellë më tepër dëm, sesa dobi. Kur vendi ishte i gjakosur për shkak të plagëve që hapeshin vazhdimisht, të shkaktuara ngaqë bashkësia nuk ishte diagnostikuar ende, mënyra e trajtimit dhe e kurimit të sëmundjeve të tij, nuk ishte ende e njohur, apo e përcaktuar, ndaj mjekimet dhe trajtimet jo të rregullta, i paralizuan masat popullore. Efektet e krizave të kohëve të fundit ndjehen ende sot me flakërimën, shpërthimin dhe plasjen e dukshme të mllefit të tyre.

Prandaj, nëse nuk do të ballafaqohemi me shkaqet e vërteta të problemeve, nëse nuk do t’i përballojmë dhe trajtojmë problemet individuale, familjare dhe shoqërore me aftësi, ndjeshmëri dhe zotësi prej kirurgu, nëse nuk largohemi nga moçali i qelbur i veseve, imoralitetit dhe punëve të pista, si dhe prej gjërave të tjera kundër të cilave kemi luftuar për t’u çliruar gjatë periudhave të fundit, do të bëjmë gabime pas gabimesh. Kështu, ndërsa jemi duke kërkuar korrigjimin e tyre, krizat tona do të bëhen më të egra dhe më të thella. Për pasojë, nuk do të mundemi kurrë që të dalim nga rrethi vicioz i krizave dhe i depresionit.

Nuk ka rëndësi nëse ata të cilët mbajnë frenat e vendit, vijojnë të sillen me kokëfortësinë e tyre të vjetër. Ne kemi besim të thellë dhe absolut në brezat idealë, mendimet, ndjenjat dhe veprat e të cilëve synojnë drejt së ardhmes, të cilët janë të lidhur dhe të devotshëm ndaj vendit, popullit dhe idealit të tyre, të cilët janë të fokusuar që t’i shërbejnë dhe të kontribuojnë për popullin e madje për gjithë njerëzimin, të cilët janë të gatshëm të lëshohen, siç lëshohet shigjeta nga harku, për t’u shërbyer të gjithëve nëpërmjet botëkuptimit dhe ndjenjës së tyre të përgjegjësisë. Ne besojmë se ata do të zhdukin dhe do të kapërcejnë të gjitha dukuritë negative dhe do të bëjnë që të realizohen zhvillimet më të reja. Një ditë, dëshirat dhe ëndrrat e tyre të fuqishme, dashuria dhe padurimi i tyre për t’u shërbyer njerëzve, do të depërtojnë në secilin sektor të shoqërisë duke u bërë një farë e cila lulëzon kudo që hidhet. Kjo sjellje, që do të çrrënjosë të ashtuquajturat realitete të materializmit dhe dëshirave trupore, me siguri do të endë edhe një herë pëlhurën e shpirtit të këtij kombi, me anë të botëkuptimit dhe planveprimeve të njerëzve të tij të çmuar.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.