Nga kaosi, tek rregulli - I

Për shekuj me radhë, nëse e vërejmë nga këndvështrimi ynë i moralit, virtytit, shkencës dhe dijes, shoqëria jonë ka pasur pamjen e një gërmadhe. Është kërkuar mjaft për një sistem alternativ rregulli dhe mendimi në fushat e edukimit, artit dhe moralit. Në fakt, ne kemi nevojë për mendje gjeniale, me vullnet të hekurt, të cilët kanë aftësinë të mbartin titullin e mëkëmbësit të Zotit në tokë dhe janë të aftë të ndikojnë në ngjarjet dhe të ndeshen me shpirtin jetim dhe mendimet e papjekura, që nuk vlerësojnë, as ndjenjën e përgjegjësisë, as vlerat njerëzore, as dijen, moralin, idetë e vlefshme, virtytet dhe artin. Vetëm këta do të sjellin përqafimin dhe interpretimin e krijimit në gjithë gjerësinë dhe tërësinë e tyre, si dhe afrimin e njerëzimit në gjithë gjerësinë e tij, të kësaj bote dhe të përtejbotshme.

Disa lëvizje të kohëve të fundit, ku vihet re ndryshimi dhe transformimi në botë, bënë të mundur çjerrjen e maskës nga fytyrat e shumë njerëzve, duke bërë që ata të shfaqin identitetin e tyre të vërtetë. Gjithashtu, ato menjëherë e larguan vellon nga sytë tanë, duke bërë që thelbi i vërtetë i gjithçkaje dhe i kujtdo të bëhej i qartë. Tani ne mund t’i vërejmë ngjarjet që ndodhin rreth nesh më me qartësi dhe të nxjerrim konkluzione më reale dhe më të shëndosha. Për pasojë, ne tani kemi kuptuar dhe vërtetuar se nuk ka qenë vetëm pamja jonë e jashtme, mënyra e të veshurit, e të menduarit, si dhe filozofia jonë e jetës, subjekt i peripecive, keqkuptimeve, braktisjes dhe fshirjes nga kujtesa, por, gjithashtu, edhe kultura jonë kombëtare, ndërgjegjja historike, sistemi ynë i moralit, pranimi dhe interpretimi i virtyteve, kuptimi mbi artin, si dhe rrënjët e thelbit shpirtëror, kanë qenë jo më pak subjekte të këtij lloj erozioni. Në fakt, njerëzit që kanë pasur të tilla pikëpamje kanë vuajtur shumë më tepër. Të gjitha lidhjet tona shpirtërore u këputën dhe u copëtuan, burimet tona të virtytit u shterën dhe në vend të tyre u vendosën rrëpira dhe humnera të pakapërcyeshme, që bënë të mundur ndarjen tonë nga e kaluara.

Në këtë botën tonë të bekuar, ne kemi përjetuar periudha gjatë të cilave intelektualët u detyruan të heshtin, burimet e mendimit u vulosën. Ata të cilët përfaqësonin pushtetin dhe autoritetin e shtuan devijimin dhe degjenerimin, ndërsa brezat e shkretë dhe të pafat ishin gjithmonë të mbërthyer në rrjetën e “ndjenjave më të vdekura, të pashpresa dhe të errëta, brenda një kaosi rënkues si një kufomë.”

Në këtë periudhë të keqe, kur ngado ka depërtuar pluhuri dhe tymi i dendur i mungesës së shpresës, sytë derdhnin lotë dëshpërimi, zemrat psherëtinin, kur hidhnin sytë drejt fytyrave që nuk e njihnin turpin, duke u ankuar për ndjenjat e tyre me një zë vajtues që buronte nga thellësia e vetvetes: “Ç’farë tjetër duhet të presim nga këta njerëz konfuzë të cilët notojnë drejt ateizmit, nga këta njerëz të pamend, të cilët lavdërojnë dhe duartrokasin këdo dhe gjithçka, nga këta viktima të ndërgjegjeve të tyre të njollosura thellë, të cilët janë mësuar t’i nënshtrohen këtij pushteti?” Megjithatë, shpeshherë, gjithë këto gjëra të cilat kanë qenë tronditur dhe shkatërruar, venitur dhe zhdukur, janë zëvendësuar. Ndaj, tani, ne jemi dëshmitarë të bezdisë dhe të hutimit që po ndjejmë kohët e fundit në zemrat tona edhe më thellë, në lidhje me të ashtuquajturit realistë, të cilët nuk dinë asgjë tjetër, përveç ndjekjes së kënaqësive të tyre vetjake. Është bërë e qartë si kristali se asgjë nuk është ndërtuar, po ta krahasojmë me çfarë është shkatërruar, zhdukur dhe rrënuar. Vlerat e shoqërisë kanë mbetur të pandryshuara.

Më lejoni t’ju pyes me përgjegjësi, si dhe me çfarë do ta kapërcejmë këtë varfëri morale e cila e ka kthyer jetën tonë në barrë dhe enigmë, si do t’i kapërcejmë krizat të cilat sa më tepër që kalojnë ditët formojnë vorbulla më të forta dhe më të thella në qenien tonë? Si mund ta zgjidhim, ta kapërcejmë dhe çlirojmë veten nga këto kriza individuale, familjare dhe shoqërore? Si mund të ecim me vendosmëri dhe pa frikë drejt së ardhmes? Me ca fantazi të importuara dhe ideologji boshe? Apo me botëkuptimin e kufizuar të kësaj epoke mbi të cilën ata përpiqen të ndërtojnë gjithçka? Jo! As këto mendime dhe ideologji të paligjshme dhe as kjo logjikë e errët, nuk do të jenë në gjendje të na bëjnë të çlirohemi nga kjo barrë e rëndë.

Të gjitha përpjekjet e reformimit të botës sonë, në këtë mënyrë s’ishin gjë tjetër përveçse falsitete. Ato nuk kanë sjellë kurrë realizimin e një objektivi sado të vogël dhe as ndjekjen e suksesshme të ndonjë pikësynimi të caktuar. Ata që qëndrojnë në krye, me penel në dorë, e kanë marrë këtë punë, si të ishte një zanat, apo ndoshta si detyrim për të lyer plagët që janë shfaqur mbi trupin e kombit dhe të shoqërisë. Ata kanë qenë gjithmonë të verbër ndaj hemorragjisë së brendshme në ato enë të mëdha të gjakut që ushqejnë organet jetësore, si dhe ndaj komplikacioneve të shkaktuara për shkak të kësaj hemorragjie. Që nga fillimi i shekullit, me përjashtim të disa sukseseve në sferën private dhe të bëmave të heronjve të Luftës sonë Kombëtare, gjithçka ka vazhduar në këtë mënyrë. Për më tepër, është e pamundur të themi se idealet e bekuara të heronjve tanë kanë vijuar të ndiqen me të njëjtën pastërti dhe vendosmëri që kishin në fillimet e tyre. Sot, nuk është e pamundur, por është mjaft e vështirë të flitet për unitet në një shkallë të tillë dhe të imagjinohet një ngritje dhe rilindje e tillë që të sjellë ndryshimin e shumëpritur.

Megjithëse grupe të ndryshme e kanë ndarë dhe distancuar veten gjithmonë e më tepër nga të tjerët, ata nuk e njohin si duhet ndryshimin thelbësor midis jetës së tyre individuale, shpirtit dhe thelbit të tyre. Ata janë larguar nga njëri-tjetri në një shkallë aq të madhe, saqë me sjelljet e tyre janë shndërruar në kafshë të cilat sulmojnë njëra-tjetrën. Ky fenomen ka arritur një nivel të tillë, saqë kur dikush thotë se diçka është e zezë, të tjerët e kundërshtojnë duke thënë se ajo është e bardhë, nëse dikush hedh një ide, të tjerët e e kundërshtojnë dhe e shmangin atë. Disa i konsiderojnë idetë alternative të të tjerëve si tradhti, ndërsa të tjerë, e shohin vendosmërinë e këtyre të fundit si fondamentalizëm dhe fanatizëm. Duke pasur parasysh gjithë këto aspekte kontradiktore, imagjinoni tani përmasat e kësaj lufte, apo thënë më ndryshe, të kësaj valleje, ku nuk ekziston asnjë rregull, apo kriter i përbashkët dhe asnjë lloj marrëveshjeje me të tjerët. Përpiquni tani të zbuloni, nëse mundeni, nga cila anë qëndron e vërteta. Kjo është arsyeja që më tepër se çdo gjë tjetër, sot, kemi nevojë për një mënyrë të menduari që të jetë e pagabueshme dhe për kritere të cilat nuk na shpien në rrugë të shtrembër, por vetëm drejt së vërtetës dhe virtytit. E ndërsa ndërgjegjja dhe vlerat tona morale dhe etike pretendojmë të konsiderohen si një burim drite i mjaftueshëm për të zgjidhur shumë probleme, për fat të keq, sot, ndërgjegjja është lënduar dhe këto vlera morale janë mbërthyer nga konfuzioni. Të dyja këto dinamika të rëndësishme janë çrrënjosur dhe ashtu si çezmat antike nëpër muzeume, burimi i tyre pranveror është tharë. Siç ka thënë Mehmet Akif Ersoj:

Moralin nuk e lartëson, as dija e as ndërgjegjja,
Virtyti tek njerëzit buron prej frikës ndaj Zotit.

Nëse u shtojmë të gjitha këtyre sa thamë më lart faktin që vullneti është ulur në nivelet më të vogla të mundshme, arsyeja është bërë mjaft e paturpshme dhe ndjenjat njerëzore janë egërsuar dhe bërë të liga si djaj, atëherë thellësia dhe gjerësia e makthit të përjetuar bëhet mjaft e dukshme.

Prandaj, është kërkesë thelbësore të rishikojmë edhe një herë të gjitha themelet e arsyes sonë, duke gjetur linjën e të menduarit logjik, duke i dhënë vullnetit tonë rëndësinë e duhur dhe duke formuar breza me vendosmëri të jashtëzakonshme. Meqenëse ne jetojmë në një univers të rrethuar nga shkaqet, nuk mund t’i injorojmë ato. Injorimi i shkaqeve në një botë shkaqesh përbën determinizëm absolut dhe shmangie. Të qenurit të përgjegjshëm dhe seriozë, nuk nënkupton injorimin e shkaqeve, por, përkundrazi, kujdes nga ana jonë në mbajtjen parasysh të parimit të shkaqeve (tenasubu il’lijet), si një kërkesë të pazëvendësueshme.

Duke iu larguar kësaj çështjeje, mund të themi se në qoftë se nuk veprojmë në këtë mënyrë, pra, duke bërë përpjekje serioze që të analizojmë që tani themelet e këtyre ideologjive dhe lëvizjeve veçanërisht të dëmshme dhe po qe se nuk marrim masat e nevojshme kundër tyre, është e pashmangshme se përsëri do të jetojmë mes një morali të tillë të prishur, fatkeqësish të tilla shoqërore, devijimesh dhe korrupsioni të çdo shkalle dhe përmase. Nuk është punë e mençur t’i njohim pasojat e fatkeqësisë, pasi ajo ka ndodhur. Meritë është parashikimi dhe parandalimi i shkaqeve dhe i faktorëve që bëjnë të mundur një situatë të tillë. Gjithashtu është e vështirë të flasim për një zgjuarsi dhe largpamësi kaq precize në lidhje me historinë tonë të kohëve të fundit. Ne nuk mund të pretendojmë se i kemi dhënë vullnetit tonë drejtimin e duhur në çdo kohë. Përkundrazi, gjatë kësaj periudhe muzgu, populli ynë ishte përherë dyshues në lidhje me mendimet, vullnetin dhe vendosmërinë e vet dhe gjithmonë ka ëndërruar që ta qeverisë ndonjë pushtet superior dhe i jashtëzakonshëm. Madje për shkak të ideve të të ashtuquajturve “dijetarë”, koncepti i shkencëtarëve, i atdheut dhe i shtetit pa dinjitet, u ngulit në ndërgjegjen e pastër dhe të pafajshme të njerëzve tanë, duke sjellë për pasojë tronditjen e vendosmërisë dhe besnikërisë së tyre. Me kalimin e kohës, mbizotërimi dhe pushteti i këtyre njerëzve mbi mendjet dhe veprimet tona, shkaktoi një tërësi devijimesh të personalitetit, marramendje, shmangie të arsyes, prishje dhe çrregullimi mental në pranimin dhe interpretimin e ideve nga ne. Për pasojë ia behën deformime të tmerrshme tek ata, të cilët dorëzoheshin pa kushte ndaj këtyre njerëzve dhe ideve, megjithëse asgjë tjetër përveç Vullnetit Hyjnor, nuk meriton të besohet dhe të pranohet, pa u studiuar dhe u thelluar në të.

Dekarti ka thënë: “Mendimi që nuk është i lirë, nuk mund të quhet mendim.” A nuk jemi vallë aq të aftë sa të mendojmë të paktën si Dekarti, në mënyrë që ta shpëtojmë vetveten nga pedantizmi i së sotmes, i cili tashmë është çrrënjosur dhe vjetruar në shumë drejtime? Mjerisht, ka të ngjarë që jo...

Në vitet në vijim, ato breza të cilët do të mund të shohin horizontin e ndritur të kësaj bote dhe të botës tjetër, do t’i rishikojnë mendimet, formulat dhe sistemet të cilat janë importuar tek ne dhe janë formuar brenda nesh. Ata do ta pastrojnë shoqërinë nga gjërat dhe mendimet e huaja e ato të ndotura, dhe do të na lidhin me rrënjët tona shpirtërore, që nëpërmjet tyre të mbrojmë dhe të ruajmë thelbin, personalitetin dhe linjën tonë të veprimit në të ardhmen. Gjatë rrugës, këta breza do të lidhen ngushtë me botën, do të bëhen të aftë të lexojnë dhe të studiojnë të djeshmen, së bashku me të sotmen, njërën brenda tjetrës, në mënyrë që të mos e hedhim poshtë të shkuarën, për shkak se ajo është e vjetër dhe të pranojmë symbyllurazi gjërat që i konsiderojmë të reja dhe të freskëta. Karakteristika më e dukshme e këtij brezi të ndritshëm do të jetë njohja e gjithçkaje që ka lidhje me të shkuarën dhe të tashmen, të njihet kuptimi i asaj çfarë është më e rëndësishme. Ajo që konsiderohet rëndom si e njohur, nuk qëndron në faktin se gjithçka që ne dimë është e vërtetë, ndaj në një mënyrë, apo në një tjetër, të përpiqemi të kuptojmë të vërtetat, duke i kaluar rezultatet laboratorike dhe frymëzimet e ndryshme nëpër filtrin e mendjes, logjikës dhe arsyes.

Arritja e një ndryshimi dhe përmirësimi të tillë kërkon në mënyrë të domosdoshme njohjen e të kaluarës sonë të afërt, të heronjve dhe personaliteteve historike. Duhet t’u jepet patjetër përgjigje pyetjeve të tilla si: Gjatë formimit të historisë sonë, kush ishin figurat më me ndikim dhe cilët ishin faktorët, motivet dhe arsyet më ndikuese? Kush janë njerëzit të cilët e kanë rigjallëruar me dashuri dhe entuziazëm më së fundmi popullin tonë? Kush i ka marrë përsipër dhe po i kryen punët të cilat paraqesin dhe pasqyrojnë bukuritë tona kombëtare, shoqërore dhe shpirtërore? Kur t’i dimë përgjigjet e gjithë këtyre pyetjeve, unë mendoj se ne mund ta kuptojmë më mirë, çfarë kemi nevojë të shohim dhe si t’i prezantojmë më qartë planet dhe projektet tona të së ardhmes. Ne mund ta arrijmë lumturinë duke ecur në gjurmët e heronjve, që i mbajtën të gjalla e të shëndosha në zemrat e tyre moralin, dashurinë, kauzën dhe mendimet e tyre.