Ribashkimi me vetveten

Shekulli i njëzetë ishte një shekull me probleme të pareshtura dhe që vazhdojnë të jenë të tilla. Një prej këtyre problemeve është kaq i thellë, saqë na bën që t’i harrojmë të gjithë të tjerët. Ai është kronik dhe rezistent ndaj ndërhyrjeve dhe mjekimeve dhe është aq urgjent, saqë nuk mund të anashkalohet. Ky problem serioz është nëpërkëmbja e vlerave tona nga populli ynë, veçanërisht nga rinia. Nëse ai nuk do të zgjidhet plotësisht prej duarve të njerëzve të zotë, pa humbur më asnjë çast, ne do të gjendemi të zhytur në shumë fatkeqësi dhe sëmundje të tjera të mëdha dhe do të përjetojmë dështim të plotë, pavarësisht rrethanave kur do të shfaqen këto ngjarje, të volitshme, apo të pavolitshme. Ato do të shfaqen në mënyrën më të papritur dhe do të errësojnë fatin tonë.

Tumori i neglizhencës, i injorancës, indiferencës, paaftësisë dhe fantazisë së atyre që kërkojnë të futin gjërat e huaja në të tërë komunitetin, të shfaqur më parë në formën e gjëndrave, dhe që i ka shpërndarë metastazat e tij brenda një kohe mjaft të shkurtër, duke u përhapur nëpër gjithë trupin tonë, ka sjellë për pasojë gjunjëzimin tonë. Kjo ka ndodhur në një shkallë kaq të madhe, saqë është përjetuar një “rënie” e dukshme në çdo aspekt të shoqërisë, duke bërë që ngjyra e njerëzve tanë të fshihet. Mjerisht, shumë herë ne jemi tronditur nga sëmundje të tilla. Sa shumë herë kemi vuajtur fatin e keq të dështimit dhe jemi mundur. Sa shumë herë jemi rrënuar duke parë me sytë tanë fatin tonë të zi dhe vdekjen që vinte së bashku me të. Sa shumë herë jemi përpjekur të shprehim hidhërimin tonë për këto ngjarje! Sa shumë herë e kemi ndier bezdinë e të qenit të paaftë, për të gjetur fjalët e duhura kundër këtyre ndodhive, duke mos ditur, nëse janë fjalë të përshtatshme, apo të gabuara dhe të gjejmë një përgjigje të saktë në lidhje me këtë çështje. Sa shumë herë e kemi shtypur dhe kapërdirë dëshpërimin tonë duke kërkuar strehë tek Zoti. Disa prej nesh janë tronditur dhe dridhur nga rrymat e ndjenjave të tilla vrastare, ndërsa të tjerë kanë vijuar vetëm duke i qortuar ata të cilët binin në këto gabime.

Megjithatë, në vend që t’i gjykojmë dhe t’i mallkojmë të tillë njerëz, ashtu si dhe të tjerët për rrugën që kanë marrë, ne duhet t’i kishim përqafuar ata, duke i rrethuar me premtimin e një jete të re dhe të freskët, duke nxitur entuziazmin e tyre nëpërmjet respektit. Por edhe duke gjetur shkaqet e arsyeshme dhe justifikimet për obsesionet dhe delirin e tyre. Ne duhet të ishim përpjekur njëkohësisht të shuanim atmosferën e urrejtjes, dhunës dhe terrorit, duke u dhënë atyre disa të drejta, duhet të kishim përgatitur terrenin për të diskutuar me ta rreth çështjeve tona të përbashkëta dhe reciproke. Është fakt që shoqëria jonë është e tillë që strehon mendime, koncepte dhe filozofi të ndryshme. Prandaj, kur ecnim në rrugën tonë, ne viheshim në gjurmët e francezëve duke u ndikuar nga ata, pastaj mbërtheheshim nga sjelljet dhe interpretimet e gjermanëve. Pas ca kohësh, u zhytëm dhe u mahnitëm me mënyrën angleze të të menduarit dhe së fundmi, kjo shoqëri është intoksikuar nga filozofia e lirë amerikane. Kështu, ne kemi vendosur përherë barriera në rrugën tonë. Që të gjitha këto koncepte, interpretime dhe filozofi, kanë ndikuar negativisht në kulturën tonë kombëtare. Është e vërtetë gjithashtu që një ndryshim dhe kolorit i tillë mund të vlerësohet si pasuri. Për mua më e rëndësishmja është fakti që kombi ynë duhet të ruajë vlerat e tij vetjake dhe duhet të sillet nëpër orbitën e vet. Megjithatë, duke qenë të paaftë të vlerësojmë kaq shumë kultura të ndryshme, çdonjëra prej tyre konsiderohet si sinteza më e fundit e atyre që e mbështesin atë, ne jemi ngatërruar dhe penguar, sikur të ecnim në një rrugë të minuar. Ashtu si minatorët pa përvojë, të cilët kur gërmojnë për mineral, ose thjesht gërmojnë tokën dhe shkëmbinjtë duke u lodhur, pa arritur të nxjerrin gjë në dritë, ose nuk interesohen për mineralin, sepse mendojnë se miniera në të cilën kanë hyrë ka vetëm gurë. Ne kemi parë deri tani shumë burime drite, por në vend që të vlerësojmë dhe të përdorim për ndriçimin tonë me efikasitet secilin prej tyre, kemi prodhuar vetëm zjarr e flakë nga ato, duke lejuar që zjarri të na djegë, në vend që të na ndriçojë.

Është e çuditshme që disa prej nesh, pavarësisht dijeve të tyre të pakta, e konsiderojnë veten njerëz të ndritur. Të gjithë atë çka mendojnë, qoftë edhe fare pak, e konsiderojnë si produkt filozofik. Ata të cilët përfaqësojnë pushtetin, e trajtojnë arsyen dhe logjikën si tepër të çmueshme, por vazhdojnë në rrugën e tyre të të qenit ekzekutues të dhunës. Ata në politikë bëjnë militantizëm, sakrifikojnë gjithçka dhe çdo pikësynim e kanë të orientuar drejt tij, sepse sipas tyre nuk mund të ekzistojnë pa të. Veprimtaria jonë social-kulturore, politike dhe ekonomike, nuk ka qenë kurrë në gjendje të dalë nga rrethi vicioz i kundërshtimit dhe konfliktit, i zënë mat në rrjetën e dyshimit, armiqësisë, konkurrencës dhe intolerancës. Ata të cilët nuk kanë, as pjekurinë e adoleshentëve, i kanë përdorur këto metoda si mjete për të goditur kokat e njëri-tjetrit, të rinjtë, në vend që të riparojnë kredon tonë të tronditur dhe krenarinë e cenuar, e kanë përdorur dinamizmin e shpirtit të tyre kundër vendit dhe popullit të vet, duke shkaktuar në shpirtin e tij plasaritje dhe çarje.

Unë mërzitem për këtë të vërtetë. Përse të mos e duam njëri-tjetrin, kur kemi mundësi ta bëjmë një gjë të tillë? Përse nuk vendosim marrëdhënie dhe miqësi të qëndrueshme? Përse nuk mund ta ndajmë ankthin, shqetësimin, mërzinë dhe përse të mos kënaqemi me suksesin dhe lumturinë të gjithë së bashku? Kam frikë se përpjekjet dhe lufta në rrugën e përfitimit të zemrave është më e vështirë për ne, sesa lufta dhe përpjekja në fushën e betejës. A është zemra e njerëzimit e mbyllur ndaj dashurisë, tolerancës, pranimit të të tjerëve? A është ajo e turpshme ndaj përqafimit dhe ndarjes së vlerave? A është ajo e prirur ndaj urrejtjes, keqdashjes, mërisë, intolerancës, koprracisë dhe egoizmit? Unë nuk mund të besoj se kjo është e vërtetë. Betohem në Zotin i Cili krijoi zemrat se çfarë është e pasur dhe e gjerë nuk mund të jetë e mbyllur ndaj virtyteve, por, përkundrazi, me gjerësi të pamasë.

Pushtuesit më të mëdhenj në botë e nisën punën me pushtimin e zemrave. Stacioni i parë i tyre ishin zemrat e njerëzve dhe duke i përdorur ato si bazë dhe port, lundruan drejt pjesëve të tjera të botës. Nëse ata nuk do të kishin hyrë së pari në zemrat e popullit të Anadollit, nuk do të kishin fituar në Manzikert (Malazgirt) luftën ndërmjet shtetit Selxhuk dhe Bizantinëve në 1071, një luftë e cila i hapi portat e Anadollit për myslimanët. Muret e Kostandinopojës nuk do t’i ishin dorëzuar sulmit, nëse nuk do të kishin ndjerë premtimet e zemrave të ushtarëve të cilat rrihnin me forcë, për shkak të sinqeritetit. Rrjeti i dashurisë dhe i mëshirës i cili lindi, së pari, si ndjenjë dhe interes dhe më vonë përfshiu çdo zemër dhe çdo njeri nën kontrollin e vet, i mirëpriti dhe i toleroi ata të cilët rendën drejt tij me zgjedhjen dhe vullnetin e tyre të lirë, duke i bërë të dëgjuar në legjendat e dashurisë dhe të ndjenjave.

Nëse nuk ka qenë pjesë e historisë sonë, atëherë nga depërtoi tek populli ynë kjo urrejtje, keqdashje, armiqësi dhe intolerancë? Kur ne ndjenim admirimin e thellë për Francën, Gjermaninë, Anglinë dhe së fundmi, për Amerikën dhe Japoninë, përse e urrenim dhe e nënçmonim njëri-tjetrin dhe jetonim si ujqërit duke shqyer shoqi-shoqin? Përse ua bënim jetën ferr të tjerëve? A mos kemi ndonjë lloj çrregullimi të personalitetit? Dhe ne përgjigjemi: “Po, kemi, po ne s’jemi për çikërrima, të paktën të strehohemi tek shpirtrat e huaj”, duke flakur kështu në koshin e mbeturinave njëmijë vjet vlera, për hir të fantazisë së sëmurë.

Kur ne kemi qenë duke e stisur nga hiçi këtë kaos për veten tonë, shumë breza pa asnjë bazë, mbështetje, synim, objektiv, ideal dhe sigurisht, pa orientim, janë rritur si fëmijë të tekave, ambicieve, trilleve dhe ëndrrave fantastike me sy hapur. Të tillë breza që e kanë humbur çdo konsideratë metafizike, janë të pavetëdijshëm për identitetin e tyre kombëtar dhe vazhdojnë të jetojnë të zhgënjyer në besim, saqë ata e kanë gjetur përgjigjen e pyetjes “Kush jam unë?”, në filozofitë e dala mode të importuara, të cilat ua kanë rrëmbyer të shtatë kontinenteve. Ata kanë luftuar në rrjetën e tërheqjes nga bota materiale, ata kanë jetuar me gjuhë të lidhur dhe pa zemër, duke e ngatërruar herë pas here fenë me përrallat epike dhe legjendat historike. Ata e kanë sakrifikuar moralin me pranimin e idesë së lejueshmërisë së çdo gjëje, e kanë ndotur konceptin për artin me vesin e lakmisë, e kanë kthyer poezinë dhe muzikën në paturpësi dhe së fundmi e kanë parë vetveten drejt e në mes të një zone vrasjesh ku, kontradikta, konflikte të panumërta dhe të pamëshirshme kanë sjellë mes tyre për pasojë luftëra të egra. Në fakt, pasojat nuk mund të ishin gjë tjetër, përveçse ato.

Dhe pastaj, këta breza sulmuan çdo gjë me zemërim dhe inat, denigruan dhe fyen të kaluarën tonë, e humbën besimin dhe besnikërinë, së bashku me fenë e tyre dhe ecën drejt humbjes dhe mungesës së ndjenjave dhe të dashurisë njerëzore. Për më tepër, gjatë kësaj periudhe, ata iu dorëzuan duarve të ndërgjegjeve të huaja, rritja shpirtërore dhe edukimi i tyre u la në dorë të huajve. Ata u rritën si fëmijë në infermieritë e vendeve të tjera, duke u bërë më të afërt për ta, sesa për ne. Ata u bënë viktima të ideologjive të ndryshme duke u ndeshur ndërmjet tyre, për shkak të distancës dhe ftohtësisë, edhe pse në fakt ata ishin mjaft të afërt për ta ndier nxehtësinë e trupit të njëri-tjetrit. Janë këta njerëz, besimi i të cilëve u vu në diskutim për shkak të mijëra dyshimeve dhe pasigurive, besnikëria e tyre u trondit nga themelet, shpresa e tyre u rrënjos në konfuzion, zemra e tyre ishte si shtrati i një lumi të tharë, ndjenjat e tyre njerëzore iu nënshtruan urrejtjes, keqdashjes dhe armiqësisë. Zemrat e tyre u bënë orbita për kaq shumë hije dyshimi dhe frike. Këta njerëz ishin gjithmonë të çliruar nga ndjenja e detyrës dhe e përgjegjësisë, duke bërë që horizonti i tyre të zhytet në errësirë, pa pasur asnjë shpresë për t’u ndryshuar. Këta njerëz edhe kur dukeshin në ngritje, në fakt ishin në rënie, u shndërruan në njerëz të shtirur, artificialë dhe të përkohshëm, për shkak se thelbi i tyre ishte shkulur dhe e gjithë ajo që kishte mbetur brenda tyre, ishte vetëm lëvorja.

Është mjaft e vështirë t’i jepet jetë një kufome të tillë lëvizëse, për arsye se ajo është larguar krejtësisht nga kjo botë dhe vepron kundër të gjitha vlerave të saj. Nga ana tjetër, pavarësisht gjithë kësaj, na bie ne përgjegjësia për ta mbështetur dhe ringritur atë. Ne besojmë se kur Vullneti Hyjnor do ta mbushë trupin tonë me fuqi, kjo kufomë do të ngrihet, sikur të kishte dëgjuar borinë e Israfilit[1] dhe do ta lavdërojë edhe njëherë fatin e vet të mirë, përparimin dhe lumturinë. Në fakt, nuk do të jetë e lehtë të mbushet zbrazëtia dhe të riparohet dëmi i shkaktuar në trupin e shoqërisë për shkak të neglizhencës së kohëve të fundit. Megjithatë, trashëgimtarët e mendimit në botë, ata që e kanë transformuar kaq herë, jo vetëm fatin e tyre të keq, kundërshtinë dhe tragjedinë në sukses, por edhe ata që ishin të shtypur, të keqtrajtuar dhe të persekutuar, do ta kapërcejnë me siguri edhe një fat të tillë të tmerrshëm dhe do të bëjnë të mundur ekzistencën e një parajse paqësore dhe të përparuar për të tjerët, ndërsa vazhdojnë të bëjnë jetën e tyre të thjeshtë dhe modeste. Ata natyrisht do të mbushin boshllëqet e shoqërisë me anë të përhapjes së tolerancës dhe mirëkuptimit të tyre, sepse kjo është përgjegjësia e tyre. Ata do të injorojnë gabimet e të tjerëve, duke i parë ato nëpërmjet lenteve të gabimeve të veta që përbëjnë ndoshta edhe shkakun e gabimeve të të tjerëve. Pa iu drejtuar forcës, keqtrajtimit, apo pa i bërë të tjerët të vuajnë peshën e gabimeve të tyre, të tjerë trashëgimtarë do të paraqesin një numër alternativash që do ta ngrenë njeriun mbi këto gabime, alternativa rehabilitimi dhe përmirësimi.

Ne jemi të ndërgjegjshëm se s’mund të ndryshohet gjithçka brenda natës, ne nuk presim të ndodhë ndonjë mrekulli. Në një shoqëri, vlerat e së cilës kanë qenë për një kohë të gjatë të përbuzura dhe ku njerëzit kanë qenë mësuar me një gjendje të tillë, sigurisht do të duhet më shumë, sesa një përpjekje e vogël për të zëvendësuar ateizmin me besimin, arbitraritetin me disiplinën, kaosin me rregullin, imoralitetin me moralin, lakminë me dashurinë për Zotin, si dhe interesat dhe përfitimet personale me altruizmin. Ne jemi të sigurt se çrrënjosja e ateizmit, i cili kohë më parë e vendosi vetveten në fronin e fesë, e kësaj sjelljeje kaq të lehtë që ka topitur vlerat morale, duke iu dhënë kotësisë dhe pafrytshmërisë që ka përfituar nga mungesa e disiplinës, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë e lehtë. Nuk është e lehtë të zëvendësohen të gjitha këto dhe të vendoset në vend të tyre, ajo çfarë Zoti dëshiron dhe çfarë këshillon Profeti. Të gjitha kriteret të cilat bëjnë të mundur shndërrimin e një mase njerëzish në një shoqëri dhe të cilat e shndërrojnë një shoqëri, në shoqëri të vërtetë, janë çrrënjosur për shkak të ideologjive devijuese, mendimeve nihiliste dhe delireve të çmendura në mbarë botën. Në të njëjtën kohë, një ndjenjë përgjegjësie u çrrënjos nga zemrat tona dhe rinia energjike ra në kthetrat e bohemizmit, çdo ditë një fantazi e re i tërhiqte masat pas vetes dhe shpirtra të caktuar të lirë dhe të pavarur, si dhe natyra të helmuara, e shprehin devijimin, mohimin dhe ankesën për çdo vlerë tonën, duke e lënë veten që të drejtoheshin nga rrymat, destinacioni, kur dihet se e ardhmja e tyre është gjithmonë e pasigurt. Tani kjo barrë na ka rënë ne përsipër. Ajo ka rënë mbi këdo që e do vendin dhe popullin e tij për të bërë të mundur shuarjen e gjithë këtyre çrregullimeve dhe rizgjimin e aktivizmit tonë pasiv, në përputhje me horizontet e filozofisë sonë. Duke u udhëhequr nga pjesa më e çmuar e shpirtit kombëtar dhe duke përdorur vullnetin tonë sa më shumë që të mundemi, me një vendosmëri të forcuar prej kaq shumë vitesh shtypjeje, gabimesh dhe keqtrajtimi, ashtu si apostujt e Isait (Jezusit) dhe myslimanët e parë, ne duhet të themi “edhe një herë në udhëtim!”, me idenë se ku jeton qoftë edhe një njeri, duhet të ekzistojë besimi, konsiderata për të tjerët dhe dija”, duke bërë kështu që jeta jonë të marrë peshë dhe thellësi, për shkak të lëvizjes nga njëri emigrim, tek tjetri. Që tani e tutje ne duhet të përpiqemi të endim pëlhurën e jetës sonë në vegjën e mendimit dhe veprimit të heronjve të së vërtetës, të cilët kanë fituar pëlqimin e Zotit. Ne besojmë se pothuajse çdokush në tokë, do ta vlerësojë dhe admirojë dorën e shtrirë drejt tyre prej zemrave të një kalibri të tillë. Nëse kjo ndodh, poseduesit e këtij vullneti të pjekur, të shëndoshë dhe dinjitoz do të jenë mbartësit e fesë, vendit, gjuhës dhe idealeve tona. Ata do të udhëtojnë në të gjithë botën, do të takohen si Hidri, kudo që të shkojnë dhe ajo që do t’u paraqesin njerëzve do të pranohet dhe gëlltitet si një eliksir i jetës. Kudo që ata të shkojnë, do të rrethohen nga njerëz besnikë dhe miqësorë, siç ishte rasti i Musait dhe Hidrit, ata do të ndërtojnë barriera mbrojtëse dhe mure të pakapërcyeshme për të gjithë ata të cilët presin Dhulkarnejnin[2] dhe do të hapin rrugën që të shpie drejt ringjalljes, me ndihmën e këtyre miqve, të cilët e kanë kaluar jetën për vite me radhë në izolim. Kushedi, ndoshta ata do të jenë të parët që do të gëzojnë realizimin e rilindjes më të madhe dhe më gjithëpërfshirëse, të cilën ne e presim prej kaq shumë shekujsh.


[1] Israfili: Kryeengjëlli, i cili do t’i fryjë Surit, borisë në Ditën e Ringjalljes, një ndër 4 Engjëjt e Mëdhenj.

[2] Dhulkarnejni: “Ai i dy brirëve.” Emri i tij përmendet në suren e tetëmbëdhjetë të Kuranit. Burime të ndryshme e paraqesin atë si resul (i Dërguar), apo nebij (Profet), ndërsa Aliu, Halifi i Katërt, ka thënë se ai qe një shërbëtor besnik i Zotit e jo Profet e as mbret.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.