SINQERITETI: NJË THIRRJE E MJAFTUESHME DREJTUAR NDIHMESËS HYJNORE

SINQERITETI: NJË THIRRJE E MJAFTUESHME DREJTUAR NDIHMESËS HYJNORE

Pyetje: Si duhet ta kuptojmë shprehjen “Krenohuni falënderueshëm me virtytet dhe cilësitë e mira të vëllezërve tuaj, njësoj sikur t’i kishit tuajat.”, e cila është njëkohësisht edhe një prej kritereve të sinqeritetit? Nëse marrim në konsideratë edhe ndjenjat e xhelozisë dhe të smirës që janë pjesë e natyrës njerëzore, çfarë mund të na këshilloni për të arritur në horizontin e krenarisë falënderuese për të mirat e vëllait tonë?

Përgjigje: Në të gjitha rastet që adhurimi përmendet në Kuran si diçka që duhet bërë vetëm për Allahun, ai jepet i lidhur drejtpërsëdrejti me sinqeritetin. Për shembull, në suren Zumer, menjëherë në krye thuhet: “Atëherë ti adhuroje Allahun duke i ruajtur veç për Të adhurimet.” [13] , e mandej kjo është urdhëruar që të bëhet me një vetëdije të plotë sinqeriteti. Më vonë, një faqe më pas thuhet: “Mua m’u urdhërua që fenë dhe adhurimet t’i ruaj vetëm për Allahun.” [14] , ku sërish, edhe njëherë, vëmendja tërhiqet sërish kah sinqeriteti; mandej, një apo dy ajete më pas, thuhet: “Thuaj: Unë adhurimin ia bëj veç Allahut, ashtu siç Atij i ka hije.” [15] , e ju aty mund të shihni sërish se si theksi vendoset sërish mbi rëndësinë që mbart sinqeriteti.

Shkaku më i mirë për mbështetjen e Allahut

Edhe Said Nursiu i ka përmbledhur çështjet e lidhura me sinqeritetin në një risale më vete. Sipas tij, parimi i parë për të fituar sinqeritetin është të kihet parasysh kënaqësia e Allahut në çdo veprim të kryer. [16] Me një fjalë, njeriu sa herë që të kryejë detyrat që i janë vënë, qofshin ato të kësaj bote, apo të asaj të përtejshme, të mos mendojë për asnjë lloj pritmërie, duke pasur si qëllim të vetëm veç kënaqësinë e Allahut. Edhe nëse nga ajo punë vijnë ndofarë frytesh a shpërblimesh si rezultat i përpjekjes, duhen përballur me falënderim, të veprohet me lavdërim të Allahut, duke iu afruar çdo çështjeje me përmendje të mirësive.

Mirëpo, në ditët tona, kur egoizmi ka hedhur rrënjë aq thellë, nuk duhet larguar nga vetja edhe shqetësimi, se mund të na vijë ndonjë gjë e papëlqyeshme, pasi po përfitojmë prej kaq e kaq mirësive që nuk kanë të reshtur. Për të mos rënë si humbës teksa po ecën kah fitorja, njeriu duhet të thotë:

“Jo, nuk jam i denjë unë për këto dhurata,

Pse tërë këto të mira, mua, e gjithë kjo mirësi?”

përballë çdo të mire që i vjen. Madje duhet të bjerë e të ngrihet me shqetësimin se mos pëson ndonjë të keqe prej tyre. Sepse jemi të gjithë dëshmitarë, që në çdo çast, marrim mirësi të cilat e tejkalojnë meritën tonë. E shihni, ata që e kuptojnë këtë çështje, sepse ka aq shumë njerëz të mëdhenj që e lexojnë drejtë botën, të cilët nuk e kanë pasur ndihmesën e Allahut, e nuk u janë dhënë kaq shumë të mira për të pasur një sukses kaq të madh në shërbim. Andaj ne përballë çdo suksesi tonin, duhet të ngremë duart, e të themi: “O Zot, Nëse gjithë këto mirësi do të na bëjnë neve të padenjë duke na shtyrë që të na hyjë vetja në qejf, atëherë ne ruhemi sërish nën hijen e fuqisë Sate! Të përgjërohemi, mos na egërso neve, o Zot!”.

Ndërsa arritja e sinqeritetit që përbën një rëndësi kaq të madhe për sa i përket jetës sonë fetare, është në përpjesëtim të drejtë me besimin. Andaj, nëse ju i lexoni siç duhet ligjet e Universit dhe të Islamit, dhe kësodore hapni rrugët që shkojnë nga besimi imitues në besimin e vërtetë, edhe duke qenë vazhdimisht të drejtuar nga Allahu, me fjalë, me vepra dhe me gjendje shpirtërore, edhe Allahut, ashtu siç do të ndodhë, që për një çast do t’ju ndezë pishtarin e besimit, ashtu do të ndodhë, që një ditë t’ju ndezë edhe pishtarin e sinqeritetit. Kësodore, ju, me lejen dhe ndihmesën e Allahut, filloni mandej që t’i jetoni më me sinqeritet çështjet që u besoni. Në fakt, që njeriu ta marrë nën kontroll aftësinë për të shprehur vetveten, të shohë mangësitë, t’i pastrojë ndjenjat e tija menjëherë, duke thënë “ O Zot, më fal!” pas çdo “unë”-i që përdor në fjalët e tij, ndoshta edhe duke i dhënë një të goditur me bajloz egos së tij, është e lidhur drejtpërsëdrejti edhe me lidhjen e sinqertë, krahas rritjes së bindjes në besim. Sepse ai e di, që është e pamundur të bëhet qoftë edhe një e mirë e vockël pa qenë e pranishme ndihmesa e Allahut. Dhe shkaku më i qenësishëm për të qenë i suksesshëm, krahas ndihmesës së Tij, është edhe bashkëpunimi me njëri-tjetrin dhe mbështetja prej Allahut.

Shpërblime surprizë

Veç kësaj, nganjëherë, si pasojë e kushteve në të cilat gjendemi, Allahu (xh.xh.) i jep një rëndësi të madhe edhe veprimeve më të vogla. Për shembull, një orë detyrë në vendin e rojës për një ushtar, kalon si një vit adhurim. Një njeri që bie dëshmor në rrugën e Allahut, ngrihet menjëherë pingulthi drejt majës së përsosmërive, sikur të ishte hedhur mbi ndonjë sustë. Njësoj ndodh edhe nëse vlerësohet siç duhet një natë Kadri, e cila mund të kalojë si tetëdhjetë e kusur vite adhurimi pareshtur. Ashtu siç vërehet në të gjithë këta shembuj, Allahu i vadit dhe i shumon krejt pakuptueshëm të gjitha këto vepra të mira, duke i kthyer në kallinj që japin me mijëra kokrra. Po njësoj si këto, edhe të vepruarit me vetëdijen e përfaqësuesit shpirtëror, i cili është një tjetër dimension i sinqeritetit, madje më tej, edhe të krenohesh me punët e mira të vëllezërve të tu, njësoj sikur të ishe vetë ai që i ka bërë, mbart një vlerë tejet të lartë pranë Allahut.

Një ditë prej ditësh, Said Nursiu, si për t’i vënë në provë nxënësit e tij, shkoi pranë një nxënësi dhe i tha se shkrimi i një tjetër nxënësi ishte më i mirë se i tiji. Përballë kësaj, nxënësi zë e kënaqet, dhe fillon të krenohet se vëllai i tij është më i mirë se ai. Mandej Said Nursiu shprehet: “Ia vërejta me kujdes zemrën, nuk ishte një e thënë si për t’u dukur, sepse e ndjeva që ishte i sinqertë. Falënderova Allahun (xh.xh.) që në mes të vëllezërve të mi ka të atillë që mbartin ndjenja kaq të thella. Dashtë Allahu që kjo ndjenjë të bëjë shërbime të mëdha.”. Kësodore ai falënderon Allahun që u ka falur këtë ndjenjë nxënësve të tij. [17]

Zaten, nuk është e rëndësishme nëse shkrimin me dorë a shumimin e një libri e bën ky apo ai person. Madje një njeri duhet të ndjejë kënaqësi që një punë e bën një tjetër, e jo vetë, duke e zgjedhur këtë si shenjë treguese të zemrës së tij. Sepse të arriturit e suksesit në një punë të caktuar ka disa rreziqe të caktuara. Ndoshta njeriu mund t’ia bashkëngjisë këtë sukses mendjes, dijes dhe talentit të vet, madje edhe nëse nuk mendon ashtu në krye, mund të ndodhë që të kaplohet prej të tilla ndjesish pas tërë atyre lavdërimeve dhe komplimenteve të ardhura nga njerëzit përreth. Andaj, edhe për t’u ruajtur prej këtyre rreziqeve, por edhe që ajo punë të mos ngelet në tako, ajo që i ngelet individit për të bërë, që të arrijmë drejt suksesit, është që të gëzohet sepse atë punë e ka bërë një prej vëllezërve të tij, asisoj që do të marrë jo vetëm shpërblimin se është krenuar falënderueshëm me atë që ka bërë i vëllai, por edhe të falënderimit karshi Allahut. Gjithashtu, një njeri i tillë duhet ta dijë mirë se një pjesë e fryteve a shpërblimeve të vëllait të tij do të kalojnë edhe në fletoren e veprave të tija, asisoj që të gjitha punët që ka nisur apo ka marrë pjesë, do t’i dalin përballë kësaj here të shumëfishuara me herë të tëra. Veç kësaj, nëse ai arrin aq sa ta duartrokasë punën e vëllait të tij, ka për ta parë shpërblimin tek i kthehet më i thelluar. Nga ana tjetër, duartrokitja e vëllait ka për t’ia zgjeruar atij akoma më tej përpjekjet, e bashkë me to edhe zhvillimin e aftësive, duke bërë që në të ardhmen të ketë një performancë akoma më të gjerë, dhe rrjedhimisht, edhe shpërblimet e marra për këto punë të mëtejshme do të jenë më të mëdha.

Porta të hapura kah sinqeriteti i plotë nëpërmjet diskutimit

Ashtu siç u përmend edhe më parë, sinqeriteti dhe besnikëria janë në përpjesëtim të drejtë me besimin. Sa më i thellë të jetë besimi i dikujt, aq më tepër sinqeritet ka në punët e tij. Andaj, njeriu nuk duhet të lërë asnjëherë pezull çështjen e besimit, madje duhet të kërkojë më tepër nëpër ligjet e universit dhe ato të Islamit me një ndjenjë “hel min mezid – a nuk ka më?” , të bëjë krahasime, të ngrejë hipoteza, duke rendur kësisoj drejt majave të njohjes dhe besimit. Patjetër, duhet të jetë në një përpjekje të pandërprerë; të shëtisë në majat e bindjes, duke u ngjitur nga njëra majë te tjetra.

Nga ana tjetër, duhet ta mbështesim përherë njëri-tjetrin, që çështjet, të cilat kanë lidhje me sinqeritetin, të na bëhen nga një parim i pandarë i jetës. Kur të mblidhemi me njëri-tjetrin të bëjmë gjithnjë nga një diskutim në lidhje me të. Po kjo nuk duhet bërë kurrsesi me logjikën, të shkojmë pranë ndonjërit e t’i themi “Ji pak më i sinqertë”, duke ia reduktuar së tepërmi rëndësinë. Si shembull le t’ju tregoj një kujtim nga jeta ime. Kur isha nxënës, kisha vetëm një palë pantallona, të cilat mundohesha që t’i “hekurosja” duke i vendosur nën shtrojat e krevatit. Duke qenë anëtar i një familjeje të varfër, ju këtë mund ta quani edhe kompleks ose dobësi timen. Një ditë, një shok që e doja shumë, erdhi tek unë i varfri, dhe duke e pasur fjalën te pantallonat e hekurosura, më tha: “A nuk do të ishte më mirë sikur të kishe qenë pak më i devotshëm? ”. Goja i ngrëntë mjaltë atij, por unë, edhe sot e kësaj dite nuk e kam kapur dot lidhjen ndërmjet devotshmërisë dhe pantallonave të hekurosura. Sepse, ne qoftë edhe më të sinqertët të jemi, nuk është e drejtë që t’ua tregojmë të tjerëve gjërat sikur të ishim duke ia goditur “bam” mbi krye. Lëre kaq, por të ngrihemi sikur veten tonë ta kishim të pastër qelibar, e t’u diktojmë sjellje të tjerëve, duke folur tërë fryrje, është shkurt e troç kapërcim kufijsh. Rruga dhe mënyra që duhet ndjekur, është që pasi çështjet të analizohen më së miri, pa prekur askënd në damar dhe pa ia lënduar ndjenjat, ta ftojmë në bisedë dhe diskutim me mënyrat më të buta të mundshme.

Said Nursiu, si për t’ia vënë në pah rëndësinë, ka këshilluar që “Traktati i Sinqeritetit” të lexohet të paktën një herë në pesëmbëdhjetë ditë. [18] Ndoshta ka njerëz që e kanë lexuar atë pesëdhjetë a njëqind herë. Asisoj që, nëse u përmendni ndonjë fjalë nga ato parabolat e atjeshme, mund t’jua thotë vazhdimin përmendësh. Mirëpo që sinqeriteti të kthehet në jetë, që të bëhet një pjesë e pandarë e zemrës dhe e shpirtit, më tepër se nga një lexim vertikal, kërkon një trajtim më të imtë dhe më të gjerë. Patjetër, që për të shpëtuar prej monotonisë, në mënyrë që edhe trajtimi të fitojë edhe njëherë gjallëri dhe thellësi, duhet luajtur nganjëherë edhe me formatin e tij. Për shembull, mund të gjenden lidhjet e pikave të atjeshme me ajete kuranore apo me hadithe, apo të analizohet në një diskutim ku marrin pjesë disa njerëz njëherësh. Nëse arrini dot që ta realizoni diçka të këtillë, atëherë keni për të parë se do të thoni: “Elhamdulil’lah, që mora edhe unë një pjesë për vete. Sa shumë gjëra paska pasur që nuk i dija. Ky njeri paska arritur të thotë kaq shumë gjëra në një kohë kaq të hershme!”

Po, është shumë e rëndësishme që çështjet e rëndësishme të hidhen në diskutim. Të vjetrit kanë një fjalë në lidhje me diskutimin: “Dija është një pus shumë i thellë uji, ndërsa diskutimi është kova e tij.” Profeti ynë, Muhamedi paqja qoftë mbi Të ka përdorur fjalën “tedhakur - diskutim” për trajtimin e çështjeve të dijes. [19] Ashtu siç e dinë mirë të gjithë njohësit e fjalëformimit, e dinë që kjo fjalë është në trajtën e bashkëveprimit. Edhe kuptimi që mbart kjo fjalëformë, tregon se kjo punë mund të bëhet me pjesëmarrjen e dy ose më shumë njerëzve. Sipas kësaj, diskutimi është emërtimi tjetër i trajtimit të çështjeve të ndryshme mes dy a më shumë njerëzve, duke u trajtuar të gjitha brenda një linje të përgjithshme.

Imami i Allvarit, i cili ka qenë një personalitet i lartë, i përsëriste shpesh këto fjalë:

“O ti kërkues i dritës së Allahut,

Eja dhe ti, hyr edhe ti,

O ti i pasionuar i nurit të Allahut,

Eja dhe ti, hyr edhe ti.”

Ashtu siç përmendet edhe në një hadith, engjëjt fisnikë shëtisin nga mëngjesi në mbrëmje mes të gjitha grupeve të njerëzve që trajtojnë çështje të ndryshme të dijes, duke i nderuar nga njëra anë tryezat e tyre, e nga ana tjetër duke dëshmuar lidhjen e tyre me Allahun. [20]

Andaj, edhe ne, në mënyrë që të arrijmë besimin e përsosur dhe që të shkrihemi në sinqeritet, duhet të veprojmë me vetëdijen e vëllazërisë, duke ngritur një disiplinë të diskutimit të çështjeve në mënyrë të përbashkët. Lus Allahun (xh.xh.), që të na falë shpirtin e vëllazërisë dhe sinqeritet të plotë në këto ditë kur egoizmi ka kaluar çdo cak.

[13] Zumer, 39/2.

[14] Zumer, 39/11.

[15] Zumer, 39/14.

[16] Shih: Bediuzaman Said Nursi, Shkrepëtimat, fq. 200. (Shkrepëtima e Njëzetenjëtë)

[17] Shih: Bediuzaman Said Nursi, Barla Lahikası , fq. 119.

[18] Shih: Bediuzaman Said Nursi, Shkrepëtimat, fq. 199. (Shkrepëtima e Njëzetenjëtë)

[19] Shih: Muslim, dhikr, 38; Tirmidhi, keraat, 10 ; Ebu Daud, uitr, 14.

[20] Shih: Buhari, daauat, 66; Tirmidhi, daauat, 129; veç kësaj shih: Muslim, dhikr, 25; Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 2/251, 382.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.