Po ngushtohen të drejtat dhe liritë e njeriut

Po ngushtohen të drejtat dhe liritë e njeriut

Mendimtari Fethullah Gylen në ditën e tretë të intervistës, ku bën thirrje për gjakftohtësi dhe mendjekthjelltësi, u përpoq të qartësonte pak më mirë mendimet rreth mosmarrëveshjeve ndërmjet Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim dhe Lëvizjes. Ai fillimisht u përpoq të theksonte se një qasje e këtillë nuk është kurrsesi e vërtetë, pasi në të gjithë Turqinë, sidomos gjatë viteve të fundit, është ndjerë një ngushtim i lirive dhe të drejtave të njeriut. Ai nënvizoi gjithashtu se gjuha e ashpër dhe arrogante e politikës ka tjetërsuar çdo shtresë të shoqërisë, duke bërë që kjo e fundit të polarizohet, nga ku mjafton t'ju shpjegoj se prandaj e kundërshtova emërtimin e pjesëmarrësve në ngjarjet e Parkut Gezi si "bashibozukë". Dhe ndërsa përsëriti edhe njëherë se nuk janë parti politike dhe se nuk do të jenë asnjëherë, u shpreh: "Poashtu nuk jemi rivali i ndonjë partie politike. Qëndrojmë të baraslarguar prej të gjithave njëlloj. Megjithatë i ndajmë përherë me publikun shpresat apo shqetësimet tona në lidhje me të ardhmen e vendit."

Ndërsa kundërshtimin për ta quajtur Lëvizjen Hizmet si një çetë apo organizatë, i nderuari e shprehu me fjalët: "Të flasësh lart e poshtë pa kurrfarë parimi sikur disa njerëz na qenkan një çetë, të cilët në jetën e tyre, edhe ndërsa kanë hedhur hapat janë shqetësuar mos lëndojnë ndonjë milingonë, që për më tepër ndjekin ligjin, është me të vërtetë hidhëruese." Poashtu u trajtuan lloj-lloj shprehjesh kundërthënëse në lidhje me pozicionin që po mban Lëvizja, megjithatë ai iu përgjigj me fjalët: "Ne jemi sot po atje ku ishim edhe dje. Kush është larguar prej pozicionit të vet, kjo është për t'u parë."

Kur e sheh nga jashtë, duket sikur po përjetohet një zënkë mes qeverisë dhe Lëvizjes. U shkruan sa e sa shkrime në këtë frymë, e u bënë sa e sa analiza. Disa shkojnë deri aty sa shprehen: "Një parti që nuk na pëlqen mund të shkojmë ta ndërrojmë në kutitë e votimit, por Lëvizjen si do ta ndërrojmë?", ç'mendim keni ju për këto?

Pikë së pari dua të them që çështja nuk është mosmarrëveshja mes qeverisë dhe Lëvizjes. Vitet e fundit po përjetohet një ngushtim sa vjen e në rritje për sa i përket të drejtave dhe lirive thelbësore të njeriut. Gjuha e ashpër dhe arrogante e politikës po i tjetërson shtresat e shoqërisë ndryshe nga ç'janë, duke bërë që shoqëria të polarizohet. E pata kundërshtuar me aq sa pata fuqi emërtimin si "bashibozukë" të atyre që merrnin pjesë në protestat e Parkut Gezi, sepse në fund të fundit "nuk mund të thuhet ashtu". Po e njëjta gjë shkon edhe për Alevitë. Nuk po mund të gjenden dot zgjidhje demokratike as për të drejtat më të natyrshme që ata meritojnë. Ndoshta mungon dëshira për t'i gjetur. Mbështetëm projektet për xhami-xhemevi[1], por edhe aty pati nga ata që iu qasën çështjes tërë mllef edhe aty ku nuk pritej fare.

Së dyti, ne nuk jemi parti politike, dhe as që kemi për të qenë ndonjëherë. Poende nuk jemi as rivali i ndonjë partie politike. Afërsia me secilën prej tyre është e njëjtë. Megjithatë i ndajmë përherë me publikun shpresat apo shqetësimet tona në lidhje me të ardhmen e vendit. E kjo ma merr mendja se është një prej të drejtave tona më të natyrshme demokratike. Pastaj, nuk e pranoj fare që ndokush të shqetësohet prej kësaj. E pse të jetë faj që t'u themi atyre që drejtojnë vendin, "Kam një mendim të këtillë..."? Në demokracitë e përparuara, individët, por edhe shoqëritë civile të përbëra prej individëve, mund t'i thonë hapur mendimet apo kritikat e tyre pa u shqetësuar, dhe askush nuk shqetësohet prej kësaj.

Gjithashtu dua të shtoj edhe diçka tjetër, çdo institucion i ngritur prej shokëve tanë është i hapur për gjithfarë inspektimi nga ana e shtetit, ngase e kryejnë veprimtarinë e tyre veçse siç ua përcakton ligji. Domethënë, po bëjmë fjalë për një strukturë krejtësisht të tejdukshme. Se cilët në fakt nuk janë fare të tejdukshëm, këtë po e mësojmë më së miri prej disa ndyrësive që kanë dalë në shesh kohët e fundit. Hizmeti mbështetet në parimin e vullnetarizmit. Është mjaft hidhëruese të flasësh si për ndonjë çetë a organizatë të paligjshme për disa njerëz, të cilët gjatë gjithë jetës janë përpjekur t'i hedhin hapat e tyre me frikën se mos lëndojnë ndonjë milingonë, e që veç kanë zbatuar ligjet. Patjetër, është krejtësisht e natyrshme, që në çdo institucion shtetëror të ketë njerëz të cilët u përkasin pikëpamjeve dhe botëkuptimeve të ndryshme. Mund të ketë të djathtë, të majtë, suni, alevi, jomyslimanë, kurdë apo turq, dhe që të gjithë përpiqen që të kryejnë detyrën që u ka ngarkuar shteti i tyre. E ajo që ngelet më e rëndësishmja për t'u parë tek ata, është nëse e kryejnë apo jo detyrën e tyre brenda kornizës që u parashikon ligji. Deshifrimi dhe përndjekja e nëpunësve të shtetit, të çfarëdo mendimi apo botëkuptimi qofshin ata, për më tepër akuzimi i tyre pa kurrfarë baze, është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj të drejtave dhe lirive të tyre. Megjithëse në shesh nuk duket asnjë faj, që pikë së pari, nëse do të thoni se ekzistoka një "strukturë paralele", atëherë ai dyshim ju kthehet juve si një fiksim se ka njëmijë struktura paralele. E kësisoj kryeni padrejtësi ndaj shumë e shumë njerëzve të pafajshëm.

Militantizmi partiak është gjë tjetër, mbështetja e veprimtarive demokratike është gjë tjetër

Thuhet, pse po i dilni kundër kësaj partie, të cilën e keni mbështetur për plot 12 vjet? Mos ishte një bashkëjetesë e ngritur mbi disa interesa të caktuara?

Ne nuk kemi pasur asnjëherë ndofarë bashkëjetese të ngritur mbi kurrfarë interesi. Kemi qëndruar përherë të paprekur dhe pa pritmërinë më të vogël prej ndokujt, pasi ashtu na udhëzonte çdo mësim i marrë prej Kuranit apo Sunetit që të vepronim. Dëshirën për post e kam parë përherë si tradhti karshi vetë vlerave tona. Nuk mund ta them këtë për gjykimet dhe ndjesitë e gjithsekujt tjetër. Por dëshirën për këtë botë, apo për t'u duartrokitur, e kam parë gjithnjë si tejet të rrezikshme për ahiretin tim. Edhe shokët e mi të këtillë janë: Ne nuk kemi synuar asnjëherë, as drejtori të përgjithshme, as prefektura, as bashki e aq më pak ministri. Nëse ka dalë ndonjëri që të ketë synuar ndonjërën prej tyre, që unë nuk mbaj mend të ketë ndodhur ndonjëherë, atëherë kjo nuk ka pasur lidhje me ne. Edhe nëse ka pasur, nuk ka ngelur më asnjëri syresh. Ua kam komunikuar këtë ndjenjë timen edhe disa prej të parëve të vendit njëherë e një kohë.

Ne jemi rrekur gjithnjë që të japim mbështetjen tonë të sinqertë përsa i përket sendërtimit të të drejtave dhe lirive thelbësore të njeriut, dhe mbi të gjitha demokracisë. Ne mbështesim atë parti që hedh hapa për të përftuar një kulturë demokratike të qëndrueshme sipas zërit të shumicës. Militantizmi partiak verbërisht është tjetër gjë, mbështetja e veprimtarive demokratike është gjë tjetër.

Ne jemi sot po atje ku ishim edhe dje. Kush është larguar prej pozicionit të vet, kjo është për t'u parë. Një parti politike, e cila vetëm pak vite të shkuara hodhi hapat më të rëndësishëm përsa i përket të drejtave dhe lirive thelbësore të individit, sot po përpiqet të ndalojë përdorimin e internetit, apo të miratojë ligje, të cilat do të bëjnë që vendi të quhet "shteti i shërbimit informativ". E si mund të mendohet se do të mbështesim prishjen e ekuilibrave shoqërorë për shkak të përdorimit të një gjuhe të ashpër, fyese dhe arrogante, apo vendosjen përfundimtare në sirtar të mundësive për një zhvillim të shëndoshë demokratik? Nëse kjo është një çështje e kufizuar thjesht me Lëvizjen, edhe mund ta marrësh parasysh të durosh. Por nuk është ashtu, sepse pika ku kemi mbërritur duhet vlerësuar në një perspektivë më të gjerë. Fatkeqësisht, Turqia është duke u shkëputur prej botës, duke u kthyer kësodore në një vend të vetmuar. Një Turqi, e cila mbyllet brenda vetes, duke humbur të gjitha pasuritë e saj demokratike, do të jetë e dëmshme, jo vetëm për popullin e saj, por edhe për nënvetëdijen e atyre që besojnë dhe kanë shpresa tek Turqia, duke bërë që t'u shprishet imazhi i mirë që mund të kenë përftuar gjer më sot.

Po si, ata njerëz, me të cilët keni qenë bashkë për plot 12 vjet, pikërisht pas procesit hetimor të aferave korruptive u bënë të këqinj?

Hizmeti po akuzohet sikur të ishte një çetë apo organizatë e paligjshme. Madje thuhet, se pas zgjedhjeve do të nisë një proces hetimor i një shkalle më të gjerë...

Fatkeqësisht po thuhen mjaft gjëra të nxitura prej mllefit. Besoj se nuk ka ngelur më asnjë fyerje pa u përdorur. I harxhuan të gjitha. Gjuhët artikuluan edhe akuzat, që nuk mund t'i kufizosh me kurrfarë kujdesi. U tha organizatë, çetë, e për më tepër, nisur prej këtyre po bëhen edhe stisje për të ndikuar më gjerë, në sistemin gjyqësor. Kjo u shtjellua aq shumë, sa tashmë hapja e një procesi gjyqësor po thuhet edhe nëpër sheshe. Nëse në pah nuk ekziston asnjëfarë shkeljeje, nëse pas gjithfarë përpjekjesh nuk po gjendet dot asgjë për t'u kapur, apo për të provuar akuzat, a mund të justifikohet gjithë kjo vështirësi për të gjetur një faj, i cili nuk gjendet që nuk gjendet, duke u kufizuar veçse me dëshirën për drejtësi? Akuza e dyshimtë dhe e pazbërthyeshme e "strukturës paralele" mund të përdoret për çdo shtresë apo klasë të shoqërisë. Me një fjalë, përpjekjes për të nxjerrë fajtorë nëpunësit e shtetit pikërisht prej besimit, ideologjisë, bashkësisë, tarikatit apo partisë, së cilës ata i përkasin, nuk i gjendet fundi kurrë. Një ditë mund ta quani një bashkësi të caktuar si "paralele", duke i cilësuar edhe si "çetë", derisa vjen një ditë dhe del dikush që sjell në rend të ditës po këtë emërtesë, por për bashkësi të tjera. Vjen dita dhe, çdokush që merr përsipër një detyrë shtetërore, që ndjen simpati karshi një bashkësie të caktuar sociale, politike apo fetare, mund t'i bjerë për pjesë të akuzohet si "shtet paralel". Nuk mund ta garantojë askush, se nuk vjen atëbotë një ditë, që të dalë dikush e të cilësojë pokështu të gjithë ata njerëz që janë duke e vërtitur këtë shprehje, sot, gojë më gojë. E nëse njerëzit lihen nën akuzat e një pandehme të këtillë, atëherë nuk ngelet më as rend, as drejtësi.

Nëse një nëpunës i shtetit nuk e dëgjon fjalën e eprorit të tij, mënyra e gjykimit të këtij veprimi është mëse e qartë nga pikëpamja e drejtësisë. Do të kërkohet posaçërisht llogaria e kësaj mosbindjeje sipas kornizës që përcakton ligji. Mirëpo, duke e nxjerrë çështjen prej shtratit të drejtësisë, aq sa njerëzit të fillojnë e të përgojohen e të syrgjynosen nga detyra, apo hapja e proceseve gjyqësore karshi tyre, del diçka të cilës nuk mund ta shlyesh, si këtu, si në atë botë.

Të hapësh procese gjyqësore me zor, madje edhe duke ushtruar trysni ndaj sistemit të drejtësisë kthehet në një zullum të shumëfishtë, i cili nuk mund të kalojë pa iu kërkuar llogaria prej ndërgjegjes kolektive. Veç kësaj, është mëse e qartë, që edhe prej çështjeve të stisura gjyqësore nuk mund mund të marrësh asnjëherë rezultat. Lëre pastaj që, njerëzit e këtij vendi, të cilët e kanë kthyer në pjesë të jetës së tyre jetesën sipas ligjit, po u the "çetë", atëherë vjen dita dhe ju pyesin ata ju: "Punuat 12 vjet bashkë me këta njerëz, si na doli, që përgjatë gjithë kësaj kohe këta qenë të mirë, por u bënë të këqinj pikërisht pas ndjekjes së ngjarjeve të ryshfetit dhe korrupsionit?" Nuk do nxjerrë nga vëmendja ajeti i përsëritur çdo të premte: "Allahu na urdhëron për drejtësi..." Me një fjalë, na urdhëron të mos prekim të drejtën e tjetrit, apo t'i vërsulemi asaj ç'u përket të tjerëve.

Ata që u thanë tifozëve të tyre, "I përgjunjëm ushtarakët", erdhi koha dhe u thanë oficerëve të dënuar: "Jo ne, e bëri Lëvizja."

Qe bërë një kohë e gjatë që burimet e qeverisë ia atribuonin çdo gjë të papëlqyeshme Lëvizjes, ndërsa çdo gjë pozitive dhe demokratike vetes së tyre. Ndërsa tani po lirohen edhe të pandehurit e Ergenekonit, e po me të njëjtën metodë, fatura po i pritet po Lëvizjes. Po ka raste që kjo lloj propagande edhe sjell ndikim... Ç'mendoni ju për këtë?

Ata u përpoqën që t'i keqinformonin dhe bënin për vete grupe të caktuara të shoqërisë duke përdorur këto lloj shpifjesh. Për shembull, disa grupeve mediatike të caktuara iu tha: "Ne nuk kemi asgjë me juve, por janë këta të Lëvizjes që nuk ju duan." Tashmë, regjistrimet që janë shfaqur në internet po e tregojnë haptazi, se njerëzit që drejtojnë këtë shtet kanë lënë punën e tyre dhe janë përpjekur si e si të vënë këta njerëz në bankën e të akuzuarve. I kanë nxjerrë jashtë loje edhe të gjithë biznesmenët që i kanë fituar drejtësisht tenderat, duke ndërhyrë vetë në to drejtpërsëdrejti. E më e dhimbshmja është zhytja e tyre në një mëkat të pallogaritshëm, duke u përpjekur vazhdimisht që të gjitha këto shkelje t'i faturohen një grupi shoqëror të pafajshëm. Të gjitha përgojimet e bëra në emër të kësaj, apo shpifjet e përhapura, janë aq të shumta, saqë të mos pikëllohesh është e pamundur.

Po, pjesa që më mërzit më shumë është ajo e ushtrisë. Ata njerëz, që pas dyersh të mbyllura thurnin fjali të natyrës: "I përgjunjëm ushtarakët, i bëmë të na gatiteshin. Ja ku i erdhi fundi edhe fuqisë së ushtrisë...", përfaqësuesve të ushtrisë u thoshin: "Ne e zgjidhim menjëherë këtë çështje, por janë ata të Lëvizjes që na nxjerrin probleme." Kur, vetëm për disa ditë nxorën ligj të ri, vetëm për Këshilltarin e Shërbimit Informativ Kombëtar, z. Hakan Fidan. Po të donin, dhe po të ishin të sinqertë, nxirrnin ligj, madje brenda natës, edhe për ish-Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, z. Ilker Bashbu', apo për të tjerët pas tij.

Por ç'e do se... Lejomëni të ndaj me ju një ndjesi timen. Kam shokët e mi dëshmitarë, për sa e sa herë, kur jam hidhëruar e më ka dhembur zemra për turpërimin bërë ushtarakëve, e sytë më janë mbushur menjëherë me lot. "Ah sikur këta njerëz, të cilët kanë veshur këtë uniformë kaq fisnike, të mos vinin deri në këtë gjendje, sa të përballeshin me diçka të këtillë..." - u kam thënë. Pastaj është krejtësisht e pamundur që unë të ndërhyj dot në zbatimin e drejtësisë, apo të shpreh mendimin tim për zbutje. Grushti i shtetit është një akuzë mjaft e fortë, të cilin drejtësia e ka për detyrë që t'i kërkojë llogari. Nuk kam ç't'i them kësaj. Por ah sikur, të gjendej një rrugëzgjidhje brenda drejtësisë për ata njerëz në moshë madhore, mosha e të cilëve ka kaluar veçse duke u trajtuar me respekt, apo të paktën gjendja e tyre shëndetësore.

Këto janë ato ç'ndjejmë ne. Dhe kështu ka qenë përherë. Është shumë kundërthënëse me të vërtetën sjellja e paraqitur sot, sikur na "paska qenë Lëvizja" që i vinte ata në pozita të vështira. Nuk ka shumë kohë, që një përfaqësues i lartë i Shërbimit Informativ, tashmë i dalë në pension, kishte folur për një gazetar. Miqtë e mi këtu ma lexuan nëpërmjet internetit. Shih ç'thoshte: "Çdo operacion që bëmë ishte në dijeninë e Kryeministrit." Dhe një pohim i tillë, i bërë në media, nuk u përgënjeshtrua prej askujt. A nuk kemi edhe ne të drejtë të pyesim: "Meqë kishit dijeni për të gjitha operacionet e kryera, dhe të gjitha veprimet kryhen me dijeninë tuaj, a nuk është një mëkat i rëndë, që të ngrihesh sot e të hedhësh pandehma akuzuese për ndofarë "kurthi" me emrin e disa njerëzve të tjerë? Kur paska pasur një kurth të këtillë, atëherë pse nuk ndërhytë ju? Nëse patët dijeni dhe nuk ndërhytë vetë, a nuk quhet se keni qenë edhe ju pjesë e këtij kurthi?"

Fethullah Gylen

Ndërmjet dhomës ku pushon i nderuari Gylen dhe dhomës së punës gjendet një raft i vogël librash. Ndërsa dera anash të nxjerr për në sallonin ku ai pret miqtë e tij, apo ku mban mësimet e tij të vyera.

[1] Objekt kulti ku kryejnë adhurimet e tyre alevitë.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.