Dinamikat e brendshme

Që nga fillimi i këtij studimi, do të tregojmë se vetëm disa këndvështrime sociologjike perëndimore janë të pamjaftueshëm për studimin e një bashkësie apo të një lëvizjeje islame. Kjo për arsye se këto modele bazohen në teorinë e krizave ekonomike, politike dhe sociale që përjetohen në kontekstin e modernizmit. Teori të tilla mund të mos marrin parasysh dinamikat e brendshme të një lëvizjeje të caktuar dhe kryejnë të njëjtat analiza të përdorura për studimin e lëvizjeve të tjera. Shumica e teorive të lëvizjeve sociale, qofshin ato fetare, politike, ideologjike apo civile, mund të kategorizohen sipas një ose më shumë grupimeve të mëposhtme:

1. Reaksionare
2. Tradicionale – Konservatore
3. Reformiste
4. Revolucionare dhe Separatiste
5. Ekspresioniste dhe Devijante

Ky kategorizim në përgjithësi konsiderohet si një formë e vlefshme klasifikimi. Si fillim, fakti që një lëvizje sociale çon drejt pasojave politike apo sociale, nuk do të thotë se ajo vepron sipas qëllimeve dhe idealeve të përcaktuara nga këto kategori. Ajo që duam të themi është se çdo lëvizje mund të strehojë në vetvete tendenca të caktuara brenda këtyre kategorive në mënyrë të vazhdueshme apo për një periudhë të caktuar kohe.

Shkurt, këto kategori mund të lehtësojnë analizat, por ato mund të mbikëqyrin edhe dinamikat e brendshme, kritike të lëvizjeve. Prandaj, një analizë objektive, duhet të marrë në konsideratë dinamikat e brendshme, parimet e ekzistencës, mënyrat e të shprehurit dhe llojet e debateve që i përkasin këtyre lëvizjeve.

Kur vërejmë përpjekjet e studiuesve perëndimorë në lidhje me lëvizjet në botën myslimane, dallojmë se prej këtyre studimeve lindin këndvështrime të tilla rreth këtyre lëvizjeve të cilat i konsiderojnë ato si antikoloniale dhe antiperëndimore. Në vendet myslimane që ndodhen nën regjime totalitare, lëvizjet, bashkësitë dhe grupimet islame, shfaqin si tendencë të përftojnë lëvizje të gjera transformuese shoqërore dhe për rrjedhojë ato konsiderohen si reaksionare dhe politike. Pavarësisht kësaj, çdo tendencë që mbart qëllime politike apo ideologjike nuk përbën as dhunti shkencore, as një opinion të njerëzve të thjeshtë. Tendenca në rritje e të bërit më islamik në shoqëritë myslimane përbën një prej këtyre fakteve. Në këtë tendencë, nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes politikës dhe mobilizimit reagues. Megjithatë theksojmë se “ndërtimi i një axhende apo nevoja për ndryshim social” merr një domethënie krejtësisht të ndryshme në shoqëri, krahasuar me kuptimin që ka ky koncept brenda shkencës së sociologjisë. Prandaj tendenca e shoqërisë për t’u bërë më islamike, si rezultat i motiveve të brendshme, nuk mund të përkufizohet mbi baza ideologjike. Ky është ndryshimi midis “islamizimit dhe islamizmit.”

Kjo e vërtetë duhet të mbahet gjithmonë në mendje në kontekstin e fenomenit të bashkësisë. Bashkësia e paraqet vetveten si rezultat i tendencës që zhvillohet në shoqëri, jo që të formohet një alternativë ndaj identitetit qendror të shoqërisë (siç mund të vërehet në lëvizjet radikale dhe ideologjike); përkundrazi, në tendencat e saj të gjera sociale, shoqëria demonstroi aftësinë për ta paraqitur veten në mënyra të ndryshme: herë si një organizatë qytetare, herë si bashkësi fetare dhe herë si parti politike. Nuk mund të ketë asgjë më të natyrshme se sa luhatja e prirjeve të tendencave fetare dhe ndjeshmëria në rritje në shoqëritë myslimane. Kjo tendencë shfaqet herë në formën e organizatave, herë si lëvizje të gjera e të fuqishme.

Disa artikuj e studime që analizojnë lëvizjen Gylen janë mbështetur mbi tendenca dashakeqe për ta paraqitur atë si një lëvizje ideologjike. Është për t’u theksuar fakti se të tilla tendenca janë përpjekur të dobësojnë legjitimitetin e saj duke e konsideruar atë si një formacion reaksionar që përpiqet t’i ofrojë një alternativë identitetit social. Kjo përpjekje ka rezultuar e pafrytshme, për arsye se lëvizja Gylen e konsideron shtypjen shoqërore dhe ideologjike të kundërt me shpirtin e komunikimit fetar. Komunikimi fetar i drejtohet vullnetit të lirë dhe lirisë së zgjedhjes dhe bën thirrje për të përdorur mekanizmat natyrorë të natyrës njerëzore. Krijuesi ka vendosur mekanizma mbi të gjithë ne. Ato ia mundësojnë çdo ndërgjegjeje që ta njohë dhe ta lejojë Atë të njihet. Kjo është ajo çfarë kërkohet prej bashkësisë: mirëkuptim, ndërgjegje dhe një natyrë e shëndetshme.[1]

Lëvizja Gylen nuk përdor metoda të huazuara propagandistike kur u bën thirrje individëve dhe shoqërisë. Siç e kemi theksuar shumë herë, ajo ka konceptuar metodën e vet të brendshme të veprimit dhe dinamikat e saj vetjake për komunikimin e besimit. Ajo përpiqet ta kthejë çdo marrëdhënie të kësaj bote në dimension shpirtëror dhe ta lidhë atë me përjetësinë. Të gjitha dinamikat e lëvizjes, janë formësuar nëpërmjet botës shpirtërore dhe aspektit transcendental. Për rrjedhojë, marrëdhëniet brenda lëvizjes i japin përparësi altruizmit, devotshmërisë dhe besnikërisë. Lëvizja Gylen është e distancuar ndaj promovimit të objektivave, përfitimeve apo interesave të kësaj bote. Nëse ne nuk e analizojmë një lëvizje brenda kontekstit të dinamikave dhe idealeve të saj të brendshme dhe nëse operojmë me modelet e gatshme kur duam të ndërtojmë konture krejtësisht të reja, atëherë nuk do të jemi në gjendje të arrijmë në konkluzione të drejta.

[1] Shih Gylen, Kendi Dünyamıza Doğru, Istanbul: Nil Yayınları, 2005, f. 185; Asrın Getirdiği Tereddütler, Nil Yayınları, Izmir: 1998, Vol. 4, f. 164 – 7; “Dar Bir Çerçeveden Din ve Vicdan Hürriyeti,” Yeni Ümit, No. 64, April 2004; Fasıldan Fasıla, Vol. 2, p. 50; Inancın Gőlgesinde, Istambul: Nil Yayınları, 2002, Vol. 2 , f. 27.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.