Përmasa historike e çështjes

Sikurse në mes të gjallesave të tjera, njeriu ka nevojë për të ushqyer e gjeneruar zemrën e mendjen, trupin e shpirtin, që të arrijë të kryejë funksionet e të përmbushë detyrat e përgjegjësitë e veta specifike e të përftojë “lumturinë njerëzore” dhe ashtu sikur mospërfillja e tyre është pengesë konkrete për zhvillimin njerëzor, po ashtu edhe qytetërimet e shtetet kanë pjesët e veta përbërëse që kërkojnë ushqim e gjenerim dhe kanë nevojat e veta që duhen përmbushur.

Veçanërisht gjatë pesë shekujve të parë të lulëzimit të vet, atëherë kur qytetërimi Islam ia ka dalë mbanë ta ruajë identitetin e tij karakteristik, ai e ka trajtuar përherë së bashku individin dhe shoqërinë, duke i kushtuar nga njëra anë vëmendjen e rëndësinë e duhur shkencës e dijes, të cilat i ka parë si “ndriçim i mendjes” dhe e ka konceptuar zhvillimin e botës si detyrë e drejtpërdrejtë e besimtarit, të cilit i është dhënë nderi dhe përgjegjësia për të qenë administrator i botës, po nga ana tjetër, duke manifestuar një qytetërim të bazuar në dinamika shpirtërore e morale, të gjeneruara nga besimi fetar. Shkencat natyrore dhe ligjet e tyre, të trajtuara si ligje të Krijuesit dhe reflektime të atributeve të Tij, Vullnet e Pushtet, as edhe njëherë nuk janë trajtuar të ndara nga ligjet e normat fetare, të vendosura nga Krijuesi, për të rregulluar e sistemuar jetën e individit dhe shoqërisë. Kështu, ai qytetërim, duke e parë shkencën - e cila shekujt e fundit është shkëputur krejtësisht nga feja, duke u bërë kështu shkak për një sërë fatkeqësish, të krahasueshme me dobitë e veta mbi njeriun e njerëzimin dhe duke e bërë njeriun të braktisë gjithë vlerat që gëzon, të aftë të shfarosë qindra e mijëra në çast, viktimë të materies e prodhimit të vet - si një shprehje e fesë në një tjetër fushë, ka bërë bashkimin e mendjes me zemrën në aspektin human e të besimit me intelektin në aspektin social, duke arritur t’i ofrojë njerëzimit për shekuj me radhë një periudhë të artë lumturie.

George Sarton, në veprën e tij monumentale “Hyrje në Historinë e Shkencës”, bën një ndarje kronologjike të kohës duke emëruar secilën periudhë kohore me emrin e një dijetari të famshëm-simbol i asaj kohe. Në këtë mënyrë, secila nga shtatë periudhat Pesëdhjetëvjeçare, nga shekulli VII deri në gjysmën e dytë të shekullit XI, mban emrin e një dijetari mysliman, si p.sh., Periudha e Harizmit, periudha e Birunit, etj. Krahas këtyre Sarton rendit edhe qindra emra të dijetarëve myslimanë që kanë bërë emër në histori. Këta dijetarë, ashtu si edhe shumë shembuj që mund të hasen në perëndimin modern, nuk ishin vetëm specialistë të një fushe, të ndrydhur në shabllonet materialiste, por ishin dijetarë të disa shkencave dhe njëkohësisht edhe njerëz të lartësuar shpirtërisht e moralisht dhe të thelluar në besim. Nga ana tjetër, edhe shumë njerëz të fesë, të arsimuar në fushën e teologjisë dhe spiritualizmit, ishin njëkohësisht dijetarë të matematikës, astronomisë, historisë apo kimisë.

Qytetërimi Islam kaloi një pështjellim të madh me pushtimin Mongol. Po megjithë moshën e vet 500-vjeçare, burimet e tij që rridhnin jetë, shpirti e hovtaria e gjallë që e karakterizonte, bënë që ky qytetërim t’i kapërcente shpejt rrënojat e këtij pushtimi. Jo vetëm që u ngrit në këmbë, po me Perandorinë Osmane, që ishte në një farë sensi filiali bri Evropës i këtij qytetërimi, arriti të lartësohej sërish në skenën historike. Po kur erdhi në shekullin e XIX këtij qytetërimi, nga njëra anë i ishte thyer krahu i dijes e nga ana tjetër, kishte pësuar deformime e ndrydhje edhe në krahun shpirtëror e moral. Ndërsa perëndimi, me zbulimet gjeografike por edh me zhvillimet që kishte arritur në shkencë e teknikë, pse jo edhe me mbështetjen që i jepte kolonizimi i vendeve të ndryshme nëpër botë e me të tilla mënyra, kishte hedhur hapa të rëndësishëm drejt fuqizimit. Dhe ky fuqizim e çoi atë në një pushtet mbarëbotëror, para të cilit Shteti Osman, i cili ishte bërë copë, nuk arriti të mbijetonte. Lufta Ruso-Turke më 1878, pas saj Lufta Ballkanike e 1911-12’ës dhe më pas Lufta e Parë Botërore lanë gjurmë në çdo vatër dhe hapën plagë të rënda në çdo zemër turke. Më së fundi, këtyre iu shtua edhe pushtimi e më pas copëtimi i Anadollit. Dhe në fund të këtyre humbjeve disashekullore, epërsia materiale e perëndimit dhe magjepsja ndaj pushtetit të tij, bëri që shumë vatra të besimit të shuhen disi në zemrat e myslimanëve, duke i hapur rrugë edhe dobësimit të besimit te Zoti por edhe lënien pas dore të shumë përgjegjësive fetare. Sidomos në Turqi, Islami mbeti sërish i vetëm, pikërisht si në ato ditët e para të tij në Mekë. Kurani u braktis. Myslimanët individualisht dhe bota islame në planin gjeografik e social, me shprehjen e Mehmet Akifit, u kthye në një gërmadhë ku ngrinin folé korbat.

Kështu historia e shkëlqimit dhe e rënies së qytetërimit Islam e posaçërisht atij Osman, ka ndikuar thellë në formimin e Fethullah Gylenit. Po megjithëse këndvështrimi i Fethullah Gylenit ndaj kësaj historie nuk kishte si të mos ishte sentimental, ai i ka bërë një trajtim shkencor e logjik ngjarjeve, duke mos i kërkuar shkaqet e rrënimit të këtij qytetërimi vetëm në faktorët social, ekonomik e politik. Siç do ta vërtetonte më së miri edhe gjatë eksperiencës në vendet ku do të ishte në detyrë në të ardhmen, themelet e çështjes qëndronin te besimi e botëkuptimi dhe këtë e vërtetonin edhe studimet serioze që ai i bënte personalisht Islamit. Ja, këtu qëndron edhe ajo pikë e rëndësishme ku mentaliteti e botëkuptimi islam i Fethullah Gylenit ndahet nga konceptimi ideologjiko-politik. Gyleni nuk e ka trajtuar shkëlqimin e rënien e qytetërimeve, historive e popujve nga prizmi modernist Osman dhe republikan, as edhe nga perspektiva sociale e politike e lëvizjeve islame ideologjiko-politike.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.