Simpozium ndërkombëtar për dialogun ndërfetar, modeli Gylen

Universiteti i Tiranës, Universiteti Fatih,Turqi dhe Qendra e Dialogut “Prizmi”, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë, organizuan në datat 25-26 Mars 2011 Simpoziumin Ndërkombëtar me temë: “KËNDVËSHTRIM I DIVERSITETIT FETAR, KULTUROR DHE SHOQËROR NË BALLKAN NGA PERSPEKTIVA GLOBALE; Përvoja e Fethullah Gylenit si Model dhe Harmonia Ndërfetare në Shqipëri.

Simpoziumi përqendrohet në modelin e harmonisë ndërfetare në Shqipëri, si vlerë e veçantë e popullit shqiptar, në rëndësinë e dialogut ndërfetar, ndëretnik dhe ndërkulturor në rajonin e Ballkanit, si mënyra e vetme për një të ardhme më të mirë, si dhe në opinionet dhe perspektivat e mendimtarit dhe teologut të shquar turk Fethullah Gylen.

Fethullah Gylen është një nga autorët më të njohur ndërkombëtar dhe aktivist i shquar në çështjet e arsimit, me një kontribut të çmuar në dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor si faktor për arritjen e paqes
globale, pranimin e të tjerëve si kontribut themelor për bashkekzistencën njerëzore, edukimin e vlerave, si dhe në përballimin e sfidave që rrjedhin nga globalizimi.

Referues në simpozium janë 36 akademikë të mirënjohur nga 18 shtete të ndryshme, si nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Anglia, Franca, Turqia, Kosova, Bullgaria, Gjermania dhe sigurisht edhe nga Shqipëria.

Akademikët dhe studiuesit e ndryshëm, referojnë gjatë punimeve rreth temave të ndryshme të përqendruar tek dialogu ndërfetar, arsimi dhe perspektivat e së ardhmes. Disa prej akademikëve përqendrohen tek roli i lëvizjes Gylen, në harmoninë dhe dialogun ndërfetar botëror.

Simpoziumi zgjati dy ditë dhe në të u trajtuan tema të ndryshme të ndara, si Dialogu Ndërfetar dhe Ndërqytetërimor, Vlerat Morale në Filozofinë e Gylenit, Filozofia Humane e Gylenit, Filantropizmi dhe Shoqëria Civile, Islami dhe Demokracia, Gyleni dhe Arsimi, si dhe Dialogu në Ballkan dhe në Shqipëri.

Takimi ka si qëllim promovimi e harmonisë fetare jo vetëm në vendin tonë por edhe më gjerë, duke trajtuar në veçanti rastin e mendimtarit të kohës sonë, Fetullah Gylen.

Simpoziumi ka nisur me një ekspoze të shkurtër mbi jetën dhe veprimtarinë e Gylen në promovimin e dialogut ndër fetar në botë. Midis të tjerash, u tha se Gylen është i njohur mbi qëndrimet e tij kundër dhunës dhe përdorimit të fesë për motive politike.

Fjalën e hapjes e mbajti Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferraj, i cili përveç se shprehu kënaqësinë mbi pjesëmarrjen në këtë simpozium të gjerë, vlerësoi frymën e dialogut dhe harmonisë fetare që përcjell Gylen në librat dhe lëvizjen e tij.

“Harmonia ndërfetare në Shqipëri është jo vetëm një rast unik, por edhe vlerë shumë përfaqësuese e kombit tonë. Ne gjithmonë kemi besuar në rëndësinë e madhe të ruajtjes dhe konsolidimit te harmonise fetare, të këtij tipari tejet identifikues për shqiptarët, e cili vjen tashmë edhe si vlerë integruese në familjen e madhe evropiane”, theksoi ndër të tjerash Xhaferaj. Më tej, ministri theksoi se në veprat e tij,  “mendimtari, filozofi dhe shkrimtari i njohur turk Fethullah Gylen shpalos idenë se: “Dialogu ndërfetar sot përbën një domosdoshmëri dhe hapi i parë në institucionalizimin e tij, është të harruarit e së shkuarës, injorimi i argumenteve ndarës dhe dhënia përparësi e pikave të përbashkëta, të cilat do të flakin tutje polemikat e panumërta”, duke shtuar se në kohën e sotme ka problematika që mund të tejkalohen vetëm me anë të dialogut.

Më tej, foli rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, duke theksuar se harmonia fetare në Shqipëri është një kurorë e ndritur për vendin. “Është një privilegj i veçantë për mua si rektor i Universitetit të Tiranës dhe të shpreh bindjen e thellë se jemi në vendin e duhur, dhe koha e duhur. Jemi në një ambient shkencor ku përpiqemi të njohim njëri-tjetrin, në drejtim të perspektivës globale”, theksoi Kule.

Gjithashtu, në këtë simpozium foli edhe anëtari Bordit Drerjtues të Universitetit Fatih të Stambollit. Mustafa Ozcan, i cili theksoi se në kushtet ku ne jetojmë, është e domosdoshme harmonia dhe respekti midis njerëzve. “Gjithmonë ka pasur nevojë për mendime të bashkëjetesës mes njerëzve. Në kushtet ku jetojmë me probleme si urrejtja midis njerëzve, është e rëndësishme që të jenë në plan të parë vlerat njerëzore”, theksoi ai, duke shtuar se në “vende të ndryshme ku vazhdimisht hasim probleme të ndryshme”. “Si mundet që të ketë edhe një herë paqe, drejtësi dhe tolerancë midis njerëzve. I nderuar Gylen, me mendimet e tij u ka treguar njerëzve zgjidhjen e problemeve. Në Shqipëri, ku kemi diversitet të fesë, vazhdimisht ka pasur bashkëjetesë. Por në të njëjtën kohë në Ballkan kemi pare lufta të vazhdueshme, ka nevojë për një drejtësi të re, për moralin dhe filozofi të re të jetës. Të gjithë po e shohim këtë ndryshim”, vijoi Ozcan.  “Uroj që edhe një herë për këtë tolerancë bazuar mbi dashurinë dhe vlerat njerëzore, ku njerëzit të kenë mundësi që të bashkëjetojnë pavarësisht ndryshimeve midis tyre që kanë”, përfundoi ai.

Profesori i Universitetit të Derbit në Angli, Prof. Dr. Paul Weller foli gjatë mbi dallimet dhe qëndrimet rreth fesë jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë. “Përpara se të paraqisja qëndrimet e mia, do të doja të sillja përshëndetjet nga vendi im. Së dyti, do të doja në emër të kolegëve të mi të falënderoja organizatorët dhe qeverinë shqiptare për organizimin, sepse ne vijmë për të ndarë një perspektivë globale”, theksoi ai.

“Prezantimi im formal do të jetë për qëndrimet e Gylen brenda një Evropë gjithëpërfshirëse. Ne dimë që Ballkani ka pasur luftëra dhe probleme. Gjithashtu ne dimë diversitetet e ndryshme që kanë të bëjmë me sfidat sociale që kanë të bëjnë me kohezionin e drejtësisë dhe barazisë. Ballkani ka pasur një diversitet kulturor me një prezencë të gjatë të hebrenjve, të krishterëve dhe muslimanëve, ku janë bërë përpjekje për mohimin e identiteteve fetare”, shtoi ai.

Profesori britanik solli raste e shekullit të shkuar, ku janë përpjekje të shumta nga parti politike si komunizmi, apo nazizmi për të mohuar fenë dhe rolin e saj në shoqëri. “Në shekullin e XX ka pasur përpjekje për spastrimin e grupeve etnike. Këto përpjekje janë bërë ndaj popullatave myslimane. Kundrejt këtij sfondi unë kam parasysh se krizat sociale burojnë nga kriza ekonomike dhe politike, ndaj Evropa duhet të gjej sfidat për të jetuar dhe bashkëvepruar së bashku. Në një far mënyre, përvoja Gylen është një përvojë që shkon mjaft mirë edhe në Shqipëri”, tha gjithashtu.

Ai foli për rëndësinë e këtij simpoziumi që po zhvillohet në Shqipëri, duke sjellë  ndarjet e shumta në Ballkan midis popujve. “Së pari, ky simpozium është gjeografikisht në Ballkan. Pika e dyta, konferenca tematikisht fokusohet mbi Ballkanin dhe ka të bëjë mbi marrëdhëniet religjioze. Nëpërmjet përvojës kujtojmë se ka pasur konflikte të tmerrshme, por me këtë konferencë kuptojmë se me anë të diversitetit mund të arrijmë të bashkëjetojmë”, sqaroi.

“Pika e tretë, ndërkohë që ne jemi në Ballkan, prania e studiuesve nga ky rajon do të kontribuojnë në mënyrë globale me anë të kësaj konference. Ne jemi të lidhur së bashku nga rajonet lokale apo në nivele ndërkombëtare, ndaj është më e rëndësishme që të ndërlidhemi së bashku. Pika e katër, është angazhimi dhe përvoja që transmeton Gylen. Pra siç e dinim Gylen është një mysliman turk. Pika pesë, frymëzimi i Gylen është një shpresë për të pasur një Ballkan gjithëpërfshirës dhe një Evropë të tillë. Ndaj mësimet e Gylen dhe veprat e këtyre vullnetare mund të përcjellin harmoninë”, vijoi më tej.

“Së fundi, si një model i tillë është e nevojshme që në mënyrë modeste që të kemi një angazhim. Nuk është një reformistë që po bën për të shitur Islamin, por është një trashëgimi sufi për të identifikuar të mirën apo mirësinë aty ku gjendet. Përmes kësaj kemi një rreth të madh që përfshin shumë njerëz që frymëzohen nga Gylen për nxitjen e dialogut midis hebrenjve, të krishterëve dhe myslimanëve.

Gylen kritikon politikën për materializëm të tepruar, ky nuk është një qëndrim kundër fetar. Ai ka kundërshtuar përdorimin e Islamit për qëllime politike, një politizim i tillë i Islamit do të dëmtonte shtetin. Gylen thekson rëndësinë për nxitjen e paqes dhe harmonisë. Së pari ai argumenton se ne jemi qenie njerëzore. Gylen dhe iniciativat e tij sfidojnë grupet islamike që kanë të bëjnë me qëndrime sekulariste për t’u shkëputur nga shoqëria. Ai tregon se Islami nuk është një kontraditë për shoqërinë”, përfundoi fjalën e tij profesori britanik.

Simpoziumi në Tiranë vazhdoi gjatë së premtes dhe së shtunës. Ra në sy një pjesëmarrje masive, dukuri e rrallë kjo në simpoziume shkencore.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.