Dialogu me Popullin e Librit

Dialogu me Popullin e LibritQëndrimi dhe sjellja e besimtarëve është përcaktuar në përputhje me shkallën në të cilën gjendet besimi i tyre. Unë besoj që nëse mesazhi është drejtuar saktë, atëherë rrethanat e përcjella me dialog do të jenë në gjendje të gjejnë terrenin e përshtatshëm në vendin tonë dhe kudo në botë. Kështu, si në çdo subjekt, ne duhet t'i avitemi kësaj çështjeje siç është treguar në Kur'an dhe nga Profeti, paqja dhe mëshira qofshin mbi të. Zoti thotë në Kur'an:

Ky është libri që nuk ka dyshim në të (sepse është prej Allahut), është udhëzues për ata që janë të devotshëm. (el-Bakara, 2:2)

Më vonë, këta të devotshëm janë treguar si më poshtë:

Të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen (namazin) dhe japin prej asaj që Ne u kemi dhënë; dhe ata, të cilët besojnë në atë që t'u zbulua Ty, dhe në atë që është zbuluar para Teje dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhshme në) botën tjetër (ahiretin). (el-Bakara, 2:3-4)

Duke përdorur një stil shumë të butë dhe paksa të tërthortë, Kur'ani u bën thirrje njerëzve të pranojnë profetët e mëparshëm dhe librat e tyre. Fakti që një kusht i tillë ka gjetur vend në hapje të Kur'anit, ngjan të jetë shumë domethënës për mua kur të fillojmë të bisedojmë rreth vendosjes së dialogut me çifutët dhe të krishterët. Në një tjetër ajet Zoti urdhëron:

Me ithtarët e librit mos polemizoni ndryshe (kur i thirrni në fenë tuaj) vetëm ashtu si është më së miri. (el-Ankebut, 29:46)

Në këtë ajet, Kur'ani përshkruan metodat dhe mënyrat që duhet të përdorim dhe sjelljen që duhet të manifestojmë. Bediuzzamani shprehet në një mënyrë shumë domethënëse për ta sqaruar këtë: "Ata që janë të lumtur për dështimin e kundërshtarëve të tyre në debat janë të pamëshirshëm." Ai shpjegon gjithashtu arsyet: "Ju nuk fitoni asgjë nga humbja e dikujt. Nëse ju jeni humbësi dhe një tjetër person është fituesi, atëherë ju do të korrigjoni gabimet tuaja."

Debati nuk duhet të jetë për hir të egos, por më saktë të mundësojë shfaqjen e të vërtetave. Në një debat politik në të cilin i vetmi qëllim është të mposhtësh një person tjetër, nuk mund të arrihet në përfundime pozitive dhe të dobishme për shoqërinë. Në një debat idesh ku të vërtetat dalin në dukje, principe të tilla si mirëkuptimi i ndërsjelltë, respekti dhe përkushtimi ndaj drejtësisë nuk mund të jenë injoruar. Si një normë kur'anore, debati mund të zhvillohet vetëm në rrethana që janë të përshtatshme për dialog.

Duke lexuar para ajetit (29:64), ne vërejmë që kushti "nëse nuk jeni me ata që nuk besojnë dhe shkaktojnë shtrembërime (dhe plagë)" është i saktë. Gabimet dhe shtrembërimet gjithashtu përmenden në një ajet tjetër:

Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurtë dhe ata janë në rrugë të drejtë. (el-En'am, 6:82)

Në përputhje me interpretimin e ajetit të mësipërm nga Profeti, partneriteti në lidhje me Zotin është i njëjtë me mosbesimin në sensin që një njeri ka përbuzur universin. Tirania më e madhe është të bësh që të heshtin të gjithë zërat që shprehin Zotin në koshiencën e një njeriu. Tirania gjithashtu synon të angazhojë një padrejtësi kundër të tjerëve, duke i shtypur ata dhe duke imponuar idetë mbi të tjerët. Në këtë këndvështrim, tirania përfshin politeizmin dhe mosbesimin dhe ky është mëkati më i madh. Çdo politeist ose jobesimtar nuk mund të jetë një keqbërës i rëndomtë në sensin që parashtruam më sipër. Ndonëse ata që shtypin të tjerët, që armatosin vetveten në emër të angazhimit të së keqes dhe që dhunojnë të drejtat e të tjerëve dhe drejtësinë e Zotit, duhet të jenë përballur me strukturat e ligjit.

Kur shqyrtojmë popujt e librit që nuk janë shtypës, ne nuk kemi të drejtë të sillemi dhunshëm kundrejt tyre ose të mendojmë se si t'i shkatërrojmë ata. Një qëndrim i tillë është në kundërshtim me parimet dhe normat e Islamit, dhe mund të thuhet madje që është antiislamik. Në Kur'an është shpallur:

Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë. (el-Mumtehine, 60:8)

Ky ajet u relevua kur një emigrante që quhej Esma, e pyeti Profetin nëse duhej të takohej me nënën e saj që ishte politeiste dhe dëshironte të vinte nga Meka në Medine për ta parë vajzën. Ajeti sugjeronte që një takim i tillë ishte plotësisht i pranueshëm dhe që Esmaja gjithashtu mund të ishte e përzemërt me nënën e saj. Unë e lë në dorën tuaj të mendoni se çfarë qëndrimi duhet të jetë mbajtur për ata që besojnë në Zot, në Ditën e Gjykimit dhe në profetët.

Qindra ajete kur'anore trajtojnë dialogun dhe tolerancën shoqërore. Por nuk duhet të mungojë kujdesi për të vënë tolerancën në balancën e saj. Të tregohesh i mëshirshëm me një kobër (gjarpër), do të thotë të jesh i padrejtë me njerëzit të cilët ajo ka kafshuar. Pretendimi që "humanizmi" është më i mëshirshëm se Mëshira Hyjnore është mungesë respekti ndaj mëshirës dhe dhunimit të drejtave të të tjerëve. Në të vërtetë, përveç rasteve të veçanta, Kur'ani dhe Sunneti gjithmonë përkrahin tolerancën. Pëlhura që mbulon tolerancën shtrihet jo vetëm te populli i librit, por, në një sens, tek të gjithë popujt.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.