Horizontet e Shpirtit: Mendimi Metafizik

Bota perëndimore moderne është mbështetur pothuajse plotësisht në nocionet materialiste që përjashtojnë dhe madje mohojnë dimensionet shpirtërore ose metafizike të ekzistencës. Kjo është një pikë e diskutueshme, por më e rëndësishmja është që shumë të ashtuquajtur intelektualë muslimanë, të cilët qorrazi imitojnë dhe importojnë gjithçka shohin në perëndim, përbuzin dhe mohojnë mënyrën tradicionale të të jetuarit dhe të të menduarit të shoqërisë së tyre. Kjo ndodh përgjithësisht sepse ata nuk janë të vetëdijshëm për dimensionin shpirtëror të ekzistencës dhe jetës. Në të vërtetë, ata që e reduktojnë ekzistencën në përmbajtje dhe që mendojnë vetëm për marrëdhëniet materiale, mezi mund ta perceptojnë dhe kuptojnë se çfarë është metafizike dhe shpirtërore. Për më tepër, meqenëse ata që vetëm mund të imitojnë, janë më radikalë në qëndrimin e tyre të huazuar se vetë ideatorët, dhe meqenëse imitimi shpeshherë e errëson realitetin, të vetëquajturit intelektualë bëhen më radikalë në mohimin e gjithçkaje që është shpirtërore dhe metafizike, ndërsa u mungojnë njohuritë e mjaftueshme për rëndësinë e gjithçkaje që është jetësore.

Meqenëse dimensioni shpirtëror dhe metafizik kërkon prej nesh që të kapërcejmë ndjenjat dhe instinktet tona për të shkuar në horizontet e pakufishme, materialistët as e kuptojnë dhe as e pëlqejnë këtë. Me fjalë të tjera, ata e kufizojnë hapësirën e të menduarit të tyre vetëm në çfarë provojnë dhe perceptojnë. Ata shfaqen si intelektualë të vërtetë duke gënjyer veten dhe të tjerët që ekzistenca përbëhet vetëm nga dimensioni material.

Pavarësisht nga deklarimet dhe pohimet për kopjen e tyre perëndimore, është e vështirë për ta pranuar që mendimi shkencor perëndimor, ndonëse së pari është materialist, të ketë qenë gjithmonë i shkëputur nga mendimi spiritual dhe metafizik. Qytetërimi modern perëndimor është bazuar në trinitetin e lashtë grek, në të drejtën romake dhe në krishterizmin. Ky i fundit, të paktën teorikisht, i kontribuon një dimensioni shpirtëror. Perëndimi kurrë nuk e ka hedhur plotësisht poshtë mendimin platonik, ndonëse mbetet për t'u parë filozofia e tij pozitiviste dhe racionaliste. Gjithashtu nuk mund të pretendohet që mendimtarë të tillë si Paskali, Xheims Xhins (Jeams Jeans) nuk kanë ekzistuar kurrë apo të mohosh intuitivizmin e Bergsonit. Edingtoni (Arthur Stanley Eddington), Xh. Xhins, Bergsoni, Paskali, Bernhard Bavink dhe Heisenbergu kanë të njëjtën rëndësi në mendimin perëndimor si Komte (Auguste Comte), Darvini, Moleskolti (Jacob Moleschott), Zolbe (Henrich Czolbe) dhe Lamarku. Në të vërtetë, është shumë e vështirë që të gjesh një filozof apo shkencëtar ateist para gjysmës së shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Në të kundërt, mendimi metafizik dhe spiritualiteti janë pothuajse plotësisht të hedhur poshtë nga shumë intelektualë muslimanë. Në emër të ca nocioneve që janë reduktuar thjesht në slogane siç janë "iluminizmi, qytetërimi perëndimor, civilizimi, modernizimi dhe progresi," mendimi metafizik dhe jeta shpirtërore janë denigruar dhe degraduar. Gjithashtu këto nocione janë përdorur për të goditur vlerat tradicionale islame.

Ne e shfrytëzojmë "horizontin e shpresës" për udhëtimin përtej dimensionit të dukshëm të ekzistencës dhe e konsiderojmë ekzistencën si një ndërthurje të tërë në mungesë të së cilës gjërat dhe ngjarjet nuk mund të rroken siç janë realisht. Dhe po kështu, nuk mund të kuptohet esenca dhe lidhja e saj me Krijuesin, si edhe marrëdhënia në mes Tij dhe njerëzimit. Disiplinat shkencore që përshkohen nga natyra materialiste duke e ndarë ekzistencën nga jeta dhe që i japin përfundimet e tyre të shkëputura nga njëra-tjetra, nuk mund të zbulojnë të vërtetën e gjërave, ekzistencës ose jetës.

Kur kërkime të tilla janë bërë në mjekësi, për shembull, njerëzit janë vështruar si qenie të krijuara nga shumë struktura të veçanta. Dhe konkluzionet mund të nxirren shumë thjesht: Ekzistenca është zhveshur nga kuptimi dhe logjika e saj dhe, është treguar në formën e elementëve të veçantë që përbëhen vetëm nga materia, ndonëse e vetmja rrugë për të kuptuar dhe vlerësuar plotësisht jetën dhe ekzistencën, është ta vështrosh ekzistencën përmes prizmit të shpirtit dhe mendimit metafizik. Shpërfillja e kësaj rruge mundëson komentin e gjërave përtej limiteve të tyre dhe gjithashtu i kufizon përpjekjet intelektuale thjesht brenda kufijve të ndijimeve dhe perceptimeve. Por kur ne dëgjojmë zërin e ndërgjegjes ose të botës tonë të brendshme, kuptojmë që mendja kurrë nuk është bindur ose kënaqur me këto perceptime të thjeshta.

Mendimi më i saktë, më i qëndrueshëm dhe më i plotë arrihet duke u mbështetur në themelet e metafizikës dhe spiritualitetit. Bota e lashtë është ndërtuar siç tregohet në librat e shenjtë, siç janë Kur'ani, Bibla, Vedat dhe Upanishat. Mohimi ose denigrimi i mendimtarëve, shkencëtarëve dhe filozofëve antimaterialistë perëndimorë siç janë Kanti, Dekarti, Paskali, Hegeli dhe Leibnici, synon të injorojë një segment esencial të mendimit perëndimor.

Ne mund ta imagjinojmë një botë të re më të përparuar të bazuar në njohuritë dhe shkencën, vetëm nëse e vështrojmë konceptin e shkencës përmes prizmit të metafizikës. Muslimanët akoma nuk e kanë konceptuar shkencën në domethënien e vërtetë të saj që rrjedh nga Kur'ani dhe tradita islamike, para së gjithash formuluar nga Kur'ani dhe hadithet. Aplikimi i shkencës ose teknologjisë në mënyrë të papërgjegjshme dhe egoiste ka sjellë më shumë dëme se sa të mira.

Nëse muslimanët duan t'i japin fund poshtërimit të gjatë të tyre dhe të ndihmojnë në ngritjen e një bote të re dhe të lumtur, aspak të njëjtë me perëndimin, duhet t'u rikthehen modeleve të vjetra të teorive materialiste dhe pozitiviste, me idetë dhe frymëzimin e tyre. Të vetëdijshëm për të kaluarën e dhimbshme dhe të vështirë, ata duhet të bëjnë përpjekje të mëdha për t'u dhënë zgjidhje këtyre problemeve.

Një koncept i vërtetë për shkencën do të bashkojë spiritualitetin dhe metafizikën në një kuptim ku afirmohet lidhja e plotë e brendshme dhe e pathyeshme në mes çdo disipline shkencore dhe ekzistencës. Vetëm një koncept që ka përfshirë gjithçka në tërësinë e saj mund të quhet me të vërtetë shkencor. Duke e vështruar ekzistencën në elementë të veçantë dhe duke u përpjekur të arrijmë tërësinë nga këto pozita, do të gjendemi të mbytur në shumëllojshmëri. Në të kundërt, duke i përfshirë në një të tërë këto elementë dhe duke studiuar pjesë të ekzistencës, në dritën e tërësisë, do të arrijmë në konkluzione të drejta rreth realitetit të ekzistencës.

Spiritualiteti dhe metafizika gjithashtu e pajisin artin me dimensionet e gjera të tyre. Në fakt, arti e arrin identitetin e vërtetë përmes spiritualitetit dhe metafizikës. Një artist zbulon botën e brendshme të krijesës njerëzore me të gjitha ndjenjat, gjallërinë, shpresat, zhgënjimet dhe ambiciet e veta dhe po ashtu zbulon se si ta lidhë atë me dimensionin e jashtëm të ekzistencës. Atëherë, artisti i shfaq këto në një mënyrë të volitshme në mjedisin e rrënuar. Arti shfaq esencën tonë të brendshme, e cila është vazhdimisht në lëvizje për t'u kthyer në origjinën e vet. Me fjalë të tjera, artistët bashkojnë frymëzimin që vërshon në shpirtrat e tyre nga gjërat dhe rrethanat nga çdo kënd i ekzistencës. Duke i sjellë së bashku të gjitha ligjet dhe fenomenet, atëherë ata i shfaqin gjërat për ne në tërësinë e tyre.

Dua të kujtoj që burimi më i rëndësishëm për shkencën, mendimin dhe artin, madje për virtytet dhe moralitetin, është metafizika. E gjithë ekzistenca mund të jetë perceptuar në mënyrë të drejtë dhe të saktë duke u bazuar në metafizikën e mirëfilltë. Kjo do të na lejojë të vështrojmë të gjithë ekzistencën si një të tërë, dhe të udhëtojmë përmes dimensioneve të thella të saj. Pa spiritualitetin dhe metafizikën, ne nuk mund të krijojmë një komunitet me themele të shëndosha, këto komunitete janë të shtrënguara të lypin vazhdimisht nga të tjerët. Komunitetet pa koncepte metafizike të shëndosha vuajnë krizën e identitetit.

Për të ndërtuar një botë të re dhe të lumtur në të cilën vlerave njerëzore u është dhënë rëndësia e duhur dhe janë të frytshme në konceptimin e synimeve dhe aspiratave, të gjithë njerëzit, pa dallime fetare, duhet të rizbulojnë dhe riafirmojnë treguesit spiritualë dhe metafizikë në fetë e reveluara nga Zoti.

Pin It
  • Krijuar në .
Copyright © 2020 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Tutti i diritti riservati.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.