Edhe Para Profetesise ai Pati Jetuar si Profet

Njeriu i besueshmërisë

Periudhat e fëmijërisë, të rinisë e të pjekurisë së tij patën qenë në cilësinë e hyrjes, shkallareve dhe shkallëve drejt profetësisë në mënyrë të tillë që një shumicë njerëzish nga ata që e njihnin, i patën besuar dhe i qenë dorëzuar sapo pati shpallur se ishte ngarkuar me detyrën e profetësisë.

Ai nuk kishte gënjyer qoftë edhe një herë të vetme në jetën e tij. Kurse tani pikërisht ky njeri fliste për Allahun dhe thoshte se ishte pejgamber. Si mund të ndodhte që një njeri që nuk kishte thënë diçka të kundërt me realitetin edhe në çështjet më të vogla, të mund të thoshte gënjeshtër në një çështje kaq të madhe e sublime? Një gjë e tillë s'mund të ndodhte kurrsesi! Ja, pra njeriu i asaj dite kështu mendonte; edhe nëse jo të gjithë, ata që e linin mënjanë inatin dhe zilinë, besonin menjëherë. Periudha që jetoi Profeti, qe periudha e injorancës, mirëpo ky emërtim i është dhënë kësaj periudhe lidhur me jetesën e atyre që patën mbetur jashtë kohës që qe e posaçme vetëm për të. Ai kurrë nuk e pati jetuar periudhën e injorancës ndonëse pati jetuar në atë periudhë. Ai pati qenë njeriu i sigurisë e i besueshmërisë. Dhe, gjithashtu, çdo njeri të tillë e pranonte atë. Bie fjala, dikush donte të bënte një udhëtim për ç'shkak i duhej ta linte familjen në një dorë të sigurt. Dhe për këtë, pa u lëkundur aspak, do t'i drejtohej Muhammedit (s.a.v.). Nëse dikush mendonte t'ia dorëzonte mallin në ruajtje dikujt, për këtë do t'i drejtohej Muhammed Eminit (të Besuarit) duke e ditur se nga malli nuk do t'i prekej as edhe një grimcë. Nëse dikush donte të dinte mendimin më të drejtë mbi një çështje, vraponte te ai etaloni i drejtësisë, e dëgjonte atë, konkludonte në bazë të thënieve të tij dhe të gjitha shpjegimet e tij i mbante për parime në çdo punë, sepse, siç thamë, ai s'kishte gënjyer qoftë edhe një herë në jetën e tij!

Mos doni argumente ? Ja, pra! Ai ka dalë në kodrën Ebu Kubejs dhe i pyet njerëzit që ka përreth: "A do të më besonit sikur t'u thosha se pas kësaj kodre po vjen një ushtri për të na sulmuar?" Të gjithë në një gojë i thonë: "Po, do të të besonim, sepse kurrë nuk dëgjuam që të kesh thënë gënjeshtër!" Midis atyre që përgjigjen kështu, gjenden edhe armiq të fesë si Ebu Leheb dhe Ebu Xhehl16. Mirëpo të gjithë e vërtetojnë drejtësinë e tij dhe e pranojnë besueshmërinë e tij. Ai e pati humbur të atin duke qenë ende në bark të nënës, kurse nënën kur qe bërë pesë-gjashtë vjeç. Pastaj e pati marrë nën mbrojtje i gjyshi, Abdylmuttalibi. Por edhe këtë e pati humbur sa pati shkelur në të tetat. Dukej sikur kaderi, paracaktimi hyjnor, e ndante atë prej çdokujt dhe e përgatiste për t'iu dorëzuar tërësisht Allahut. Të gjithë mbrojtësit që mund t'i zgjasnin dorën, shkonin një e nga një dhe tërhiqej vëmendja mbi mbrojtjen e Providencës Hyjnore drejtpërsëdrejti e praktikisht. Ai duhet t'i ketë ndjerë që në krye të herës në ndërgjegje dhe duhet t'i ketë shqiptuar "Fjalën e Njësisë" dhe shprehjen "Hasbinallah", "Allahu më mjafton". Prandaj të gjithë faktorët aparentë duhej të shmangeshin tërësisht nga mesi dhe ashtu pati ndodhur...

"Abdullah" që do të thotë "Robi i Allahut" dhe "Amine" që do të thotë "Grua e drejtë dhe e besueshme", janë emrat e prindërve që e patën sjellë atë në jetë. Po, ai vinte në botë nga një grua që lindte besim, që ishte ruajtësja e amanetit të besimit e të sigurisë. Po ashtu, emri i të atit të këtij njeriu të nderuar, i cili qysh para profetësisë krenohej me të qenët rob i Zotit, bartte kuptimin "Rob i Zotit". Këto nuk janë rastësi. Nuk janë, sepse është Allahu ai që i përcakton.

Ai u rrit jetim

Ai u rrit si jetim. Përpara ishte një ngarkesë e rëndë që do të merrej përsipër, një detyrë e madhe. Dhe duhej që ai të përgatitej që tani. Ai duhej që të përgatitej me një konstrukt që t'i përgjigjej shkallës më të lartë të nënshtrimit ndaj Zotit, që të mund t'u vinte gjoksin të gjitha vështirësive. Allahu e mbrojti atë nga kapriçioziteti i të pasurit si dhe nga përulësia e të varfërit. Dhe në çdo hap të jetës siguroi përgatitjen e tij si njeri të aftë për të ruajtur maturinë dhe orientimin larg nga ekstremiteti i djathtë apo i majtë.

Për një lider është shumë e rëndësishme që të kalojë nëpër ditë të tilla plot shqetësim. Ai duhet ta dijë mirë se ç'do të thotë bonjakëri në mënyrë që të mundet të sillet si një baba i dhembshur ndaj popullit të tij. Duhet ta ketë shijuar varfërinë që, duke e njohur gjendjen e atyre që ka nën administrim, të ndërhyjë ashtu siç duhet. Ja, pra, karakteri specifik i të Dërguarit të Allahut - zgjatja e dorës jetimit dhe të varfërit dhe kujdesi për ta - që ndodhej në gjendjen e një fare brenda moralit të lartë të tij, ushqehej me ujin e kësaj jete që jetonte, me dheun dhe ajrin e saj. Edhe pastaj, atëherë kur ai u ngjit majave, duke mos ndryshuar asgjë nga gjendja e tij e kohëve të para, duke jetuar rrafsh e thjeshtë pa ndryshuar mënyrën e të jetuarit gjatë gjithë jetës, tregoi se mbetej një personalitet i pangjashëm. Sa qe gjallë, kurrë nuk e përbuzi jetimin dhe nuk e ktheu duarbosh nevojtarin. Sepse këtë ia pati porositur dhe udhëzuar personalisht Providenca Hyjnore: "A nuk të gjeti Ai ty jetim e të bëri vend? Dhe të gjeti të paorientuar e të orientoi? Dhe të gjeti të varfër e të begatoi? Pra mos e përbuz jetimin! Dhe mos e përzë nevojtarin! Dhe me të mirat që të dha Zoti yt, udhëzo!" (Kur'ani, Duha: 6-11)

Sa herë që ta këndoj këtë kapitull, megjithëse im atë më ka vdekur vite më parë, përsëri ia ofroj atë si një ndërmjetës të Dërguarit të Allahut dhe i lutem atij shpirti të lartë që të mos më përzërë nga dera e tij: "Ja një jetim në derën tënde! Mos e përzë nga dera tënde këtë jetim!"

Pranë Abdylmuttalibit

Abdylmuttalibi e pat parandjerë shumë kohë më parë nurin e profetësisë tek ai. Ditët e jetuara me të kalonin përherë të mbara e të begata. E ulte atë në kuvendet e të mëdhenjve, tregonte respekt dhe konsideratë për të. Tek ai shihte shpëtimin e njerëzimit. Në shikimin e të Dërguarit të Allahut kishte një thellësi të tillë që ishte e pamundur ta konstatoje tek të tjerët. Luej, për të cilin thuhej se ndoshta ishte profet nga etërit, kishte paralajmëruar se një profet i tillë do të vinte prej brezit të tij dhe Abdylmuttalibi, i mbështetur në këtë sihariq, kishte ndjerë se i nipi, Muhammedi, do të bëhej profet. Madje mund të thuhet se pikërisht si rrjedhojë e kësaj e donte të nipin me një dashuri skajore gjer në xhelozi. Kur do të vdiste, ky burrë vigan pati qarë me ngashërim dhe i qe përgjigjur kështu Ebu Talibit që i qe afruar pranë dhe e pati pyetur për shkakun: "Nuk do të mundem më ta marr në gjoks Muhammedin e ta përkëdhel, prandaj po qaj!" Mendoni tani që, ky burrë i cili nuk ishte lëkundur përballë ushtrisë së Ebrehesë e të cilit gjatë dhjetra vitesh lufte as nuk i ishte njomur syri, qante si fëmijë se do të ndahej nga nipi i tij i dashur! Kjo do të thoshte fund edhe i kujdestarisë së Abdylmuttalibit. Po, edhe ai i mbylli sytë duke dhënë këshillën e fundit. Pas tij, atë "Margaritarin e Pashoq" do ta merrte në mbrojtje Ebu Talibi.

Kalimi te Ebu Talibi

Ebu Talibi e mbajti fjalën. E mbrojti të Dërguarin e Allahut për afro dyzet vjet me radhë, iu bë mburojë atij. Dhe kjo mirësi e Ebu Talibit nuk mund të mbetej pa përgjigje. Providenca Hyjnore i mundësoi atij të ketë një bir si Hz. Aliu. Brezi i çdo profeti ka vazhduar nga vetvetja. Kurse brezi i të Dërguarit të Allahut do të vazhdonte nëpërmjet Hz. Aliut. Madje thuhet se është edhe një rrëfim për këtë që i dedikohet Profetit.

Hz. Aliu përfaqësonte aspektin e prijësisë te Profeti i të Dy Botëve. Nisur nga kjo, ai konsiderohet kurora e të gjithë prijësve. Vlerësimi i lartë që i është bërë e do t'i bëhet gjer në Kiamet, është si një dhuratë e si një përgjigje për bujarinë e treguar prej tij ndaj Ebu Talibit dhe të Dërguarit të Allahut.

Edhe Ebu Talibi, ashtu si i ati, Abdylmuttalibi, ishte vetëm një pretekst në aparencë. Ishte Providenca Hyjnore Ai që e rriti dhe e mbrojti atë. Ndërsa nga njëra anë Allahu e lartësonte atë Personalitetin e Zgjedhur drejt nivelit të profetësisë, nga ana tjetër shoqëria përgatitej në mënyrë që të mund ta pranonte atë në momentin e duhur. Çdo ditë që kalonte, merrnin trajtë edhe më të qartë shenjat e profetësisë së tij dhe Hz. Muhammedi (a.s.) ruante pozitën e tij të lartë në aktualitetin e përditshëm si një njeri për të cilin flisnin të gjithë dhe e njihnin nga afër të gjithë.

Pin It
  • Publikuar më .
© 2024 Faqja e internetit të Fethullah Gylenit . Të gjitha të drejtat të rezervuara, Faqja zyrtare në gjuhen shqipe e mendimtarit Fethullah Gylen.
fgulen.com, është faqja zyrtare e mendimtarit Fethullah Gylen.